1.
Koha ngulmon me trashëgiminë e të mirës dhe të shëmtuarës, dhimbjes dhe qejfit të ngushtuar në heretizëm. Detyrimi ndjenjës shpërthen guximshëm papandehur në kërkimin e shpresës së humbur. Feri e shpie larg në vetminë e neurozës së historisë së përhumbur nëpër kohë, në burg. Fluturimi imagjinar i dëshirës së tij thyen grillat e intimes personale. Del prej vetes, pastaj hynë përsëri thelë në vete. Ateron stoikisht në qiell të hapur me pak dritë në sfond, në kërkim të lirisë, në kërkim të dashurisë. Kurse në anën tjetër të medaljes së zymtë të jetës sistemi ulurin, hingëllon ose dënon, apo paditë në tollovi njeriun me njollosje të sistemuar. Hapësira gri vë zinxhirët e njëmendësisë dhe trupëzon forcën e regjimit të ashpër në kohë. Përditshmëri e sëmurë me skenë për psikopatologjinë Frodiane. Civilizimi si fuqi e autoritetit bashkëkohor bën kërkesat e veta me ashpërsinë e bindjes kolektive. Drita përmbytet në errësirë. Prania e individit zverdhohet në neveri. Humbëtirë shoqërore shpërlahet brenda sojit të vet njerëzor. Grinden fshehtësitë e shpirtit me realitetin e vrazhdë të vetmisë. Rrugëtimi i hijes së qenies acaron bindjen e ekzistencës së vet në distancë, kurse “blerim i thinjur” mbulon stinën e ikur me fjolla të bardha ëndrrash të parealizuara nëpër vite të ikura padiktueshëm. Tragjik në jetë, por i papërkulur në qëndresë. I padiktuar gjatë kohë nga “vdekja e paguar” në terr shfarosës. Sfidim situate me muskujt e durimit. “Sa pak qiell” sa pak frymëmarrje për shtegtime të gjata. “Pani Plak” me dromca lirikash të tetuazhuara nëpër trup. Vezullon si siluetë nëpër dejtë e meditimit të çiltër. Bagazh i rëndë motesh ia gërvishtin fshehurazi “shpirtin e zbathur” nëpër brigje të plaguara dallgësh të quajtur det jete të ngulfatur. Lë gjurmë ekzistimi të një përjetësie arti të mësuar nga tradita. Tabuti prej letre vendstrehimi i përhershëm i tij. Pak zhurmë, pak ritëm në simfoninë intime të çasteve të preferuara për dashuri. Mban peng prirjen e helmuar me narkozë të gjatë letrare. Në mëngjes, në mbrëmje nëpër kontejnerët e metaforave kërkon praninë e ekzistencës. Në asonancë i aborton koha e kufizuar nga mbarsmi i çiltërsisë së fjalës së thënë. Vargjet lindin spontanisht në metrikë. Në stacion “orgazmash” ngjizen motivet e rralla të frymëzimeve. Detyrimi bëhet normë e kurorëzuar në lirikë. Në “Muzg” lirohet nga vetmia, por burgoset në agim detyrimisht me shpirt të ndezur nga vargu e poezia. I pakursyer në gjuhë dhe shprehje, Vargu intimes së tij “ Flokë në terr” të kallur, që mbanë gjallë bukurinë dhe “hukamën e venusit në humnerën e thellë të përjetimit
lakuriq”, në art poetik të realizuar mjeshtërisht. Me çiltërinë e shpirti krijon “del-arin” e ndritur të guximit të përkushtuar për sakrifica. Ankthi i vetmisë së madhe nuk e përkul, As lakmitë urbane nuk ia burgosin dëshirën dhe shpresën, për shtegtim të mbarë në qiell të ndritur si hokatar, në bar nate. Ndjenja kureshtare i shpalonte kërkesa të mëdha, por kurë nuk tregonte urinë për diçka të munguar nga jeta. Qëndronte vertikalisht me motivet e gjetura në aurën mbrojtëse të dashurisë.
2.
Vene hiç nga kujtesa informacione të gjithanshme, me pak mundësi lirie, për disa çaste, në shpirt koha ndalet. Ndalet në zenitin e kujtesës, bashkë me ngjarjet që na rrethojnë. Njeriu ndërron vendin, del prej guaskës së burgosur të mërzisë, për të lëçitur përtacinë e ditës së bezdisshme nëpër grila, ndërron kërkesat e veta kundrejt gjërave të tjera fantastike. Noton në dëshirën e kallur rinore, nëpër çastet vijuese brenda realitetit dhe mendimit të imponuar nga rrethanat e kohës. Për ta vrarë monotoninë e dehur në tmerr ndërkëmbëzash e grilash të kurdisura nga intrigat dhe shpifjet e imponuara nga të tjerët, nga mjeshtrit e vdekjes së dhunshme. Hynë i vetmuar me papërkulshmëri në pasqyrën e ndodhive të shumta. Politika bënte pauzë, poezia merrte frymë lirshëm me freskinë e kohës. Etika e punës ngrin nën “Rrap” afria e “Ashikut” saldohet me mall në oazën e dashurisë së arsyes. Vjeshta sjell frytin e freskët të fisnikërisë festive përballë fortesave rigide. Merr flakë lirika. Është koha e poezisë së pakufi. Kohë e grishjeve të mëdha letrare në sofrën e bujshme të fjalës së gjallë midis poetësh, midis zërash të ndryshëm që jehonin nëpër Bit Pazar. Fati e solli të jemi dy net bashkë në një dhomë, bashkë me lirinë e burgosur në heshtje brenda katër mureve. Brenda meditimeve të fshehura thellë në kujtesë. Ai qëndronte në heshtje i shtrirë në krevat me transistorin e ngulur zhurmshëm përmbi bark.
Radioja vepronte me pengesa valësh, kanalet nuk kuptohen, jehona e frekuencave të stacioneve të paqëlluara ishte e largët. Tingujt vinin të përçartë nëpër dhomë. Artikulimi i harmonisë ishte në shënjestër të kakofonisë së imponuar pa dëshirë. Nëpër grila të kufizuar mendimesh e bisedash dëgjohej vetëm zhurmë e radios, transistorit të pakontrolluar brenda katër mureve. Vargjet poetike nuk kanë censurë, kanë tension të lartë ironie. Leximi bëhej pa detyrim të sofistikuar të klisheut manifestiv tradicional, por përzgjedhja bëhet në mënyrë spontane nga dëshira dhe shpresa e gjithsecilit, pakursyer fjalët e lakuriqësuara nëpër visaret urbane të kalldrëmit të "Bit Pazarit", për t’i sjellë kësaj mbrëmje lirinë e ligjërimit poetik...
Pano Taçi do të shohë gjithçka nga bira e ngushtuar e këtij kozmosi të fokusuar në mendje dhe në heshtje, të gjitha kërkon t’i mbajë të burgosura për vete. Ai nuk flet. Një heshtje e madhe brenda mureve. Një panoramë ekzotike e mbrëmjes përshkon kujtesën e tij. Një personalitet i papërkulur sfidon kohën e acartë nëpër historinë e përmbushur me ngjarje e vuajtje të tejskajshme. Në ballin e tij të ngrysur me rrudha shtigjesh udhëkryqe vuajtjesh të shumta, dhe heshtje e vdekur përmbyt vetminë e madhe. Përvojë që të shpie në piramidën e artit të veçantë, të njeriut që di ta sundojë veten. Një figurë markante e durimit dhe guximit, që sjellë përvojë nga jeta, nga vrazhdësitë e sistemit, ngjarjeve dhe skemave të trishta. Një ditar album ndjenjash intime shfletohet midis nesh, duke kërkuar rahatinë e shpirtit nëpër vargje, para se të burgoset i arratisur në heshtje dhe gjykim, kërkon hapësirë të pakufizuar mendimi, nga fiksioni i rrethuar me ngjarje nëpër çiltërinë e vargut dhe mendimit të ngjeshur artistikisht shpërthen intimja e pakufizuar nga monotonia e realitetit. Me metaforat dhe krahasimet e tij, me maturinë e vargut dhe bashkë me satirat dhe erotizmin e tij të papërmbajtur nga fjalët e rralla rrëshqasin spontanisht në ritmin e mprehtë të ndjenjës së pafuqishme, në kursim motivesh të “egra” me yndyrë erosi nëpër unin lirik, duke sjellë veçanti artisti e këngëtimi nëpër etapa të brishta kohore. Ai ishte dhe iku si njeri i veçantë, iku se “një të mirë s’e pa në këtë jetë”, por duke na lënë një fjalë të çiltër peng:
Do iki siç ikën çdo shpirt
Siç më iku edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal t’ia shoh sytë
Mes syve që i vinin rrotull hënës.
Kritik dhe i papërkulur nga fenomenet që e trazonin ndjenjën dhe bindjen e tij prej poeti, njeriu, artisti, nëpër realitetin e shëmtuar të kohës. Nëpër cunamin politiko kulturorë të një mendësisë së kufizuar dhe të vërshuar sistematikisht. Befasues me imagjinatën e tij kreative të vulosur e të shkruar nëpër notesët e shkalafitura nëpër xhepa. Hap shtigje temash e motivesh të preferua nga standardi artistik i traditës. Shkoi pas gjurmëve të mësuesit të tij, pas Lazgushit të madh dhe pas frymës së vargut popullor. Solli nga yjet dashuri, për dashnoret nëpër kasollet me intimitet shpirtrash të latuara me besnikëri. Plasoi nga koha në kohë “vargje të yndyrshme” , me guxim absolut të të shprehurit të çiltër. Fantazi e madhe e shpërlanë kujtesën e tij. Imagjinatë e frytshme sjell potencën e dëshirave të pakufizuar që mbrohej me aurën e saj vagulluese nëpër kërkesat të thella e të fshehta intime. Poetik në arenë. Me mallin dhe dëshirën e vet ndërton monumentin intim të lirisë dhe dashurisë njerëzore. I përndjekur nga regjimi gjithnjë, gjoja se paska pasur sjellje të papëlqyeshme borgjeze, madje paska qenë propagandues dhe njeri i rrezikshëm për shoqërinë, që donte të ikte nga vendi, Helmues i kohës që i sillte zjarr mall e dashuri tek të rinjtë. Madje donte të ikë nga Atdheu që të shpëtojë kokën nga padrejtësitë. U burgos dhe u internua shumë herë, por mbeti stoikisht gjallë, me dashurinë e madhe për poezinë. Kur u lirua nga burgu u burgos në lirinë e paliruar, duke mbajtur e mbrojtur distancën e tij nga politika e përhershme në hapësirë dhe kohë. Tetuazhon para syve çdo gjë, që i imponohet në analogji të përkushtuar me sens në të qëndisur në mendje, për të sjellë ritmin e shumë nuancave të “orgazmës urbane” që vibronte me kujdes artistik nëpër damarët e kohës, përndjekjesh dhe duke shpërthyer lehtas në intimë, nëpër pore e ëndrra lirie. Prej zhurmës së motorit e deri te lehja e qenit dekorohet metafora e tij artistikisht me një kulturë të madhe kritike të njohjes së rrethit, të njohje së jetës dhe artit.
Poeti sjell revizion arti me pyetje dhe përgjigje të shumta. Për të shpaluar fshehtësinë e brendshme ndez epshin rinor. Dhe në këtë lakuriqësi relative hapësire e universale, ngjizen kërkesat intime të njeriut që ka shije për të bukurën. Çdo motiv bëhet një komunikim spontan i salduar me lexuesin dhe kërshërinë e tij. Arratisja nga e keqja është përgjegjësi individuale dhe shoqërore që meditimet të aterojnë lirë në një hapësirë pa kohë e orar. Vetëm përndjekja e shkrimit kurioz e çon autorin në formësimin estetik të vargut, ku gërshetohen forma me përmbajtjen. Rima me ritmin e akorduar në harmoni të ngjeshur arti. Të gjitha vlerat ekzistuese kanë momente dhe kthesa nëpër etapa të ndryshme kohore. Kjo vërehet më së miri nëpër analizat e ndriçuara të shkrimeve të shumta ekzistuese për poetin. Pamja e larmishme e të gjitha atyre shkrimeve na futë nëpër një kolorit ekspresionist të njohurive të trashëguara nëpër etapa të ndryshme kohore. Me origjinalitetin e krijimeve të tij. Poeti Pano Taçi ndërton aurën reflektuese të mbrojtjes së veçantë artistike, si dhe të apostrofimit të shpirtit në piedestal të pamposhtur rebel; me kërkim të dashurisë së paplotësuar tërësisht nëpër vite. Tragjik dhe sfidues i së keqes, makabres së dukshme, në terr dite e nate, me tatuazhin e trupëzuar në ndjenjë të apostrofuar njerëzore. Liria dhe erosi i tij janë boshte të shijes së kultivuar në artin e mësuar nga artistë e mjeshtër të verifikuar të poezisë. Pano Taçi qe njëri ndër poetët më skandaloz dhe të vendosur për t’i qëndruar besnik poezisë dhe dashurisë së tij, ishte Çarls Bukofski shqiptar, që lejonte intervista vetëm nga gratë. Vetëm atyre ua zhvishte këmishën e fshehtësive të veta të thella, për jetën dhe artin që kultivonte e vërteta.
3.
Pos poezive erotike dhe satirike, një pjesë të vargjeve të frymëzuara ia kushtoj edhe atdheut, të cilin e donte ndryshe nga të tjerët, nga ajo mënyrë e vrazhdë që ia kishin plasuar dhe ndërtuar në ndjenjë sistemi dhe të tjerët. E donte atdheun, siç e donte ai të pacunguar nga “sëpata e kobit” :
Ah kjo tokë Arbërore
Lis Dodone me pesë dega
Si pesë gishta të një dore
Prerë e ndarë në pesë brenga
Ç’sopatë kobi ia krasiti
Lisit degët me pesë copa
Tehun për gjak ja kaliti
Në Berlin, putane Evropa
Janë vargje që shpalojnë kuptimin e mirëfilltë të bindjes së poetit për trojet etnike e të cunguara tmerrësisht nga trungu shqiptar. Truallin Arbëror e donte ta shoh si tërësi të degëzuar natyrshëm, prandaj brenga e tij e madhe nuk ishte brengë e mall i pa kuptimtë, por një dhembë e tmerrshme që e shqetësonte dhe neveriste nga dita në ditë. Ai nuk donte kufizime shtresash shoqërore nëpër kufijtë e kufizuar e trilluar të truallit shqiptar. Edhe pse i pastrehë për vete, duke jetuar mizorisht në skamje, bile edhe vitet e fundit të jetës i kaloi, si nëpër tendat e romëve, pa një përkujdesje normale njerëzore, por kërkonte stoikisht çati të fortë për atdheun e vetë , që “putane Evropa” e kishte lënë ngushtë, në këtë formë të ngushtuar e të cunguar “kobi” , me pasoja të mëdha politike e ekonomike robi. Të jetosh në vendin më të bukur të Ballkanit, me kushte gjeostrategjike mjaftë të leverdishme për ekonomi, kulturë dhe zhvillim tërësor shoqëror dhe të jesh me standard të kufizuar kushtesh jetësore të skajshme, për këtë etni të ndarë nëpër shumë shtete e skaje, është një kufizim i mbrapsht mendor dhe papjekuri strategjike globale e shoqërore.
Në poezinë tjetër “Populli im vulëhumbur” Pano Taçi do ta qortojë gjithsecilin që shanë popullin e vet, sepse edhe kur gabon, ai ka përherë të drejtë, ngase është populli më i lashtë i kësaj ane të quajtur Evropë. Ja si thotë poeti në një strofë katër varkëshe me rimë abab të kryqëzuar:
Mos ma shani popullin që i bje gjoksit ,
Kujdes, se me kallash t’ju qëllojë s’përton,
Paçka se nga qulli u dogj e i fryn kosit,
Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.
Mënyra dhe lloji i diturisë së poetit, ashtu siç ngjizet mjeshtërisht në kuptueshmëri, flet shumë për të arriturat e jetës së re. Bëhet një jetë me çiltërsi të trashëguar. Pa u shminkuar nga klishetë e shumta të traditës. Horizonti i poezive të poetit Pano Taçi nuk është një lëndinë eksperimentale, por është një shtegtim i frymëzuar me vëmendje të kujdesshme që i ka sjellë poezisë gjuhën dhe formën e vet të veçantë, me një qëllim e synim, që ato të qarkullojnë lirshëm, pa ndonjë censurë të imponuar nga jashtë. Aty ngjizet një diskurs që përmbledh kuptim emocional të salduar me luciditet të përmbushur me ndjenja dhe mendim të ekzaltuar poetik, që vibron nga dëshira e brendshme për të arritur efekt të caktuar tek lexuesi, Poezia e Panos ka një nuancë trasencendale nga përvoja e të tjerëve. Ai me mjete poetike të përzgjedhura që në mënyrë metaforike shpalojnë shpresën dhe fatkeqësinë e individit të projektuara sipas ndjenjës dhe përjetimeve të veta, pikërisht nga jeta dhe fryma e realët e njeriut, shoqërisë. Ato në një far mënyre do të shëmbëllejnë si ditar poetik të përjetuar nga poeti nëpër etapa kohore. Ai në vargjet e tij mbarështon një gjuhë dhe shprehje të ngjeshur e të kuptueshme, ngandonjëherë po thuaj se ato vargje i laton lirshëm edhe me perde të dukshme humori e satire. Ky poet preferonte stilin e vet të këngëtimit, të ndërtuar me veçanti mjeshtërore dhe me një simbolikë të kapshme e të gjetur për të gjithë.
Comments