Po shoh në ekran këtë foto, që nje mikja ime ma dërgon nga Parisi. Éditions Fauves, një shtëpi e njohur botuese, sapo ka publikuar në Francë romanin “Djalli komik” (Le Diable comique), me përkthimin mjeshtëror të Sébastien Gricourt. Në ballinën e pasme të librit thuhet:
“Qyteti fiktiv i Horketës është goditur nga një epidemi misterioze: banorët janë prekur nga një paralizë që mbjell panik. Frika i çon drejt sfidës shëndetësore, me të cilën duhet të maten kolektivisht, ndërkohë që vendet fqinje u kthejnë kurrizin, duke mbyllur kufijtë e tyre. Aranit Lumbardi, i ngarkuar për ta kapërcyer këtë krizë, si President i Komitetit të Shpëtimit nuk reflekton asnjë dobësi, asnjë tërheqje a supersticion. Me hijen e një mbreti, ai mbart i vetëm barrën e përgjegjësisë përballë kundërshtarëve të jashtëm e të brendshëm, edhe kur pabesitë i vijnë nga rrethi i tij i ngushtë. Në një gjendje sakrifikimi, ai merr përsipër të gjitha mekatet (për reagimin hakmarrës) dhe gjakun e derdhur.
I përkthyer për herë të parë në frëngjisht, Zija Çela na zhyt në botën e tij metaforike të vendeve imagjinare, që pasqyrojnë gjithmonë realitetin bashkëkohor, krizën e humbjes së vlerave njerëzore në vendin e tij, Shqipëri, dhe në Europën përreth. I lindur në Shkodër më 1946, Zija Çela jeton në Tiranë. Ai është autor i 17 romaneve dhe ka marrë shumë çmime letrare. Përmes fiksionit dhe shqisës së tij unike për ta shkartisur irealen me realen, “Djalli komik” konsiderohet si romani i tij më i përkryer.”
Shënim: Sébastien Gricourt, njohës i mirë i gjuhës dhe letrave shqipe, pak kohë më parë u shpall fitues nga Qendra jonë Kombëtare e Librit dhe e Leximit për punën përkthimore me “Djallin komik”. Siç dihet, ky roman u botua në Tiranë më 2018 nga Toena.
Commentaires