Reformatori i ushtrisë shqiptare...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Feb 15, 2024
- 4 min read

Dik Cami
(1905-1945)
Reformatori i ushtrisë shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist
Veprimtar i nacionalizmit shqiptar, Ushtaraku nga Dibra e Madhe që u pushkatua nga gjyqi “special” i Tiranës i 13 prillit të vitit 1945
U lind në Dibër të Madhe në vitin 1905. Ishte i biri i Mehmet Camit nga Dibra e Madhe, shtëpia e të cilit ishte vatër e atdhetarizmit shqiptar.
Stërgjyshi i tij Mane Cami ishte një nga organizatorët e luftës kundër Hajredin pashës në fushën e Gjoricës në vitin 1844. Çifligu i tij me toka prodhuese ishte në Gjoricë.
Kanga popullore e mbledhur nga Haki Stërmilli thotë:
“Dibër e male kuvendojnë
Ne me mbretin pushkë do të bajmë
…….
Bajër Markja e Sheh Zerqani
Janë mbledh’ ke Mane Cami
……

Një rrugë në Dibër të Madhe ku kishte shtëpinë, në shekullin 19 dhe 20 identifikohej me emrin e tij (Haki Sharofi, Historia e Dibrës Vëllimi I, faqe 98)
Mane Cami së bashku me të birin Halilin mbështetën Abdyl Frashërin në Kuvendin e Dibrës pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kushëriri i Mehmetit, Shahin Demir Cami (1888-1972) , antar i Klubit patriotik “Bashkimi” të Dibrës së Madhe, veprimtar i çështjes kombëtare është atetantori i prefektit turk Hysni pasha.
Kanga popullore thotë:
“Mu ke Ura e Selamit
Vrau pashën Shahini i Camit
Medet pashë seç të gjeti
Në Dibër ty të gjet kjameti
Dibra, jo, s’jep nizamë
Janë ngrit’ i gjithë mileti.
…..
Shahini familjarisht në vitin 1920 për t’i shpëtuar represionit serb largohet nga Dibra e Madhe për në Sepetovë te kushuriri i tij Dan Cami dhe më pas vendoset në Tiranë.
Kushëriri tjetër Hamiti, anëtar i Klubit “Bashkimi” në vitin 1913 arrestohet nga serbët dhe niset nën ruajtjen e dy ushtarve serb për në qytetin e Dibrës për t’u vrarë.
Arrin ti vrasë serbët, e të largohet në anën tjetër të kufirit, tanimë të ndarë nga fuqitë e mëdha.
Kushërinjtë në anën tjetër të kufirit të ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, Dan e Feta Cami me çetat e tyre nuk lejuan që serbët të realizonin qëllimet e tyre ekspansioniste për të marrë edhe pjesën e Dibrës në anën perëndimore të lumit të Drinit të Zi.
Pas vitit 1913 serbët filluan masakrat ndaj popullsisë shqiptare në Dibër të Madhe.
Ndaj Mehmeti me pesë djem, Halisin, Dilaverin, Sadikun, Mislimin dhe Menduin, të planifikuar për t’u shfarosur, u larguan me shpejtësi dhe fshehtësi për në Shqipëri, ku u sistemuan në Tiranë e në Durrës dhe u morën ne tregëti.
Në Tiranë në vitin 1940 dy djem të Mehmetit banonin në Rrugën “Konti Ciano” dhe të tjerët në Durrës.
Mislimi gjatë kohës së Luftës së II Botërore kthehet në vendlindje. I biri Medati pasi mbaron Shkollën Normale të Elbasanit kthehet në Dibër dhe fillon punën si arsimtar.
Sadiku (Dika) ndoqi gjimnazin në Shkodër dhe më pas përfundoi Akademinë Ushtarake të Modenës në Itali dhe mori gradën nëntoger.
Dika u kthye në Shqipëri dhe filloi të shërbejë në Shkollën Ushtarake të oficerve që sapo ishte krijuar dhe kishte nevojë për kuadro të kualifikuar.
Dik Cami sëbashku me disa oficera shqiptarë që kishin studiuar në Itali dhe me disa instruktorë të ushtrisë italiane ngritën dhe zhvilluan arsimin ushtarak në Shqipëri.
Pas pushtimit italian, Dika vazhdon shërbimin në ushtrinë shqiptare. (AQSh, dosje e vitit 1940, shkresë e Komandës së Përgjithshme të Karabinierisë Italiane datë 29 gusht 1940)
Gjatë periudhës 1943-1944 Dik Cami punon në xhandarmërinë shqiptare në Durrës dhe në Kavajë me gradën toger.
Në Kavajë ai kishte shtëpinë e tij private dykatëshe me arkitekturë moderne që binte në sy, të cilën ja sekuestruan pas pushkatimit.
Si nacionalist dhe si ushtarak që kishte studiuar në Itali, ai ishte antikomunist, antibolsheviik, antijugosllav.
Në raport me detyrën ai ishte i përpiktë në zbatimin e urdhërave të eprorëve.
Pas masakrës së 4 shkurtit 1944, të Tiranës, ai vihet në dispozicion të prokurorisë së Durrësit për hetimin e kësaj masakre në zbatim të urdhërit të qeverisë së kryeministrit Rexhep Mitrovica.
Dika ishte i martuar me Nazen, vajzë nga Durrësi, por nuk patën fëmijë.
Fill pas çlirimit, në prill të vitit 1945 pushteti komunist i sapo dalë nga lufta organizon gjyqin e hakmarrjes, gjyqin special ushtarak për ekzekutimin dhe dënimin e kundërshtarëve dhe të atyre që kishin bashkëpunuar me okupatorët.
Gjyqi kryesohej nga Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe, i preferuari i jugosllavëve.
Gjyqi dënoi me pushkatim 17 ish ministra kuislinga, deputetë, ushtarakë të lartë si dhe me burgim dhjetra të tjerë.
Me pushkatim u dënua edhe Dik Cami që nuk ishte as ministër e kryeministër kuisling, as ushtarak i lartë, as asamblist e as politikan.
Por Dik Cami ishte në listat e UDB jugosllave për tu ekzekutuar dhe ekzekutorë do të ishin bashkëpunëtorët e Jugosllavisë.
U arrestua në dhjetor 1944 dhe u pushkatua në prill 1945.
Sikurse Dik Cami u dënuan edhe shumë shqiptarë të Dibrës e të Kosovës që luftuan për Shqipninë Etnike.
Fjalët e tij para trupit gjykues ishin:
“Mbrapsht nuk kthehem se jam ushtarak. Vdes si shqiptar se gjithë jetën ia kam kushtuar Shqipnisë dhe organizimit të ushtrisë shqiptare.
Rroftë Shqipnia Etnike !
Literatura:
1.Fjalori i krimeve të komunizmit Vëllimi I
2. P. Pepa “Dosja e diktaturës” Tiranë 2009, V 1 faqe 30
3. AQSh dosja e Dik Camit viti 1944
4. Haki Stërmilli “Dibra në prag të historisë” 2023 botim nga M&B
5. Haki Sharofi, Historia e Dibrës, 2004
6. Sakip Cami, “Fisi Cami i Dibrës”, 2019
7. Fisnik Cami, biografia e të jatit, Medat Cami









Comments