Robert Martiko: TRAGJEDIA E ZGJEDHJEVE HUMANE NË HISTORI DHE RASTI SHQIPTAR
- May 7
- 2 min read

Historia nuk është diçka e largët. Ajo është pasojë e zgjedhjeve që bëjnë njerëzit. Dhe tragjedia më e madhe është se njeriu, edhe kur ka mundësi të zgjedhë drejt, shpesh zgjedh gabim.
Në hapësirat ku ka ndikuar Perandoria Bizantine, përfshirë dhe Shqipërinë, nuk u formua individi i lirë, por subjekti i bindur. Kjo nuk është thjesht trashëgimi historike, por është një strukturë mendore që vazhdon të prodhojë të njëjtin model human. Njeriu nuk e sheh veten si qendër vendimi, por si instrument të një autoriteti tjetër: shtetit, pushtetit, turmës. Dhe pikërisht këtu qëndron dështimi themelor: Bizanti nuk krijoi ndërgjegje. Nuk ndërtoi individin që dyshon, refuzon, mban përgjegjësi personale. Përkundrazi, kultivoi bindjen si virtyt dhe nënshtrimin si normë. Ky boshllëk nuk ngeci diku në histori. Ai u trashëgua. Dhe sot, ai shfaqet si një shoqëri që kërkon drejtësi pa reflektim, liri pa përgjegjësi dhe ndryshim pa vetëdije. Në këtë kuptim, tragjedia nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar, por fakti që vijojmë ta riprodhojmë pa e vënë në dyshim.
Shembujt historikë tregojnë se gabimi nuk është vetëm i popujve “të prapambetur”. Nazizmi lindi në një nga shoqëritë më të zhvilluara të Evropës. Kjo provon një gjë të thjeshtë: edhe një komb racional si gjermanët mund të bëjë zgjedhje- katastrofë kur humbet ndjenjën morale. Sipas Immanuel Kant, njeriu duhet të udhëhiqet nga një ligj moral i brendshëm. Nëse ky mungon, arsyeja nuk e shpëton dot.
Në shoqëritë ku mungon mendimi kritik, gabimi nuk ndalet por përsëritet. Kjo është arsyeja pse shoqëri si në Rusi dhe Ballkan, dhe pse vende jo industriale, i thithën si sfungjer idetë vëllavrasëse të Marksit. Komunizmi nuk ishte thjesht imponim me forcë por edhe një strukturë shpirtërore e brendshme për ta pranuar atë. Kur një shoqëri nuk ka kaluar një proces të vërtetë rilindjeje mendore, ajo është e gatshme të bjerë në çdo formë autoritarizmi.
Shqipëria është një shembull i qartë. Për dekada, sistemi komunist jo vetëm që shtypi lirinë, por deformoi mënyrën e të menduarit. Problemi është se edhe pas rënies së tij, shumë nga këto modele vazhdojnë. Ka mungesë përgjegjësie personale, mungesë mendimi kritik, prirje për të ndjekur turmën.
Siç do të thoshte Henri Bergson, një shoqëri ose hapet dhe zhvillohet, ose mbyllet dhe përsërit vetveten. Ndërsa Edmund Husserl do të shtonte se kriza më e madhe është kriza e vetëdijes, kur njeriu nuk e kupton më realitetin ku jeton. Edhe Maurice Merleau-Ponty na kujton se mënyra si e perceptojmë botën ndikon drejtpërdrejt në zgjedhjet tona.
Në Shqipëri, tragjedia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur, por fakti që nuk nxirren rezultate prej saj. Gabimet përsëriten, sepse ka mungesë reflektimi. Historia paguhet vazhdimisht, por nuk kuptohet.
Liria nuk mjafton nëse nuk dimë ta përdorim. Zgjedhja është gjithmonë në dorën tonë, por pa ndërgjegje dhe pa mendim kritik, ajo kthehet në burim të vijueshëm tragjedie








Comments