top of page

Romancë në natyrë


Dhe ja ku ndodh të gjejmë një melodi në këtë stacion të jetës. Melodi në këtë pentagram të zhurmshëm. Duart dhe shkopi i dirigjentit janë mes nesh, në sy, në gjithësi dhe sjellin e na transportojnë aty. Pikërisht aty, ku jeta lëviz në ligjësi. Aty ku dashuria e prek atë që ne e humbim, atë që ne harrojmë, duke kujtuar se përherë do ta kemi pranë vetes, afër vetes, në një kohë e gjitha është thjesht një romancë. Një romancë e fryrë në natyrë…një lëngëzim sysh, një lot i ngrirë.

AUTORI


1. Melodia e jetës


Dhe loti ra mbi një pentagram të qetë

sikurse bien lotët e tjerë

në këtë jetë.


Jeta ka të bëjë me atë melodi

ju jeni duke e kërcyer

në halle, trishtim, lumturi, siklet,

me frikë e pa frikë,

në dashuri të vërtetë.


Dashuroj çelësin e pentagramit të tij

për të bërë muzikë

përjetë.


2. Bota e humbur


Ulur vetëm në errësirë

në këtë kohë drite

dhe shkujdesi,

e vetmja gjë që shkëlqen këtu

janë ata lotë të heshtur që bien

për çfarëdo arsye.


Kaq shumë trishtim ka thellë brenda tyre

ndërsa ne festojmë

mendo për ta kur të jap një puthje syve.


3. Afër vetes


Mbajeni afër jush

çfarë është e dashur për ju,

edhe përtej dertit,

ndërsa trëndafilat ende lulëzojnë

mbajnë mes tyre vesën e mëngjesit.


Dhe kur të gjitha petlat e zjarrta

prej rënies kanë rënë

Ju shikoni bukurinë e skeleteve.


Për hir të së vërtetës

hidhni një sy afër vetes.


4. Romancë në natyrë


Kolovarje e ulët

Hëna e plotë kristal

puthje thuajse e lagësht mbi ujërat në lëvizje.


Bëni yjet të mbyllin sytë

shkëlqim i valës së skuqur u nxjerr lëng syve

pa një të dytë.


(Nga Fatmir Terziu)

 
 
 

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Nov 25, 2022

Mendoj se këto katër melodi të mrekullueshme shënojnë një tjetër kulm të poetikës terziane më të fundit. Rrallë harmonizohen e plazmohen me kaq mjeshtëri intimia dhe universalia, tokësoria dhe qielloria, e perkohshmia dhe e përjetshmia… Është e vështir të veçosh diçka kur që të katërta janë të përkryera. Ja vetëm një nga vizionet: Jeta-nje pentagram planetar me të gjitha muzikat e pafundme. Ndër notat më harepikelluese-loti, ku shikojmë fytyrën e dashurisë dhe veten…

Janë poezi të një sqime të lartë artistike për të cilat mund të përsiatësh gjatë.

E uroj përzemërsisht Profesor Fatmirin për këtë arritje të shkëlqyer!

Me shumë respekt, K.Gjergji.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page