top of page

QYTETI I GRADAÇELAVE


TIRANA - QYTETI I GRADAÇELAVE

Nga Dilaver Goxhaj

Ishte mesditë e datës 24 maj, - fillon tregimin ish-kolegu im i hershëm, Pirro N. - Më vjen një thirrje në WetsUp. Numur i njohur për mua…. Ishte një i afërm i imi dhe bashkëmoshatar, G.M. Pasi mbaruam përshëndetjet e zakonshme, ai më tha: “Të mërkurën e ardhshme, sot java, mbrij në Rinas me linjën e Lufthansa. A mund të delni? . . . Lutem, pronotoni një taksi… Mos harroni të keni me vete edhe çelsat e shtëpisë…”

Me G.M. kemi kryer sëbashku shkollën shtatëvjeçare dhe atë të mesme. Ai pat mbaruar universitetin shtetëror të Tiranës, për gjuhë - letërsi. Emigruar në SHBA me lloto-vizë, familjarisht, në vitet e para të pluralizmit tonë politik. Po vinte ngaqë kish vendosur ta shiste shtëpinë në Tiranë.

Pasi doli nga dogana u ulëm dhe pimë kafenë e mirëseardhjes. U nisëm për në Tiranë. Porsa taksia mbriti te “Caza Italia”, intelektuali i dikurshëm shqiptar shprehu mahnitje kur pa gradaçelat njëzet e tridhjetë kate të heshtura e të ngrysura që vinin njëra pas tjetrës, si në anë të rrugës kryesore por edhe në thellësi të qytetit. Kur mbritëm në qendër të Tiranës, veçse thirri: Ç’është bërë kështu Tirana!

Hyri në shtëpi pas rreth 30 vitesh larguar, të cilën ma pat lënë mua në përkujdesje.

Qëndoi gati një muaj e ca në Tiranë, derisa e shiti shtëpinë. Disa ditë para se të kthehej pranë familjes në emigracion, më propozoi të pinim kafen e lamtumirës, te kulla e Vodafonit.

Pasi u largua kamarjeri, filloi të më shprehte përshtypjet e tij që kishte krijuar gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në Tiranë:

“Këto ndërtesa të larta e katërore, të gjera e masive, që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Tiranë, nuk kanë asnjë bukuri; nuk di se pse më duken si shumë të mërzitshme e të heshtura, o Pirro vëllai. Secila nga këto gradaçela sikur i bëjnë karshillëk njera-tjetrës; secila mburet e mbahet se është më e lartë dhe më e shëmtuar se fqinja në krah, apo ajo përballë saj. Ajo që më ka bërë edhe më së shumti përshtypje gjatë gjithë këtyre ditëve, është se nuk më kapi shikimi as lule dhe asnjë fëmijë nëpër dritaret apo ballkonet e këtyre gradaçelave, por edhe nëpër pallatet e rinj me dhjetë e trembëdhjetë kate!…

Kur e pashë Tiranën nga avjoni, gjatë rrotullimit të tij për t’u ulur në Rinas, Tirana m’u duk si me qenë një nofull e madhe, me dhëmb të zinj e kataroshë por nuk po e kuptoja se pse.

Kur hyra në Laprakë drejt qëndrës, m’u duk sikur futesha në një stomak prej beton-arme, të hekurt, që ka gëlltitur me mijëra njerëz dhe që tani po i bluan dhe po i tret. Zhdukja e qendrës së dikurshme e Tiranës, sheshi fund e krye beton, më duket katastrofa më e madhe ndaj saj.

Të nesërmen dhe dy ditë të tjera mora nja taksi dhe i rrashë Tiranës kryq e tërthor. Rrugët që shtrihen poshtë gradaçelave dhe pallateve me dhjetra kate më ngjanin si një fyt i pangopur ku rrëshqasin njerëz të gjallë. Lartësia e gradaçelave të krijon përshtypjen se ia ka larguar Tiranës qiellin nga toka. Kudo, nga lartë, nga poshtë, rreth e rreth gradaçelave dhe pallateve pa asnjë lulishte anash tyre, ndjeja se hekuri e betoni jetojnë e gjëmojnë, në mes të kremtimit të triumfit të tyre. “Këto godina të larta e të shumta janë pjellë e fuqisë së Djallit të Pistë” – më thotë taksisti.

E pyes se çfarë donte të thoshte me shprehjen “Djall’i Pistë”. Dhe ai m’u përgjigj: “Paret e Pista të Evropës e më gjerë, zotëri, të cilat lahen në Tiranën tonë të bindur e të urtë. Janë ato pare të pista që i kanë dhënë këtë jetë e shpirt hekurit e betonit, duke i shembur lagjet karakteristike tiranase me bahçet e tyre të mbjella me hurma, limona e caraca. Betoni i tyre e ka shurdhuar qytetin, i ka thithur gjakun dhe trurin, i ka përpirë Tiranës muskujt dhe nervat, dhe, duke u mbështetur mbi themelet e betonit memec, ky vëllazërim i hekurit me betonin i hedh çdo ditë e më larg hallkat e zinxhirit të tij, duke mos lënë asnjë pëllëmbë tokë buke;… madje edhe në fushën e saj të dikurshme. Është harruar për jetë e mot emri Fusha e Tiranës. Miku im, nuk ka më fushë midis Tiranës dhe Durrësit!”, dhe hoqi në shpirt.”

Dhe unë, tash pas kaq ditësh qëndrimi në Tiranë, i dhashë të drejtë taksistit, fjalët e të cilit m’u dukën atë ditën e parë të qëndrimit tim si të tepërta.

“Kur e pashë një ditë Tiranën nga mali i Dajtit, - vijoi G.M. - ajo nuk ekzistonte, e kishte mbuluar pluhuri. As gradaçelat nuk dukeshin. Në qiellin e turbullt të Tiranës, të mbuluar me pluhur, vura re se dita shuhet shumë shpejt.

Në kaosin e jetës së rrugëve poshtë gradaçelave, sa here kam lëvizur në këmbë, jeta e ethshme më duket se vlon si çorba në zjarr. Njerëzit e vegjël rendin, vërtiten dhe zhduken në këto rrugë kazan që ngjajnë siç ziejnë kokrrat e thierzave në një jamake... Nuk kam dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve as të qeshura, as biseda gazmore; nuk pashë as buzëqeshje gëzimi… Pleq, të rinj e fëmijë, çuditërisht, të gjithë heshtin; ndërsa vetë qyteti më duket sikur ulërin e i përpin njerëzit njërin pas tjetrit, në gërmazin e tij të pangopur… Dhe çdo herë pyesja veten: “Të jetë me të vërtetë Tirana kjo?!”…

Në këtë kaos njerëzor, Pirro vëllai, më duket se të gjithë janë të tepërt; në këtë ulërimë lakmie të kobshme e të egër, në këtë burg të krijuar nga hekuri e betoni dhe nga xhami masiv, të krijohet bindja se të gjithë këta njerëz nuk janë në vendin e tyre,… kanë ardhur që të ikin…gjë që ma përforcoi këtë bindje edhe fakti që të gjitha reklamat, tabelat e aktiviteteve tregëtare dhe shërbimeve, përfshi dhe emërtimi i transportit qytetar urbanit, i bashkisë, janë në gjuhë të huaj dhe jo shqip! Prandaj më duket sikur dita-ditës banorët e Tiranës ecin me çapin e njeriut të fyer, duke e shpurë trishtimin e vetmisë së tyre jashtë këtij qyteti-shtet… Them qytet-shtet se mësova që jo vetëm fshatrat por edhe shumica e qyteteve të vegjël janë shpopulluar dhe kush nuk ka mundur të emigroi, ka ardhur në Tiranë mbi 2/3 (dy të tretat) e gjithë popullsisë aktuale e Shqipërisë, me bindjen, sikundër m’u shpreh një prej tyre ku e pyeta, se këtu do të gjejnë kushte më të mira jetese!

Fytyrat e njerëzve i pashë të ishin të qeta e të ngrira, Pirro. Por fatkeqësia është se asnjëri prej tyre nuk e kupton se, duke lënë pasurinë në fshat apo në qytetin e largët, është kthyer në skllav i jetës; nuk e kupton se është bërë ushqim i këtij qyteti-lubi. Me krenarinë e tyre të mjerë, e pandehin veten zot të fateve të tyre!..

Vura re se shumë prej njerëzve u pasqyrohet në sytë e tyre ndjenja e pamvarësisë, por as që u shkon ndër mend se kjo është si pamvarësia e sopatës në duart e druvarit, e çekanit në duart e kovaçit, e tullës në duart e një muratori të padukshëm që, me një buzëqeshje djallëzore ndërton për ta një burg të vetëm të madh, ku përsëri janë ngushtë.

Nuk shoh që liria e brendshme, liria e shpirtit të shkëlqejë në sytë e këtyre njerëzve… Në sytë e tyre nuk vura re as zemërim kundër sundimit të hekurit e betonit që kanë uzurpuar gjithçka në Tiranë, dhe as urrejtje për triumfin e hekurit dhe betonit!, mos vallë janë mësuar ta pranojnë këtë jetë të shëmtuar si diçka të zakonshme, ngaqë trutë i kanë gjithnjë në tronditje e sipër?… Dhe kjo energji pa liri, të sjell ndër mend shkëlqimin e ftohtë të një thike që ende nuk është ngrënë nga përdorimi… E keqja më e madhe qëndon në faktin se ende nuk e kuptojnë se kjo është liria e veglave të verbëra në duart e djallit me emrin Paraja e Pistë.

Syri im, Pirro, kërkonte të shihte ndonjë librari në buzë trotuareve, kërkonte të shihte njerëz me një libër në dorë, kërkonte të shihte lule nëpër dritaret e gradaçelave e të pallateve, dhe fëmijë nëpër ballkone. Pyeta dhe kërkova nëse funksiononin teatri, opera, estrada, kinemaja që unë lashë kur ika, por. . . me azalla…

Ajri që shtyhet nga shpejtësia e çmendur e makinave të pafundme i godet në fytyrë me një valë pluhuri të rrugëve të palara kurrë; me sa kuptova, ato lahen vetëm kur bie shi; veshët të buçasin nga një kiamet zhurmash e burishë; e kjo valë ulërimash, e shoqëruar me hedhjen në sy të pluhurit të hidhur e të hollë, të verbojnë, të shurdhojnë me një ulërimë të gjatë e të paprerë…

Ky popull, ky zot i jetës, do të duhej t’i jepte fund ulërimës së paturpshme të hekurit e betonit, të pluhurit e mosdijes, sepse çdo gjë që të ndalon të jetosh duhet shkulur. Dhe kjo kuptohet: njerëzit që shtrembërojnë shpirtin e njeriut nuk duhet të presin mëshirë prej tij. Populli ka të drejtë të hakmerret,… dhe këtë të drejtë ia kanë dhënë vetë kata njerëz që administrojnë Tiranën…

Dhe ajo që të brengos së shumti është fakti se njërzit që banojnë në këto gradaçela-shtëpi, të ndërtuara prej djallit me emrin Paraja e Pistë, durojnë me qetësi çdo gjë që e vret njerinë!...

Pirro vëllai, nëse e ke vënë re, Tirana ka një sasi të çuditshme drite! Aty për aty shastisesh. Mirëpo, gjithë ky shkëlqim ta asgjëson ndërgjegjen, të largon çdo mendim,… dhe njeriu bëhet një copëz e turmës. Njerëzit e humbasin vullnetin, bëhen si të dehur dhe ecin me të shpejtë nën shkëlqimin e gjithë atyre dritave. Në fillim kjo të duket e bukur sepse, duke të ngacmuar, të kënaq; por edhe u thotë njerëzve:

- “ Ejani këtu!”

Dhe pastaj:

- “Jepni paranë!... “

Njerëzit shkojnë atje ku i thërret drita, porositin një uiski, apo kafe dhe uiski, nën tingujt e një muzike të huaj, duke paguar për mashtrimin e tyre. Nuk dëgjova në asnjë lokal muzikë shqip(!)… Të gjithë, në kafene apo në shtëpi, shikojnë tërë kënaqësi shfaqjen “Big Bradhër”, i cili u thotë: “Bëni mëkat! Kjo të kënaq.”

Ky është, si në gjithë botën, Pirro, korruptim moral i maskuar, i cili tall me përbuzje hipokrizinë dhe gënjeshtrën, sepse edhe këto janë “për popullin”. Dhe populli ushqehet me këtë korruptim moral.

Të gjitha këto i shtazërojnë njerëzit, Pirro! Të duket sikur çdo gjë është krijuar posaçërisht për të verbuar njerëzit. Duhet të bësh një përpjekje të madhe për t’i thënë vetes: “Jam unë”, në mes të kësaj turme të mposhtur nga një çudi e paqenë. Dhe ai person që arrin ta ndajë qënien e tij nga turma, shikon se ato miliona llampa inkandeshente të cilat lëshojnë një shkëlqim të pa cipë duke paraqitur një shkëlqim të zymtë, vetëm atëhere ai zbulon shëmtimin e mëtejshëm…

Nuk thuhet më kot, Pirro, se atje ku ka shumë punë skllavi, nuk mund të ketë vend për mendim të lirë e krijonjës… Aty mund të jetojnë vetëm idetë e shkatërrimit… Kjo magji e neveritshme e vë në gjumë mëndjen e njeriut, e katandis që të bëhet vegël e urtë në dorën e djallit Paraja e Pistë, një lloj “minerali” nga ku borgjezia nxjerr pa u lodhur Paranë,… prej mishit dhe gjakut të njerëzve.

Është hera e parë që e shikoj Tiranën kaq të llahtarshme; njerëzit nuk më janë dukur kurrë kaq të mjerë, kaq të skllavëruar, por edhe kaq tragjikomikisht kaq të kënaqur për vetëvehten, të cilët lakmia e të ngrënit i ka budallallepsur, dhe ky stomak me ushqime jo bio, më duket se u ka përpirë jo vetëm trurin por dhe nervat… Shkova në disa furra buke, por, çuditërisht, nuk e ndjeva aspak aromën e dikurshme të grurit tonë bio… Më lëndohet shpirti po të flas më gjatë për këta njerëz, e cila më ligështon, Pirro!”

Me këtë frazë e përfundoi përshkrimin e tij G.M. për Tiranën e sotme, duke më cituar plot dhimbje një thënie të Kadaresë: “Nuk e di se çfarë parandjenje ka ky Kadareja, i cili disa dekada më herët pat thënë: Do të vijë një kohë që në Shqipëri do ketë vetëm pleq dhe varre.”… I doli parashikimi, qeratait.

Dhe, pasi e dëgjova deri në fund bisedën e tij, disi nervoze, i thashë:

“Faleminderit miku im G.M., për këtë panoramë tepër realiste për Tiranën e shekullit

XXI… Ç’është e vërteta, të gjitha këto që ju përshkruat për kryeqytetin tonë, janë ato që kanë nxitur në zemrat e turmës ndjenjën e smirës, por jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Them në gjithë qytetet, sepse atje ka ende jetë njerëzore, ndërkohë që sot në fshatin shqiptar ka vetëm pleq dhe varre, sikundër ka thënë Kadareja… Është ndjenja e smirës që tregon varfërinë e shumicës së popullit të mbetur në Shqipëri, si dhe pasurinë e politikanëve e të biznesmenëve të mëdhenj të lidhur ngushtë me politikanët… Për këta dy të fundit populli thotë se janë njerëz të dërguar prej shejtanit….

Vetëm të mënçurit, që për fat të keq i kemi me pakicë, i urdhëron ndërgjegjia të mos lakmojnë tjetrin, por janë ose të panjohur, ose pa ndikim, ngaqë nuk janë të pasur, prandaj dhe nuk u afrohen kurrë as njerëzit e as mediat që paguhen nga politikanët dhe të pasurit...

Shqipëria është korruptuar, miku im, në një mënyrë shumë tragjike nga cinizmi, nga qëndrimi i vrazhdë e i pa cipë i strukturës së klasës së Shtetit; këta dhe biznesmenët janë edhe më të babëziturit pas parasë, sa që në popull është krijuar mendimi, se “politikan” dhe “biznesmen” do të thotë Manjak i Parasë…

Lutem, mendoni pak se ç’marrëzira dhe poshtërsira janë bërë në këtë vend: Shqipëria jonë e bukur, që dje ishte me bujqësi moderne, me industri, me ushtri dhe me edukim të nivelit më se evropian, shpresuam se këta politikanët e sotëm do ta pasuronin e lulëzonin më shumë kur na traguan “çekun e bardhë”; por, në vend që ta pasuronim më shumë, ajo u grabit ngaqë ra në duart e një grupi grabitqarësh, të cilët dijnë vetëm të bëjnë PARA. . . prandaj gjithçka importohet, përfshi edhe zarzavatet dhe perimet. Këta njerëz mendje trashë, tashmë fuqinë krijonjëse të vendit e kanë detyruar të braktisë Shqipërinë gjaku dhe truri i saj.

Politikanët dhe biznesmenët tanë NUK KANË KRIJUAR ASGJË TJETËR, përveç PARASË…

Ndoshta, nuk gaboj të them se, si politikanët, ashtu dhe biznesmenët e pasur

janë shumë e shumë më të varfër se të varfërit, janë të varfër, G.M., se nuk i do njeri, për mos të thënë, se shumica njerëzore i urren… Druaj se do të ndodhi ajo që thotë Gorki te “Zgalemi: “Gjithnjë më tepër ngryset, gjithnjë më poshtë zbresin përmbi detin retë e zeza dhe këndojnë e hidhen valët lart e drejt nga vjen rrufeja. . .

Besoj se, urrejtja që kanë krijuar këta të ETURIT PËR PARA ka për t’i asgjwsuar një ditw, por druaj se, duke shfryrë, bashkë me ta, urrejtja mund të asgjësoi edhe shumë vlera kulturore e kombëtare.”

Këtë përshkrim për Tiranën e sotme, që ia ka bërë G.M., dhe që mua ma tregoi kolegu im Pirro, vendosa ta ndaj edhe me opinionin publik, për të marë përshtypjet nëse i afrohen apo jo realitetit ato çka ka vërejtur G.M.


TIranë, 20 korrik 2023

12 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page