top of page

REQUIEM PËR BABANË


ME BABANË NË MOSHËN SA JAM UNË SOT

_________________________________

REQUIEM PËR BABANË ME RASTIN E 50 -VJETORIT

TË NDARJES NGA JETA GUSHT 1968 GUSHT 1968

________________________________

FASLLI HALITI

BABAI

Vdiq babai,

Bota s’i uli flamurët,

Vetëm ne bijtë dhe nëna kokat ulëm,

Fqinjët fikën radiot deri vonë,

Fëmijët e lagjes s’erdhën atë ditë

Të luanin në oborrin tonë.

Vdiq babai,

Bota s’i uli flamurët.

Dhe qejfi

Ne s’na mbeti,

Nuk kishte përse,

Bota të ulte flamurët për të.

Keq ne s’na erdhi aspak

Që bota babanë

S’e qau.

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që bota babanë tonë s’e shau.

1968

NDARJA

U nda

Babai

Nga jeta,

U bashkua me vdekjen.

Jeta mbeti vejushë...

2006

SI TI, BABA

Edhe unë si ti, baba,

Kam filluar

T’i heq këmbët zvarrë

Siç i hiqje dhe ti

Dikur,

Atëherë

Kur ti, baba, ishe kaq sa çjam sot unë.

Edhe mua, baba,

Kanë filluar

Të më dridhen duart

Siç të dridheshin ty dikur,

Atëherë

Kur ti, baba, ishe kaq sa çjam sot unë.

Edhe mua, baba,

Ka filluar

Të më derdhet filxhani i kafesë,

Siç të derdhej ty baba dikur

Sapo e vije në buzë,

Atëherë

Kur ti, baba, ishe kaq sa jam sot unë...

Edhe unë

Si ti,

Baba,

Urinoj shpesh,

Siç dhe ti dikur,

Atëherë

Kur ti, baba ishe kaq sa jam sot unë.

Ti po qan,

Baba ?

Si,

S’do

Që unë të vij në Had tek ti,

Të të tregoj për jetën dhe peripecitë

Këtu mbi tokë,

Mbi dheun

E zi

Dhe të pimë nga një kafe atë e bir ?

Unë do të të tregoj sinqerisht, baba

Është këtu mbi tokë, apo në Hades më mirë...?

2007

NËNË

T’u bënë njëzet e katër vjet, nënë,

Atje në Hades.

Me babanë

Ç’bëni

Si shkoni të dy

Pi babai

Zihet

Grindet me ty?

Jeni në Parajsë,

Në Parajsë s’ka grindje zënka, mëri ?

Më gëzove moj nënë që paskeni harmoni!

2006

PYETJE

Na la babai

Pse ?

Iku

Me vdekjen?!

( Po vdekja s’ka zemër)

Ku shkoi me të?

Në Had?

Po ne ku na la,

Në ferr apo parajsë ?

2006

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page