top of page

RRËFIMI I NJË TË PENDUARI


FASLLI HALITI



. poemë.

Unë një labirint piramide,

Katakombi

Një lesh e li

Një turbullirë

Hapësirë plot moçale

Lartësi gjithë vakuume

Shirit me gjysma fjalësh

Kasetë

Me gjysma bisedash

Me gjysma polemikash

Debatesh

Copëza këngësh

Tingujsh

Melodish

Liqen plot cektësira

Pa kaltërsi

Pyll

Pa lisa

Plot shkurre

Plot trungje shtrembakë

Pa zogj pa bilbila

Pa lauresha

Plot derra,

Ujqër,

Pa dhelpra

***

Unë

Jam një film fragmentar

Plot të këputura copë copë

Plot poza të djegura

Flu

Një arë

Me grurë të blertë breshke

Me kalli pa kokrra…

Kokëpërpjetë

Djerrinë

Plot gjembaçë

Plot driza dhe ferra

Unë

Mbjell

Nuk korr

Miellin e sit

Brumi vjen i kulluar

Unë s’e gatuaj s’e pjek

Shtëpinë e lë fare pa bukë

Librin e lë pa lexuar gjer në fund…

Filmin s’e ndjek

Gjer në end, fine, telos, kanjec

Fjalët e tekstit nuk i marr vesh

Nuk i kuptoj

Melodinë nuk e riprodhoj

Refrenin e mërmëris me vete

Dëshiroj shumë

Por pa arritje

Shtroj problemet

S’i zgjidh saktësisht

X y z më dalin me mbetje

Me përqindje

Në fund

Në ushtrimet algjebrike mbrëmjeve bëj minuse

Me qëllimin furbesk

Që t’i bëj pluse

Në mëngjes

Edhe rimat s’i qëlloj

Asonancat e mia janë anemike

Ngjyrat të përzjera llaҫ kobalt, pink

Krijoj njolla

Si trazirë ylberi mbi asfalt

Jam indiferent ndaj halleve të kujtdo

Vëmendja ime nuk u vë veshin telasheve të njerëzve…

Mendja bën fluturime nëpër qiejtë nëpër retë

Syri im

Sheh qimen

Në syrin e tjetrit

Nuk sheh trarin në syrin e vet

***

Unë

Një automatik difektoz

Fishekët më dalin të pazbrazur

Unë

Një orë e çakërdisur

Herë shkoj para

Herë prapa

Herë

S’punoj fare

Më mërzitet koha e mërzitur

Ndaj e lë të ikë si pelë e azdisur

***

Unë

Tren

Pa trenistë

Dal nga shinat

Çaj mes baltrave

S’i duroj dot shinat

Më mërzitin paralelet

Të cilat s’takohen kurrë

Kujtesa ime një usb boshe

Kompjuter me plot mishmash

Me një stivë mbresash imcake

Me cirkovolucione të përgjumura

Tru smirëzi

Dhëmbë

Ҫatallë smeril

Hakmarrës i serta

I cili nuk fshihen dot

Me gomën e pendesës

Idhnak intolerant ekstremist i marrë

Vadis gjembaçin shkul zambakun e bardhë

***

Pështyj

Dhe lëpij të pështyrat

Fshij pikën e vesës në fytyrën e tjetrit

Lë pështymën e tjetrit në faqen time

Unë përtyp qelbësira të vjetra e të reja

Ha turpin me bukë,

Me bukë bajate

Pi në burim

Turbulluar

Nga unë

Vetë

Vdekjet

S’më hidhërojnë

Lindjet s’më gëzojnë

Nuk vete për ngushëllim

Në vakira s’qaj

Nuk vajtoj

Në dasma

Nuk këndoj

Mbaj vetëm iso

Nuk kërcej nukvallëzoj...

***

Ha dhe mbetem i uritur

Pi dhe mbetem i etur

Si Tantali

Suksesi

I tjetërit

Më pikëllon

Më vret veshin

Pres me padurim

Dështimet falimentimet

Afishimet mbi xam: «Dyqani mbyllet!»

Flas vetëm për të djeshmen

Për të sotmen heshtje

Goja

Kyҫur

Të ardhme

Të nesërmes

S ’ia vë fare veshin

Më mbetet koka duke pas

Rri me sy

Nga e djeshmja

Më pushton nostalgjia

Dashuria

S’më

Prek fare

Errësira më qetëson

Drita më vret sytë më verbon

Shoh si lakuriqi me veshë dëgjoj me sy

Akullin dhe avullin i kam miq

Me ujin jam në mëri në gjak

Unë digjem nga etja

Ai s’ma shuan

Buzën

S’ma lag

***

Unë

Hidrofob i tërbuar

Unë u thur himne torfës

Kënetave me ujë verdhanë

Selekëve të mbuluar me fier

Kallamave me idile puhish fine

Ujin e poshtëroj

Laj këmbët

Laj rrobat me njolla vaji të zi

Shaj lumin që shuan etjen e blerimit…

I marr lirinë ajrit dhe erës

I burgos në bombola

Në goma makinash

Shaj Oqeanet

S’i shoh dot

Gjërësitë, gjatësitë, thellësitë e tyre përpirëse

Pellggjeve u përkulem me reverancë

Rrëkeve iu mbaj ison pa tinguj

Laj sytë me sklepa burimeve

Kafshimi më ngop

Puthja e buzëve

Vishnjë qershi

Neveri

Tres

Vesën

Për plumba

Shes ndërgjegjen

Pa më vrarë ndërgjegjja

Tall

Trimërinë

Përkëdhel frikën

Dashuria më hap krahët me dashuri

Unë e përqafoj me urrejtje

Kuash më bëri

Mua kështu:

Unë s’jam krijues

Mua më bëri dikush

Po kush më bëri

Ju,

Jeta.

Shoqëria...

Apo më krijoi vetë Zoti, Perëndia...?

1996 - 2017

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page