top of page

Respekt penës së Demir Gjergjit


Demir Gjergji

BAJAME HOXHA ÇELIKU


Sapo e mbarova librin “ Biri i Botës” të shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur Demir Gjergji, dhe u ndjeva aq shumë keq, sa shpejtova të lë dhomën ku e mbarova librin dhe nxitimthi, dola që andej për t’u mbushur me frymë, e për t’u qetësuar e ndërruar gjendjen shpirtërore, e për të marr pak ajër ndryshe nga ai i librit, i cili më dukej se kishte depërtuar edhe brenda mureve të mia, brenda ndjenjave të mia. I gjithë ai roman që më duket se peshonte më shumë se sa dukej nga pamja e jashtme ishte një thesar. Sa dola në sallon pashë se televizorin e kisha harruar të hapur dhe para syve më doli gaztori, aktori komik francez duke luajtur një film me shumë seri. Filmi i gjithi pranverë! E kundërta e librit.

Po shihja të gjitha ngjyrat, dashuritë çapkëne e optimiste, pikërisht për atë që unë kisha aq shumë nevojë në këto çaste goditëse. Filmi komik aq shumë tërheqës, nisi pak nga pak t’më ndryshoj atë ndjenjë të goditur nga libri, të më qetësonte, të më mjekonte atë plagë që kishte nisur të më thellonte libri për ditë e nga pak deri sa e mbarova. Dhe tani dua të ndihem mirë, ndaj dhe po reflektoj sepse mendja e shoh se më ka mbetur aty brenda te libri, te personazhet ku dashje pa dashje jam bërë dhe unë pjesë e tyre, e këtyre personazheve se bashkë me ta kam ecur dhe unë nëpër të përpjetat dhe të tatëpjetat ku ecte e jetonte e vraponte Lumi, personazhi kryesor i librit, dhe unë gjithkund i shkoja pas me një simpati të veçantë e me shpresë se diku larg në horizont do të hasja atë dritë jeshile që i duhej aq shumë Lumit të vogël. Libri dhe personazhet që ndoqa këmba këmbës më dhanë një pjesë nga jeta e tyre në fshatin kodrinor, nga dhimbja e tyre, nga gëzimet e tyre, por më shumë më mbërthyen në vuajtje e lot, më goditën më vranë shpirtin.

Romani mu duk i ftohtë si akulli fillim e mbarim, por thellë, thellë më përvëlonte, më digjte më jepte atë që rrallë herë e gjeja te librat e tjerë atë forcë. Autori Demir Gjergji, ka shkruar jo vetëm një libër por ka prodhuar një film ku i ka përshkruar me themel të gjitha skenat. Ai i ka prekur e përsosur, i ka prekur me zemër, me dorë edhe deri te personazhet dhe objektet. Demir Gjergjin kam kohë që e njoh ndërmjet poezisë së tij të përkryer që më tërheq aq shumë sa nuk e lëshoj nga dora edhe gjatë udhëtimeve të gjata. Pse e shpreh unë kështu? E shpreh se: Demir Gjergji, është një nga mjeshtrit e metaforës, poezitë e tij janë një frymëzim dhe adhurim për lexuesit dhe për mua renditet në poetët më në zë.

Flas për atë metaforë që ka aq shumë nevojë poezia, te Demiri nuk mungon kurrë, sepse, aty ku mungon ajo, mungon në thelb poezia. Poet, gazetar, shkrimtar, përmbledhje e bukur, i kompletuar! Ashtu siç do të ëndërron gjithkush që e adhuron këto tre zhanre po më shumë letërsinë me fluturimin e saj. Tani që po shkruaj përshtypjet mbi këtë roman, e shoh se s’bën ta lëshoj e ta lë përgjysmë, sepse unë jam akoma duke vozitur brenda tij e ai më rrëmben në valët e tij të vrullshme më shpie kudo, dhe bregut të detit, dhe nën hijet e bajameve ku i kam shkelur edhe unë. Te kasollja me zemër bujare, te nëna fisnike, te Xana, dhe që s’i ndahem është Lumi i vogël pastaj i rritur në kërkim të një jete plot aspirata, ku me këmbënguljen e tij prej vigani...

Lexues të dashur, nuk u them dot nëse i ka mbërritur Lumi ato aspirata, apo i la përgjysmë djaloshi i fortë e sy patrembur. Uroj që ta zbuloni deri në fund jetën e këtij personazhi që nuk di me kë ta krahasoj. Është i përveçëm, s’më ngjan as me David Copperfield, as me Tom Sojerin dhe as me aventurat e... djaloshi shqiptar i tejkalon këto përmasa...

Respekt penës së Demir Gjergjit.

B.H

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page