Robert Martiko: NGA FAMILJA PATRIARKALE TE INDIVIDI AUTONOM: NJË TRANSFORMIM ANTROPOLOGJIK
- Apr 26
- 2 min read

Në historinë e qytetërimit evropian, Rilindja Shpirtërore përfaqëson një nga kthesat më të thella në mënyrën se si njeriu e kupton veten dhe vendin e tij në botë. Ajo nuk solli vetëm një shpërthim në art, shkencë e mendim, por edhe një ndryshim rrënjësor në vetë antropologjinë. Njeriu u kthye nga një qenie e përcaktuar nga përkatësia, drejt një individi që ndërton vetveten. Në këtë transformim, familja, si njësi themelore e jetës njerëzore, kaloi nga një strukturë patriarkale e kolektive në forma më të shkathëta dhe moderne, duke reflektuar tensionin midis traditës dhe autonomisë.
Në botëkuptimin para-modern, familja nuk ishte thjesht një hapësirë emocionale, por një institucion i plotë ekonomik, social dhe moral. Struktura patriarkale siguronte rend, vazhdimësi dhe mbrojtje. Individi nuk ekzistonte si projekt më vete, por si pjesë e një zinxhiri brezash, ku rolet ishin të qarta dhe të trashëguara. Autoriteti i babait, solidariteti familjar e detyrimet reciproke krijonin një botë ku siguria vinte nga përkatësia, jo nga zgjedhja.
Kjo botë kishte kufizimet e saj. Rendi patriarkal e kufizonte lirinë individuale, sidomos për ata që nuk përputheshin me normat e rrepta të kohës. Me ardhjen e Rilindjes dhe më pas të Reformës, u hodhën themelet e një koncepti të ri: individi si qenie me ndërgjegje, përgjegjësi dhe dinjitet të pavarur. Njeriu nuk ishte më thjesht trashëgimtar i një roli, por autor i jetës së tij.
Ky ndryshim pati pasoja të drejtpërdrejta në strukturën familjare. Familja filloi të humbasë karakterin e saj të ngurtë hierarkik dhe të marrë forma më të barabarta dhe më të negociuara. Marrëdhëniet brenda saj nuk bazoheshin më vetëm në detyrim, por gjithnjë e më shumë në zgjedhje, ndjenjë dhe marrëveshje. Nga një institucion që garantonte mbijetesën kolektive, familja moderne u shndërrua gradualisht në një hapësirë për zhvillimin individual.
Në këtë proces, autonomia u bë një vlerë qendrore. Ajo çliroi energji të mëdha krijuese dhe ekonomike, duke i dhënë individit mundësinë të ndërtojë rrugën e tij përtej kufijve të traditës. Por njëkohësisht, kjo autonomi solli edhe një dobësim të lidhjeve të detyrueshme. Familja nuk ishte më një rrjet i garantuar sigurie; ajo u bë më e brishtë, më e varur nga zgjedhjet individuale dhe më e ekspozuar ndaj shpërbërjes.
Kështu, kalimi nga familja patriarkale në atë moderne nuk është thjesht një histori progresi, por një histori tensioni. Nga njëra anë kemi fitimin e lirisë dhe dinjitetit individual; nga ana tjetër, humbjen e një strukture të fortë mbështetëse. Njeriu modern gjendet mes këtyre dy poleve: i lirë për të zgjedhur, por dhe i ekspozuar ndaj vetmisë e pasigurisë.
Në këtë kuptim, sfida e sotme nuk është të rikthehen mekanikisht format e së kaluarës. As të thellohet pa kufi individualizmi, por të gjendet një ekuilibër të ri. Një familje që nuk është më patriarkale në kuptimin e vjetër, por që ruan funksionin e saj si hapësirë mbështetjeje dhe përkatësie. Një shoqëri ku autonomia nuk kthehet në izolim, por në mundësi për të ndërtuar lidhje më të vetëdijshme dhe më të lira.
Transformimi i familjes është pasqyrë e shndërrimit të vetë njeriut: nga një qenie e lidhur fort me të kaluarën, në një qenie që kërkon të ndërtojë të ardhmen, pa harruar se edhe liria ka nevojë për rrënjë.








Comments