QOFTË E PAHARRUAR JETA DHE VEPRA E PROFESOR MURAT GECAJ!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 25, 2020
- 2 min read

U dëshpërova shumë kur mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të mikut tim të shtrenjtë prof. Murat Gecaj! Një humbje e madhe për ju si familje, por edhe për ne miqtë dhe kolegët e tij të letrave shqipe.
Prof. Murati gjatë gjithë jetës rrezatoi dhe pasqyroi një karakter miqësor e të sinqertë tek ne kolegët dhe bashkëkombësit shqiptarë, duke përcjellë nëpërmjet veprës së tij vlera të rralla shembullore e njerëzore. Ai është autor veprash të spikatura me karakter arsimorë, gjuhësorë, kulturorë, publicistikë dhe atdhetarë. Vlera e tyre ka kohë që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë Mëmë, duke rrezatuar suksesshëm në të gjithë diasporën shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Nëpërmjet artikujve dhe studimeve të tija mbresëlënëse, ai ka krijuar për të gjithë lexuesit vizione për jetën dhe të ardhmen, për t`i shërbyer sa më mirë kulturës sonë kombëtare, gjuhësisë shqiptare dhe publicistikës, që ishte dhe mbeti deri në fund fusha e tij e parapëlqyer e që ai kushtoi vëmendjen më të madhe.
Prof. Murati është nga të parët gazetarë shqiptarë që shkoi menjëherë në Kosovën e çliruar dhe solli prej andej përjetimet e tij reale, të vërteta dhe të spikatura, të cilat pasqyronin luftën e madhe çlirimtare të Kosovës për pavarësi dhe demokraci, por edhe realizimin e ëndrrave të popullit shqiptarë për një të ardhme të ndritur, të bashkuar në një flamur e në një komb të vetëm.
Ai përjetësoi në artikuj dhe studime emra, episode dhe ngjarje të mëdha të asaj lufte të madhe heroike; portretizoi luftëtarë dhe atdhetarë, figura të penës dhe të pushkës, por edhe njerëz të artiti dhe të kulturës shqiptare. Këtë ai e ka bërë jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe Çamëri, edhe duke shkuar vetë me kolegë të tij në këto troje, por edhe duke përcjellë me artikuj dhe shkrime përpjekjet e tyre për gjuhën shqipe, kulturën dhe atdhetarizmin shqiptar.
Vlerat e prof. Muratit janë të njohura veçanërisht në fushën e arsimit, ku ai kryente me përkushtim dhe zotësi edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Arsimtarëve të Shqipërisë. Ndërkaq janë të njohura veprat e tij me temë gjuhësinë shqiptare, kontributi dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Drejtëshkrimit, por janë me po aq vlera edhe portretizimi e jetëshkrimi i figurave të mëdha kombëtare të rilindësave tanë të mëdhenj, ashtu dhe të personaliteteve akademikë të shekullit të kaluar dhe deri të ditëve të sotme. Sikurse ishte e ndjeshme vitet e fundit edhe ndihmesa e tij në portretimin e femrave krijuese në Shqipëri, Kosovë e kudo në trojet shqiptare dhe diasporë.
Që kur e njoha prof. Muratin dhe gjatë gjithë kohës, ai ishte dhe mbeti për mua ndër miqtë e rrallë, njëri me botë të madhe shpirtërore, shokë dhe koleg i vërtetë, një veprimtar i palodhur i atdhetarizmit dhe çështjes kombëtare.
Më lejoni të nderuar familjarë dhe të afërt të prof. Muratit, miq, shokë dhe kolegë të tij, t`ju shpreh dhembjen time të thellë për ndarjen nga jeta të mikut tim të shtrenjtë.
Vepra e prof. Muratit do të jetë e paharruar për mua, për shqiptarët e diasporës, por edhe për brezat që do të vijnë, ajo do të rrezatojë përherë një dritë të shkëlqyer mirësie dhe atdhetarizmi.
QOFTË E PAHARRUAR JETA DHE VEPRA E PROFESOR MURAT GECAJ!
Sadulla Zendeli-Daja
Farjestaden, Suedi.
Më 25 korrik 2020
Pershendetje profesor "Daja"., qe na e solle perseri mes nesh mi8kun dhe shokun e ditur DR. Prof .Murat Gecaj, i cili gjithe jeten u muar me shkrime, si publicist, por edhe me nje seri botime librash. Do na mungoje.