top of page

RRËMBIMI I KLEAS


Vullnet Mato



Tregim

Teksa përkundesha mes kujtimeve pikëlluese, të kundërshtimit fetar, për t’u fejuar me dashurinë time të shtrenjtë, javën e tretë erdhi nga Korça letra e Kleas:


I dashuri i zemrës sime, Beso! Do jem shumë e lumtur po të ra në dorë kjo letër. Duan të më fejojnë me zor. Ngulin këmbë për një mjek të krishter në lagje. Nëse ke mundësi, të lutem eja shpejt të më marrësh, pa u trashur puna... Të pres me padurim. Jotja, K... Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” kërko shoqen time Violeta Borova. Ajo më lajmëron.”

Gjoksi më mori flakë menjëherë. U mbusha me frymë hareje. Letra e saj ishte si një rezonancë gëzimi, oshtima e shpresës sime që vinte së largu. Ishte agimi i flakëruar pas një premtimi të përgjumur në muzg. U bëra befas me flatra të padukshme. S’më mbante vendi, sa të vinte e nesërmja, të shkoja në Elbasan te motra, me lajmin e madh të ardhur nga parajsa.

Nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveçse t’i përgjigjesha menjëherë thirrjes engjëllore të asaj vajze të hatashme e po aq të mrekullueshme. Një shpirt i mirë, është një thesar. Unë e kisha gjetur thesarin tim. Tani vendimi kishte marrë formën e prerë. Ajo më kishte thirrur me zërin e shpirtit të saj dhe unë do të shkoja, edhe sikur të më ftonte për në varr.

Po atë ditë pasdite u nisa për në Elbasan, për ta shndërruar ëndrrën magjike në nuse. Dhe mbrëmja e asaj dite doli më e mbarë nga ç’e prisja. Kunati Xhevit shprehu gatishmërinë të vinte me mua në Korçë, për rrëmbimin e Kleas. Do të vinte në përdorim taktikat e tij prej ish ushtaraku, për të siguruar suksesin. Fjeta atë natë në çarçafët e artë, të ëndrrës më të bukur, të rinisë sime.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm drejt Korçës me autobusët e linjës. Arritëm në qytetin e madh lindor, aty nga ora tre pasdite, kur ishte mbyllur gjimnazi, ku mund të takoja shoqen e Kleas.

Nata e hotelit ishte si natë vetëburgimi për trurin tim të terrorizuar. Krejt ndryshe nga unë, Xheviti tregohej mjaft gjakftohtë dhe në çdo kohë rrekej të më injektonte optimizmin e vet.

Paraditen tjetër, hyra me kujdes në territorin e përcaktuar nga letra e Kleas, për të kërkuar gjimnazin “Raqi Qirinxhi”. Dhe duke pyetur e gjeta lehtë. Nxënësit ishin në mësim. M’u desh të prisja rënien e ziles së pushimit. Më pas dërgova një vajzë, që doli rastësisht te porta e hekurt, për të thirrur Violetën e panjohur. S’vonoi shumë dhe te dalja e oborrit, u afrua një nxënëse, brune, e gjatë. Kishte fytyrë gazmore dhe flokë kaçurrela.

- Kush më kërkoi? - pyeti ajo duke qarkuar vështrimin e druajtur rreth meje.

- Unë, - i thashë. - Të ka folur Klea për Beson!...

- Po, po! - vajza e panjohur më hetoi nga koka te këmbët e më dha dorën duke u purpuruar në fytyrë. - Do shkoj ta lajmëroj tani. E ka shtëpinë këtu afër, ja, tek ajo ndërtesa dykatëshe!

Nga fjalët e saj m’u ngroh menjëherë i tërë shtati dhe i zgjata Violetës një fotografi timen:

- Të lutem jepi dhe këtë foto, me mesazhin të shkruar prapa. Unë po largohem. Pasdite, kur të kesh dalë nga shkolla, po deshe shoqëroje Klean deri te banka, ku kryqëzohen rrugët.

Ajo më këqyri edhe një herë me atë vështrimin e saj zhbirues. Buzëqeshi, pohoi me kokë dhe u largua me vrap. Prapa fotografisë kisha shkruar imët: “Tungjatjeta Klea, dhe mirë se të gjeta! Sipas porosisë në letrën tënde, kam njëzetekatër orë që gjendem në Korçë. Është e para dhe e fundit herë. Çdo zgjatje na rrezikon të dyve. Sytë e mi i ka marrë malli për liqenet e tu të kaltër.”

U ktheva ku më priste Xheviti, me shpresa të shkruara në fytyrën e çelur tërësisht. Ai kishte gjetur taksinë dhe bashkë me shoferin kishin vënë në gojë nga një cigare.

- Ky është kunati, sa të vijë dhe kunata, nisemi! - i tha shoferit.

Gjysmëdita po binte, duke më krijuar edhe mua një gjysmëhije ndjenjash. Ajo s’po vinte dhe sekondat po zvarriteshin në mënyrë të padurueshme. Isha duke i bërë sytë katër, nga pritja dhe ankthi. Kontrolloja të gjitha qoshet dhe rrugicat, duke pritur me merak shfaqjen e saj të vonuar nga çasti në çast.

Sakaq Klea me shoqen e saj, po përshkonin një rrugë të paparashikuar prej nesh, për të mos rënë në sy. Dhe u shfaqën befas e po buzëqeshnin nga larg, si një dritë e fuqishme që zbardh papritmas mëngjesin e plumbtë. Të gjitha poret e mia kumbuan nga hapi i saj i zjarrtë. Brofa nga vendi ku isha ulur e një valë e nxehtë gjaku më vërshoi nëpër gjymtyrë e më rrëqethi gjithë trupin.

- Klea! - thirra dhe zemra më tringëlliu, sikur të kishin trokitur në gjoks qukapikët e pyllit.

Ajo zgjati dorën e butë në heshtje dhe sytë e saj ujëra-ujëra sikur lëshuan dallgë të ngrohta. Vështrimi saj paksa i druajtur m’u duk si vështrimi qiellor i yllit të Afërditës. Kishte veshur një fustan basme me lule të mëdha, me mëngë zhapone dhe një palë sandale të bardha. Teksa ishte stepur e përmalluar, ajo përdridhte pa pushim gishtat e shqetësuar, që tregonin se brenda saj po zhvillohej një duel i fshehtë. Pata përshtypjen, se mos vendimi i saj luhatej ende midis dëshirës dhe pavendosmërisë për të braktisur prindërit.

E vështrova në dritë të syrit, teksa dielli mbrëmjesor i derdhte dritë të kuqe mbi qepalla.

- Klea, je e vendosur përfundimisht? - e pyeta me zë të lehtë që të mos dëgjonte taksisti.

- Po, Beso, - tha duke më goditur me një shikim të ngulitur në bebëzat e mia.

- Hip, shpejt! – e nxita i frikësuar, se mos e kishte ndjekur dikush nga shtëpia dhe ma rrëmbente zogun e artë nga dora.

Vajzat u puthën. Klea zuri vend pranë meje. Violetës i rrëshqitën lot, ndonëse e dinte mirë përse e kishte shoqëruar shoqen e ngushtë. E falënderova me mirënjohje dhe u nisëm.

Një copë herë Klea tundte dorën nga xhami i hapur. Derisa Violeta pak nga pak mbeti sa një thërrime në udhëkryqin e largët, me porosinë, të lajmëronte në shtëpi pas një ore të ikjes sonë.

Vetëm atë çast të lumturuar, kur Klea ime e ëmbël u mbështet pranë supit tim, krijova bindjen se më në fund Zoti më kishte mbështetur me dhuratën më të çmuar në jetë. Dhe atë çast m’u zu fryma befas e m’u morën mentë nga një valë dashurie e çmendur. M’u duk sikur bota nisi të rrotullohej rreth meje dhe po bleroja, duke lëshuar nëpër trup gjethe e bisqe lulesh.

Herë pas here hidhja sytë nga profili i bukur i saj, me atë qafë të gjatë gushëbardhë, me ato llërë të plota, që tregonin vërtetësinë reale të ëndrrës sime të plotësuar...

Po binte muzgu. Sapo arritëm në Maliq, taksisti hapi krahun dhe doli të shihte motorin. Taksia e vjetër, tip “Varshava” e angazhuar për të na çuar deri në Pogradec, ngeci përfundimisht aty mbi asfalt. Në ato çaste të padurueshme, ne mbetëm para saj, si para një mize të madhe, të ngecur në shiritin ngjitës të letrës mizakapëse. Sërish ankth dhe zemërdridhje për mua. U mundova ta bind veten, se taksisti, i regjur në këso punësh, e kishte nuhatur me anën e pasqyrës, se puna jonë ishte rrëmbim i pastër. Dhe u shmang, për të mos pasur probleme, nëse mund të ndiqej nga policia e lajmëruar prej familjes së vajzës.

Paguam taksistin dhe dolëm. Sakaq Xheviti tha se duhej të niseshim në këmbë, për të dalë sa më shpejt nga Maliqi e të gjenim ndonjë mjet gjatë rrugës. Dhe u nisëm menjëherë, të ndjekur këmba këmbës nga ankthi i pasigurisë.

Ishte bërë natë. Përshkuam me hapa të shpejtë plepat, që zgjateshin në të dy krahët e rrugës. Udha e shkretë nxinte dhe heshtja e mistershme që na qerthullonte nga të gjitha anët, po na ngjallte shqetësim. Ndjeheshin të lehurat e qenve në fshatrat përqark. Klea heshtte dhe në atë mugëtirë, trajtat e saj mezi dalloheshin. Sakaq projektorët e disa makinave të rralla na goditën pas shpine pa u ndalur, teksa frika e ankthshme e ndjekjes po na ndiqte hap pas hapi. Xheviti ecte pas nesh, i kontraktuar nga përgjegjësia e marrë përsipër dhe vrojtonte me kujdes çdo lëvizje përqark.

Duke mbajtur Klean përdore, ndjeva edhe në lëkurën e saj drithërimin e merakut.

- Mos ki frikë? – i thashë me zë pëshpëritës e i shtrëngova dorën për t’i stimuluar siguri.

- Kam vetëm merak… - murmuriti ajo me një rrëzëllitje të ëmbël sysh.

- Merak për ç’farë?

- Mos më ndjek vëllai... Më lejuan të dilja vetëm një orë... Shkoi kaq vonë dhe!...

Pastaj ajo më shpjegoi, se, pasi kishin diktuar dashurinë tonë, qëkur ishte kthyer në Korçë, e mbanin të mbyllur, duke e nxjerrë, në orën pesë pasdite, të shoqëruar vetëm me Violetën.

Befas, atë çast Xheviti pas nesh ndali një kamion “Gaz Molotov”. Dritat e tij të fuqishme na bënë të ndjeheshim krejt lakuriq në mes të rrugës, nga frika se mos në të, ishte dikush që po na ndiqte. Por dëgjuam Xhevitin që iu lut shoferit qetësisht, gjoja na qe prishur makina në rrugë dhe ishte rimorkiuar për në ofiçinë… Shoferi pranoi të na merrte dhe shkonte pikërisht në Elbasan. Fati ynë filloi të kthehej për së mbari dhe më në fund gjaku na shkriu nëpër rremba.

Xheviti hipi në të vetmin vend që kishte përpara ky lloj kamioni. Ne u ngjitëm mbi thasët me oriz dhe tani krejt të lehtësuar shpirtërisht, u ngjeshëm pas kabinës, për t’u mbrojtur nga era. Nata vjeshtore dukej e ngrohtë, po Klea ishte me mëngë zhapone. Nga meraku, hoqa xhaketën dhe i mbështolla krahët, ndonëse edhe vet isha me një këmishë najloni si letër cigareje.

Ishim larguar mjaft nga rrethinat e Maliqit dhe po i afroheshim Çërravës. Kur befas buzë xhadesë, në dritën e fareve të makinës, u shfaq si sfinksi, pamja e frikshme e një polici me automatik në sup. Mesa shihej te tabela pas shpinës së tij, aty ishte posta e policisë.

Bo, boooo, thashë me vete, kanë lajmëruar nga Korça postën policore!” Befas në qiellin e ndriçuar të trurit tim shkreptiu një rrufe e frikshme: Polici do më kërkojë letërnjoftimin dhe do lajmërojë degën e Pogradecit: “Futeni brenda, atë rrëmbyes femrash!”. U rrëqetha i tëri.

Ndërkohë polici bëri me dorë një lëvizje urdhëruese për ndalim. Shoferi hapi krahun dhe frenoi në heshtje. Njeriu blu u afrua te dritarja e kabinës. Përshëndeti dhe bëri anash pa ndonjë dëshirë të dukshme për kontroll. Kamioni ynë dihej prej tij, si mjet ushtrie. Dhe Xheviti përkrah shoferit, i veshur me uniformën pa grada të oficerit të liruar, mbase i krijoi më tepër besim.

Atëherë motori i zemrës sime filloi t’i zbresë marshet e larta deri në minimo. Psherëtiva thellë dhe u mbështeta pranë Kleas që kishte heshtur plotësisht. Makina çau errësirën e natës me shpejtësi të zhurmshme, duke na krijuar përshtypjen, sikur kishim shpëtuar nga një greminë e thellë. Vetëm pasi lamë Pogradecin, mbështeta kokën e Kleas mbi faqen time dhe mora frymë lirisht. Në errësirë ajo dukej e tëra si një lule e madhe e mjegullt, tunduese dhe misterioze. Frymëmarrja e saj e vakët dhe e ëmbël ma ngrohu fytyrën dhe ma mbushi gjoksin me gufime.

“Molotovi” vraponte si i shkalluar, kërciste, dridhej e hidhej përpjetë nëpër gropa. Ndërsa ne mbaheshim fort me buzët shtrënguar te njëri-tjetri dhe ndjeheshim sikur të ishim në prehrin e butë të perëndisë.

Duke menduar për dyshekun me thasë orizi, në një nga pauzat mes fraksioneve të frymëmarrjes i thashë Kleas:

- Po ta dinë njerëzit, se mbi kokrrat e pilafit të tyre, ka udhëtuar një dashuri e madhe, kushedi sa do t’u shijojë!...

- Ku s’të fluturoka ajo mendje, o shpirti im! - tha ajo me një zë përkëdhelës.

- Më fluturon, moj Klea, më fluturon, moj xhan, nga gëzimi që ndjej për të gjitha ato gjëra të bukura që shoh tani në sytë e tu!

- Ç’farë sheh aty, o zemra ime?

- Shoh filmin e jetës sonë, që po na del kaq i bukur, moj e dashura ime e ëmbël! - i thashë dhe psherëtiva thellë nga një vegim i beftë për të ardhmen e pasigurt. Sepse ashtu si hajduti i vetëdijshëm, mendoja me frikë, se vërtetë e kisha rrëmbyer atë pasuri të ëndërruar, po vallë, a do ta gëzoja dot deri në fund, përballë urrejtjes dhe egërsisë që më kishin kërcënuar?!...

Gjysmëhëna e ndritshme voziste mes rrëkeve të pafundme të yjeve. Sakaq me shpirtin kozmik të atyre çasteve, uroja që të gjithë njerëzit e vuajtur nga dashuria të përqafoheshin me njëri-tjetrin, ashtu si ne të dy. Të përhumbur në puthjen e gjatë magjike, rruga prej nëntëdhjetë kilometrash, na u duk nëntë metra. U shkëputëm nga buzët e njëri-tjetrit me keqardhje, vetëm kur “Molotovi” ndaloi ta Rrapi i Bezistanit. Mund të kishim udhëtuar ashtu deri në Polin Jugor të globit, duke harruar çdo vuajte të kësaj bote...

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page