top of page

RONITJA E PEMËVE TË THATA FILLON NGA MAJA


(ESSE)

Thani Naqo

Zhorzh Simeon, autor i romaneve detektivo-policeskë, është shprehur në një intervistë se atij nuk i pëlqejnë frazat e shkruara bukur. Nëse një e tillë, (frazë, a fragment) i kishte "shpëtuar pa dashje", ai, me kënaqësi, e shprishte atë, e bënte të thatë, mjafton të mos kishte lëng letrar.

Pohim i çuditshëm!

Mirëpo Zhorzh Simeon bëri emër që me librat e parë dhe më shkon mendja se ai hyn në paraardhësit e letërsisë kriminalistike. Kinematografia, si një nga zhanër- koncernet më të mëdha të biznesit në art, e përpin këtë lloj letërsie, paçka se është e thatë dhe pa "limfë" letrare. Zhvillimi i kësaj lloj letërsie bëri qe librat e bestsellërve të jenë kryesisht romane detektivo-policeskë. Kjo gjë i shtyu edhe emra të njohur shkrimtarësh me famë botërore të lëvrojnë letërsi komerciale: personazhe pa fytyrë dhe pa penelim linjash natyrale.

Pa ngjyra dhe komoditet ndjesor letrar.

Ngado që "kthej syrin e mendjen" përpara më shfaqet një pyll i përcëlluar nga flakët, ku kanë mbetur drurë të thatë: ato roniten nga koha dhe ronitja fillon nga maja.

Zhvillimi i kësaj letërsie ndikoi në çorroditjen ndjesore tradicionale tek lexuesit në përgjithësi, por ndikimi i saj solli shterpësinë ndjenjë-përfytyrim tek brezi i ri. Ky brez u "miqësua me këtë shije të re thatanike", fenomen që pushtoi fundin e shekullit të shkuar dhe shekullin që jetojmë sot. Shijen e lexuesit të sotëm e tërheq letërsia ankth-ngjarje. Plagjiaturë në subjekt, me sfond tashmë të njohur skematik: shirita të verdhë dhe një enigmë - ngjarje. Pavarësisht se këto libra janë të një niveli letraro-artistik shumë të dobët, çuditërisht, autori bën emër pasi libri i nënshtrohen vizionit filmik ku luajnë edhe aktorë të kalibrit botëror. Pra, në plan të parë, është ngjarja, ku shpesh triumfon antiheroi.

Letërsia detektivo-policeske vazhdon të shkruhet me frazeologjinë e përshtatur me të folmen e përditshme e me fjalorin e thatë gazetaresk. E tejfolura në lajme përgatit opinionin i cili ndikon në biznesin e artit kinematografik. Kjo lloj letërsie, pavarësisht se skenarët shkruhen nga rregjisorët, sot gati barazohet me numrin e filmimeve të tyre. Pra, në subkoshiencën e shikuesit, atë, "limfën letrare" që nuk mundet dot ta japë shkrimtari, e plotësojnë aktorët.

Librat voluminozë, sidomos serialet romaneske të dikurshme dhe ato që vazhdojnë të shkruhen sot, kërkojnë vërtet lexues të ngeshëm. Mirëpo koha sa vjen dhe bëhet më e mangët edhe për të ngeshmit. Pjesa me e madhe e kohës harxhoht para ekranit të vogël dhe atij të madh, i cili plotëson fare lirshëm jo vetëm sfondet botërore, por edhe problematikat që përcjellin orën e ditën e këtij shekulli. Në çdo minutë del një shpikje shkencore dhe kjo pasohet me ngjarjet e befasishme në rang botëror. Të gjitha këto të vijnë përpara syve, kudo që të ndodhesh. Për shembul, mbaj mend se romani Lufta e Paqja, në moshën e rinisë, më "gëlltiti" një behar të tërë. Pas dy viteve, kur shkova në kinostudio, këtë vepër e pashë të filmuar dhe kësaj herë më hëngri katër orë. Nuk dua të zgjatem me efektet ndjesore-përfytyruese që të dhuron libri artistik dhe as të bëj krahasimin se çfarë efekte më trasmetoi arti filmik. Ky fenomen lë shumë për të diskutuar, por unë sot kam parasysh problemin që del me mosleximin e ftohjen me librin artistik

: Shpesh na lind përshtypja se edhe veprat e shkrimtarëve dhe poetëve të famshëm botërorë, sidomos i të vjetërve, kanë mbetur arsenal i bibliotekave. Ato lëçiten veç nga studjues të artit dhe, pak-o-gjë, nga lexues të mirëfilltë të brezit të avancuar. Kjo çështje, e mosleximit, sidomos nga brezi i ri, sa vjen e ndërlikohet, duke vënë në pykëpyetje zhvillimin e letërsisë "me lëng limfor" në shekullin që jetojmë dhe në ato që do të vijnë. Mendja më shkon sërish tek zhvillimi i shkencës në përgjithësi dhe sidomos perfeksionimi i artit vizional. Ky art bën përpara më shpejt se subkoshienca jonë tradicionale dhe krijon shkëputje nga mosnjohja e tërësishme. Kështu lind mospërputhja në kohë, në hapësirë dhe në tematikë. Kjo mospërputhje, në epokën e globalizmit kulturor, është e pamëshirshme sidomos në të shkruarit e letërsisë tradicionale të mirëfilltë. Kjo mospërputhje vihet re sidomos midis brezit të ri dhe brezit të vjetër. Mirëpo brezi i ri disponon mjetin elektronik, tamam si një shqisë universale që shikon dhe dëgjon dhe nuk ka nge të lexojë. Kufja në veshin e brezit të ri thëthin vargjet poetike të shekullit, pavarësisht nga mediokriteti, por që përtypet me la-la-la e da-da-da, nëpërmjet tingujve muzikorë.

Megjithëse, pas çerek shekulli, kemi ndjesinë se superstrukturës së dikurshme komuniste iu hoq koka me shpatën e demokracisë, porse nga nënshartesa ende dalin filiza të llojit thithakë. Këto filiza janë të mbushura me gjemba dhe frutat e tyre janë të hidhura...Dëmin që mund të shkaktojë një film artistik i indoktrinuar nuk e shkakton një bibliotekë e tërë...

32 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page