top of page

Roli edukativ i torturës


Dashnor Kokonozi

- Nuk desha të arrijmë deri këtu, por unë nuk i duroj torturat. Po më arrestuan do t’i tregoj të gjitha këto që thua ti.

Nuk e di sa prej moshatarëve të mi u kujtohet kjo shprehje. Kam patur rast ta përdor. Mbase jo shpesh, por e kam përdorur. Kjo ndodhte, kur grupeve shoqërore ku bënim pjesë (dhe ishin grupe mjaft të mbyllura dhe me përqindje të lartë të përbëra prej kushërinjsh), u afrohej dikush që hapte biseda të rrezikshme.

(Që do të tregoja gjithçka, këtë ma përforcoi një ngjarje. Diku në fillim të viteve ’90 Bashkim Kokonozi, që më shumë se kushëri është shok e mik i imi, pasi pimë një kafe te 15 katëshi, më tha: eja të tregoj dhomën ku më torturuan për 6 muaj rresht. Iu afruam një dhome të hotelit të famshëm të Tiranës, por nuk u futa në të nga sikleti. Ai qeshte dhe më tha se aty e kishim mbajtur natë e ditë të varur prej krahësh, duke e rrahur dhe goditur pa mëshirë (a rrihet një i lidhur?). Gjaku i zbriste poshtë dhe trupi i bëhej i bardhë si dyll qiriri. Pas çdo goditjeje lëkura i çahej dhe bashkë me të i ikin edhe dromëza mishi. Dhe kjo mu në qendër të kryeqytetit, ndërkohë që aty poshtë në trotuar, ne kalonim çdo mbrëmje duke biseduar për kushedi se ç’marrëzira).

Natyrisht, në vetvete, bisedat politike ishin një sport i vërtetë popullor. Ruajna zot se me çfarë do e kalonim kohën po të mos ishin ato! Por ishin tema aq të rrezikshme sa mund t’i bëje vetëm midis njerëzish që njiheshin prej vitesh. Sa, gjashtë vjet që e njohim? Epo, të kishte qenë spiun do na kishin lidhur me kohë. Por ja dikush, me të cilin vetëm sa përshëndeteshim, hynte midis dhe fillonte : - E morët vesh të fundit? - Jo. - Nuk e keni marr vesh çfarë i kishte thënë Margaret Thaçer amerikonëve? Heshtje. Pastaj. - Jo. Dhe as që na intereson. E çfarë u kishte thënë? - Mos ma ngisni Shqipërinë, u kishte thënë. E dua për muze. Do të dërgoj aty për vizitë falas të gjithë anglezët që votojnë ato grupet marksiste. Pas një heshtjeje që zgjaste aq kohë sa duhet për të vështruar rrotull. - Dëgjo ti, tani. Nga ne që jemi këtu askush nuk i duron torturat. Po na arrestuan dhe na vënë nën torturë do t’i tregojmë të gjitha këto që thua ti.

Aty mbyllej. Edhe sot e kësaj dite as që besoj se dikush kërkonte prova kundër nesh. Mendoj se ishte një lloj kodi për t’u afruar, një provë se jemi "tanët", një dorë e ngritur lart nê shenjë miqesie. Se praktika (në shumë raste) ishte që të arrestonin, provat mblidheshin pastaj. Madje ka dëshmi se provat i kërkonin nga i arrestuari. Shumë vetëve, gjatë procesit të hetimit u është bërë një pyetje e tillë: - Tani na thuaj ti, përse të kemi arrestuar? (Nga ana ime nuk do i kurseja perpjekjet qe t'ua lehtesoja punën duke bërë nje listë të gjatë krimesh, që fillonte me dritat e shkallës që harroja hapur dhe të cilën do e mbyllja me falenderime të perzemerta që me kishin marre jashtë radhe, nder që jam i sigurtë se nuk e meritoja)

54 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page