Dr. Luan ZYKA
Në vend të hyrjes
Cilat janë faktet e asaj kohe që kanë sjellë apo gatuar kujtesa të ndryshme për shqiptarët dhe krejt tjetër për grekët!? Kjo pyetje më kish ngacmuar që kur isha student në vitet ’80 në Selanik, deri sa u njoha me disa këngë labe në një botim të Akademisë së Shkencave.
Lufta italo-greke në këngët popullore shqiptare.
Më 28 tetor grekët përkujtojnë një nga ngjarjet më të shënuara të historisë së tyre; fitoren ndaj agresorit fashist italian në vjeshtën e mesme të vitit 1940. Midis disa emërtimeve të ndryshme si; «lufta italo-greke», «to megalo oqi» apo «lufta e dyzetës», grekët e thjeshtë i thonë edhe «lufta e Shqipërisë», për faktin gjeografik se skena e teatrit të luftës ishte më së shumti territori shqiptar, malet dhe gërxhet, luginat dhe lumenjtë e Shqipërisë së Jugut. Përfundimi i luftës me fitoren e popullit grek është tashmë i shkruajtur në librin e historisë.
Por, vetë historia ndërsa përmend dy personazhet e kësaj beteje, grekët dhe italianët, nuk e di për çfarë shkaku hesht për personazhin e tretë të saj, banorin e atyre trojeve ku u zhvillua lufta, shqiptarët. Ishin ata thjesht shikues duke ndjekur ngjarjet prej frëngjive të kullave të tyre të serta, apo morën anën e ndonjërit në fushën e betejes !?
Pa marrë përsipër punën e historianti, ndoshta do të isha i dobishëm për të duke i afruar arkivin më autentik dhe më të gjallë, më të saktë dhe më të pa manipulueshëm, këngën e popullit.
Kam në duar një përmbledhje voluminoze me «Këngë popullore të Labërisë», të folkloristit Fatos M. Rrapaj, botim i vitit 1991 prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mes asaj kozmogonie galaktikash shumëkohëshe dhe shumëngjyrëshe me këngë djepi dhe vaji, fëmijërie dhe burrërie, dasme dhe lufte, lulesh dhe varresh, gjeta një tufë këngësh labe për luftën italo-greke. Për mua ishte si zbulim i një galaktike të re, plot 15 këngë isopolifonike. Dhe kjo lloj këngë isopolifonike e Shqipërisë së Jugut nuk është thjesht këngë me dy, tre apo katër zëra dhe të shoqëruara me një iso rrapëllimë. Ato janë kronikë e jetës, shprehje e ndjenjave dhe mendimeve të shqiptarit të miratuara njëzëri prej isos, si votim mbarëpopullor, që e mban grupi i panumërt i shoqëruesve . Ashtu madhështore dhe të rrepta. Ndaj po me kaq rreptësi përzgjidhen ngjarjet madhore dhe emrat e njerëzve që dallojnë me ngarkesa të tilla energjie, sa mund të ngjiten në këto këngë duke rrezulluar në orbitat e tyre të ndriçme.
Nisur edhe vetëm nga ky fakt i ekzistencës së kësaj galaktike këngësh për luftën italo-greke të vitit 1940, duket se shqiptarët jo vetëm nuk kanë munguar, as nuk janë fshehur, por edhe nuk kanë qenë spektatorë të ftohtë në skenën e saj. Përkundrazi, edhe ata kanë qenë pjesmarrës aktivë dhe me synim të qartë duke u ndeshur si me agresorin fashist, ashtu edhe duke kundërshtuar shërbëtorët e tyre, ata pak mercenarë shqiptar.
Atdheu i shqiptarëve kishte mbi një vit i pushtuar prej fashistëve të Duçes; kaq mjaftonte për të zgjuar sedrën dremitëse kombëtare të çdo shqiptari, sado i karakterizuar prej individualizmit të tij të përmoçëm. Në kushte të tilla, kur luftojnë dy fqinjë të lashtë, ku me të dy ke pasur herë lidhje miqësore dhe herë mpleksje armiqësore, për çdo popull do të ishte e vështirë mbajtja e ekulibrit. Aq më tepër që popullsia shqiptare nuk kishte vec pak vite që jetonte e organizuar në një shtet të vetin kombëtar. Por, përkundrazi, asnjanësia nuk mund të gjejë fole në shpirtin ku vlon kënga isopolifonike, e cila tregon se shqiptarët ishin aktivë në këtë luftë. Krahas njërit fqinj të sulmuar prej pushtuesit të përbashkët, por me një gjuhë të «përkujdesjes diplomatike», ku nga njëra anë lavdërohet heroizmi i bijve të Helladhës përkarshi, kujdes, jo kundër populli italian, por asaj pjese «këmishëzezë të fashistëve të Duçes.
Këto këngë dëshmojnë për një shprehje të ndërgjegjes së emancipuar bazuar në kategoritë themelore të botës njerëzore si e drejta dhe ndihma ndaj me të dobëtit, ashtu edhe në virtyte të lashta të botës shqiptare si nderi, trimëria, burrëria, dënimi i tradhëtarëve etj.
Qëndrimi i shqiptarëve shpallet pa mëdyshje; “Italisë do ja punojmë,/ do t’i biem nga të shkojë,/ se ka ardhur pa na folë”. Dhe nuk vonojnë përkushtimet e para për ndershmërinë e bijve të tij; “thonë gjithë hallall u qoftë,/ për këta ushtarët tanë,/ e mori vesh tërë ajo botë, / që këta grekut s’i ranë”. Apo diku tjetër; “Thatë jemi shqipëtarë,/ të besës e krodhëtarë”, e krenaria shkon e përgjithësohet në emër të të gjithë kombit; “rraca jonë s’ka të sharë, / na nderuat vatanë, / Shqipërinë anembanë”.
Gjeografia e këngëve shtrihet në gjithë skenën e zhvillimit të luftimeve, në Vlorë, e Tepelenë, Himarë dhe Gjirokastër, Korçë e Sarandë ku aktorë përmenden si shqiptarë të fesë islame ashtu edhe asaj ortodokse, si; Ahmet Cani, Spiro Moisiu, Mehmet Dinusha, Foto Gjini, Ali Mersini etj.
Kur propoganda e pushtetit të vendosur prej fashistëve thërret për pjesmarrje në milicinë fashiste, duke përdorur edhe emra të mirënjohur deri tani për shqiptarët si Qazim Koculi, popullit i Mesaplikut ia kthen: “- Qazim Koculi të thonë,/ po këtë nuk ta pranojmë,/ me Greqi ne nuk luftojmë,/ Italisë do ja punojmë”. Apo ku përmendin me përçmim shqiptarët të cilët morën anën e pushtuesit, (në çdo popull ka të tillë), si në Himarë ku stigmatizohet; “Lonidha me ca të liqë”, apo “në Konispol një rrufjanë / na u ngrenë edhe vanë / me fashista italanë !”.
Këngët përshkruajnë qëndrimin e shqiptarëve edhe kur ata i kanë marrë me forcë për të luftuar fqinjin e tij të lashtë të sulmuar prej fqinjit tjetër po të lashtë, por tani i shndërruar në fqinj grabitqar. I këndohet majorit Spiro Moisiu (babait të presidentit të sotëm të Shqipërisë) kur në krye të batalionit shqiptar “Tomorri” u ktheu armët fashistëve italianë: Kush e njeh Spiro Moisinë/ na nderoi Shqipërinëë. Me një përkushtim prekës i këndohet malësorit nga Shkodra e largët, Mehmet Dinushës, i cili me bashkëluftëtarët e tij të baterisë “Drini” jo vetëm i braktisi fashistët por edhe i luftoi, sië thotë kënga; ç’bëri bateria “Drini/ e mori vesh Musolini / vari buzët nga zemërimi”. Dhe malësorin prej veriut të largët M. Dinusha fashistët e ndëshkojnë sepse; ti Mehmet ke bërë hatanë/ me topin që ne të dhamë/ s’vrave grek por Italianë”.
Kur këndon për dy personazhet kryesore, kryesisht për italianët, shikohet ajo përkujdesje diplomatike duke veçuar agresorin fashist nga populli italian. Pothuajse në të gjitha këngët përmenden Duçja, këmishëzinjtë, fashistët si; “Duçe, ç’pate me Greqinë”, “O Duçe të plastë koka”, “O Duçe këmishëzi,/ humbe gjithë atë ushtri”. Ndërsa nga ana tjetër i këndon pa rezerva trimërisë së fqinjit grek (edhe pse si në çdo fqinjësi sinoresh, toke, uji, ajri dhe kulture zënkat e përditshme midis tyre nuk kanë munguar) duke treguar madhështi të rrallë shpirtërore; “Mirë, po kishte pjellë nëna,/ kishte rritur ata drera, / ata trima të Junanit, që/ që i dollën zot vatanit”. Dhe në një këngë tjeter; “Thotë Papagua; - “Duçe çthua ?/ mos i zur qetë me mua, / se vjen burrë e të kthej grua”.
Ky qëndrim i popullit shqiptar i mbështetur jo në përllogaritje interesash të çastit, por në parime të thella të vetëdijes njerëzore tregojnë jo vetëm konstruktin e tij shpirtëror dhe mendor por përbëjnë një dëshmi bazë e palëkundur, edhe në rrebeshet e moteve më të liga, të mirësjelljes me fqinjin e lashte grek.
Dhe kur këtë qëndrim e ka të shprehur në këngë, kjo do të thotë se në kozmosin e tij shpirtëror është formuar edhe një galaktike e ndriçme e cila nuk mund të errësohet prej mugëtirave që ndonjëherë varen mbi kufijtë e dy fqinjëve të lashtë.
Comentarios