top of page

ROMEO LAZAJ  JEP KËSHILLA PËR JETËN E NDERSHME


SHPENDI TOPOLLAJ

 

   ROMEO LAZAJ  JEP KËSHILLA PËR JETËN E NDERSHME

 

   Pavarësisht se Xhorxh Bernard Show thosh se “Rregulli i artë është se nuk ekzistojnë rregulla të arta”, përsëri shoqëria njerëzore qysh kur nisi të ndërgjegjësohej si e tillë, e gjeti të domosdoshme përcaktimin e normave të sjelljes mes tyre. Këto fillimisht ishin të trashëguara gojarisht dhe më vonë të kodifikuara ndër ligje e libra. Dhe sa më shumë zhvillohej dhe sofistikohej kjo shoqëri, aq më i domosdoshëm bëhej edhe kuptimi dhe zbatimi i tyre. Ne e dimë se edhe tani në kohët moderne, ku dukuria kulturore është shumë më e lartë, përsëri rregullat e sjelljes, komunikimit dhe marrëdhënieve mes njerëzve, nuk janë të gjitha të hedhura në letër. Dhe nëqoftë se do të ndaleshim te rëndësia që aktualisht ato kanë, do të pranonim se shumica e atyre që pasohen nga brezi në brez, në planin moral, jo vetëm që kanë një rol të jashtëzakonshëm, por edhe krijojnë truallin prej nga ngrihet e gjithë ndërtesa juridike me detyrimet dhe sanksionet që rrjedhin nga moszbatimi e respektimi i tyre. Se ç`kuptim do të kishte sikur individët të mos ishin të ndershëm, fisnikë, korrektë, të sinqertë,  bashkëveprues, të bindur, të disiplinuar, mirënjohës, tolerantë, të arsyeshëm, të prirur nga virtyti, e mira, e bukura, nga respektimi i më të madhit, i eprorit, i prindit, nga kurajua për të përballuar vështirësitë, madje dhe fatkeqësitë, nga të ndierit i lirë dhe i pavarur në mendime, nga besnikëria, nga qëllimi në jetë, nga pranimi i gabimit, nga dashuria për bashkëshortin (en), familjen, atdheun, kombin, etj. Është për të ardhur keq kur sheh se sot, po shfaqen fenomene jo të denja për njeriun dhe sidomos për brezin e ri. Fjalori që të rinjtë përdorin lë shumë për të dëshiruar, këshillat e prindërve jo gjithmonë dëgjohen, mësuesit nuk shihen si shenjtorët e dijes, veshjet janë larg kërkesave etike dhe estetike, në autobusa nuk u lëshohet vendi të moshuarve apo grave shtatzëna, shumica e të rinjve janë larguar nga librat dhe janë bërë robër të celularëve, shumë prej tyre kanë shkuar akoma më tej, duke mësuar duhanin apo duke përdorur drogën pa menduar se ajo do t`u shkatërrojë shëndetin dhe vetë jetën. Shohim të rinj që nuk e duan punën apo shprehin dëshirën të largohen nga vendi i tyre pa ditur se ç`i pret. Ka dhe nga ata apo ato që më shumë se njeriun, preferojnë makinën e  shtrenjtë apo që duan të pasurohen në rrugë të dyshimta që i çojnë deri para dispozitave ligjore. Zakonisht, këtë realitet të qortueshëm e vërejnë dhe shqetëohen njerëzit me përvojë, ndaj është për t`u përshëndetur kur sheh se këto fenomene aspak të hijshme i bëjnë përshtypje edhe një të riu si Romeo Lazaj. Për më tepër, ai jo vetëm shqetësohet, por edhe merr përsipër të japë opinionet, mendimet dhe këshillat e tij. François de la Rochefoucauld që në shekullin e XVII - të, thosh se “Asgjë nuk jepet me aq bujari sa këshillat”. Por Romeo, pavarësisht moshës së re, mesa duket, nisur edhe nga arsimimi i tij apo profesioni si nënkomisar në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, ka marrë vendimin të shkruajë librin e tij “Kodi i Jetës”, për të cilin shprehet se ka dashur të tregojë motivacionin dhe optimizmin sesi duhet ta jetojmë jetën, atë jetë e cila sipas tij do të jetë bosh pa njeriun. Libri gati - gati është ndërtuar mbi bazë postulatesh. Ato aq sa janë me përmbajtje filozofike, aq edhe janë formuluar fare thjeshtë e kuptueshëm. Po sjell disa sa për ilustrim: Jeta do të jetë e varfër, kur ti nuk do të dish ta kërkosh. Jeta do të jetë injorante, kur ti nuk do të dish të mësosh. Jeta do të jetë e padrejtë, nëqoftë se ti do të sillesh si i tillë me të. Jeta do të jetë bardhë e zi, në qoftë se ti do të shohësh vetëm në këto dy ngjyra. Edhe në ato ditë kur ndieni sikur bota është shembur mbi ju, mos harroni: të gjithë kemi një mëngjes të ri për t`ia nisur nga fillimi. Në radhë të parë, duhet të pyesim veten, se a jam shok i mirë për dikë? Hesht kur je në kulmin e zemërimit. Jeta është e gjatë po të dish ta përdorësh dhe shumë e shkurtër për atë që mezi pret ditët që të kalojnë. Puna na jep vlera dhe na bën të ndihemi të rëndësishëm. Mos u jep kurrë peshë fjalëve që të thonë, vlerëso gjithmonë gojët prej nga dalin. Vetëm të disiplinuarit janë të lirë në jetë. Të jesh i pavarur do të thotë të jesh zot i vetes. Shoqërohu me njerëz që të japin këshilla të mira. S`të kushton asgjë që të ndihmosh një person në nevojë. Njeriu duhet të jetojë me synimin për ta shijuar këtë rrugëtim, të lërë një histori, të ndërtojë e të krijojë, të lërë kujtime të bukura. Dhe kështu vazhdon ky libër edukativ me këshilla që do t`u vlejnë sidomos të rinjve. Një libër i shkruar nga një autor i cili qysh në krye i ka zotëruar dhe manifestuar vetë këto vlera, pasi e ka ditur mirë atë thënien e famshme të Sokratit se “Ai që dëshiron të ndryshojë botën fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij”. Qysh nga koha e rinisë, e kemi të ngulitur emrin Romeo si simbol të dashurisë, por kuptimi etimologjik i tij vjen nga “pelegrin që shkon në Romë”, ndaj le ta urojmë Romeon tonë pas këtij libri të parë, që të mbetet përherë një pelegrin që udhëton me vepra të tjera të suksesshme drejt tempullit shkëlqimtar të letërsisë.

120 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page