
Retiçenca …
Nga Fatmir Terziu
Në malin Tomor ngjitesh si në heshtje,
e ndjen se je në vargun tënd dhe mediton,
shkel Tokën, dhe prek Qiellin si për vete,
por të mungon diçka që ti enkas e kërkon.
Një zjarr nga brenda kërkon në heshtje,
Fjala pason tre pika si në ndonjë konkurs,
Fjala është e qetë ka vetëm buzëqeshje,
natën s'e ndjen dhe kur errësohet pus.
Aty fle dhe zgjohet gjithnjë heshtja,
me të frymëzohet pakuptuar poetika,
nuk ka nevojë të shtrydhësh nga vetja,
vargjet zbresin vetvetiu nga Galaktika.
E për një çast mbetesh në indiferencë,
vargun e shkruan gjithnjë më ngadalë,
kur sytë mbesin yjeve vendos retiçencë,
tre pikat që nuk thonë vetëm një fjalë.
E para është heshtja që të vjen pranë,
e dyta është lartësia që të flet në korr,
e treta është rrëfimi për vargun naimian:
që flet me heshtjen e bekuar lart në Tomor!