top of page

Rexhep Hoxha, mësuesi, sportisti dhe regjisori


Homazh për mësuesin ekselent në fushën e mësimdhënies e të edukimit në përgjithësi


Rexhep Hoxha, mësuesi, sportisti dheregjisori

që ia lartësoi vlerat Muhurrit dhe Dibrës


Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh




Dje, më 20 janar 2022 u nda nga jeta Rexhep Hoxha, mësuesi dhe veprimtari shembullor, i cili shërbeu me përkushtim e devotshmëri, si mësues e drejtues në disa shkolla e institucione të rëndësishme të rrethit Dibër.

Ky lajm i trishtë është pritur e përcjellë me hidhërim të thellë nga mijëra ish - nxënës dhe nga qindra kolegë që e konsideronin si dishepull të dijes. Të tillë e kam profilizuar mësues Xhepën edhe unë në librin "MUHURRI, HISTORI DHE PERSONALITETE", pasi Ai ishte dhe mbetet një nga personalitetet e shquara të Muhurrit e krejt Dibrës- simbol i intelektualit të vyrtytshëm, mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale.

Rexhepi ishte nxënës shumë i mirë, futbollist me plot të dhëna, luante shumë mirë të gjitha lojërat me dorë, ishte notar i zoti, lua shumë mirë shah, ishte atleti më i mirë i shkollës së mesme ku zinte vendin e parë në të gjitha maratonat që organizoheshin në atë kohë.

Emri i tij ka qenë i shpallur deri nga viti 1967 në stendat e Shkollës Pedagogjike. Ai u bë një aktor, një regjisor dhe një koreograf i shkëlqyer i grupeve artistike të shtëpisë së kulturës Muhurr.

Nderimi për ish mësuesine talentuar Rexhep Hoxha konsiston para së gjithash në mirësinë, urtësinë, mençurinë dhe largpamësinë që ai shfaqi gjatë gjithë jetës së tij.



Kur hienat e luftës së klasave ia prishnin

gjumin mësuesit dhe sportistit të talentuar



Që në klasën e dytë të shkollës pedagogjike, profesorët Shemsi dhe Lutfi Manjani spikatën talentin tij në futboll, e paraqitën te trajneri Vafsi Biçaku, i cili e provoi dhe e inkuadroi në ekipin e parë, në vend të Tomor Gjokës, që u lirua nga ushtria.

Në ndeshjen e parë m Elbasanin shënoi golin barazimit. Në një ndeshje kupe në Fier thyen këmbën e djathtë, duke e lënë talentin dy muaj larg fushës së futbollit. Me ndërhyrjen e z. Mentor Muça, pas kërkesës së shumë sportdashësve e emërojnë mësues në Muhurr.


Rexhep Hoxha vjen në shkollë me paterica. Ishte shumë energjik dhe i shkathët. E nxorri nga prapambetja menjehërë klasën që i dhanë, bëri emër si mësues i zoti dhe prindërit nxitonin t’i regjistronin fëmijët me mësues Rexhepin. Pastaj transferohet në shkollën 8-vjeçare Kastriot, ku punoi vetëm 6 muaj, pasi në mars 1967 e marrin ushtar në një repart pune, ku inkuadroheshin ushtarët me biografi të keqe (të persekutuarit). Pas ushtrie, në vitin 1970 filloi punën në shkollën e Muhurrit, pasi atje ia kishin emëruar edhe bashkëshorten, duke e larguar nga qyteti. I dhanë klasë të parë dhe disa orë fiskulturë në 8-vjeçare. Gjatë kësaj kohe filloi punën për ndërtimin e këndit të parë sportiv. Bashkëpunoi me Drejtorinë e Minierës së Mermerit në Gurin e Kuq, të cilët e ndihmuan duke dhënë tuba metalike të skaduara dhe saldatorin. Ishte këndi më i plotë sportiv në rrethin e Dibrës. Jeta sportive e fshatit u gjallërua shumë. Çdo pasdite kishte aktivitete nga të rinjtë e fshatit.

Mësuesi sportist Rexhep Hoxha ngriti ekipin e futbollit të Muhurrit, i cili konkuronte me sukses gjithë ekipet e kooperativave bujqësore. Ndjehej krenar, por askush nuk i dha qoftë dhe një falenderim. Hienat e luftës së klasave i shfaqeshin edhe në gjumë. Gjithë paraditja dhe pasditja e tij kalonte në punë pranë shkollës. S’mund të hapte gojën për asnjë arsye ndonëse kishte shumë aktivitete në atë kohë.


Mësues shembullor, regjisor i talentuar i grupeve amatore


Në vitin 1971 në Muhurr u ndërtua Shtepia re e Kulturës. Mësues Xhepën, që kishte prirje regjisoriale dhe interpretuese e vënë të përgatisë një grup artistik për ditën e inaugurimit. E përgatiti shfaqjen me mësues e nxënës dhe u pëlqye shumë nga të pranishmit. Ai, i papërtueshmi, i talentuari, i vullnetshmi dhe i pasionuari për gjithçka, ngriti të parin grup folklorik me një pjesëmarrje të larmishme me burra, gra, të rinj e të reja; instrumentistë e valltarë shembullorë, duke i përzgjedhur nga të gjithë fshatrat e Muhurrit. Në konkurimin e qershorit të vitit ‘72, grupi i Muhurrit zuri vendin e dytë në nivel rrethi. Konkurimet bëheshin çdo vit, e ai ishte i detyruar për çdo vit të paraqiste grupin për konkurim. Punë e lodhshme dhe as që bëhej fjalë për pagesë. Kishte të drejtë të inatosej me veten, kur kolegët rehatoheshin në shtëpitë e tyre pasdite, ndërsa ai vijonte punën me aktivitetet në shtëpinë e kulturës.

Në vitin 1973 përgatiti ekipin e lojërave popullore për konkurim në rreth, ku Muhurri mori flamurin e festivalit. Ishte eveniment i rëndësishëm për shkollën dhe kooperativën bujqësore Muhurr, por përsëri asnjë vlerësim për drejtuesin e talentuar të këtyre aktiviteteve të shumta, ish kampionin në kampionatin e futbollit të vitit ‘’73 e që kishte ndikuar që ekipi i Muhurrit të fitonte 4-1 në finalen me ekipin e Kastriotit. Muhurri u shpall kampion, e sigurisht në themel ishte puna e palodhur e këtij mësuesi. Rexhep Hoxha i dha Muhurrit aq shumë dije dhe kulturë me veprimtaritë që organizonte e udhëhiqte. E shihje herë pas here duke dhënë shfaqje me grupin, atje ku punonin brigadat e kooperativës. I kënaqte ato duke u dhuruar orë çlodhjeje dhe argëtimi.

Ajo që duhet thënë patjetër është se për 4 vite të punës së tij në Muhurr, jeta kulturore-artistike e sportive morën një gjallëri të paparë. Gumëzhinte çdo ditë këndi i bukur sportiv nga të rinjtë, gjëmonin aktivitetet artistike në shtëpinë e kulturës.

Një cilësi tjetër e mësues Rexhepit ishte lidhja e tij me librin. Lexonte shumë, lexonte çdo lloj zhanri që i binte në dorë. Nuk linte libër të ri pa blerë. T takova para disa kohësh dhe më tha se i kujtohej libri i parë artistik që kishte lexuar. Ishte novela e Gj. Gollsuorthit “Lulet e mollës”. Biblioteka e tij kishte mbi 600 tituj librash.

Lexonte shumë dhe Besa, bashkëshortja e tij mësuese, që kishte shumë libra të verdhë të asaj kohe…



Mësues në Bulaç, ku takoi “Lulin e vocër” të Migjenit në origjinal


Katër vite punoi në Muhurr dhe në vitin1974 për “punë të mirë e të palodhur” e transferojnë në fshatin Bulaç, dy orë e gjysëm larg nga Muhurri, në një terren të vështirë. Atje gjeti njerëz mjaft të mirë dhe arsimdashës. Ai s’i harronte kurrë ato njerëz fisnikë e të dashur pavarësisht varfërisë së tejskajshme. I kujtonte plot respekt, Imer Lleshin, Rakip Loshën, Nazif Gjonin, Shefki Loshën, Halim e Zyber Bushin, Hasan e Sherif Loshën, Gëzim Bushin, Lazam Lleshin e të tjerë.

“Aty,- më tregonte mësues Rexhepi, - takova Lulin e vocër të Migjenit në origjinal”.

Nuk i hiqej dot ngamendja ish-nxënësi i tij Ismet Qamil Lleshi, i cili edhe pse ishte vetëm 4 vjeç, pothuaj çdo ditë, edhe kur bora ishte deri në gju, e priste në oborrin e shkollës këmbë zbathur, vetëm me një këmishë të bardhë, në mes të borë për t’i thënë: “Mirëmëngjes mësues!”

E ai, mësuesi zemërgjerë, e merrte në krahë dhe e fuste në klasë pranë sobës.

Ata fëmijë, të cilët der kur vajti mësues Rexhep nuk njihnin as makinat (pasi nuk i kishin parë kurrë), u

bënë shembullorë, madje me rezultatet e tyre në 8-vjeçare do të fitonin të gjithë të drejtat e studimit që vinin për shkollën Hurdhë Muhurr. Ai kujtonte si nxënës të tij të sukseshëm: Petrit Bushin (sot dekan i një univeristeti në Prishtinë), Ramazan Lleshin (ish mësues e drejtor shkolle), Maliq Lleshin, Petrit Zhuzhin (ushtarak), Hysni Didën (ushtarak e bankier), Bukurie Bushin (zooteknike), Fazile e Abas Loshën (mësues me arsim të lartë), Laim Bushin (mjek), Besnik Didën (nd/mjek), Zabit Bushin (mësues anglishteje) etj.

Për dhjetë vjet sa punoi në Bulaç, falë punës së tij, nga ky fshat me 67 familje, mbaruan arsimin e mesëm profesional e të lartë 24 djem e vajza. E kujtonte me nostalgji mësues Rexhepi atë kohë, dhe thoshte se, kur gërshetohet dhimbja me respektin e dashurinë e njerëzve, vuajtja lehtësohet.

Dita e largimit nga ai fshat u shoqërua edhe me lot të përbashkët të mësuesve kolegë dhe prindërve. Ai e kujtonte atë çast si shumë emocionues. Ata ishin bërë njësh në atë kohë, i njihnin mirë hallet e njëri- tjetrit. Nuk i thonin pak, por plot 10 vjet. Mësues Rexhepi kishte hyrë pothuajse në çdo familje, kishin pirë kafe bashkë, kishin ngrënë përshesh me kos e me dhallë, ndonjëherë dhe petanik me hithra. E përcollën të gjithë atë ditë. ... Nuk ndahej dot nga një histori e ndodhur në atë kohë që e bëri krenar për ata njerëz që jetonin me shprehjen e kahershme: ‘O Bulaç teferiç, bukë pak, e ujë hiç”. Vërtet Bulaçi ishte fshat rrëzë malit të Runjës, por për çudi kishte vetëm një krua me një curril uji.


Një ditë, një pjesëtar i Ekipit të Gjeofizikës së Tiranës, që ishte stacionuar në kërkim mineralesh në Muhurr, i thotë mësues Rexhepit se kishte dëshirë të shkonte në shkollën e tij. Quhej Dash Dima dhe ishte nga Tirana. Para se të mbaronte mësimin, mësuesi mendoi të sajojë një gjë të vogël sa për të shuar urinë disi. I dha 14 lekë një nxënëseje që e kish shtëpinë afër shkollës dhe i tha të blinte dy vezë, t’i ziejë e t’ua sillte tek shkolla. Vajza iku, por u vonua tepër. Mësuesi dërgoi një nxënëse tjetër që t’i thoshte vajzës të vinte shpejt. Nxënësja e dytë përgjigjet se dhe pak e do të vijë shoqja e saj. “Vërtet, pas pak, -tregonte mësues Rexhepi, - erdhi e ëma, një grua në moshë, me një tepsi të madhe në duar. Në tepsi kishte një tas gjizë, gjalpë dhe katër vezë të fërguara, një tas kos për t’u prerë me thikë, bukë nore ose persnek me miell misri gushtak të kuq, që sa e kishte nxjerrë nga pjekja, dhe një tas me makarona që ishin plot gjalpë.

“U ulëm me Dashin të hamë me shumë oreks. Si mbaruam, Dashi më tha: ‘Në jetën time o Rexhep Hoxha, nuk kam ngrënë drekë më të shijshme se kjo…!”, tregonte mësues Xhepa. E kjo fisnike, që u solli bukën e përgatitur me gjithë zemër, qe gruaja e Nazif Lleshit. Ajo sot nuk jeton ndoshta, por mësues Rexhepi nuk mund të mos e kujtonte, qoftë edhe në shenjë homazhi.


Kalvari i mësuesit shembullor, nga Shumbati në Fushë Alie


Pasi bëri plot 10 vjet punë në Bulaç, lirohet një vend pune n fshatin Rreth-Kale, prandaj Xhepa i kërkoi sekretarit të Byrosë së Partisë që t’a ndihmonte të transferohej atje.

“Po, - i tha ai, - jam dakort, por s’do të të lënë qentë tuaj…”

Erdhi në Rreth-Kale, por iu vërsulën kolegët e tij, duke dërguar letra biografike kundër tij, deri sa e pushuan nga puna. U deshën 6 muaj për t’u rikthyer në punë me ndihmën e miqve të tij. Mësuesi me përvojë dhe i suksesshëm kudo që punoi, vuajti shumë shpirtërisht dhe moralisht. Pinte duhan gjithë ditën. Siç rrëfente ai vetë, shpesh zemërimi e shtynte t’i drejtohej kufirit me mendimin: ja vdekje, ja liri! Por zbrapsej kur mendonte sakrificën që gruaja kishte bërë për të; mendonte dy engjëjt e tij të pafajshëm dhe ndërronte mendim.

Pas 6 muajsh e emërojnë në Shumbat. Bënte 6 orë rrugë nditë. Vinte në shtëpi nga ora 9 e darkës. Më pas e dërguan në Fushë Alie, ku punoi 7 vjet.

Kur vajti atje, menjëherë në fshat u hap lajmi se ka ardhur një mësues i mirë. Vitin tjetër vërshuan prindërit për t’i sjellë nxënësit te klasa e mësues Rexhepit. Njësoj si në Bulaç, edhe këtu, ish - nxënësit e tij udhëtuan shumë mirë në rrugën e dijes.

Mësues Rexhepi kujtonte Muhamet Shehun, Roland Karoshin, R. Kacanin, Elona Karoshin me Nexhbën, fëmijë shumë i urtë e i sjellshëm (siç është edhe sot), Artanin etj.


“Qytetar Nderi” i Peshkopisë


Lëvizja Demokratike e gjeti në Fushë Alije. E ndiqte hap pas hapi dhe konstatoi se diçka po lëvizte në politikën shqiptare. Kishte mësuar pothuajse përmendësh shumë pasazhe nga artikulli i Ylli Popës “30 vjet kohë e humbur” dhe e deklamonte me shokët rrugës e nganjëherë dhe në autobuzin e Kalasë së Dodës. Po frynte era e lirisë dhe ai, si shumica e shqiptarëve, mezi e priste. Mësues Rexhepi që kishte hequr mbi kurriz kalvarin e vuajtjeve tejet të mundimshme, e priste me shumë etje lirinë.

Plasi revolta e studentëve në Tiranë. Vajza e tij ishte atje dhe i shkruan një letër prej 5 fletësh matematike duke shpjeguar gjithçka që kishte ndodhur ato ditë arta. Mësues Rexhepi e ruante me fanatizëm atë letër të shtrenjtë, kur ndër të tjera shkruhet: “Po shkruaj kaq gjatë babi, pasi e di që ti je shumë i interesuar për këtë situatë....”

Rexhep Hoxha mori pjesë në themelimin e degës së PD në Dibër dhe në Mars ‘91 u pranua anëtar i kryesisë së Degës. Punoi me shumë dëshirë e pasion bashkë me shokun e tij të ngushtë, Lavdrim Shehun për ngritjen e seksioneve të PD në gjithë zonën e Muhurrit e krahinave të tjera.

Mësuesi i kujtonte ato kohë me shumë emocione.

Sa ka vuajtur

ai për lirinë, për demokracinë, për dinjitetim e personalitetin e tij! Vërtet kishte punuar arsimtar, por gjithë kohën kishte jetuar i ndrydhur, i frikur, duke e ndjekur pas hija e tmerrshme e luftës së klasave. Taman si në proverbin “delja dhe ujku”…: “Dikush i thotë një bariu të marrësh këtë dash, ta ushqesh shumë mirë, por të mos shtojë asnjë gram peshë. Mendo e mendo bariu dhe e gjeti zgjidhjen. Aty pranë ushqimit të dashit kishte lidhur një ujk. Dashi, hante e hante, po sa ngrinte kokën e shihte ujkun i shkonte ushqimi për lëkure….”.

Këtë situatë e përjetuan edhe mësues Rexhepi e familja e tij.

Pas fitores së PD, me 22 Mars 1992, ai emërohet në Drejtorinë Arsimore në Peshkopi si përgjegjës i kuadrit. Edhe aty e priste një punë e lodhshme. Një pjesë të madhe të mësuesve, ndryshimet demokratike i gjetën në vende pune shumë të largëta nga vendbanimi i tyre, si në Lurë, në Kala, në Reç, në Qafë Murrë, Zall Dardhë etj. Prandaj iu desh që për një muaj të bëjë studimin e kuadrit dhe t’i afronte afër vendbanimit të tyre. Plus kësaj, duheshin bërë dhe emërimet e reja, por ai e përballoi me shumë sukses këtë reformë delikate, saqë komuniteti i arsimtarëve dibranë nuk pati asnjë ankesë.

Pasi konsultohej me drejtorin e drejtorisë, z.Tomor Shehu për një emërim apo transferim të caktuar, e shpallnin atë. Pra nuk veproi kurrë vetëm me kokën e vet….

Për kontributin si mësues shembullor Rexhep Hoxha është dekoruar nga Presidenti i Republikës në vitin 1994 me Medaljen “Naim Frashëri” të Klasit Parë, si dhe me Çertifikatën “Nderi i Arsimit në Dibër”. Po ashtu Këshilli Bashkiak i Peshkopisë i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” i qytetit Peshkopi.


Edhe në ‘97-tën, klasën më të dobët të shkollës

“S. Alliu” Peshkopi e bëri më konkuruesen


Kur fitoi PS në 1997-tën, Rexhep Hoxha kaloi përsëri mësues në shkollën “Selim Alliu”, Peshkopi. Mori një klasë të dytë shumë të dobët. Drejtoresha e shkollës gjatë kontrollit i tha: “Ke 17 nxënës që nuk dinë të lexojnë, nga 28 gjithsej”. Por mësuesi që kishte jo vetëm përvojën, por edhe përgjegjësinë maksimale për detyrën, siç e kishte patur edhe në shkollat e skajeve të largëta, e bëri klasën konkuruese me klasat e tjera brenda tre muajve.

Gjithësesi ai kujtonte një provokim të vogël me shumë domethënie në një ditë kur kishin një pjesë leximi me titull ‘Gjergj Kastrioti dhe Skënderbeu’. Në brendësi, teksti nuk e permendte më ‘Gj.Kastrioti’, por vetëm ‘Skenderbeu!’. Mësues Xhepa u ndal 5 minuta për t’u shpjeguar nxënësve se si dhe ku e mori tutullin Skënderbe, Gjergji. Sa ra zilja, futet menjëhere te klasa ngjitur dhe i merr leje mësueses t’ju bënte një pyetje nxënësve.

Po, - tha ajo.

- Kush më thotë, çfarë e kishte Gj. Kastrioti, Skënderbeun?!, i pyeti.

-Vëlla,- thotë njëri.

-Shok, o mësues, ia pret tjetri.., dajë një tjetër!!!.

Mësuesja filloi të skuqej.

Shkoi mësues Xhepa edhe te klasa tjetër. Po ajo pyetje, po ato përgjigje. Te klasa e tretë po ashtu. Kur po dilte, një nxënës thirri: Me leje mësues! Gj. Kastrioti është vetë Skënderbeu.

- Të lumtë, -i tha. Po i kujt je ti?, - e pyeti.

Nxënësi i tregoi emrin e babait që ishte inxhinier dhe të nënës së tij mësuese. “Të fala

prindërve” - i tha mësues Xhepa unë dhe doli...

Vetëm një vit punoi mësues Rexhepi me atë klasë, e megjithatë ajo deri sa mbaroi klasën e tetë, thirrej “Klasa e mësues Rexhepit…!”.


Rexhep Hoxha, ekselent në fushën e mësimdhënies,

me aftësi të spikatura organizuese e menaxhuese


Rexhep Hoxha ka qenë i zgjedhur për 14 vite Sekretar i degës së PD-së Dibër, nga viti 1999 deri në vitin 2013, kur doli në pension.

Nuk e pati të lehtë, pasi rebelimi mafiozo-komunist i ‘’97-tës kishte lënë pasoja edhe në shkërmoqjen e strukturave të PD-së. Por Rexhep Hoxha ia doli t’i rivitalizonte këto struktura. Punonte shumë me seksionet, shkonte fshat më fshat dhe mbante lart frymën e besimit të demokratëve dibranë. Me punën e tij të palodhur, por dhe me propagandën e tij shumë efikase i jepte shpresë dhe besim elektoratit të PD-së. Ai është zgjedhur me votë për 24 vjet me radhë anëtar i Kryesisë së Degës së PD Dibër, duke dhënë një kontribut të veçantë si askush tjetër në fitoren e PD në Dibër.

Kësisoj, profili i tij është një ndërthurje e çuditshme dhe e mistershme e rrethanave e faktorëve objektivë e subjektivë, ekonomikë e politikë, që bëjnë të mundshme daljen e shpërthimin në skenën e amfiteatrit, ku popujt vendosin vetë për fatet e tyre.

Si nga një vullnet hyjnor, harmonizohen gjer në përsosmëri përvoja e mësuesit e sportistit të talentuar me atë të organizatorit të partisë së parë opozitare në një rreth tejet të vështirë si Dibra. Në veprimtarinë e tij, dalin në pah ballë për ballë, thjeshtësia me heroiken, e zakonshmja me të pazakonshmen, qëndresa me vizionin, dashuria për popullin me urrejtjen për diktatorët, besimi me kontrollin, emocioni me vetëpërmbajtjen. Kështu, Rexhep Hoxha, një politikan tipik në një situatë atipike, siç qe ajo e viteve 1997 – 2000, do të bëhej shembull frymëzimi për demokratët e Dibrës.

Siç del dhe nga CV-ja e tij, Rexhep Hoxha, në kontekstin politiko-shoqëror, ka një veprimtari të dendur, si mësues, regjisor e sportist, por edhe në funksionin e anëtarit të Kryesisë e të Sekretarit Organizativ të Degës së Partisë Demokratike Dibër, në organizimin e menaxhimin e politikave elektorale.

I ardhur nga një familje me një traditë të mirëfilltë intelektuale, i edukuar dhe formuar me disiplinën, ndershmërinë e antikonformizmin, ekselent në fushën e mësimdhënies e të edukimit në përgjithësi, me aftësi të spikatura organizuese e menaxhuese, Rexhep Hoxha pati një përshtatshmëri të menjëhershme me detyrën e sekretarit organizativ të Degës së PD-së, dhe në vitet 2009-2013 edhe me atë të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Punësimit Dibër (deri sa doli në pension). Ai erdhi në këtë detyrë pas një pune të shkëlqyer që kishte bërë për ngritjen, funksionimin e konsolidimin Degës së Partisë Demokratike në Dibër, ndaj dhe gëzonte (dhe gëzon) respektin e gjithë demokratëve, ish-nxënësve e intelektualëve dibranë.

Lamtumirë mësues Xhepa. Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!

121 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page