top of page

Rikthimi në Çamëri*


Opinion Prof.Dr. Resmi Osmani

Rikthimi në Çamëri*

Çështja çame, po të zhvishet nga ngarkesat politike, arkaike e reaksionare, falsifikimet dhe qëndrimet dashakeqëse, raciste dhe ksenofobiste, që nganjëherë arrijnë deri në absurd, nga qëndrimet alergjike dhe refraktare, që mbahen nga qeveritë dhe qarqet shoviniste të politikës greke, problemi thjeshtohet dhe qartësohet: dëbimi nga trojet e veta i gjithë popullates shqipëtare myslymane me dhunë të armatosur dhe terror, ishte një kryqëzatë dhe spastrim etnik klasik, një gjenocid.

* * *

Kanë kaluar 77 vjet.Plaga nuk është mbyllur.Ajo dhemb.

Poeti Hekuran Halili,ka një poezi të mrekullueshme:”Udha e kthimit”, Ëndërra e prindërve tanë për tu rikthyer në Çamërinë e dashur, që është ëndërr dhe dëshirë e të gjithë neve. Rikthim në trojet tona amtare.

Pas viteve 90-të, më së shumti ilegalisht, djemtë çamë janë hedhur matanë kufirit dhe kanë shkuar ta shohin Çamërinë. Për secilin prej tyre kjo ka qenë një kuturisje jo pa rreziqe. Ndryshe nga përfytyrimi romantik dhe i idealizuar, të ushqyera nga malli apo tregimet e dhimbsura të prindërve të tyre, ata gjejnë një Çamëri tjetër. janë mahnitur nga bukuria e vendit, nga anëdeti i mrekullueshëm i Jonit dhe qytezat e bukura çame të Gumenicës, Arpicës, Volës, Pargës e Prevezës. Por Janë trishtuar e kanë ndjerë dhimbje, kur kanë parë fshatrat e rrënuara, arat djerrë, ullishtet, pemishtet dhe vreshtat të degraduara e të braktisura, të mbuluara nga ferrat dhe drizat, si gjysmë shkretëtirë.

Pa asnjë mëdyshje, fshatrat dhe qytetet e Çamërisë së sotme, janë pjesa më e prapambetur e Thesprotisë historike dhe gjithë Greqisë. Burimet e saj dhe potenciali natyror në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, presin dorën e pronarëve të tyre të ligjshëm që të vihen në funksion të zhvillimit të kësaj krahine të begatë.

* * *

Trajtesa e mëposhtëme “Kthimi në Çamëri”, sido që hipotetkisht, e sheh krahinën me një këndvështrim tjetër. Megjithëse ka disi karakter hipotetik e vizionar, parasheh si një realitet të mundahëm se çfarë do të ndodhte po qe se banorët e Çamërisë, do të ktheheshin në vatrat e tyre stërgjyshore.

Pyetja që mund të bëhet në këtë rast është: jo vetëm se çfarë do të fitojnë çamët, por çfarë do të përfitojë Greqia, nga rikthimi i popullatës çame në krahinën e vet? Kësaj pyetjeje do të mundohem ti jap përgjigje reale e të besueshme duke u mbështetur në tërësinë e faktorëve: gjeografikë, demografikë dhe social-ekonokikë, në kuadër të një shoqërie demokratike, të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Në gjirin e komunitetit çam në Shqipëri, bëjnë pjesë mbi dyqind mijë njerëz. Është një popullatë dinamike e vitale, e suksesshme, me moshë relativisht të re dhe plot kualitete. Ka nivel arsimor të admirueshëm, pa analfabetë e të paditur. Në gjirin e kësaj popullate është formuar shtresa e inteligjencës, që rrok të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore dhe shoqërore. Ka midis tyre profesorë e doktorë, me tituj shkencorë akademikë, mësues dhe pedagogë, inxhinierë, ndërtues dhe arkitektë, gazetarë të talentuar, shkrimtarë e njerëz të letrave, artistë të skenës, piktorë, mjekë, agronomë e zooteknikë, veterinerë, ekonomistë e financierë, biznesmenë e sipërmarrës, pa folur për mjeshtëritë dhe profesionet aplikative, që u takojnë gjithë sferave të jetës. Është një bashkësi e talentuar, e cila në kushtet e demokratizimit të vendit, ka gjetur shumë hapësirë për të paraqitur vetveten.

Këta janë çamët, këta jemi ne.

* * *

Nuk bëjmë asnjë gabim po të pohojmë se e krahasuar me popullatën ekzistuese (rezidente) të Çamërisë së sotme, komuniteti çam në Shqipëri, është më i ndriçuar, më i emancipuar, i pajisur me më shumë dije, më i talentuar dhe me aftësi vetorganizuese, që i ka brenda vetes, gjithë kualitetet për të ndërtuar në krahinë institucione të qeverisjes vendore, institucione kulturore e arsimore (pse jo edhe universitet) dhe një ekonomi të qëndrueshme e të zhvilluar në kornizën e legjislacionit grek (shtetas të të cilit do të jenë) duke gëzuar njëkohësisht edhe të drejtat dhe liritë e minoritetit shqiptar, një e drejtë kjo natyrore e pamohueshme në çdo vend demokratik.

Shpesh më kanë pyetur: sa pjestarë të komunitetit çam do të rikthehen në Çamëri, për tu vendosur në pronat, fshatrat dhe qytetet e tyre, dhe a i nxe të gjithë kjo krahinë? Vështirë ti jepet një përgjigje e saktë kësaj pyetjeje. Rikthimi do të jetë vullnetar. Janë disa faktorë që do ta përcaktojnë këtë rikthim: pjestarët e këtij komuniteti gjetën në shtetin amë atdheun e munguar, nga i cili u shkëputën dhunshëm, me të cilin i lidh gjaku dhe rrënjët historike, traditat, zakonet dhe kultura. Brezi i ri me origjinë nga shqiptarët e Çamërisë, ka lindur këtu, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë janë vendlindja e tyre. Komuniteti çam është integruar me popullsinë vendëse të krahinave ku jeton, është lidhur me martesa, ka marrë e ka dhënë. Shumë prej tyre janë të suksesshëm në biznes, në veprimtari ekonomike, shkencore e administrative dhe e kanë ndërtuar jetën mbi bazën e veprimtarive që ushtrojnë. Ndërsa të gjithë janë të interesuar për pronat e atjeshme, duhet mbajtur parasysh se shumfishimi i trungut familjar, e copëzon këtë pronë. Është e besueshme se për administrimin e saj dhe për t’u rivendosur përgjithmonë në trojet e tyre, do të shkojnë kryesisht ajo pjesë e brezit të ri, që ende nuk e ka gjetur siç duhet vendin e vet në jetën ekonomiko-shoqërore dhe, pse të mos e themi, që gjendet në vështirësi. Në Çamëri do të shkojë pjesa më vitale e komunitetit,aq sa nxe vendi . Ky rikthim do të zgjasë në vite.

* * *

Lind pyrtja: Ç’farë do të bëjnë të rikthyerit në krahinën e Çamërisë, me se do të merren? Me shumë gjëra. Aq shumë sa është e vështirë të renditen, megjithatë ndër veprimtaritë kryesore mund të përmendim rindërtimin e fshatrave, që do t’i ndërrojnë faqen vendit. Komuniteti i ka brenda gjirit të vet inxhinierët, arkitektët dhe kompanitë ndërtuese.

-Do të ngrihen qendrat social-kulturore dhe të shërbimeve si shkollat, ambulancat dhe klinikat mjekësore, repartet e shërbimeve e gjithçka tjetër që plotëson kërkesat dhe nevojat jetike të një komuniteti urban dhe rural.

-Sipërmarrësit e sukseshëm çamë do të investojnë në qendrat turistike të bregdetit të bukur(Gumenicë, Sajadhë, Arpicë, Volë, Pargë e Prevezë). Atje, përveç banorëve të krahinës, mund të verojnë edhe turistë nga Shqipëria e Kosova.

- Krahina ka potenciale dhe burime të shumta bujqësore të klimës subtropikale. Bujqësia është njera nga degët e gatshme që me punë mund të vihet në lëvizje që në vitin e parë e të dytë. Objekt pune do të bëhen ullishtet, vreshtat dhe agrumishtet e braktisura dhe do të fillojë mbjellja e të rejave, do të zhvillohet njëherazi blegtoria në kullotat e begata natyrore. Ky zhvillim do të pasohet nga agroindustria, që do të përpunojë prodhimet bujqësore.

- Vija e gjatë bregdetare e Jonit me skelat dhe portet e shumta, është një mundësi tjetër për zhvillimin e veprimtarisë së peshkimit dhe ihtiofaunës, mjeshtëri që djemtë çamë e ushtrojnë sot e kësaj dite në Sarandë, Vlorë e Durrës dhe duhet thënë që janë vërtet mjeshtra!

-Çamërisë do t’i shndërrohet pamja : nga një krahinë e braktisur, e prapambetur, në një krahinë të përparuar, të zhvilluar e të lulëzuar. Ajo do të gjenerojë të ardhura e mirëqënie për popullatën e krahinës , por edhe të ardhura për buxhetin e shtetit grek.

Gjithë sa u tha, nuk do të bëhet me shkopin magjik. Përveç burimeve natyrore vetjake, do të duhet të jepen financime e kreditime nga bankat greke e shqiptare, pse jo edhe fonde grant nga KE. Janë këto mundësi të qënësishme potenciale dhe jo të hamendësuara që do të përdoren për rindërtimin dhe zhvillimin e krahinës.

* * *

Rivendosja e komunitetit shqiptar çam në trojet e tyre, brenda territorit të shtetit grek, parë në këndvështrimet e sotme dhe ato të zhvillimeve të pritshme, atë të integrimit europian, të një shoqërie të hapur, që respekton të drejtat, liritë dhe traditat për të ushtruar dhe zhvilluar kulturën, arsimin, të drejtën e informimit dhe të lëvizjes së lirë, do të shoqërohet me krijimin e shoqatave dhe organizmave artistike e kulturore, të studimeve folklorike, shkencore e historike, do të organizohet media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Ky gjallërim i jetës ekonomike dhe kulturore do të bëjë që komuniteti i çamëve të rikthyer të rivendosë lidhjet e vjetra vëllazërore me komunitetin e çamëve kristianë shqipfolës, që sot druhen dhe nuk guxojnë të flasin gjuhën e nënës në mjedise publike

Mund të parashtrohen edhe shumë gjëra të tjera mbi këtë temë, por gjithë sa u tha, megjithëse hipotetike, por jo imagjinare, edhe pse ka brenda edhe pak futurologji, është një këndvështrim tjetër, për të paraqitur se çfarë përfitimi do të kishte shteti grek nga rikthimi i komunitetit çam. Do të përfitojë një krahinë të tërë e cila do të dalë nga prapambetja dhe do të ngrihet e fuqizohet ekonomikisht, një krahinë të emancipuar e kulturuar, e cila do të jetë brenda territorit dhe administrimit të atij shteti.Me këtë gjendje të re të gjërave e fituar është Greqia. Do të krijohet atmosfera dhe klima që të shuhen mëritë e vjetra. Grindjet dhe mllefet do të hidhen pas krahëve si një trashëgimi arkaike. Midis dy vendeve dhe dy popujve do të vendoset miqësia e vërtetë e bazuar në mirëkuptimin dhe dëshirën e vërtetë për të jetuar së bashku në paqe. Kjo linjë është në përputhje të plotë me aspiratat evropiane në kuadër të integrimit të vendeve të Ballkani Perndimor në BE.

* * *

Është rasti, që në vend të mohimit kategorik për egzistencën e problemit çam, apo histerisë antishqiptare të sillogjeve,“Agimit të Artë”,qeveria dhe politika greke dhe opinioni publik i vedit fqinj, le ta shohin edhe në këtë këndvështrim problemin çam. Por për të arritur deri këtu, do tu duhet që të zhvishen nga paragjykimet, mllefet, mëritë, rracizmi, ksenofobia dhe opinionet tabu e të paravendosura. Kuptohet kjo për ta nuk është e lehtë, por me dëshirë apo pa dëshirë, duhet ta bëjnë. Përndryshe ata nuk mund të jenë qytetarë të vërtetë evropianë.

Rruga e zgjidhjes së problemit çam, gjendet brenda së drejtës ligjore të njohur ndërkombëtarisht,(Kësaj nuk mund ti bishtnojë shteti grek) dëshirës së mirë humane e qytetare, me përpjekje dhe këmbëngulje të vetë komunitetit çam, me mbështetjen e opinionit publik mbarëkombëtar(pasi çështja çame është pjesë e problemit tonë kombëtar) dhe doemos dhe domosdoshmërisht, të qeverive shqiptare.

Është një aspiratë reale dhe jo utopi. Ajo kërkon angazhimin e tërë kombit. Këtë synon edhe rezoluta për Çamërinë e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Në mbyllje të kësaj trajtese, do të bëj pyetjen: çfarë humbet shteti dhe shoqëria greke nga kthimi i komunitetit çam në trojet e veta historike e të trashëguara? Asgjë,asgjë,asgjë!

Janë vetëm të fituar, madje janë më të fituar ata sesa ata që rikthehen!

Tiranë, më 26.6.2021

*Mbajtur në konferencën e Akademisë Për Studimet e Çamërisë.

67 views1 comment

1 commento


fahri dahri
fahri dahri
27 giu 2021

I nderur Resmi.

Analiza juaj është e pranueshme, pasqyron mundësitë reale që i përkasin zhvillimit aktual dhe arritjeve teorike të shpalosura në sallonet e BE-së, KiE-së dhe KE-së. Në këtë këndvështrim, ju shpalosni ndjenjat njerëzore, karakterin, shpirtin miqësor që ka ekzistuar dhe ekziston tek komuniteti çam. Ju me analizën tuaj i tregoni dhe njëherë shoqërisë së civilizuar të heqin dorë nga racizmat, nga ndarjet e popujve sipas etnive, besimeve fetare, racave, ngjyrave.

Të kthehen në "krah të djathtë", të respektojnë jetën e kujtdo, i varfër apo i pasur; i fortë apo i dobët; i bardhë apo i zi, ezmer apo i zeshkët, i shkurtër apo i gjatë. Pra, ju me sinqeritetin që ju karakterizon (trashëgimi e genit tonë) bëni thirrje…

Mi piace

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page