Heshtur, në një pjerrinë arriti jeta, Hijevitet shkasin mjegullës atje,, Më parë nisa pasionet e shkreta, Pa dëshirat u rrokullisën që dje.
Është e ëmbël rrëshqitja, pa mundim, Nuk e sheh kohën, as lodhjen nuk e ndjen, Më mirë të ishte i gjatë rrugëtim, Kështu sheh fundin, që andej larg po vjen.
O miq, dikur mbaron kjo rrugë mundimi, Lodhja e ecjes, diku e ka një fund, Nëpër degë urrejtjesh e adhurimi, Stuhia e dashurive të përkund.
Tashmë vite që heshtin, në mjegull treten, Rrugë të vjetra, që pa ty mbeten pas, Një shpirt në tymnajë,që nuk gjeti veten, U end e vrapoi në helm e në gas.
Stuhi qenka jeta, asnjë çast s'u pre, Të rrëmben. n'egërsin' e saj, të përplas, Bukuri në trishtim, po ti gjë nuk pe, Se kokën s'e ktheve asnjëherë pas.
Tani që jeta po rend e të motoi, Do kishe kohë të shihje ç'gjë le pas, Po ja, rrugëtimi i zhurmshëm mbaroi, Një muzg heshjesh në shpirtin tënd u përqas.
Ti që s'ëndërove para e lavdi, Ti që nuk përbuze jetën lakuriq,, Ti që të tjerëve u dhe dashuri, Në rrugën pas ke lënë mijëra miq.
Karriket përmbysen dhe paratë ikin, Më mirë se çifliku është një mik, As kataraktet dashuritë s'i fikin, Edhe në rrëshqitje mbetesh Dashuri.
Pa në pjerrinë më shtyti sonte jeta, Më motoi në vitin e shtatëdhjetë, Edhe rrëshqitja paska këngët e veta, Mençuri hyjnore e moshës së tretë
Kjo ditëlindje, një trishtim i gëzuar, Më përshëndeti sërishmi në vetmi, Gjumin e ndoqa errësirës, jam zgjuar, Rreth meje jan' ulur qindra dashuri.
Jashtë lëpika natën shiu dhe era, Koha rrëmben heshtur ditët e rinisë, Te der' e hapur pres, si vitet e tjera, Të vijë fluturim yll' i djalërisë.
Një çast ndjeva një vështrim të hutuar, Në terr u tret e shtrenjt', e zeza shami, Një drit' e venitur, prej vitesh larguar, Nëna ime po më bënte shoqëri.
Vjen ajo çdo vit, si shpirt i përmalluar, Merakoset mos më pllakosin mërzitë, Kur më sheh si det pa dallgë, të qetuar, Ikën, veç ndezur ka lënë një qiri.
Pajtim Xhelo, 20 nëntor 2019,
Comments