QENËSIA E MESAZHIT


Anton Nikë Berisha


QENËSIA E MESAZHIT: “UN MÂ ME SODJET / SHQYPTAR

NUK JAM”


Rreth satirës së Fishtës“Metamorphosis”, botuar më 1907



“Fundi i shekllit të nandëmbëdhetë, mund të thuhet se e gjet popullin shqiptar gati krejt të mpím; vetëm vepra e disa atdhetarve të pakët e zgjoi nga gjumi, e nji pjesë shum të randsishme në ket zgjim kombëtar e ka sigurisht puna e ndritun e prodhimtare e At Gjergjit.”

KARL GURAKUQI


Arsyeja e shqyrtimit


Poezia e Fishtës Metamorphosis, botuar në përmbledhjen “Anzat e Parnasit” (1907), hyn në rrethin më të ngushtë të krijimeve më cilësore të satirës fishtiane. Ajo është dëshmi e pandërmjeme e konceptit krijues satirik, por edhe poetik e kombëtar të Fishtës. Disa nga vargjet e kësaj poezie si “T’a dijë Shqypnija / Prá, e sheklli mbarë, / Se mâ mbas sodit / Un s’ jam Shqyptár” ose “Un mâ me sodjet / Shqyptár nuk jam” tash gati një shekull përdoren në biseda dhe në shkrime me kuptime të ndryshme: herë për të dëshmuar ndjenjën kombëtare të poetit, herë për të mohuar atë e për ta shpallur autorin antishqiptar (siç u veprua gjatë sistemit komunist), herë për të mohuar vetë kombin shqiptar dhe shqiptarizmën. Me pak fjalë, ky mesazh, që shqiptohet nëpërmjet disa vargjeve të përdorura në poezinë Metamorphosis, u shfrytëzua e u keqpërdor në mënyra e në raste të ndryshme, më së shpeshti duke i shkëputur vargjet nga konteksti ku ato gjenden, nga koncepti krijues satirik fishtian ose edhe nga koncepti krijues poetik i tij në përgjithësi. Interpretimet e këtilla, herë nga mosdija e herë nga qëllime të ndryshme, bënë ndikimin e tyre dhe shkaktuan mëdyshje, mbështjellime dhe ngatërresa. Së këndejmi, jo një herë dhe jo vetëm në një kohë, kam menduar rreth këtij mesazhi të poetit e atdhetarit tonë të madh. Mirëpo, herë-herë krijuesi me vështirësi i shpjegon disa punë që i zvarris prej një dite në tjerën dhe prej një viti në tjetrin!

Konteksti ynë i sotëm më bëri që t’i kthehem poezisë Metamorphosis të Fishtës dhe t’i shpreh disa mendime e përsiatje rreth saj.


Satira fishtiane - jehonë e realitetit konkret shqiptar


Në fillim të shekullit tonë, kur Fishta shkroi e botoi disa nga poezitë e veta patriotike e satirike, pastaj këngët e para të epit Lahuta e Malcís si dhe shkrime të llojeve të tjera, jetën e përditshme shqiptare e cilësonte një gjendje e rëndë, qoftë në rrafshin shoqëror, ekonomik e politik, qoftë në atë shpirtëror e moral. Për këtë arsye është fare e natyrshme që krijimet e para të Fishtës, siç ndodh edhe me ato të shkruara e të botuara më vonë, të jenë të lidhura me ngjarjet dhe me gjendjen konkrete ose jehonë e pandërmjeme e tyre.

Fishtën, si dhe intelektualët e tjerë shqiptarë, e shqetësonte pa masë gjendja e popullit dhe e atdheut, për shumëçka e padurueshme, prandaj ai gjakoi forma të ndryshme për t’i bërë të ditur njeriut të tij domosdonë e një veprimi aktiv për ndërrimin e kësaj gjendje – për një zotim më këmbëngulës për mirëqenien e botës e të jetës shqiptare si dhe përparimin e atdheut, Shqipërisë.

Fishta ishte i vetëdijshëm për faktin se sundimi i gjatë osmano-turk kishte lënë pasoja të rënda në mendësinë shqiptare, prandaj ishte i bindur se te një shtresë e shqiptarëve, te të cilët ishin shuar në një masë të ndjeshme fryma patrotike e epike si dhe cilësitë dhe virtytet që i kishin dalluar paraardhësit e tyre, Të Parët tanë, poezia satirike, e gërshetuar me sarkazmë, me ironi e me groteskë, mund të ndikonte në mënyrë të veçantë. Pra, vetëm nëpërmjet kritikës, përqeshjes e thumbimit dhe prekjes në sedër, do të mund të “trokitej” në ndërgjegjen e përfaqësuesve të kësaj shtrese, e cila edhe kishte rol të rëndësishëm në mirëvajtjen dhe në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Së këndejmi, kritika e drejtpërdrejtë dhe e ashpër do t’i nxitte ata të mendonin një herë e mirë për fatin dhe përparimin e botës e të atdheut të tyre.

Duke u përcaktuar për një gjë të tillë dhe duke qenë i vetëdijshëm për mundësinë e ndikimit të artit të fjalës, sidomos të poezisë, Fishta sikur kishte parasysh mendimin e Eliotit, i cili, duke bërë fjalë për kritikën që bëjnë shkrimtarët, për rëndësinë dhe rolin e saj, shkruante: “Kritika është po aq e pashmangëshme sa edhe frymëmarrja… Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore.”


Njëjtësim e vijimësi


Në vitin 1907 Fishta shkroi poezitë satirike Metamorphosis, Nakdomonicipedija dhe Koha e arit në Shqypni, të cilat ndërlidhen mes veti për shumë tipare.

Në poezinë satirike Nakdomonicipedija (satira Metamorphosis për herën e parë u botua si pjesë e fundit e kësaj; më vonë poeti e botoi si poezi më vete) Fishta vë në thumb të kritikës gjendjen e rëndë shoqërore e shpirtërore të shqiptarëve, të cilët, të dhënë pas fitimit e interesave vetjake, kishin lënë anash kujdesin ndaj atdheut. Poezia është shtjelluar në formën e një letre, dërguar Dom Ndoc Nikajt, intelektual e shkrimtar i shquar, i cili atë kohë kishte botuar një libër të historisë së popullit shqiptar. Në fillim të kësaj satire Fishta i përkujton autorit të librit të historisë:

Sod n’Shqynpi, more lum miku,

Histori âsht meteliku.

dhe se shqiptarët po ia thoshin këngës “Haja qênit - pija qênit, / Edhè bjer karaduzênit!”. Pra, gjërat që nuk “pjellnin” napoleona, siç ishte historia, shkrimi e botimi i vjershave ose veprimtari të tjera artistike e shpirtërore, s’kishin asnjë vlerë. Me fjalë të tjera, siç shprehet Fishta, në Shqipëri dija, kënga e historia merreshin për punë dokrrash!

Nga fakti se në Shqipëri njerëzit mirreshin vetëm me punë dhe interesa vetjakë, përbuznin dhe mohonin të mirën kombëtare dhe mi