(Fragment nga: "Shënime të Adrianës")
Radioja 4 mijë lekëshe që Im atë kishte blerë arsyeshëm prej një miku, ishte dhe mbeti deri në fund krenaria e tij. Radioja ishte vënë lart mbi dollapin e rrobave, të mos prekej prej ne të vegjëlve (akoma të vegjël isha unë dhe vëllai i vogël, Ladi!), por ne vinim karrige ta arrinim, afronim veshin për të dëgjuar përrallat e darkës treguar nga e madhja Vera Zheji.
Çfarë jepej në Radio Tirana kishte propagandë. Ishte këndshëm megjithatë, të zgjoheshe orëve të mëngjesit me muzikën popullore. Im atë kishte merak lajmet, donte të dinte çfarë ndodhte nëpër botë. Megjithëse propaganda nuk bënte përjashtim edhe për lajmet që jepeshin nga bota jashtë, babai kishte një filtër të brendshëm të vetin, në të cilin vendoste ç’dëgjonte. E besoj këtë, sepse i pamë atij gjithnjë një mendje të kthjellët.
Kur njeri nga vëllezërit mbaroi të mesmen dhe po përgatiste dokumentet për në Universitet, për shkak të rrethit të shokëve, një nga dëshirat ishte shkolla e Ministrisë së Brendshme. Im atë e dëgjoi dhe i tha:
“Puna që merr përsipër njeriu duhet bërë gjithnjë mirë. Shkolla e Ministrisë do të japë të bësh një punë, të cilën do duhet ta bësh mirë. Që ta bësh mirë atë punë duhet të tregosh e raportosh për atë që sheh e dëgjon kudo, ose nuk do mundesh të bësh punën mirë. Ti e di se çdo zgjedhësh…”
Pas kësaj, im vëlla e hoqi nga lista shkollën e sigurimit.
Drita që drejton njeriun të dojë me zemër e të shërbejë me zemër, nuk është brenda ideologjive që dalin e ndriçojnë si flakë kashte, një ditë dhe ditën tjetër s’janë më. Të mësosh t’i shërbesh popullit e atdheut, duhet të paraprijë një dritë e një arsye e thellë, dritë dashurie që digjet në qiellin e popullit e vendit tënd e nuk shuhet asnjëherë, si një diell që jep flakë, flakë që nuk djegin por japin jetë! Patriotizmi i vërtetë është i lidhur me këtë lloj drite.
Çdo lloj ideologjie që himnizon një Hoxha apo një emër tjetër vdekatari, një filozofi që është gjysmake dhe s’përfshin të gjithën, është e vakët, si ujë i ndenjur rreth të cilit bëhet vetëm moçal.
Radioja, krenaria e babait tim, na rriti ne. Më pëlqente të dëgjoja një emision me këngë të lehta sipas kërkesave të dëgjuesve. Jepeshin rreth 12 këngë, e nënta dhe e dymbëdhjeta në radhë ishin klasike, më pëlqente të dëgjoja pjesë nga Verdi e Bethoven, etj. U bë kështu prezantimi i parë me muzikën klasike dhe artin që tejkalonte çdo kohë, ishte përmbi të dhe e pavdekshme.
Këtu mbyllej dita për mua dhe futesha në krevat. Zëri i radios nuk mbahej lart, as drita ndezur për të lexuar më vonë, se në një apartament aq të vogël më pak se 50 m2, të tjerët flinin. Ishte vetëm një dhomë e një paradhomë për të gjithë ne, shpesh edhe për mysafirë që i zinte nata e ktheheshin, por ishte shtëpi. Brenda saj e gjenim vendin e hapësirën për punët që ishin vetëm tonat.
Sa herë na mungon kjo hapësirë në botën prej të rrituri! Të gjithë planetin kemi tonin dhe prapë është ngushtë sa s’dimë ku jemi…
Një kohë, qytetit iu shtua një kënd lojërash për ne fëmijët. Një tendë nën të cilën vinin përqark lodra kafshësh, por duhej të paguanim për 5 lekë për dhjetë xhiro rrotullimi. Mësuam të kapërcenim gardhin prej teli kur punonjësi që e bënte gjënë të rrotullohej me aq sa fëmijë paguanin për numrin e xhirove, mbaronte kohën e punës. Më arrakatët e lagjes mësuan të hapnin panelin elektrik e ta vinin atë në punë. Falë varfërisë e mungesës së mediave masive siç janë sot që e largojnë vëmendjen e njeriut nga çështjet kryesore që ka jeta, por edhe thjeshtësisë së shpirtit ku rriteshim dhe edukoheshim, shpirti luftarak dhe imagjinata fëminore formuan njeriun tek ne të gjithë.
Gjurmët e plagëve të fëminisë kanë mbetur përgjithnjë përmbi gjunjë. Nuk janë plagë si të tjerat që merren gjatë jetës, por shenjat e tyre mbi lëkurë kujtojnë për kohë të jetuara në pafajësi...
(Marë pa lejen e autores nga muri i Facebook i shkrimtarit Faruk Myrtaj)
Comments