top of page

Romeo e zhuljeta e Kohës sonë dhe Sekuritivi


Sotir Athanasi

( Tregim për Shën Valentinin )


Buqeta me lule të freskëta, qëndronte ende mbi tavolinë. Atë nuk e meritoi as tregimi I fundit që bënte fjalë për sakrificën ditën e Shën Valentinit. Njëzetë kilometra rrugë të përshkuara me këmbë për të takuar të dashurën, u lanë mënjanë kurse tregimi u rreshtua pranë të tjerave të rëna poshtë si gjethe nga buqeta. Arsyetimi për t'a vlerësuar ishte jo vetëm llogjik, por edhe i thjeshtë: Maratonomaku bëri 42 km. e kusur. Vërtet ai shpuri në Athinë lajmin e fitores, por të takosh të dashurën në distancë, mos vallë është më pak triumfuese?

Këtë dëshmi pranuar nga të gjithë, por edhe raskapitjen e "Maratonomakut-dashnor", e rrëzoi dikush. Shkaku? Gradiacion I pamjaftueshëm, - tha njëri nga ne që, vazhdimisht metaforat I gjente pranë shishes së rakisë.

- Sepse të ka ndihmuar hapi i parë që duhet të ketë qënë si i çmëndur, por veprimi s’qe prej të marri, - tha një i dytë, gjithashtu profesionist në të pirë, por që, kundërtinë e gjërave të dy e nuhasnin dhe dinin t'a argumentonin nga pozicioni i tyre që ua kishte zili çdo mashkull esëll. Rrëzimi pra, ishte llogjik. Kërkohej e padëgjuara.

Ishim pesë burra dhe të gjithë kishim rrëfyer historitë tona. Secilit nga ne i qe dukur se do të tejshpinte caqet e konturimit në kuotën e buqetës me lule për heroizmin karshi të dashurës së tij.

Kur erdhi ai që do t’a meritonte vërtet këtë trofe-simbol, ( të cilin unë mezi e prisja ), të gjithë, thuajse e harruan shkakun pse ajo orkide zbukuronte dhe ermonte trapezën tonë. Edhe pse klientela që vinte në lokal do të kthente, mepatjetër kryet nga ne. Zilia e sidomos lakmia për t’a pasur atë që, si një fqinjë e dashur për këdo, tundonte gjithkënd.

Se ishte dita e Shën Valentinit dhe kjo ndjehej kudo, sidomos në atë lokal mbushur me rini. Veçse. . .

Dikush madje, i kërkoi një buqetë lule kamarjeres dhe kur ajo, ngrijti supet e hutuar, ai i tha:

- Të paktën sillna një buzëqeshje t'a vëmë mbi tryezën tonë. Se është dita e Shën Valentinit.

Por ajo u hutua edhe më shumë për momentin. Kur e kuptoi, u zgërdhi, gjë që nuk kënaqi askënd, aq më pak klientin. E qeshura e saj ngjante me një trëndafil të zhgaravitur nga shiu e të flakur në rrugë.

Gjithsesi. . . .

Ajo që do të dëgjoni, nuk mund të shpërblehet vetëm me një orkide. Jo. Asnjë kopsht i tërë me lule nuk e përmbush dot këtë rekord të ri e të pa’arritshëm.


Ne porositëm birë dhe meze, se të parat i pimë ashtu, thuajse varfërisht, thatë nga që kamarjeri na kishte sjellë dy pjata mëlçi të përbashkëta. Kuptohet që njeriu në shërbim u urdhërua të shtonte një racion edhe për shokun tonë të sapombërritur.

- Është rradha jote të tregosh sakrificën për Shën Valentinin, - i thashë unë

Ai më hodhi një vështrim I befasuar.

- Vërtet s’e keni marrë vesh?

- Jo. Pse? Çfarë duhet të dinim?- bëra të paditurin dhe u bashkova me të tjerët që do të mësonin se ç’kishte ndodhur edhe sepse ai e dinte që Sekuritivi i porsaardhur, ishte baxhanaku im dhe bënte pjesë prej kohësh në shoqërinë tonë, ndonëse i një tjetër profili ai qe.

- Vërtet nuk e dini, apo kërkoni t’ua them unë? - përsëriti pyetjen Ai dhe iu drejtua të tjerëve. Kësaj here, mesadukej, kërkonte të bindej që, sekreti nuk kishte dalë nga unë. Dhe nuk u gabua.

Për atë ngjarje, krejtësisht të pazakontë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, duhet të fliste vetë i zoti.

Të gjithë ngrijtën supet dhe e siguruan se nuk dinim asgjë të veçantë për të.

- Këtë buqetë me lule do ta shpinit mbi varrin tim në qoftëse ditën e Shën Valentinit të vitit që shkoi, do të qe realizuar kurthi që më ngrijti, ish i burri i asaj që unë dashuroj dhe që do të bëhet së shpejti gruaja ime.


Mënjanë hatërmbetjes pse kishte heshtur një vit të tërë. Kaq mjafton që të lëmë, jo vetëm gotat, por edhe mbllaçitjen. Të mprehim veshët e të dëgjojmë.

Gara qëndronte ende e hapur për fitoren e orkides .

Porositë akoma nuk kishin ardhur dhe ne zotronim gjithë kohën e mjaftueshme për të dëgjuar historinë.

Ishim të ndërgjegjshëm se për emrin e së dashurës, burri I vërtetë, është I heshtur si shkëmbi. Në rastin konkret, edhe pse mund të bëhej përjashtim, ne nuk e kërkonim. Veprimin po. Këtë , prej tij e prisnim me patjetër dhe Ai, s’kishte pse t’a mbante të fshehtë. Prandaj filloi:

- Agjensia turistike ku punonte e dashura, ndodhej në katin e shtatë. Kurse, studioja ime e pikturës, siç edhe e dini, është një kat më sipër, por në një pallat dy kuadrate më tutje.

Për dashurinë tonë, (kështu kujtonim ne ) nuk kishte dijeni njeri tjetër në atë godinë, përveç sekuritivit në hyrje. Edhe ky rastësisht, tek po dilte nga takimi me të dashurën e tij që punonte në një OJQ-ë, në të njëjtin kat, na pa duke u puthur teksa ajo po më përcillte në ashensor. Buzëqeshi dhe u largua.

Unë, me ‘të nuk është se kisha ndonjë shoqëri, edhe sepse rastiste ndonjëherë të uleshin në një trapezë, këtu si sot. Kjo më bënte që , gjatë hyrje - daljeve, nuk ia kurseja përshëndetjet e mirësjelljes me buzëqeshje, si vërsnikë rioshë e tani, si të dashuruar rishtas. Veçse, më duhet të pohoj që të dyve nuk na pëlqeu kjo. . . , flagrancë, të themi. Se, në fund të fundit e tillë ishte ajo.

Sekuritivi e kishte komshie atë dhe fatmirësisht, kur zbrita, ai do të më tregonte, se burri saj kish një egërsi “të lindur”, do t’a emërtonte ai. Prandaj edhe fqinja ime e kishte hedhur dashurinë tek ju,z.piktor, - do të përfundonte fjalinë.

Sekuritivi, i kishte vënë re duke u grindur edhe tek zbrisnin nga ashensori. Ai e sillte dhe e merrte vetë nga vëndi i punës. Xhelozia e tij e linte ku e ku atë që kemi parë tek Otello.

Të gjitha këto, nuk është se s'i dija. Mbasi m'i kishte thënë edhe e dashura. Por sidoqoftë, vërtetonin fjalët dhe shkaqet e saj, pse s'mund të vazhdonte jetën me atë njeri.

- Ji i kujdesshëm, por mos iu trëmb, se ai është frikacak dhe, atë që nuk ka guxim të t’a bëjë ty, i zbrazet asaj që ti dashuron.

Kjo qe porosia e Sekuritivit.


Që kishte dorë, edhe unë e dija. Por, s’mund t’i dilja hapur nga që ai zyrtarisht ishte i shoqi dhe serioziteti e kërkonte, të zhbëhej si i tillë. Ajo konsiderohej ende grua e martuar pavarësisht se jetonin të ndarë secili në dhomën e vet, brënda një kulmi.

Kërcënimi se do t’a vriste, po t’a gjente në shoqërinë e dikujt, e tmerronte, me të drejtë, vajzën. ( Se, lavdi Zotit, ende nuk kishin fëmijë ). Kësaj i trëmbej ajo deri në panik.

Gjyqi do të zhvillohej pas dy ditësh, dhe unë nuk dëshiroja në asnjë mënyrë, që ajo t’a humbte atë proces të cilin e kishte thuajse të fituar për faj të tij.

Dhe ishte Dita e Shën Valentinit.

Unë kisha vajtur aty në kohën e drekës. Në dorë, siç është e kuptueshme, mbaja një orkide si kjo që keni vënë këtu mbi tavolinë.

Nuk kishim këmbyer ende mirë përshëndetjet dhe puthjet e para, kur më bën zile Sekuritivi me të cilin sapo isha ndarë në hyrje, përpara se të merrja ashensorin.

E hapa celularin dhe dëgjoj zërin e tij që folii me zë të ulët: shkurt, por i alarmuar:

- Avulloju se po vjen nga shkallët drejt teje!

S'ishte e nevojshme të pyesja se kush. Dihej për kë bëhej fjalë.

Gjëja e parë që më ra në mënd ishte: më paska përgjuar dhe më ka ndjekur nga pas. Xhelozia çfarë nuk bën. S’kishte kohë për fluturime filozofike. Kërkohej shpejtësi, fshehje të provave fluturimthi, nga unë, kërkohej.

Prandaj, së pari rrëmbeva ngutshëm, buqetën e luleve nga tryeza e punës së të dashurës dhe e vendosa tek ajo e bashkëpuntores tjetër karshi që, për momentin ishte larguar me shokun e saj, si gjithë personeli në atë godinë zyrash, si ditë e shënuar që ishte.

Përvoja në shumëkatëshin ku banoj, më kishte bërë që të mbaja çelësin që e hap portën e kafazit të ashensorit kur ai difektohet me njerëz brënda. Nuk duroja dot thirrjet dhe alarmin e banorëve të bashkëmbyllur në atë kabine metalike. Fakti që gjithë ditën e kaloj në studion time, më bën të dëgjoj, ndonëse jo shpesh, komplet rastet difektoze të atij mekanizmi qytetërues.

Angari, por falë asaj përvoje të bezdisshme, gjeta ganxhën e shpëtimit.

Çështja e së dashurës sime me burrin ligjor, zgjidhej nesër dhe rregullohej kështu një gabim biologjik.

Kurse, nderi i saj, me patjetër, duhet të mbrohej sot dhe mbante të pastër e të mbrojtur karakterin e saj moral.

Futa dorën në xhep dhe u sigurova se çelsi i ashensorit, ndodhej aty. Sfida kërkonte çmëndurinë. Unë e pranova atë.

Prandaj, instiktivisht me ngut e një shpajtësi-rrufe, hapa portën e kafazit të ashensorit dhe u futa brënda. E mbylla atë dhe u kapa në kapriatat metalike. Dija që aty, një ganxhe mund t'i ndryshoje drejtimin që të pengonte ashensorin të ngjitej deri tek unë. E bëra, por a do të funksiononte?

Çështja ime të rrosh, a të mos rrosh, vendosej nga ai çast, menjëherë, aty. Nga ai pus hekurash, shihja makaranë e çelniktë, tek ulej në njërin krahë dhe kabinën metalike që ngrihej në krahun tjetër. Gjarpri po zbriste poshtë si të të donte të ushqente përbindëshi i cili po ngjitej lart, drejt meje.

Zemra po më rrihte me aq shpejtësi, si të ishte kthyer në një kundramekanizëm që do të qe në gjëndje të merrte në dorë fatin e jetës sime. Të kryente atë që s'bënin dot as mëndja dhe as krahët e mi. T’a ndalonte koshin metalik në ngjitje si gijotina që i zbriste në mesjetë fatkeqi. . . Në një çast, me të dhjetat e sekondës, arsyetova:

mjafton që unë të përqëndroj shikimin te ajo masë gjigante e cila në një dekikë të vetëm, m’u duk se nisi rrotullimin mbrapsht. Po. Ndaloi dhe vetëm atëhere, kraharori im u mbush me frymë.

Ç’kishte ndodhur? Ndonjë difekt. . . , ? Apo ishte numurimi kryengulthi i sekondave të jetës sime?


Për një tjetër plasaritje, ( gjithmonë në të dhjetat e mbase qindtat e sekondit ) pashë të gjithë procesin gjyqësor që do të zhvillohej të nesërmen dhe fitorja e të dashurës që mori divorcin për shkak xhelozie dhe jo tradhtisë që mëtonte i shoqi i saj si shkakun e ndarjes.

Dhe, pas kësaj, vërtet ashensori u rinis dbe mua nuk më doli zemra nga kraharori, veçse tani, shpresëmadh te e pandodhura deri më sot e shihja me sy të zgurdulluar që ai të ndalej. Dhe. . .

O Zot i madh, ai ndali një herë e mirë në katin e gjashtë. Kjo vinte pas dy stacioneve dhe ishte e treta, e vërteta

Frenimi i beftë, çuditërisht më ngjau me hingëllimën e një duzinë kuajsh të stërlodhur, që tërheqin një karrocë dhe që ndalen njëherësh, për të mos shkelur njeriun që u ka dalë befas përballë. Madje, unë kisha ndjesinë edhe të zmbrapsjes së tyre si shkakun e asaj hingëllime-protestë. Thuhet se kuajt nuk e shkelin kurrë me dëshirën e tyre njeriun. Aq më pak, kur nuk e ndjejnë rrezikshmërinë e tij. Të jetë kjo diçka hyjnore, a si paisje e veçantë për të përballuar të papriturat e jetës? Mundet që t'i ketë paisur Qielli këto qënie të çuditshme edhe me cilësi të tilla huazuar nga njeriu? Apo është zhballancim që bën natyra për të kompensuar të keqen që mund të detyrohemi të përballojmë nga frymorë të tillë mostra?

(Ndërhyn autori për të shpjeguar paqartësinë dhe hutimin e Personazhit ):

- Po, miqt e mi. Personazhi ynë, të cilin le ta quajmë Romeo, se dashuria e tij, thuajse një fat të ngjajshëm e një fund tragjik i kishte rezervuar. Është për këtë arsye që, Ai me ndërgjeje e priste kështu, t'ia sillte fantazia e tij e trazuar në tru, përfundimin allogjik.

- Thashë unë, - ndërhyri shoku ynë i metaforave me pije. - Vetëm një i çmëndur nga dashuria, mund të bëjë veprime të tilla. Se dehja nga dashuria, ia kalon të gjitha llojeve të pijeve. Ajo nuk është lëng. E një gjë që s'shtë lëng dhe ti e do, është shpirt që shpirtin tënd kërkon. Prandaj edhe thuhet për një rioshe tërheqëse: " Ishte e bukur si shpirt Qënia"! Dhe kur ky shpirt të do siç edhe ti e do, atëhere vjen dehja. Pas saj dashuria hyn në garë me çmëndurinë. Në finale asgjë s'mund të parashikohet.

- E vërteta, miqt e mi - nisi sërish autori, - ishte krejt ndryshe. Dhe ja sepse:

Otello ( le t'a quajmë kështu personazhin tjetër, xhelozin tonë, si mbeturinë e së shkuarës ), - Atavist, - ndërhyri e tha dikush.

- Otello pra, nuk kishte marrë thikë me vete.:Se atë ia kishte lënë adashit të tij me ngjyrë, por trim.

Otellua ynë, kishte dinakërinë e Odisesë. Prandaj, hapat e tij, tejet të vrullshme, frenuan te portat e përgjimit.

Aty nis e merr flatra dinakëria e Odisesë. Sapo qe njohur me metodën e nxjerrjes se njerëzve nga ashensori, që praktikonte ky piktor humanist. Si pasojë, mëndja e tij kishte përpunuar asgjësimin e kundërshtarit duke përdorur, pikërisht aftësinë e tij shpëtuese.

Diallëzia përherë ka bashkëudhëtuar me mirësinë në mos për t'a zhbërë, të paktën për t'a baltosur atë, të cilën e quante marrëzi.

- Akoma s'ka lënë, bashkë me shpirtin edhe kockat, pranë asaj që dashuron? - kishte thënë ai me vete dhe e mori ashensorin në katin e dytë. U nis nga shkallët, për t'a rimarrë në të katërtin dhe të gjashtin. Aty, i mbushur me vetësiguri për çfarë do të bënte, mori shkallët për në të shtatin. Ku ishte edhe vëndi I ekzekutimit.

Kur mbërrijti në zyrën e gruas së tij në dorë mbante tufën me lule, përzgjedhja e së cilës i përkiste buqetave që shpien në funerale. Në fytyrë, kishte maskën e shpërfillësit për atë që pritej të ndodhte, përzier me një buzëqeshje deri në skaj të shtirjes.

- Je gati e dashur? - tha ai dhe i dha tufën e luleve.

Ironia e atij shikimi përkthehej në fjalët: "Ke kuriozitetin të shikosh fundin, a budallallëkun e bandillit tënd?"

Jargavitja në të folur dhe shtirja si ëmbëlsi, tek ajo përkthehej në ftesë për ekzekutim. Shpirti i saj, atë sekondë iu përgjigj: "Po. Jam gati vetëm të më hiqesh sysh", por u përmbajt.

Tjetri s'qe i denjë as për 'to. Prandaj, e zbehtë në fytyrë e mori buqetën dhe si e hodhi në koshin e mbeturinave shkresore i tha:

- Pse erdhe që sot, apo nuk të durohet deri nesër ku do të shihemi në gjyq?

Atij nuk i bëri përshtypje ky refuzim, ose u shtir si i tillë, se mepadurim priste t'i thoshte tjetër gjë.

- Bashk për kësi punësh kam ardh'. Me t’a dhanë shkresën e Xhyçit për mos me mungue. Se e di se ti je ADALET femre dhe s'pyet as për asni xhyçsh.

( Ndërhyn sërish autori për të spjeguar gjuhën e tipit):

- Miqt e mi. Në arsyetimet e këtyre personazheve, mos u çuditni kur shihni karakteristikat e një të dehuri. Jo. Janë normal dhe kanë gjuhën e tyre që, të diktuar nga rakia, kur duan të thonë ALAMET, për një femër, gjuha e tyre shkon si metatezë e thonë "ADALET femre".

- Faleminderit, - tha ajo.- por s'ishte aspak e nevojshme se ma solli posta dhe unë mezi pres të të shoh nesër, në atë XHYÇSH ( e talli ajo të folurën e tij ) .

Ai vazhdimisht me atë panatyrshmërinë e tij të neveritshme kërkonte të fshihte, por edhe të kapardisej me kurthin e ngrijtur fshehtësisht dhe sidomos djallëzisht, për të pangjarën deri tani.

-Marrim ashensorin dhe aty kam me t'a rrëfy Njo surpraizë.

Ajo qeshi me sarkazëm e saj, tejet therëse.

"Do të më mburret, mbase me krimin e përgatitur",- mendoi ato çaste dhe bashkë me dridhjen e zemrës ndjeu edhe një urrejtje e bindje të re në drejtësinë e vendimit të saj për ndarje. Përbuzja pranë kësaj pretenca qëndonte, neveria gjithashtu.

- Dhe, miqt e mi, ( u ngut të marri fjalën autori e të jepte një shpjegim më lehtësues për atë që do të ndodhte më pas ).

Otello iu drejtua ashensorit e madje shtypi edhe butonin e tij, që ai të vinte nga kati i gjashtë, si armën vrasëse nga qelia.

Asaj më shumë i klithi zemra, se sa zëri ndonëse me të gjithë fuqinë e shpirtit u mundua t'a lëshojë. Se për 'të, mbërrijta e ashensorit në atë kat, qe baraz me zhbërjen e të dashurit, me humbjen e tij, me vdekjen e saj.


- Jo! Jo të thashë! - qe thirrja me sa kishte në kokë. - Do të ngjitem me këmbë në . . ., atë GJYÇIN E MADH.

Dhe u kthye në zyrë. Nuk arriti t'a mbylli portën, që mbeti për gjysëm hapur.

Mëndjen e kishte te bisturia me të cilën do të priste damarët e dorës dhe do të shtrihej menjëherë në dysheme. Gjaku nuk e mbajti më në këmbë.

Qe e sigurtë se nuk do të dëgjonte ulërimën e të dashurit të saj kur t'a zinte si në çark ajo masë e hekurt. Prandaj, parapëlqeu një fund të tillë, të butë për vete.


-Nga dritareza e portës së ashensorit dukej koridori i gjatë që ishte gjysëm i ndriçuar, si zakonisht.

Tani isha i bindur se një kat më poshtë tij, qëndronte i pa lëvizur, ashensori, - do të shpjegonte Romeo.


Mrekullia ndodhi. Ajo nuk ishte e ujqërve, siç kemi parë të ketë ngjarë në një film, për të shpëtuar nga "ujqërit e bardhë" një zonjë të vërtetë aristokrate.


Romeo jonë pas asaj britme të së dashurës së tij, në vënd që t'i gëzohej kësaj mrekullie, shqetësohet dhe mundohet të shohi nga dritarja pas atij kafazi ku burgosi vetveten.


Vështrimin atje e kishte mbajtur gjatë gjithë kohës dhe nuk kuptonte ç'kishte ngjarë.


I shqetësuar për Zhuljetën ( le t'a pagëzojmë me këtë emër që i përafron fati i saj ), Romeo, pas asaj thirrje, që po ia dëgjonte më zërin aq të ëmbël të së dashurës, hapi menjëherë kafazin dhe kur doli jashtë, përplasi portën që u mbyll me rrapëllëmë.


Ndërkaq, mbërrijti Sekuritivi

Të dy u turrën menjëherë brënda zyrës ku panë Zhuljetën e shtrirë në dysheme. Gjaku I kishte bërë një njollë të madhe mbi pantallona nga dora që s'rreshtte të rridhte dhe që ajo e kishte vënë mbi këmbë.

Pranë, burri i saj ligjor me përhumbjen e një dudumi.

Ai nuk ngjante gjithaq me një kriminel. Mbase me një gabim biologjik ai shëmbëllente. Dhe juridiksioni nuk e dimë nëse ka ligje për raste të tilla.

Fytyra e tij e zbehtë si meit, nuk shprehte asgjë, edhe pse qe motivi I një krimi.

Romeo me një lëvizje të shpejtë, mënjanoi dudumin dhe ndërsa hoqi nxitimthi këmishën, e shqeu atë me dhëmbë siç do të dëshironte të bënte me shkaktarin e kësaj drame dhe i lidhi dorën ëndrrës së tij të nëpërkëmbur. Trëndafilit të zhgaravitur në shi!

Kur u sigurua se pulsi në dorën tjetër punonte mirë,

e mori Zhuljetën përpara krahëve të tij për të zbritur nga shkallët.

Por, s'qe e domosdoshme. Sekuritivi qe lëshuar prej tyre rrufe dhe qe rikthyer në katin e shtatë me ashensor.


Kuptohet nga lexuesi ynë i vëmëndshëm se: nuk kishte ndodhur asnjë mrekulli.


Heroi në këtë mes ishte Sekuritivi. Ai e kishte ndjekur rrugën e Otellos me dinakërinë e Odisesë, por me një qëllim tejet human. Ai kishte kujdes që ashensori të mos e kalonte katin e gjashtë. Në këtë pikë, ai uli automatin e siguresave, të cilin e ngrijti kur zbriti poshtë dhe mundi të vijë sërish në katin e shtatë.


Romeo me Zhuljetën përpara duarve, bashkë me Sekutivin u futën në ashensor.


Edhe natyra bën gabime. Burri biollogjik ishte një shëmbëll i gjallë. Ai mbeti përjashta dhe mori shkallët e zbritjes.

Shtatë kate nuk janë shumë. Se mund të ishin edhe shtatëdhjetë e shtatë.

*"********

Buqetën e luleve ne menduam se i takonte jo vetëm Romeos, por sidomos Zhuljetës, të cilën pas kësaj, dëshironim t'a njihnim dhe t'a bënim pjestare të trapezës sonë krijuese, që nuk ka financë më shumë se një orkidë si shpërblim. Prandaj ia dhamë Romeos me kushtin që t'ia shpinte Zhuljetës Kurse Sekuritivit, i takonte fjongua e saj.

Tek e fundit, detyrën e mbrojtësit të jetëve njerëzore ai ka. Dhe atë, ai bëri shkëlqyeshëm.

Sotir Athanasi

Athinë, Dhjetor, 2016

Dërguar nga Athina:

12,Shkurt, 2021.

62 views3 comments

3 comentários


sotir.mimi
sotir.mimi
14 de fev. de 2021

S.Athanasi!

Të nderuar Kozma dhe Muslim!

Kënaqësi dhe krenari për mua që lexoj opinionet tuaja vlerësuese lidhur me tregimin tim.

Me shumë respekt! Sotiri!

Curtir

mich.maska
13 de fev. de 2021

Njeriu edhe ne castet e fundit te jetes, duke dhene shpirt, i falet dashurise, shen. Valentinit,

keshtu thote Frojdi, nuk jam kunder! Urime per tregimin, Myslimi.

Curtir

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
13 de fev. de 2021

Edhe një herë ky tregim i z.Athanasi na thotë se Dashuria me shkëlqimin hyjnor

verbues, por dhe tragjizmin e saj përsëritet ndër breza e na bën më të mirë. Të gjithë e

pëlqejmë t'ia dëgjojmë e këndojmë vazhdimisht këngët, veçanërisht në Ditën e bekuar të

Shën Valentinit. K.Gj.

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif