
Ai që ishte ulur rehat-rehat në një karrige të gjerë, me këmbët e shtrira përpara sa gjatë e gjerë, veshur i gjithi me një komplet bluzë e tuta sportive në ngjyrë të kaltër e këpucë atlete të bardha, firmato, diç bëri një shenjë me dorën e djathtë dhe një djalë i ri me kostum të errët u afrua menjëherë aty. I përkulur gjithë mirësjellje nga ai që e thirri, dëgjoi porosinë me zë të ulët e u largua nxitimthi. Kurse tjetri përballë nuk ia ndante sytë shokut të vjetër me tuta dhe një nënqeshje e mezidukshme i endej nëpër gjithë fytyrën. Pas pak minutash aty erdhën edhe dy gra të veshura si për ballo, të reja, të bukura, të cilat flisnin e qeshnin pa pushim, indiferente ndaj burrave të tyre. Atëherë të katër u drejtuan e zunë vend pak më tutje në tavolinën e drunjtë, punuar nga ndonjë dorë mjeshtërore zdrukthëtari, improvizuar enkas për atë vend, ndërsa dy djem të rinj, veshur me përparëse të bardha e kapele po ashtu, sollën një qengj të madh të pjekur në hell. Aroma e këndshme e mishit të pjekur nga aty u përhap rretherrotull, duke krijuar kësisoj një atmosferë të ngrohtë e gazmore. Lart, një qiell i pastër, i kaltër vere. Poshtë tyre një mjedis i thjeshtë e relaksues, i cili i kishte hije asaj pike turistike krejt të veçntë, diku në një qoshk krejt të veçuar malor, larg syve e veshëve të njerëzve të tjerë, gjë që e bënte atë tepër
befasues. –
Ah, sa bukur e paske gjetur këtë vend!- i tha Armand S. mikpritësit, me të cilin ishin shokë e miq që nga fëmijëria, dhe gati po ato fjalë shqiptoi edhe gruaja e tij bukuroshe Vera. Kurse i zoti i shtëpisë i priti lëvdatat e tyre me një buzagaz të lumtur, të çiltër, e me atë dinjitetin e një politikani me shumë peshë, u tha miqve me modesti:
-Epo, prandaj ju ftova sot këtu. Desha t’jua bëja surprizë. Pak më tutje, në të djathtë të tyre, zjarri ku qe pjekur qengji në hell, po fashitej. Kurse nga ana e majtë e atij oborri jo shumë të madh, por të mbushur me hije pemësh të ndryshme, qe ngritur një kënd lojërash për fëmijë dhe përballë, po aty afër këndit, ndodhej një pishinë e bukur në formë ovale, jo më e madhe se dhjetë metra gjatësi, rreth së cilës ishin vendosur zhezlongë e çadra dielli me ngjyra të ndezura. Pllakat blu të pishinës i jepnin edhe ujit aty brenda atë ngjyrë dhe ajo të jepte përshypjen e një liqeni në miniaturë. Rretheqark mund të shikoje shkrepa malesh, që vinin duke e rritur lartësinë e, po ashtu, edhe gjelbërimin: aty rreth tyre mbizotëronin drurët e pishës, dushkut, qarrit, frashërit, thanës etj; pak më lart, lartësoheshin drurë ahu, bredhi, panje, kurse më lart akoma, në zonën alpine, rriteshin drurë dëllenje e shkurre të ndryshme, të përshtatshme për kullotë
bagëtish. -Vërtet qenka një qoshk i mrekullueshëm!- s’e përmbajti dot entuziazmin Vera, dhe zërave të atyre katër banorëve i mbanin iso vetëm fëshfërimat e drurëve dhe këngët e harabelave, gushëkuqëve, mëllenjave, qukapikëve etj, të cilët herë pas here fluturonin gati mbi kokat e tyre nga pema në pemë, fare pa frikë. I zoti i shtëpisë u tha miqve që ishte pikërisht gruaja që kishte shprehur dëshirën të kishin një vilë në atë qoshk të vetmuar, dhe ai nuk mund t’ia prishte kurrësesi asaj. Dhe ai i drejtoi sytë nga e shoqja, e mikluar nga ato fjalë. -Nuk banohet fare kjo zonë këtu?- e pyeti shokun me kureshtje
Armandi. -Nuk ka
rrezik nga kafshët e egra?- shtoi e shoqja, Vera, duke kullotur sytë rretheqark, disi e shqetësuar. -Po, banohet,- i qetësoi pronari i vilës buzagaz, që e kishte emrin Ilir,- por ne kemi gjetur këtë vend të thellë, ku nuk banon njeri tjetër. Këndej rrotull mund të shohësh tek tuk ndonjë shtëpi të rrënuar prej guri apo ndonjë mulli të vjetër buzë përroit, që dikur ka punuar me ujët e tij, por sot ato janë pa njerëz brenda. Kurse rreth gjysmë ore më larg nga këtu mund të ndeshesh me ndërtesa të bukura dykatëshe prej guri, brenda të cilave ka mjedise luksoze ngrënieje e fjetjeje për turistët vendas e të huaj. Këto lloj shtëpish sot pëlqehen nga turistët, prandaj vendasit po i restaurojnë shtëpitë e tyre, duke i shndërruar në hotele e bujtina, të cilat frekuentohen në çdo stinë të vitit nga plot bujtës.
Në një çast zonja mysafire, Vera, vuri re që në të katër anët e atij oborri të bukur shfaqeshin njerëz me uniforma të njëjta, me fytyra si të ngurosura, të cilët nuk dinin të shikonin gjë tjetër, vetëm nga anët e thellësive të pyllit. Dhe asaj iu duk mëse e natyrshme prania e rojeve, sepse mikëpitësi i tyre ishte ndër politikanët kryesorë të vendit, ndër të paktit që nuk përflitej për keq, kishte shokë e miq deri në majë të piramidës shtetërore, kurse paratë e tij të fituara si një biznesmen i suksesshëm, një pjesë i kishte futur nëpër banka të huaja ose brenda vendit, një pjesë tjetër kishte bërë disa investime, ku ishin punësuar plot njerëz. Kësisoj atë e kishte me sy të mirë edhe vetë i pari i vendit. -Ah, se nuk na mjafton kjo ditë, që të të shëtisja më thellë e më lart nga këtu!- foli buzagaz Iliri, me sytë nga shoku dhe bëri me dorë diku lart nga drurët e pyllit të heshtur.- Po të ngjitemi pak më lart, mund të gjejmë edhe shpella misterioze, që do ta nxisnin shumë fantazinë tënde si shkrimtar. Madje nga atje lart mund të shohim poshtë kanione të paparë, që zbresin thikë e zhurmshëm 10-15 metra, me ujërat që shkojnë e humbin diku thellë nëpër gryka. -Jo, se mund të ketë kafshë të egra, vërtet, atje lart, aman!- ndërhyri përsëri me ton frike bashkëshortja e Armandit, Vera.- Apo nuk ka kafshë të egra këtu? -Ka, si nuk ka!- iu përgjegj Drita, zonja e shtëpisë këtë radhë.- Ka arinj, ujqër, dhi të egra, kaprollë.
- Kafshëve të egra nuk u pëlqen të lëvizin aty ku ka njerëz,- ndërhyri Iliri me qetësi.- Sot është koha që njerëzit nuk i kanë më frikë kafshët, por kafshët kanë frikë nga njerëzit...Po përse i kemi armët ne?-dhe ai bëri shenjë me kokë diku përpara, ndërsa e shoqja tha me një ton, në cilin shprehej njëherësh siguri e krenari: -Kemi edhe rojet tona këtu, që na ruajnë, mos ki frikë ti, Drita!! -Mund të gjenim edhe ndonjë përrua të vogël e të gjuanim aty trofta të freskëta, që janë shumë të shijshme!- po thoshte Iliri, dhe në krejt fytyrën, në krejt qenien e tij mund të shikoje qartë sigurinë dhe krenarinë që të jep pozita shoqërore, sidoqë ai para miqve të tij të çmuar po tregohej i thjeshtë e i çiltër. -Kurse, po të kemi pak fat,- shtoi Drita, si për t’i dhënë kohë të shoqit të kujtonte të tjera mirësi të atij vendi të magjishëm,- gjë që është shumë e vështirë, mund të gjejmë atje sipër një lloj luleje të rrallë, që këtu e quajnë Gentiana, për të cilën vendasit thonë se e ka përdorur dikur, në shek. ll p.e. re mbreti ilir Gent, sepse kjo lule ka veti kuruese! Atij i pëlqente biologjia. Është lule shumë e bukur, Vera!
Erdhi një çast që gojët pushuan së foluri e u muarrën me mishin e pjekur, të ngrohtë mbi tavolinë, duke tokur herë pas here gotat e burrave me verë dhe gotat e grave me birrë. Por surpriza më e madhe për mysafirët burrë e grua ishte kur, në pije e sipër, vunë re të habitur në njërin qoshk të oborrit, mbyllur në një kafaz me tela me gjemba, një tufë qengjash, të cilët, si të ishin të burgosur, lëviznin aty brenda papushim, të trembur nga ajo se çfarë shihnin para tyre: mbi një tavolinë të thjeshtë, si nja pesë-gjashtë metra larg tyre qe vendosur një televizor me ekran të madh, në të cilin shfaqeshin një kope ujqërish, të cilët lëviznin sa majtas-djathtas, me dhëmbët kërcënues e me sytë e ndezur flakë nga uria për mishin e qengjave. I befasuar, me vështrimin tek shoku, Armandi bëri një pyetje në tym: “Po këta?!”, kurse i zoti i shtëpisë me shumë kënaqësi sqaroi: -Këta qengja i mbajmë këtu, kur vijmë me pushime; qengjat përballë ujqërve në ekranin e madh! E imagjinon dot çfarë skene? Ja ku e ke pra, të gjallë këtë skenë! Duke parë natë e ditë aq pranë ata ujqër të egër, qengjat e gjorë jetojnë me frikë, as hanë e as flenë. Ata jo vetëm që nuk shëndoshen kurrë, por dobësohen më tepër. Dhe atëherë është koha që njëri prej atyre qengjave të bëhet pre, jo pre e atyre ujqërve, por bëhet risku jonë këtu në tryezë! Pasoi një heshtje e shkurtër, e cila stononte me atmosferën e asaj tryeze dhe u deshën fjalët me ton keqardhjeje të gruas mysafire, Dritës “Ah, sikur ta kuptonin këta qengja të gjorë, që ujqërit nuk janë prej vërteti!”, që e detyruan të zotin e shtëpisë, Armandin, t’i jepte një përgjigje, e cila të dy mysafirëve iu duk si një shaka me doza disi cinike: -Epo, po të ishte ashtu, nuk do të kishit sot këtu në tryezën tonë këtë qengj të pjekur në hell,- dhe, duke u përtypur me oreks të madh, ai po thoshte që në këtë rit krejt të veçantë me qengjat e me ujqërit, si dhe me pjekjen e qengjit në hell, ai kishte edhe një hobi tjetër të veçantë: kokën e qingjit e donte ta hante për vete, duke kujtuar këtu edhe Napoleon Bonapartin, i cili, kur qe internuar në ishullin e Shën Helenës, vitet e fundit të jetës, porosiste t’i sillnin për të ngrënë kokë qingji. Ai fliste pa e ditur nëse ky ishte një trill i perandorit apo ishte frika e ndonjë helmimi. Kurse shokut mysafir, Ilirit, ashtu si në mjegull i erdhi ndër mend një përrallë, që ia kishte rrëfyer gjyshi, kur ishte i vogël. Edhe ajo bënte fjalë për një mbret, i cili e çuditi një mysafirin e vet të largët me trillin e tij, duke lidhur në një anë të oborrit një sheleg e përballë tij një ujk të egërsuar. Kënaqej kështu duke parë shelegun që dridhej nga frika e ujkut përballë, i cili skërmiste dhëmbët me egërsi. Dhe nga ajo frikë shelegu nuk shëndoshej kurrë. Kënaqej mbreti edhe me mishin pa dhjamë të shelegut.
Ajri i pastër, këngët në kor të zogjve, përzier me fëshfërimat e e ëmbla të drurëve që i rrethonin kudo, të krijonin përshtypjen e një bote ireale, përrallore në atë kënd gati të humbur të malësisë. Tashmë edhe biseda mes katër miqve qe shtruar, e ndarë dy me dy: gratë më vete, kurse i zoti i shtëpisë, Iliri, po i fliste Armandit për atë vend të magjishëm, që të grishte të vije sa më shpesh. I tregonte sikur të ishte agronom pyjesh, që aty hasje kudo drurë pishe, dushku, qarri, bredhi, shkoze, frashëri e thane; pak më lart do të ndeshje drurë panje, ahu, bredhi të bardhë, deri tek shelqet e dëllinjat, madje edhe ndonjë shtëpi të vetmuar prej guri, apo ndonjë lokal për ndonjë udhëtar turist. Ai po thoshte se, po të shkoje më thellë e më lart, ndeshje edhe me shpella misterioze, të cilat fshihnin brenda vetes histori intriguese. Kurse shpendët e kafshët aty i gjeje në shumë lloje: që nga ariu, ujku, dhia e egër, rrëqebulli, kaprolli, deri tek dhelprat, shqiponjat, qukapikët, gushëkuqët, mëllenjat e harabelat.
…Kur Iliri e Drita qenë kthyer në qytetin e tyre bregdetar, ishte errësuar krejt. Atë natë, në krevatin e tij bashkëshortor, nga që kishte ngrënë shumë atje në mal me shokun e tij të fëmijërisë, Armand S, bëri një gjumë të keq dhe, siç ndodh gjithnjë në kësi rastesh, ai pa shumë ëndrra të frikshme, mes të cilave iu kujtua ajo me qengjat e me ujqërit. Nga njëra anë, ujqërit me dhëmbët të skërmitur e sytë e ndezur flakë nga uria dhe, nga ana tjetër, qengjat, të tkurrur nga frika e kafshëve grabitqare, që i kishin çdo çast përballë. Por në një rast në ëndërr ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur kurrë më parë: befas qengjat u bënë më të zgjuar, u çliruan nga frika e u bënë trima! Ata e kuptuan djallëzinë e të zotit, i cili i krijonte këto situata të ndera për të plotësuar dëshirat e trillet e tij. Madje ata arritën të kuptonin që ai ua kishte mbushur mendjen atyre se zoti kishte bërë emër që ata të ishin qengja, që ato ishin kafshë të buta dhe se përballë kishin ca kafshë që quheshin ujqër dhe se ata ishin të fortët, para të cilëve duhej të rrinin sus e ta bënin gjumin me frikën e kafshimit të dhëmbëve të tyre!Atëherë ndodhi metamorfoza, çudia: shpejt këta qengja u bashkuan trup me trup dhe ia ngulën sytë ujqërve pa pasur frikë. Dhe ashtu, duke u parë gjatë sy ndër sy, erdhi një çast kur ujqërit u nervozuan, në sytë e tyre u shfaq alarmi, pastaj një frikë e çuditshme, aty lexohej tashmë, jo egërsia dhe lakmia për mishin e qengjavet, por pasiguria dhe paniku ndaj atyre kafshëve përballë, që gjithnjë i kishin konsideruar të buta, të nënshtruara e frikacake. Vërtet kishte ndodhur një mrekulli, ku ishin ndërruar rolet e tyre: qengjat kishin marrë tiparet e ujqërve, kurse ujqërit ishin bërë qengja! Pastaj ai konstatoi që në një çast edhe ujqërit u shndërruan para syve në qengja dhe i erdhi nga thellësitë e krahërorit t’u thërriste atyre fort: “Oh, ata nuk qenkan ujqër! Ata qenkan qengja!” Por një zë që, sikur vinte nga nëntoka, iu gërhush me ton të vrazhdë: Jo! Ata janë ujqër! Ata duhet të jenë ujqër, që ju të keni frikë gjithmonë prej tyre! Janë ujqër! Janë ujqër!... Uuujqërrr!...
Comments