Romancë sysh
Unë jam një bir ustai
melodia e romancës së gurit
pentagram i ëmbël lotësh
është shkruar në një çelës të vogël
edhe hapat e të parëve të mi në Egnatia
mund të dëgjohen duke kënduar gjatë natës
mund të dëgjohen si lutje kumuriash
dritareve ku qepin e qëndisin Terzinjtë,
troktheve të kuajve të Dimrit
të historisë që struket nën shajak,
natën… natën… natën
në errësirë të shkrimit.
E pashë sojin e gjurmëve duke kapërcyer ADN në kalldrëm
dhe unë me këto sy lexoj frymën e jetës
nga mastari i shtrënguar bardhë zi
në fotografi,
kam strukun plumbçen lëkundëse të Gurit të Qoshes
në një shi lotësh
ku dëgjoj një gomë të fshijë gjithnjë fate
duke gërvishtur gjatë gjithë rrugës nga Venecia
për Dashurinë kurrë nuk ka kulme .... Unë
mësova „Tuj shëtit në Ara t'gjata“ dhe Ullinin e Qejfit
në hartë
tani sytë e dinë fatin
dhe këto shkaktojnë gomë mbi bojë të tharë
kërkojnë butësinë në mjekrën e stërgjyshit tim
rudhave të ballit,
kallove në duart e brezit të tij
tek Guri Qoshe i Bankës së Elbasanit.
Unë jam një bir ustai
i ndodhur mes lapsit dhe letrës
i fortë
përtej çdo përcaktimi akoma
duke sfiduar vendin
dhe kohën
dhe rrethanat
i sulmuar
i papërshkueshëm
i pashkatërrueshëm
Shiko në sytë e mi, si në sytë e Rrugës Egnatia
mbi mua dhe në atë mall të largët me mit
rinovohet një sekondë, një orë, një natë, një ditë.
Gdhendjet e Gurëve të zgjimit
Gdhendjet e gurëve,
ku ka melodi të ftohtë
pa halleluja, pa duartrokitje, pa hurra, pa shtrëngime duarsh,
pa qirinj në shandane, pa fytyra të qeshura
mbizotërojnë në dihama e buzë të tharra,
duar të vrara,
kallo të tilla,
mbizotërojnë në të gjithë fletoret e redaktorëve të botës
të cilët janë të fiksuar, të korrigjojnë historinë
në arenën e joshur të lesh-arapit,
të bixhozit dhe shitjeve me pakicë
të dashurive në dyqanin e Kasapit
Ka qenë një shenjë në murin e lashtë,
gjykim i fortë,
me të fikët,
fasho dhe ikje… ikje masive.
Ka pasur shkrime befasuese.
Ka pasur poezi. Dashuriçka. Shkeljet me këmbë
të monarkëve dhe të burrave të tjerë
mbi buzë të ngjyera me gëlqeren e mbetur poshtë tavanit
të një ëndrre
si hija e Rrapit të Bezistanit.
Por në sytë e Rrugës Egnatia mbeten vende të mëdha.
Diell i zgjuar.
Fise që e kanë ndërtuar.
Sy që ende kanë mbetur të zgjuar.
Duar. Duar. Duar.
Bilanci i fatit.
Sekretet e shkrimit.
Dhe ju fshihni dhe stërvitni guralecët tuaj akoma.
Por, jo Gdhendjet e Gurëve të zgjimit…
Prill 2001-Prill 2021 (Nga vëllimi: Sytë e Egnatias“)
Comments