RRËFIME TRILLUESE NGA NJË FUNKSIONAR PARTIAK


Fahri Dahri

RRËFIME TRILLUESE NGA NJË FUNKSIONAR PARTIAK

Nga Fahri Dahri


Ditën e dielë, me datë 10.11.2019, në gazetën “Sot”, ishte botuart nje shkrim i cili i dedikohej, midis të tjerave edhe rrëfimit të një funksionari të partisë, i cili paska pas marrë pjesë edhe në luftë.

Si njohës i pjesës së historisë që i takon Rajonit të Çamërisë dhe ngjarjes makabër, “Gjenocidit grek ndaj banorëve autoktonë, çamëve myslimanë”, e lexova jo thjesht si lexues, por edhe si studiues dhe bashkëvuajtës i asaj kasaphane, apo i atij kanibalizmi shtetëror dhe fetar grek.

Të nderuar lexues! E shoh të nevojshme që para se të shtjelloj mendimet e mia, të bëj me dije se Dr. Gail Saltz,psikiatër në New York Presbyterian Hospital, për personat që nuk thonë të vërtetën, ka konkluduar:“Personat që gënjejnë shpesh për përfitime personale mund të diagnostikohen me çrregullime antisociale të personalitetit dhe gjendja përkeqësohet me kalimin e kohës”. Ky konkluzion, mbasi e lexova rrëfimin e “Iksit”, sepse nuk i është përmendur emri, në gjykimin dhe mendimin tim i përshtatet plotësisht. Në pranimin e thënieve të njerëzve mendjendritur, dhe marrjen e tyre si udhërrëfyes, më duhet të bëj përsëri me dije se Papa Leoni i XIII na këshillon se: “Parimi i parë i historisë është të mos thuash të pavërtetën dhe, pastaj, të mos guxosh të heshtësh kur t’i kesh mësuar këto të vërteta”. Në bazë të këtij parimi, personalisht duke i njohur të vërtat e këtyre të pavërtetave që na janë servirur nga një zyrtar i lartë i PKSH dhe që i lexova në media, nuk mundem të mos i përgënjeshtroj dhe as nuk marr dot guximin për të heshtur, kur i njoh ato të vërteta.

Le të ndalemi tek shtrembërimet e të vërtetave të cilat na i paska pas thënë një njeri pa emër, por më interesant është fakti se “tipi mashtrues”, në disa raste arrin të justifikohet me shprehjet se “kohën e saktë nuk e mbaj mend”, ose “unë nuk di gjë të sigurtë”, etj, megjithatë veç këtyre “pasigurive”, të habit, ose të lë hije dyshimi edhe fakti ku, këto ngjarje të ndodhura plot 62 vjet më parë (nga Raporti i Partisë së Punës më 31 janar 1957) dhe mbi 75 vjet nga ngjarja e “Gjenocidit grek ndaj popullsisë çame, qershor 1944 - mars 1945, pavarësisht se edhe vetë rrefyesi shfaq dyshime, na publikohen sot, sikur ato janë “gjetjet e mëdha të historisë”. Qëllimi? Me dyshime të mëdha!

Në kushtet e mos pasqyrimit të rrëfimit të atij funksionari, do të përpiqem të them të vërtetën duke përgënjeshtruar të pavërtetat e tij. Së pari mësohet se “Iksi” nuk paska qenë në vendin e ngjarjes, dmth në kohën kur janë shpërngulur çamët nga Greqia, por ka qenë në një shtet tjetër, as në Greqi dhe as nmë Shqipëri. Ndërsa unë isha në vendin e ngjarjes dhe jam dëshmitar okular!

Vazhdojmë me të vërtetat. Eksodi i dytë i çamëve, largimi i dhunshëm nga vendi autokton, ka filluar në qershor të vitit 1944 deri në Gusht 1944, ndërsa në mars 1945 ndodhën përsëri masakrat dhe dëbimet e dhunshme për një pjesë të banorëve që u rikthyen, si efekt i mashtrimit nga marëveshja e Varkizës. Ndryshe nga rrëfimi se eksodi qenka kryer me “ndoshta” në vitin 1946.

Akuza, tashmë e bërë bajate se “çamët na paskan bashkëpunuar me okupatorët” duke kryen akte armiqësore kundër EDES-it (Lëvizjes nacionale të Napoleon Zervës) dhe EAM-ELLAS-it (partizanëve grekë), si dhe akte armiqësore kundër grekëve në atë zonë, nuk është e vërtetë. Përkundrazi, EDES-i, (forca politike dhe ushtarake e djathtë greke), dihet zyrtarisht ishte bashkëpunuese me okupatorin kundër forcave të majta greke, EAM-ELLAS-it, domethënë partizanëve ku bashkë me ‘ta mbi 700 djem e vajza çame ishin rrjeshtuar krah vllezërve të tyre grekë për çlirimin e Greqisë nga okupatori. Nëse lexuesi do të arrijë të lexojë rrëfimin e “Iksit” tek gazeta Sot, do të ndeshet gjithmonë me të shprehurit e tij: “Ndoshta”, ose “unë nuk di gjë të sigurtë”. Edhe kur bëhet fjalë për largimin e dhunshëm të banorëve çamë nga vendlindja, megjithëse me rrëfime “të pasigurta”, disa nga mediat tona u kushtojnë vemëndje të veçantë, është në të drejtën e tyre që i “gjallojnë”, por në gjykimin tim mendoj se do ishte e pëlqyer t’i shoqërojnë edhe me spjegimet përkatëse, kjo nisur nga që koha tashmë i ka sqaruar ato ngjarje afro shekullore. Arësyeja pse ndodh kështu, besoj nga mosnjohja dhe përgjegjshmëria ndaj çështjeve kombëtare. Nuk gjej tjetër!. Mirë do të ishte të qenurit më të kujdeshëm, sidomos kur bëhet fjalë për qendrime ndaj Atdheut dhe popullit.

Të tërheq vëmendjen fakti që përgjegjshmëria ndaj ruajtjes dhe mbrojtjes të çështjeve të mëdha kombëtare, duke u njohur me rrëfimet krejtësisht të pa vërteta dhe të pa argumentuara, thjeshtohen duke rënë shumë poshtë, aq sa vetvetiu krijohet një irritim sa i ligjshëm aq dhe i panevojshëm nga mënyra e stisjes (trillimit) së tyre.

Rrëfyesi pa emër, ose personazhi ynë vulë humbur, kur pyetet nëse shqiptarët e Çamërisë të ardhur në Shqipëri, si efekt i dëbimit të dhunshëm, ishin të mirëpritur nga udhëheqja e kohës, ai përgjigjet jo duke mbajtur parasysh realitetin, por jep mendimin e tij personal, duke pohuar :”besoj se jo”! Dhe vazhdon duke e rënduar situatën se gjoja “të ardhurit” u pranuan nga pushteti komunist me zor për faktin se nuk mund të vepronte ndryshe”. Tepër i rëndë dhe tronditës rezulton mashtrimi i tij kur jep mendimin jashtë çdo të vërtete me deklarimin rrëfyes se “me një ndjenjë mosbesimi, antipatie e gati urrejtjeje i pranoi dhe populli shqiptar”.

Lexuesit e sotëm që e kanë jetuar atë periudhë (sot janë të pakët, mbasi vitet bëjnë të tyren) do e kuptojnë menjëherë se “rrëfyesi” pa emër paska qenë jo vetëm gënjeshtar dhe mashtrues, por dhe një zemer lig që hidhte helm dhe nxiste urrejtje ndaj komunitetit çam. Ndërsa lexuesit e tjerë, të rinj dhe shumë më të rinj se sa të asaj periudhe, do ta kuptojnë qendrimin e atij mashtruesi dhe gënjeshtari, me qendrimin e popullit shqiptar në rastin e ndodhur ku historia u përsërit me “të ardhurit”, shqiptarët e Kosovës, të cilët po ashtu u masakruan dhe u dëbuan dhunshëm nga shteti serb. Si në vitin 1944 edhe në vitin 1999, ishte dhe është po ky popull shqiptar i cili tregoi bujarinë dhe mikpritjen e tij, ashtu si dhe në mbrotjen e hebrejve gjatë përndjekjeve hitleriane.

Popull ynë është i veçantë dhe me cilësi të dallueshme që i kanë zili popujt e tjerë. Përpara kësaj të vërtete, ç’fardo lloj trillimi, mashtrimi dhe prej kujtdo, që mund të thuhet për karakterin e shqiptarit, sigurisht mbetet nul, por dhe një bumerang ndaj shpifsave.

Pse i duhej mashtrimi dhe rrëfimi me të pavërteta atij funksionari të lartë partie? Pa mëdyshje arësyet ishin të shumta, por për rastin konkret, të pozicionit ku ndodhej ai mashtrues, e përdori mënyrën e të rrëfyerit ndryshe nga të vërtetat mbasi ishte në hall të madh, ishte i arratisur dhe donte të siguronte azilin politik. Pavarësisht se mashtrimet ishin plotësisht të kuptueshme, ato u pranuan nga institucioni përkatës, sepse si i thonë fjalës: “Gënje se më pëlqen të më gënjejnë”!.

Funksionari i neveritur, nuk mjaftoi me helmet që hodhi për komunitetin çam dhe gjoja urrejtjen e shqiptarëve vendas ndaj tyre, por me rrëfimet e tij ai synonte të fuste përçarje duke goditur edhe partinë e asaj kohe. Për tu treguar sa më bashkëpunues me institucionin e inteligjencës ku prej saj do të siguronte “azilin”, ai përpunonte mendimet se pranimi i emigrantëve çamë, me dashje apo pa dashje, po përdorej nga partia gjoja për qëllime propagandistike dhe politike në arenën ndërkombëtare, sidomos kundër Napoleon Zervës dhe Greqisë monarkiste.

Ndryshe nga e vërteta, “funksionari” ngritjen e Komitetit dhe Këshillit Antifashist Çam, i a dedikonte Partisë komuniste, kur ai Komitet u ngrit si nevojë e domosdoshme e çamëve të shpërngulur për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në përpjekjet e tij për ta denigruar komunitetin çam, “funksionari” i arratisur, arrin të cilësoi drejtuesit e atij Komuniteti si elementë servilë, bashibozukë dhe pa ndonjë të kaluar që mund tu vlente. Mbasi mendoi se i denigroi drejtuesit, vazhdoi me përçmimin edhe ndaj të gjithë komunitetit çam të ardhur në Shqipëri, duke i cilësuar se edhe “përbërja e komunitetit çam ishte e tillë”.

Deklarimet e pavërteta të “funksionarit” i gjejmë edhe kur ai flet për vend vendosjet e popullatës çame. Edhe në kërtë rast, personazhi ynë, dallohet në shoqërimin e rrëfimeve me shprehjen: ”Unë nuk e di sepse siç e thashë në fillim gjendesha në Jugosllavi, por nga bisedimet e mëvonshme kam dëgjuar se kjo masë njerëzish u vendosën kryesisht në qarkun e Vlorës, Fierit, Lushnjës e Tiranës”, kur dihet se çamët u vendosën edhe në Durrës, Sarandë, Delvinë, Peqin, Elbasan, Kavajë, Rrogozhinë etj.

Nga fundi i rrëfimeve “funksionari” i arratisur, me sa duket e kuptoi se mashtrimet dhe gënjeshtrat po trasheshin, bëheshin të pabesueshme, ka arritur të jetë edhe një rrëfyes me pak të vërteta, siç janë; “Nuk kam dëgjuar që çamët të jenë përdorur në luftën e rebelëve komunistë grekë. Partia nuk ka pasur kurrë besim te kjo masë, por gjithsesi atyre nuk mund t’u refuzohej e drejta e strehimit. Deri më tani asnjë nga çamët e ardhur nuk ka poste partiake ose qeveritare. Shteti shqiptar u kufizua vetëm duke u gjetur një strehim të çfarëdoshëm. Ata punojnë kryesisht në bujqësi..... Si rrjedhim çamët nuk besoj se janë të kënaqur me gjendjen në Shqipëri. Ata e mallkojnë regjimin komunist, por nuk kanë zgjedhje tjetër, janë një komunitet kurbeti”.

Këto ishin disa nga rrëfimet e funksionarit të partisë në kushtet e arratisë, të cilat shpalosnin llogjikën dhe mendimet e tij për popullsinë e shqiptarëve të Çamërisë, të cilët u dëbuan dhunshëm nga vendbanimi i tyre autokton prej shteti grek.

Siç rezultoi ky “funksionar” për përfitime personale, trilloi pa i u dridhur qerpiku rrëfimet e tij, disa prej tyre u trajtuan më sipër, në një kohë kur popullsia e një rajoni etnik shqiptar, i cili ishte i mbërthyer tërësisht nga dhimbjet më të forta njerëzore, duhej ndihmuar materialisht, moralisht dhe shpirtërisht. Nga të tillë “funksionarë” të lartë partie, apo dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë, por me zemër dhe ndjenja jo atdhetare, nuk mund të priteshin qendrime njerëzore. Pavarësisht të gjithave, populli shqiptar si ai vendas dhe ata të ardhur, arritën të vazhdojnë jetën dhe sot rrojnë të bashkuar, të vllazëruar; ndërsa “funksionarët” e djeshëm, dihet tashmë hëngrën kokat e njëri-tjetrit duke marrë me vete “meritat” e merituara.

Shpresoj të ndikoj sadopak, në rritjen e kujdesit për trajtimi e rrëfimeve të ngjarjeve, më tepër vigjilencë ndaj veprimeve apo mos veprimeve që na duken të vogla, të parëndësishme qofshin të hershme apo dhe të tashme. Çdo e keqe, qoftë e vogël apo e madhe, në brendi ka një magji tërheqëse, e cila përfitohet shpejt nga tipat shpirtzinj, të ligj dhe sharlatanë, ose siç shprejet populli njerëz “pa din e pa iman!”

Tiranë, më 12.11.2019.- Studiues i pavarur #Fahri #Dahri

12 views

Shkrimet e fundit