top of page

Tragjikja dhe e SHëmtuara në Poezinë e Disa Poetëve në Emigracion (Greqi)


ARQILE V GJATA

Tragjikja dhe e SHëmtuara në Poezinë e Disa Poetëve në Emigracion (Greqi)


Përmbledhje

“Poetët mërgimtarë” shprehin me keqardhje të vërtetën e jetës dhe mundimeve në vend të huaj.

Vitet e emigracionit i kanë bërë ata të shkruajnë cfarë ata kanë përjetuar aty ku tashmë jetojnë dhe punojnë për të siguruar jetesën. Por jo vetëm kaq...

Procesi krijues i këtyre poetëve ka të bëj me frymëzimin poetik që ata përceptojnë nga jeta e përditëshme. Kështu që edhe lëndën poetike e marrin nga realiteti i tyre jetësor.

Poetët nxisin imagjinatën krijuese për të shfaqur dhe treguar karakterin e tyre vetjak. Në poezitë e tyre shpërthejnë trazime të brendshëme, një vlim poetik nga ku përftohen buqeta nuancash ndjesore tragjike, apo edhe të shëmtuara që burojnë nga kontraditat shoqërore dhe politike, që lindin në proceset e zhvillimeve shoqërore, si një luftë qëllimesh dhe kontraditash, nga ku natyrshëm përballemi me tragjiken dhe të shëmtuarën... në art.

Fjalë kyçe: poezi, tragjikja, e shëmtuara, kontradita, estetika, arti.

Siç dhe dihet, procesi krijues ka të bëj me frymëzimin poetik të çdo poeti. Dhe në këtë studim lexohet gjuha e ardhur nga përvoja e gjuhës së gjallë të poetëve të mbartur nga jeta në atdheun e tyre, e mbartur dhe e përshtatur me jetën në emigracion.

Po kështu, dallohet qartë përkatësia individuale për të pasqyruar në poezitë e tyre tragjikendhe të shëmtuarën si kategori estetike të cilat realizohen përmes ngjyrave semantike, me kuptimin e konteksteve dhe koloritin vetjak me të cilët këta poet veshin, trajtojnë, pasqyrojnë motivet e tragjikes dhe të shëmtuarës në poezitë e tyre.

Tek këta poetë, marrja në konsideratë e trajtesave gjuhësore, leksikut, figuracionit (krahasimit, antitezës apo metaforës përgjithësisht), apo temë e–ideve të konsideruara si jetike.

Tragjikja ngrihet shumë lartë estetikisht, pasi ka jo vetëm vlera të thekshme poetike, por sepse ato janë shtysa, nxisin botën e tyre,por vecanërisht kanë të bëjnë me vuajtje të mëdha, me kontrastet që jeta në emigrim u servir në mënyrë të pamëshirshme, madje në përballje edhe me vetë vdekjen, si momenti më tragjik i tyre.

Shpirti im[1]

Shpirti im s’ka më ngjyrë!

Në muret e tij hodhi hije ngrica,/ loti hirmosi,i dha ngjyrën e hiritë./ngjanë me një hije të veshur me të zeza.

S’ka më fuqi/të mbys psherëtimat,

të ringjall ëndrrat.

Nga vjeshta/mbeti varur kështjellave të dhimbjes,

ngatëruar me shpirtra të vdekurish.

Do të bëhem vrasës[2]

Udhëtim emigranti ecja ime,ku/si ngarkesë supit mbetën të ikurit,/që nuk vdiqën dot.

Në mes të karvanit zura vend dhe unë,

i përndjekuri i të vdekurve,

përfaqësuesi gjysmak i të gjallëve.

Më lodhën këto rrugë,/

shtruar me asfaltin e ankthit,/

të të qenit pa krahë./Më lodhën...

Do bëhem vrasës një ditë,

tradhëtar i kësaj varreze me të gjallë.”

Këto poezi natyrshëm sjellin tipare të cilat dua ti veçoj. Ato gjejnë rezonancë në botën shpirtërore të autorëve. Janë ato tipare që karakterizohen nga dhimbjet, psherëtimat, sa që arrin kulmin e shpërthmeve kur autori therret:

“Do bëhem vrasës një ditë,/tradhëtar i kësaj varreze me të gjallë.”

Do të citoja këtu një nga poezitë e mija “Dhe dimri vdes”, ku ndryshe nga nga cka thashë më sipër ka një tragjike të bukur. Ajo vdes nëpër peisazhe dhe një këngë dashurije këndohet!

“...Keni parë se si dhe dimri vdes...?

Vdes nëpër peisazhe bore/ku jeta për rreth/pak e nga pak,

pa asnjë gurmë ftohtësije,

përpjet maleve nëpër hije ngricash

/që qajnë kur del hëna/e një këngë dashurije

fillon me zë të ulët.”[3]

Karakteri i tragjikes në poezi është një variabël...

Ai vjen me shpirtin poetik të cdo poeti kur i këndon apo i vajton ai.

Por do të ndalesha në domosdoshmërinë për të pasqyruar në këtë studim, krahas tragjikes edhe të shëmtuarën në poezinë e poetëve të emigracionit, si kategori estetike.

Koha dhe vet estetika ka provuar se fenomene të shëmtuara të pasqyruara në poezitë e shumë poetëve kanë qenë dhe janë burim vlerash dhe “kënaqësie”. Jo se shëmtia është pjesa e gabuar e këtyre poetve, por se duke trajtuar realitetin e shëmtuar, poezia vjen reale, e ndjerë dhe përgjithëson.

Ajo bëhet shpirt i dhimbjeve njerëzore dhe si e tillë vlerësohet si e natyrshme. Ka kuptimësinë dhe kërkon të evidentohet si e pashmangshme.

Dhe e shëmtuara është e bukur[4]

Dhimbja ime jeton tek e shëmtuara...

Ka kaq shumë,

sa ato bëhen lule,

shëtisin nëpër rrugëtime.

Lulëzojnë të shëmtuarat,

ato janë e sotmja,

ngjajnë si ne,

nuk zbehen nga dashuria!

Në ëndërr[5]

Fushën e grurit tim hanin dy të vdekura

të veshura me bardhësin e qiellit,

të kthyera në forma varrezash, zëri i ngjikallës

poshtë ulësisë të tyre therrej nga kërcitja

e dhëmbëve.

Ngjyrën e jeshiltë mora, , të pikëlloja urinë,

kaloja shtegun nga kacavjerrej hëna

e zorrëve të vendosja brenda vetes

dy kostumet e bardha të vdekjes,

“Mendim dhe përsëri mendim, pa të dhe shprehjet e shkëlqyera nuk vlejnë për asgjë!”-thotë Tomas Man.”[6]

Në kohën e vet Aristoteli pranonte se veprat artistike që i drejtohen të shëmtuarës na kënaqin estetikisht, kur e pasqyrojnë atë me vërtetësi, na kënaqin me forcën e pasqyrimit të realitetit. Dhe tek poetët tanë në emigracion bie në sy një dukuri e tillë, mbushesh me kënaqësinë e realitetit, ka objektivizëm por të trajtuar me forcën e shpirtit dhe të mendjes.

“Kohë për t’u shkëputur kemi sërish[7]

“.....Jemi vrarë të gjithë nga pak.

Oh me ç’shëmti jemi vrarë?

Pa lavdinë e luftës e flamujve

po zbresim të gjithë në varr.

...ka akoma vdekje të tjera

Kohë për të shpëtuar kemi sërish.”

Sipas poezisë së S.Martikos,“Kohë për tu shkëputur kemi”, një imagjinatë tej të padukshmes, rreth tragjikes, paralajmëron ...ka akoma vdekje të tjera.

Kockat [8]

S’u mjaftoi mishi,

As shpirti;

Më në fund deshën dhe kockat...

Si fantazëm që isha,

Bëra një reklamë:

“Këtu shiten kocka poeti”...

Menjëherë,

Vërshoi një lumë njerzish:

Bastard, imoral, matrapazë, tregëtarë.

Fatmirësisht,

Pak më parë se të mblidheshin,

Kockat e mia qenë bërë pëllumba

E kishin fluturuar...

Poezia “Kockat” e poetit Myslim Maska është modeli i një poezie ku përsosmëria e shprehjes së shëmtuarës në poetik është kategori estetike. Vargjet kanë trajta shumë trishtuese, metafora vjen e sintetizuar dhe karakteri ritmik ka tonalitete të tilla befasuese. Zanore të theksuara, nga ku ndihet thellësia e trishtimit poetik, përsëritje si jehonë, herë thirrje të mekura gjithë trishtim, herë therrëse të mbushura me zemërim e herë të forta bucitëse që krkojnë shpagim.

Kur “vdekja” ogurzezë vjen edhe në poezi, aty gjejmë karakterin elegjiakean me aq mjeshtëri dhe imagjinatë poetike sa që poetika duket se përshkohe nga një fill i zi dhe tërë poezia qan e mban zi...aty tragjikja zhvillohet si një luftë qëllimesh, (në këtë rast hipotetike).

Vdekja[9]

Nuk e di vdekja si do vij’

Si do zbresi në ato shkallë,

Po e di që ajo do hyj’

Unë i vdekur dhe i gjallë.

Do mbështetem tek një mur,

do të tretem po e di,

veçse kockat do më mbeten,

tutje nëpër vjershëri.

Do më zgjoj një lule shtogu,

Në një mal burim do jem,

Te një lis fole zogu

Te një breg do pres rrufen.

Kjo poezi e poetit Llambi Gjikuli, tragjikja ka vlerat e së bukurës si kategori estetike. Këtu autori përmes imagjinatës shkruan:

“ndjej bukurinë e vdekjes, pasi atje/ Do më zgjoj një lule shtogu,Në një mal burim do jem,

Te një lis fole zogu.”

Kritiku i madh i shekullit 18-të, Lesingu do të pohonte me forcë, se arti mund t’i drejtohet të shëmtuarës për të nxjerr në pah kontrastin e saj me të bukurën.

Sipas tij, madhështija e së bukurës nuk do të kuptohej po të mos krahasohej me të shëmtuarën.

Ra një mort mbi det[10]

Kur iku Ai,

qanë gjethet e plepave,

gjatë bregut të Drinit.

Kur iku Ai,

u veshën për zi,

nuset e Shëngjinit.

Kur iku Ai,

heshtën pulëbardhat,

ra morti mbi det.

Zvogëlohet shpresa

për tu ndrequr Bota,

kur humb një poet.

Efekti psikologjik lexohet qysh në vargjet e para të kësaj poezie. Ky efekt është rezultat i një trishtimi të thekshëm të tragjikes në këtë poezi. Por sa poetikisht ai ndërthurret me elemnte të natyrës dhe sa rrjedhshëm e vetiu shfaqet ndër vargjet e poetit si të ishte vetë natyra.

Ky mort që ra, vajtohet me shumë dëshpërim.

Poeti që “iku” mishëronte ndërgjegjen e kohës, ku mbetet vetëdija e krijuesit, I cili e plotësonë mungesën e tij e shprehet:

“Zvogëlohet shpresa për t’u ndrequr Bota

/kur humb një poet.” [11] Janë shumë domethënëse këto vargje, mbartin shumë peshë dhe marrin vlera të shumëfishta.

Poeti[12]

Një dyzinë poetësh të vdekur

i gjeta bashkë në një antologji.

Vetëm ai që i kishte përgatitur,

u bënte me vjersha shoqëri.

E kuptova,

nuk është kaq vështirë:

Veç në shoqëri

kolegësh të vdekur/një poet ndihet mirë.

Këto dy poezi, shkrihen në nuanca të ndryshme dhe e rrisin trishtimin e thekshëm të tragjikes.

Trishtimi i thekshëm i tragjikes lexohet, preket, jehon në “një dyzinë poetësh të vdekur”.

Në këto poezi vepron shtysa e meta-figurës së mrekullueshme që pasuron këto portrete poetësh të vdekur...

Profesori, studiuesi Ali Aliu në veprën e tij “KËRKIME”, Shkruan se “Seicili nga këta poet, në mënyrë të vetë, autentike dhe origjinale sjell një aromë, një sensibilitet dhe forcë ekseptuese poetike, figurative të vetën, të pa përsëritshme, individuale.”[13]

Endem rrugëve të Athinës [14]

Endem rrugëve të Athinës

Si fantazëm hije varri,

Her si ëngjëll kryengritës,

Herë me pamje prej të marri.

Herë i fyer, poshtëruar,

Me një det të nxrirë në shpirtë

herë demon i zemëruar

që trokas tek perëndit.

Burrat e 1821-it[15]

“...Me veshje luftrash

lidhen plagët e vendit.

Akoma sot pika gjaku

Jehojnë në praninë e kujtesës[16]

“Nuk dua të dukem” [17]

Ah, prindrit e mi,

edhe të vdekur

s’pushuan së qari.

Shkoj dëshira në një dhomë refugjatësh[18]

Ç’ gjë e pistë! Më shikojnë katër muret,

Katër faqe të pingulta si eshtra të brejtura.

Organ i shikimit të tyre-ngjyra të shplara,

ndotur nga pështyma

e tharë e kohës dhe mizave.

.....Unë shikoj dëshira në vetmi

Në gjerdanin që s’e kam.

“Lotët e mjerimit”[19]

E shikoni si vajton mjerimi!

Me lot fëmije u mbyt ky shekull.

Nga lufta në luftra bashkë me vdekjenë

Të frymëzuar nga skamja, kërkojnë fitore.

.................................

Mbushur kufijtë nga trajtat e luftrave,

Zemra të plakura nga dimri

Nëpër barka, të uritur zbukurojnë vdekjen,”

Poeti dhe shkrimtari Michel Houellebecq, në essenë e tij “Të mbetesh gjallë” shkruan se “Impulsi i parë poetik i përket fillimit të fillimeve, vuajtjes”, domethënë se vetëm dhimbja (çdo lloj dhimbje shpirtërore) mund të jetë materie e poezisë së vërtetë. (marr nga një publikim në rrjetet sociale nga Profesor Vangjush Ziko!)

Edhe ngjyrimet që fiksojnë portrete, apo mjedise, shpesh dhe fluturime poetike gjithë imagjinatë, jo vetëm si mendime poetike, por dhe si vlera poetike krijuese, deri në ato të padukshmet, “janë zemra të plakura nga dimri” që tregojnë qartë veçoritë e gjithëseicilit krijues sipas tekstit e nëntekstit të shkruar apo të pashkruar.

Prof. Ali Aliu thekson se: “Ngarkesat e nuancave dhe intesiteteve të ndryshme specifike, si vlera shpirtërore, emocionale...përherë e kanë vënë në lëvizje poezinë, nën peshën e ngjyrave shpirtin e saj që është karakteristikë e një ambienti dhe e një kohe të caktuar.”,[20]

Poezia e poetëve në emigracion është një ligjërim më vete!

Ajo ka një organizim, është një bashkësi nga ku përftohet, një fushë kuptimore, dëgjuese dhe emocionuese në saj të elementëve e tingëllimave, që përftohen nga zanore te forta të gjuhës shqipe. Konkretisht, çdo autor-poet përzgjedh me mjeshtëri gjuhësore ato më të spikatura për të pasur një poezi tinglluese, me tinguj zanorë të zëshëm, për të shprehur tragjiken dhe të shëmtuarën…sipas shpirtit krijues dhe vuajtës të saj, ku nuk mungojnë mesazhet dhe emocionet që na jep ai tekst.

Motivi i tragjikes krijon imazhe përshpirtjesh të një funerali, apo përkujtimoreje, ku përjetohet dhe ndihet dhimbshëm vajtimi i saj…

“Varrin ma bëni në një poemë,/në një fole zogu ma bëni,/ku rrezet e diellit vallzojnë.” [21]

Varri i marinarit [22]

…Thellë në oqean,/nën algat dhe guackat,/mbretëria e peshqëve/ka hapur një varr/për marinarin,ëvarr me rërë dhe ujë të kripur./peshq me sy të përlotur/shoqërojnë kortezhin nënujor/të marinarit./Delfin veshur në zi/këndojnë këngë vajtimi/të riteve detare.”

Pra nga sa më lartë përmendëm, poezia me motive tragjike është një materje e prekshme… Lexuesi e kthen atë në materje shpirtërore, në vaje…nga ku dëgjohen gjithë dridhërimat e dhimbjeve, ku shkrihen nuanca të ndryshme dhe vuajnë më shumë vetë ata që e shkruajnë me shpirt atë.

Literaturë e Konsultuar!

-Arqile Gjata, vëllimi poetik “Mik me ajrin”, Shtëpia Botuese Ada, Tiranë, 2017.

-Gëzim Strora, vëllimi poetic “Ëndrra Pa Qiell”, Shtëpia Botuese,Milosao, Sarandë, 2013.

-Grigor Jovani,“Vreshtat E Dhionisit”, Botimet Milosao, Sarandë,, Viti 2015.

- Irena Gjançi, vëllimi poetik “Përtej Dritares”, Shtëpia Botuese Ada, Tiranë 2017.

-Luan Xhuli, vëllimi poetic “Jeshile”, Shtëpia Botuese Milosao, Sarandë 2015.

-Llambi Gjikuli, vëllimi poetic “ Loti I Mesnatës”, Botime Toena,Tiranë 2004.

-Myslim Maska, vëllimi poetic “Ndoshta kjo është Bota”, Shtëpia Botuese Milosao, Sarandë,2014.

-Stefan Martiko, vëllimi poetic “Ura nëpër valë”, Shtëpia Botuese Mokra, Tiranë, 1999.

-Murat Aliaj vëllimi poetic ”Zogu I Humnerës”, Shtëpia Botuese “Globi”, Tiranë, 2001.

.

-Ali Aliu, “Kërkime”, Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë 1990.

-Alfred Uçi, “Mitologjia, Folklori , Letërsia”, Shtëpia Botuese Naim Frashëri,Tiranë, 1982.

-Dritëro Agolli, “Jeta në Letërsi”, Artikuj dhe shënime,Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1987.

“Ese dhe shkrime të tjera kritike”, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë 1986.

-Ledi Shamku-Shkreli “Shtatë vjet prolog”, Shtëpia Botuese “Çabej”, Tiranë, viti 2005.

-Kërkime Gjuhësore(3), Qendra e Studimeve Albanologjike, Korrik-2014.

-Zeqir Kadriu, Mozaik gjuhësor e letrar, Shtëpia Botuese ALBAS, Tiranë,

[1] Irena Ilo Gjançi, poezi, “Përtej Dritares”,Shtëpia Botuese ADA, 2017,f,2. [2] Luan Xhuli, poezi, “Jeshilja”, Shtëpia botuese Milisao, 2015, f. 54. [3] Arqile Gjata, vëllimi poetik “MIK ME AJRIN”, Shtëpia Botuese ADA, Tiranë, viti 2017,f,9 [4] A.Gjata, vëllimi poetik “Mik me ajrin”, Shtëpia Botuese ADA, Tiranë 2017 [5] Gëzim Strora, poezi, “ËNDRRA PA QIELL”, Shtëpia Botuese MILOSAO,Sarandë, viti 2013 , 13 [6] Ese dhe shkrime të tjera”, Përgatitur nga Piro Misha, Shtëpia Botuese Naim Frashëri, viti 1996, f,3. [7] Stefan Martiko, vëllimi poetik Urë nëpër valë”,shtëpia botuese “Mokra”, viti 1999, f,10. [8]“ Endem rrugëve të Athinës”Myslim Maska, “Ndoshta kjo është bota” , Shtëpia botuese “Milosao”, Sarandë, viti 2014, f, 59. [9] “LOTI I MESNATËS“Llambi Gjikuli, Poezi, Botime TOENA, Tiranë, 2004, f. 14. [10] GRIGOR JOVANI,“VRESHTAT E DHIONISIT”, Botime MILOSAO, SARANDË,, Viti 2015, f. 267.. [11] -Po aty,f,26 [12] Po aty, f, 229. [13] Ali Aliu, “Kërkime”, Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë 1971,F, 84. [14] Myslim Maska, “Ndoshta kjo është bota”, Milosao. Sarandë, viti 2014, f. 9. [15] Vasil Klironomi,poezi “Plagë qeramike”,f,50. [16] Vasil Klironomi,poezi “Plagë qeramike”,f,50. [17] Luan Xhuli, poezi, MILOSAO, Sarandë, viti 2015,f,33. [18] Vasil Vasili, po aty. [19] A.Gjata, “MIK ME AJRIN”, shtëpia botuese ADA, viti 2017, f. 26. [20] po aty,f,228. [21] - LOTI I MESNATËS“Llambi Gjikuli, Poezi, Botime TOENA, Tiranë, 2004. [22] A,Gjata,vëllimi poetic “Mik me ajrin”,f 62.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page