Rizgjidhet Dr. Elmi Berisha në krye të Federatës “Vatra”
- Jun 28
- 2 min read

Rizgjidhet Dr. Elmi Berisha në krye të Federatës “Vatra”
Yonkers, New York, 27 qershor 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” zhvilloi Kuvendin e saj Zgjedhor, ku delegatët rizgjodhën Dr. Elmi Berishën në detyrën e kryetarit për një mandat të ri katërvjeçar.
Në procesin zgjedhor morën pjesë 34 delegatë. Dr. Elmi Berisha fitoi me 22 vota, ndërsa Dr. Pashko Camaj mori 8 vota dhe Adriatik Spahiu 4 vota. Kandidati Dritan Haxhia u tërhoq nga gara përpara votimit. Rezultati u pranua nga të gjithë kandidatët dhe delegatët, pa asnjë kundërshtim apo apelim.
Punimet e Kuvendit u zhvilluan nën monitorimin e Gjyqtarit John Ingram, i emëruar nga Gjykata Supreme e Shtetit të New York-ut, i cili mbikëqyri ligjshmërinë e procesit, verifikimin e delegatëve dhe zhvillimin e votimeve.
Në hapje të punimeve, pas interpretimit të himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u prezantua raporti mbi përgatitjet e Kuvendit dhe u certifikua kuorumi. Gjithashtu u shfaq një dokumentar 40-minutësh mbi veprimtarinë patriotike, kulturore dhe komunitare të Federatës “Vatra”.

Delegatët miratuan me shumicë drejtuesit e Kuvendit: Dr. Demiraj Demiraj si kryetar, Mehmet Kadria si nënkryetar dhe Mirela Kanini si sekretare.
Gjatë punimeve, Dr. Elmi Berisha prezantoi raportin mbi aktivitetin e Federatës gjatë mandatit të kaluar, duke ndalur te angazhimet në Washington, Tiranë dhe Prishtinë, si dhe te puna në shërbim të komunitetit shqiptar në SHBA. U paraqitën gjithashtu raportet financiare, veprimtaria e Fondit të Studentëve dhe puna editoriale e gazetës “Dielli”.
Një nga çështjet kryesore të Kuvendit ishte miratimi i Kanunores së re të Federatës “Vatra”. Pas diskutimeve dhe debatit mes delegatëve, ndryshimet statutore u miratuan me 24 vota pro dhe 7 kundër. Kanunorja e re përcakton, ndër të tjera, që mandati i kryetarit të Federatës të jetë katër vjet.
Para votimit për kryetar, kandidatët paraqitën platformat dhe vizionet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të “Vatrës” dhe gazetës “Dielli”. Pas shpalljes së rezultatit, Dr. Elmi Berisha falënderoi delegatët për besimin dhe vlerësoi procesin si një shembull të demokracisë institucionale. Ai theksoi se Federata “Vatra” do të vazhdojë të jetë në shërbim të kombit shqiptar, diasporës dhe interesave kombëtare.
Në përfundim të Kuvendit, Gjyqtari Monitorues John Ingram bëri të ditur se i gjithë dokumentacioni, procesverbalet dhe materialet e Kuvendit do t’i përcillen Gjykatës Supreme të New York-ut, në përputhje me vendimet gjyqësore përkatëse. Punimet u mbyllën në një atmosferë normale dhe pa asnjë kontestim mbi procesin zgjedhor.








Comments