REALIZMI SOCIALIST, REALIZMI NAIV DHE REALIZMI I VERTETE


Thanas L. Gjika




Pas vitit 1991, kur partia shtet në Shqipëri pranoi se sistemi komunist diktatorial dështoi me turp, shumë krijues që kishin krijuar vepra sipas normave të realizmit socialist, i braktisën këto normave dhe filluan të përpiqeshin për të krijuar vepra të reja ku të pasqyronin jetën e kohës se diktaturës dhe të pasdiktaturës sipas parimeve të realizmit. Mirëpo duke qenë se i kishin shërbyer me dashje me veprat e tyre ideologjisë së partisë shtet, dhe se sedra nuk i lejonte të pranonin se kishin gabuar duke u bërë palë në krim me partinë shtet, tani në kushtet e reja filluan të përpiqeshin të justifikonin mekatet e tyre duke hartuar vepra ku tregonin se jeta nën diktaturë kishte pasur edhe shumë të mira, se deformimi i personalitetit dhe i moralit nuk ishin shumë të theksuara, se me pak sakrifica njeriu krijonte emër të mirë, se në krahinën a qytetin ku u rrit e punoi autori nuk ndjehej shumë lufta e klasave, etj.

Të tilla vepra, ku mungon heroi pozitiv (një komunist i thjeshtë a sekretar partie si model që tregon rrugën drejt zhvillimit, drejt komunizmit), edhe pse nuk e shtrembërojnë jetën, pra edhe pse nuk i përkasin realizmit socialist, nuk janë vepra realiste, sepse në to mungon vërtetësia dhe vlerësimi ideoemocional kritik i autorit ndaj së keqes që sundonte në jetën e përditshme. Këtyre veprave u mungon vërtetësia, sepse arritjet e heronjve të tyre nuk vihet në dukje se i realizonin të shtyrë nga edukata familjare dhe aftësitë personale, dhe se sistemi shoqëror i pengonte të shpërthenin plotësisht aftësitë e tyre. Heronjtë e këtyre veprave janë meskinë, ata nuk shqetësohen për dënimet pa gjyq të shumë intelektualëve, për vuajtjet nëpër burgje e kampe internimi të njerëzve të shpallur pa fakte 'armiq të pushtetit', për ta janë disi të panjohura izolimi ekstrem i vendit, varfëria ekstreme e popullit, lufta e egër e klasave që e perçau popullin dhe i futi në gjak shqiptarit urrejtjen për shqiptarin, etj. Autori, nga ana e tij, përpiqet të jetë neutral, të mos mbajë qëndrim ideoemocional kritik ndaj të këqiave që mbisundonin në jetën e kohës, gjë që e la Shqipërinë londineze në prapambetje ekonomike, politike e morale si asnjë vend tjetër të Europës.

Ky lloj realizmi, ku mungon vërtetësia në pasqyrimin e dukurive të jetës nën diktaturë dhe vlerësimi ideoemocional kritik i autorit ndaj së keqes quhet realizëm naiv. Veprat e krijuara sipas realizmit naiv nuk kanë në qendër një komunist si hero pozitiv, nuk e zbukurojnë jetën e kohës së diktaturës, por e riprodhojnë jetën nga pozitat e një autori “neutral”. E vendos fjalën neutral brenda thonjëzave, sepse në letërsi dhe në arte as ka pasur e as mund të ketë vepra ku nuk shprehet qëndrimi ideoemocional i autorit, i cili mund të jetë mohues ose pohues, sipas bindjeve botëkuptimore të autorit.

Edhe në veprat, ku këta autorë pasqyrojnë jetën shqiptare pas dështimit të sistemit diktatorial, pasqyrohet jeta pa vërtetësi. Mungesa e vërtetësisë në këto vepra shpaloset në faktin se në këto vepra nuk kritikohen krimet e komunizmit, por kritikohen e shahen arritjet e sotme, por mohoet fakti që sistemi pluralist me ekonomi të tregut të lirë i ka sigurar përparim ekonomiko-politik Shqipërisë. Nuk kritikohet klasa politike e sotme, kjo pjellë e PPSh-së, që është përpjekur duke u maskuar me ngjyrat partiake dhe lojës pozitë-opozitë, ta pengojë krijimin e shtetit ligjor dhe krijimin e demokracisë së vërtetë.

Veprat letrare dhe artistike të hartuara sipas realizmit naiv nuk ndihmojnë përparimin e mendësisë së shoqërisë sonë, por shpien ujë tek mulliri i nostalgjisë ndaj regjimit komunist. Ndërkohë mendoj se ky grup krijuesish, po të lexojë me vëmendje veprat e Visar Zhitit, Jozef Radit, Lek Pervizit, Eugjen Melikes, Uran Butkes, etj, ku pasqyrohen e demaskohen dënimet pa gjyq, jeta plot vuajtje e të përndjekurve të ndërgjegjes nëpër burgje e kampe internimi, mund të evoluojnë e të fillojnë ta riprodhojnë jetën e kohës së diktaturës jo thjesht me realizem naiv, por duke shprehur edhe qendrimin e tyre ideo-emocional kritik ndaj asaj jete e ideologjie.

Vlen të theksohet se ky grup krijuesish është i ndryshëm nga grupi i shkrimtarëve dhe artistëve që vijojnë t'i mburin veprat e tyre që krijuan gjatë regjimit komunist sipas normave të realizmit socialist. Fakti që këta autorë vijojnë edhe pas 30 vjetësh nga dështimi i sistemir dhe i ideologjisë komuniste t'i mburin veprat e shkruara sipas parimit të realizmit socialist, tregon se këta janë të pandreqshëm dhe shërbëtorë të shtrembërimeve ideologjike, morale dhe artistike të një kohe që e mbuloi koha me pluhurin e harresës e të turpit.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif