RIZA BRAHOLLI- MIKU POET DHE POETI MIK. RIZA BRAHOLLI- BESNIK I POEZISË DHE I MIQËSISË…


Iliriana Sulkuqi

Dha ja…, në KORÇËN E RIZAIT, në KORÇËN TUAJ, mike dhe miq, ku fjala sapo shkruhet këndohet me kitare, ku “vajzat shetisin pa lejen e mamasë…” dhe poetët mblidhen me frymë PERËNDIE; por dyfish, edhe në KORÇËN time - si bijë e tim èti nga Devolli dhe më pas, si “nuse korçe” në një fis të madh…, ku bën pjesë edhe Rizai, një mik që nga dita e dekadave më parë, ku në takime poetike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ne, më shumë se në këto takime kemi ngrënë e pirë Poezinë e njeri - tjetrit në tryeza miqsh, në Elbasan, Shkup, Tetovë, Sarandë…, apo në mbasditet tona në Tiranë… Janë këto arësyet motivuese që Riza Braholli është pjesë e mirënjohjes sime dhe të familjes, në antologjinë poetike-“ZËRA QË MË NDJEKIN…” I ushqyer që në barkun e nënës me mollë, i rritur që foshnje me serenata, Rizai ngjizi sëbashku Adam dhe Evë dhe në lirikat e tij, tundimi ndaj së bukurës femërore vjen natyrshëm, të ngjeshura metaforikisht dhe me sinqeritet jashtë tabuve, ashtu si vetë ëndrrat e poetëve. ~~~~~

RIZA BRAHOLLI MBORJA - u lind më 1960 në Mborje, Korçë. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka botuar vëllimet me poezi: “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”, “Rima dashurie” vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”, romanin “Djali i pëllumbave”. “Marina” (si Bernard Vranja). Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega gjuhë-letërsi në Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka mbaruar masterin shkencor me temën: “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes”. Më pas ka mare titullin doctor i shkencave për studime letrare me temën “Refuzimi estetik në poezinë shqipe” mbi poezinë e Frederik Rreshpjes dhe Zef Zorbës. Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese dhe lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale Hoteleri Turizëm Tiranë.

RIZA BRAHOLLI - poezi

Mollë për magji

Kur bridhnim bahçeve me mollë harboja unë e xhinde ti. Nën atë bluzën fijehollë këput kokrra e hidh në gji

Kur bridhnim bahçeve të dy na tretej shpirti fjollë-fjollë, na mbinte drita sy më sy, na merrnin buzët erë mollë E haja unë e haje ti.

Na ndiqte dielli flet më fletë. Më thoshe: dorën, mu në gji, pa fute e gjeje mollën vetë. I preka mollët kok’ më kokërr.

Të forta ishin; me siguri edhe të ëmbla. Po pse m’e vogël m’u drodh njëra, për çudi e më dha zjarr, kuvet të ri.

Një zjarr të ri, gjith' bukuri që befas zgjohet e më flet: O merr, o ikë o njeri; një mollë haet, një mollë s’pret gjithë jetën fshehur nënë gjeth.

Kur bridhnim bahçeve me mollë të rritur s’ishim, as kërthi po rriteshim me mollë në gji. Mu nën fustanin fijehollë Ah ç’mollë gjeta! Për magji. 27/02/2020, Tiranë

*** Më ra pas një çupë.

Më ra pas një çupë Një me hire prilli Ta pije në kupë Nektar trëndafili.

Mollë e sapobërë S’i gjen një të dytë Ç’faje paskam bërë Që s’m’i ndante sytë!

Ç’faje paskam bërë Nuk paska të tjerë!? Djemurisë tërë I merr koka erë.

Më rra pas, e s’ndahet Si t’i them: - aman... Mollët, si s’më hahen, Po një tjetër kam.

Më pret në shtëpi Një xhinde, lanete; S’më lë kurrsesi Më do veç për vete.

Ikë, gjeç belanë, Se më vure zjarrë Do habisim fshanë Do na thonë: të marrë...!

Më ra pas një çupë S’m’u nda pa më lidhur Ç’e piva një kupë Me sherbet të hidhur.

*** Bie një fizarmonikë në muzg

Frymë të mbetura pezull e duar zgjatur mbi flakë perëndimi përgjojnë gjuhë të magjepsura fletësh

Në kopshtet e moçëm të Mborjes kokrrat e mollës këputen mbi shpinën e heshtjes si zjarre të vegjël

Dritaret përplasen në vruje tingujsh e tutje syprina e qiellit të purpurt mbledh qelqe, farfurima kristalesh

Diçka mes rënimit, ringjalljes, mes vajit e gazit kurme të zhveshur humbin në valse mëndafshesh

... një heshtje kapitëse dhe sytë e lodhur të mbrëmjes panë hirin e tingujve dhe shpirtin e shuar të flakëve.

*** Dashuri me perënditë -E kam adhuruar gjithmonë atë kohë kur njerëzit bënin dashuri me Perënditë-

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë përtej, në botën e mjergullës ishim, në dhera të tilla ku kurrë s’kemi qenë të dy, unë e ti me mishin e shpirtin, të dy kapërthyer si dhéu me rrënjën.

Si ishim ashtu, as fjetur as zgjuar? Një shekull a dy a kush e mban mend lëndinash pa fund me frerët lëshuar mëgojzën si kuajt e hanim me dhëmb e prapë e sërish të unshëm, të vluar.

Më thuaj ç’qe kjo që sytë na panë që eshtrat kërcisnin e yjet vërrisnin e drita terrohej tej kohës pa anë e shuhej e zjente si uji me plisin me plisin eshkosur në gushtin e thatë.

Sa poshtë e përmbi, sa dritë e sa natë e ikshme si re, e prekshme si tokë si hëna në udhën e ciklit të gjatë kur hedh pëshpërimat e fundit mbi flokë e bota fundoset mes paqes së artë.

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë, të shtatën e ditëve u ulëm e pamë se bota që nisëm ish ngritur më këmbë, pastaj u rishtrimë për aktin e mbramë dhe hëngrëm çarçafët e fundit me dhëmbë. ***

Seku…seku....!

Gjithnjë e më shpesh i mbyll sytë e më ikën... Seku..., seku…!?

Nën kapakët e syve zëra e hapësira pa fund;

po deri ku mund të të çojë bastuni i drunjtë, shpina e kërrusur nga vitet gjunjtë e këputur, deri ku?

Shtigjet që merr janë udhë për të humburit; ka të tjera ligje qielli, parajsa.

Nuk e di, duhet ta marr me mend se ç’shenja të bëjnë, ç’duar zgjasin drejt teje, ç'premtime të japin?

Eh, tek ikën, në çdo rrudhë, në çdo dridhje e në çdo dritë apo hije që mpikset në paqe, një flutur shoh me krahët e pamundur.

Po si mund të ikësh kështu? Buzët ende me frymë vere përkëdhelira sysh që hapin retë e zgjojnë qiejt.

Mos prano asnjë isharet që të japin prej s’di se në ç’emër; dua të të kyç brenda meje, gjithë jetën të të mbart; të tjerët i kanë lënë të ikin, si mund ta bëj këtë edhe unë?!

Mos duhet të të mbërthej në mur në një fotografi bardhë e zi si yt shoq e im atë?

Do të ktheheshe në Krisht e Krishti duhet të jem unë; e shumta ti mund të jesh një Marije një Marije që ke lindur veç një pjellë të dobët që druhet edhe t’i thotë vetes poet (kushedi nëse kjo është për t’u mburrur!)

Gjithnjë e më shpesh i mbyll sytë seku më ikën... seku… Por si mund të ikësh nga unë, si mund të shkosh si të gjithë?! ***

Një puthje ish ajo

Një puthje ish ajo, vetëm një puthje dhe dielli shtriu rrënjët qiell e tokë, i zjenë damarët dheut, zjarri i buzëve, siç shkrehet një rrufe e shuhet tutje lëvriu që nga thonjtë gjer në flokë.

Nuk di ta mora unë a ma rrëmbeve; q’i shkuam njëri-tjetrit s’ish çudi. Më thuaj: kush e di se ç’ndodh mes reve kur ngjizet ai zjarr që shkrep rrufeve drejt dheut turret flakë e derdhet shi?!

Një puthje ish, kërkon të tjera puthje e ajo puthje ishte me e vyera. Sa herë fryn e zjarrin e shton era tek ty të vij kam et, uri dhe ngutje i frikur se s'do të ketë më të tjera.

----------***********------------

Pak nga vlerësimet, për Poetin RIZA BRAHOLLI:

KOÇI PETRITI Parathënie e librit: "Qaj shqip"! “Shpirt që vuan, do dhe përgjërohet” Riza Brahollin, e kisha njohur vite më parë pa më shkuar ndër mend se një ditë do të lexoja prej tij një tufë lirika drithëruese, ku mund të mungojnë stërhollime teknikash të vargut, por jo ndjeshmëria dhe përjetimi emocional. Mund të ndodhte, të sajoja për të thënë fjalë inkurajuese, sa për të kaluar radhën, siç ndodh rëndom me libra fillestarësh. Tani druhem se, a do të mund të përcjell siç duhet atë mbresë, që më kanë lënë përgjithësisht këto vjersha, shprehur me një lirshmëri dhe sinqeritet të mjaftueshëm, për t’u dhënë vargjeve frymën e poezisë. Gjen aty figurën që lind vetvetiu nga përjetimi dhe atë ligjërim lirik, që vjen pas një dhimbjeje, pas një ndarjeje, pas një humbjeje, zhgënjimi apo çasti sublim të rinisë.... .... Në shumë vjersha autori krijon atmosferë poetike dhe fjalori është në harmoni si lëndë që thur çerdhësinë dhe si zë i atij zogu që e ka thurur atë çerdhe. Se poezia në fund të fundit është çerdhësi, zog dhe ligjërim bashkë.

PETRIT RUKA MELODI TË PAFUNDME DASHURISH ( Për vëllimin poetik “Rima dashurie” dhe “Lirika mëkati”) ...Në të njëqind poezitë e tij vijnë mijëra përjetime të këtij zjarri të përjetshëm që nuk fiket kurrë, që rindizet, brez pas brezi, sapo vjen djalëria e parë plot njomështi ndjenjash të përziera si një lëmsh në zemër, e gjitha sepse përballë qëndron flaka tjetër miturake e atyre që mbushin botën me kuptim, vajzat, misteri i tyre i pafund që turbullon çdo zemër e lind vajin dhe këngën... ...Duket sikur Braholli ka dashur të sjellë në këtë libër tërë atë djegien e pafund të burrit për dashurinë që nga fillimi i jetës së tij e deri tek muzgu, ku as bora e thinjave nuk ia mbulon dot zjarrminë që shpirti nuk e lëshon prej zemre. Duke gërmuar gjithmonë e më thellë brenda vetes shtresat e fshehta të përjetimeve dashurore, duke i nxjerrë ato me fjalë përvëluese lart në dritë. Dhe ia del mbanë të të mbush me këtë magji ndjenjash që vezullojnë në një gaz e dhembje, dritë dhe muzgje dëshpërimesh, brohorima të fshehta gëzimesh dhe kujesh në rënien kokëposhtë tek rrokopuja humbjesh të pangushëllueshme, nga ato të fundbotshmet që dallandis drejt e në mushkëritë e tua dashuria. Gjithmonë falë fjalës së zgjedhur tërë mundim netëve, gjithmonë falë ankthit të saj për të gjetur këndet më të ndritshme të fjalëve, frazave elegante, metaforave të reja, ritmit të tyre. Kjo e bën atë një poet të vërtetë. Mund të duket i habitshëm ky epitet gati i pazakontë, por në kohën e sotme sintetike, gjithmonë e më të sajuar, me kultura të sajuara shpejt e shpejt, me ushqime të sajuara shkel e shko, me shpirtra edhe me zi të sajuara si mos më keq, poetët dhe poezia e sajuar është ku e ku më e mundur, më e pranishme dhe më e rrezikshme se asnjëherë më parë. Poetët e llojit ha (lexo) libra e nxirr (shkruaj) libra kanë fituar një denduri të frikshme, duke e hedhur në erë mundësinë për gjykimin e hierarkisë së vlerave letrare. Riza Braholli është e kundërta e tyre dhe ky libër nuk sjell thjesht sukses, por gëzim. Suksesi mund të jetë edhe i rremë, gëzimi jo, sepse nuk ka punë me shoqërinë dhe falsitetet e saj të dendura, po me individin, me ty që lexon këngë të tilla. ...Në këtë pikëpamje libri mbetet një model i shkëlqyer prove e mësimi për të gjithë ata poetë rishtarë e studiues të poezisë shqipe të formave të saj të lëvrimit. Një libër poetik që falë talentit krijues jo vetëm në përmbajtje, po edhe në formë përbën një risi në poezinë shqipe, sado që dikujt kjo mund t'i duket një tingëllimë pretencioze.

VANGJUSH SARO: - Riza Braholli në ardhje… Shënime për librin poetik “Prekja e dritës”

Gjatë kohës që lexoja librin me poezi “Prekja e dritës” të Riza Brahollit, madje edhe duke shkruar këto radhë, përpiqesha të qasesha në kufijtë e rrymave dhe të shkollave letrare më të njohura, për tëkuptuar se ku gjendet apo ku e shoh unë poetin. Nëpër mendje, më rendnin terma dhe parime. Imazhinizëm. Romantizëm. Ikja në natyrë. E kaluara. Realizëm. Impresionizëm. Një episod poetik sa një frymëmarrje, pas së cilës edhe ty të mbetet fryma teksa pyet: Është njëlloj neorealizmi - me elemente erotizmi, gjithsesi vizatuar mjaft hollë - që grish në kërkim edhe vetë shkollën modeste shqiptare të poezisë? Dhe pastaj “Fletë vjeshte”, “Në atë pyllin që di vetëm unë”, etj. Poezi që të kujtojnë disi atmosferën e shkollës romantike: prehje në krahët e dashurisë, arratisje në të kaluarën, në natyrë; apo thjesht një peizazh me aq shumë detaje, nga gërvima e portës, te qershia e sofati…Po poezia me titull “Përshpirtje”? Do të thosha se për nga ndërtimi, ajo duket klasike, me kufij metrikë dhe orientim realist. Për nga përmbajtja, le të diskutojmë nëse ka dëshirë, më duket si një krijim me prirje kah ekzistencializmi. Ku po shkoj kështu? ...Kujdesi për ta kumtuar mendimin në mënyrë artistike, përmes një stilistike që ai e zotëron mirë, është një nga cilësitë kryesore të poezisë së R.Brahollit. Marrëdhënien më të ngushtë, “flirtin” më të bukur, ai e ka me metaforën. Është e dukshme. Ajo sundon çdo hemisferë dhimbjeje të poezisë së R.Brahollit dhe mire është ta ndjekim, pa le se ç’të “fshehta” zbulojmë në dashurinë e tyre magjike. ...Edhe në poezitë e R.Brahollit, fëminia zë shumë vend; kujtime, imazhe nga ai fragment i shenjtë i jetës: “Pa folje”, “Tregim për nënën e trëndafilin”, “Sa dua t’u besoj”, “Sa të kthehet zogu i humbur”.Janë poezi ku retë e kujtimeve, retë e kohës, enden qiellit të jetës duke iu besuar imazheve më të shtrenjta, që kanë qenë pjalmi në jetën e poetit, që humbasin, rikthehen, por që këndojnë përherë ekzistencën njerëzore si një film a histori pa fund. Ashtu plot imazhe dhe e pafajshme vjen fëminia edhe te poezia “Çifti në valle”, ku sërish shquajmë elemente që ndehen në një shtrirje kohore sa jeta, prej të tashmes në të shkuarën, por në një cikël ndijesish që përvëlojnë shpirtin: “Këtë çast/ dua të jem fëmijë/ ai i vogli/ që çmendej të merrte në faqe/dy buzët e kuqe të nuses...” ... në këtë nëntemë, është e natyrshme të thirret në apelin poetik vatra familjare; dhe mandej, të këndohet për protagonizmin e fortë të babait, në një bregore vargjesh ku gjithnjë harlisen pa pushim metaforat dhe prej nga e shkuara shihet ashtu si një fushë ku ngjyrat lozin e shfaqen si të ishin dallgë; në këtë festë poetike kujtimesh të ëmbla e përjetimesh që kullojnë dashuri e dhimbje, penelat e zemrës bëjnë portretin e dashur, në një kuptim, pse jo edhe bilance të cilat i kemi brenda vetes. ... Cila është “shkolla” që i ka shkuar nëpër mend të ndjekë apo që i përshtatet më shumë këtij poeti? Nganjëherë, poezia e tij shkon edhe përtej procedimit modern, që do të thotë e gris pamjen reale me mbivendosje imazhesh dhe ku simbolet harlisen si në një pranverë të vonuar; hera-herës vargjet pikojnë edhe dhimbje, edhe pajtim me fatin; më tej, ato grishin një thjeshtësi mahnitëse për t’u rigjetur pastaj në një disharmoni mjeshtërore, manierë që e ceka disi edhe më lart.

ZIMO KRUTAJ: “PREKJA E DRITËS” nga Riza Braholli ...Nuk di të them me siguri në e kam të lexuar diku se fëmijëria është toka e premtuar e poetëve, por poezia e Brahollit, në pjesën më të thukët të saj, e ka këtë shenjë si emblemë të natyrshmërisë dhe identifikimit. ...Një tjetër tipar identifikues është zëri lirik, që te poezitë e vëllimit “Prekja e dritës” shfaqet si në poezitë që trajtojnë motive nga fëmijëria dhe rinia e poetit (“Zog dimri”, Mbrëmje në Mborje”,”Natë vere”,”Tregim për nënën e trëndafilin”, “Këngë të fshehta”, “Porta e prillit”etj.) ashtu edhe në poezitë që “shkruhen” në çastin e dhënë, me përjetime, imazhe e përfytyrime, që i kapërcejnë kufijtë e kohës e të hapësirës: (“Nëna”, “Pas shiut”, Sonatat e Erit”, “Të (pa) dukshmen”, “Prekja e dritës”, .. si dhe pothuajse të gjitha poezitë e ciklit të fundit “Porta të hapura”, të përkthyera edhe në anglisht.) Ky zë i mëvetësishëm është njëherësh edhe un-i lirik i autorit, i formësuar nga e thëna dhe e pathëna, nga teksti dhe verbi poetik, por edhe nga ankthi i gjuhës, në përpjekje të përhershme për të shprehur të pashprehshmen. ...Te “Prekja e dritës” poeti Riza Braholli është i vetëdijshëm për fuqinë e komunikimit të fjalës së zgjedhur poetike, ndaj përkorja dhe lëmimi është një tjetër karakteristikë e poezisë së tij, ashtu siç mund të pohohet, pa frikë, se në themel të kësaj poezie është harmonia e tingullit, befasia e imazhit dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj ritmit dhe muzikalitetit të vargjeve.

VAID HYZOTI Një fjalë për lirikun Riza Braholli