Tregim nga Fatmir Terziu
Nuk e zuri gjumi atë natë. Deri në mëngjez ndejti me risjelljen në buzë e në mendje emrin që ia vendosën në atë sallë të madhe me duartrokitje dhe ovacione. E tashmë e dinte se ai do të quhej Qefali. E ajo që do të varej tashmë e tutje prej tij do të quhej Qefaliëri. Pra, Qefaliëria e Qefaliut!
Nënqeshte paksa dhe përsëriste këtë emër Qefali, Qefali, Qefali…, e në ndonjë rast i shkiste goja dhe i ngjante se do të quhej Qejfli. Por, zor se e mëdyshte këtë ngatërresë e qeshura e tij. E kjo po bëhej rrjedhë, po bëhej simptomë. Dhe kështu nisën ditët dhe netët të shkruajnë odave me halle rrjedhën dhe simptomën e këtij emri. Dhe pastaj nisën të përcillnin me gaz e me zell tërë atë që lidhej me emrin Qefali. Disa e besonin dhe disa e hamendësonin. Pyesnin të mësonin…
Dikur ishte një Qefali kurioz që të gjithë e donin dhe pakkush e kuptonte, se ai duhej që të duhej në Qefaliëri. Në fakt ai kishte zotërimin e tij tek Qefaliëria. Pas viteve të mbajtjes mbi supe të këtij emri të madh e të rallë, ai ndjeu sikur i mungonte diçka, edhe pse e dinte që humbjet nuk i ndaheshin dita-ditës. Në fillim humbi emrin e tij, pastaj me radhë të gjitha, deri tek dhe atë që ia jepte vetë Qefaliëria. E kështu kishte nisur ta shpërfillte vetëhumbësin dhe pse e ndjente boshllëkun që ia jepnin humbjet. Pas mjaft ditësh ecjeje përpara dhe mbrapa me shpresën për të zbuluar boshllëkun e sapo ndjerë, ai erdhi tek kuptimi dhe vendimi që duhej të merrej prej vetë tij. E quante këtë mision të vështirë, ndoshta më të vështirin nga koha kur ai pa urdhër ua priste kokat të tjerëve, si të ishte ndonjë mbret i vërtetë. E kush mund ta vinte në dyshim Qefaliun e Qefaliërisë?! E kështu, Qefaliu iu afrua shërbëtorëve të tij me misionin e vetë më të vështirë që kishte marrë ndonjëherë. Ai u ul para duartrokitësve të tij, më saktë sherbëtorëve të tij dhe u foli: „Kam nevojë për diçka që mbart aftësinë për të më bërë të lumtur, edhe kur jam i trishtuar, dhe të trishtuar kur jam edhe i lumtur“. Pasi iu dha detyra sherbëtorëve të tij, një shërbëtor nga më të afërtit bërtiti: „Kjo është e lehtë!“ Kaluan disa minuta, askush nuk guxonte të merrte përsipër një detyrë të tillë. Dështimi për të prodhuar sukses do të rezultonte në dëbimin nga Qefaliëria.
Kaluan disa çaste hutimi, kurr më në fund shërbëtori i tij më i besuar u ngrit që të thotë: „Unë do të marr përsipër dëshirën tënde Qefaliu im". Dhoma heshti. Vetëm një rënie lapsi mund të dëgjohej në atë qetësi absolute. Qefaliu buzëqeshi dhe i tha: „Ke 30 ditë kohë për të realizuar këtë, ndaj të uroj fat“. Dhe pastaj ngadalë u përkul dhe e mori lapsin që shprishi qetësinë më parë.
Shërbëtori i ngazëllyem dhe i gaztë në fytyrë, emër e trup u kthye në dhomën e tij të punës dhe paketoi gjithçka që mund të mbante, së bashku me çdo shkresë që kishte shkruar ndonjëherë. Ai udhëtoi në të gjithë vendin, shkeli në qytetet më të pasura me shpresën për të gjetur një përgjigje. Ai mbeti duke mënjanuar së pyeturi shitësit, ngulej së pyeturi vetëm anëtarët shpirtërorë të shoqërisë dhe jo çdo person që kalonte pranë: „Çfarë do të të bënte të lumtur, kur je i trishtuar dhe i trishtuar kur je i lumtur?“ Pyetja e tij pritej vazhdimisht me të qeshura, tallje, habi, ose lihej e shpërfillur.
Kishin kaluar tetë ditë dhe ai nuk kishte bërë asnjë përparim. Çdo natë ai ishte i përhumbur me fjalët e Qefaliut: „A ekziston një gjë e tillë?“ Shpresat e tij filluan të bien. Ditë pas dite, natë pas nate, ai përballej vazhdimisht me dështim për shkak të një koncepti që e kuptonte tashmë se ishte mjaft i vështirë.
Kishin kaluar njëzet ditë dhe ai filloi të zbulonte se çdo natë gjumi ishte pritur me lotë. Thjesht kur kujtonte se kishte dështuar dhe kur kujtonte Qefaliun e bënte atë të dridhej nga frika. Çdo natë ai mendonte: „Si është e mundur të gjej diçka që do ta bëjë Qefaliun tim të lumtur kur është i trishtuar dhe i trishtuar kur është i lumtur?“
Kaluan njëzet e nëntë ditë dhe kthimi i tij për në shtëpi ishte duke e tronditur. Ai kishte dështuar të bënte atë që dëshironte Qefaliu i tij. Kur ai kishte dështuar në këtë pikë, dhe ia kishte marë yqmin vetë kohës, mendoi me vete: „Çfarë kam tjetër për t'i ofruar botës?“
Në ditën e tij të fundit, ai po ecte nëpër qytetin e fundit përpara se të rihynte në Qefaliëri. Shërbëtori eci nëpër qytet me shpresa të humbura. Ndërsa po ecte, një dyqanxhi e ndalon: „Biri im, çfarë të bën të përjetosh një pikëllim kaq të madh“. Shërbëtori qeshi, „Oh, më beso, nuk do të dinit asgjë për atë që po kërkoj, për atë që më pikëllon dhe më mundon. Ju jeni thjesht një tregtar i thjeshtë!“ Dyqanxhiu iu përgjigj: „Biri im, duke mos i dhënë një shans një burri tjetër për t'u shprehur, kërkimi yt nuk do të të çojë askund“. Shërbëtori psherëtiu, „Mirë atëherë, Qefaliu im më ka dërguar në një mision. Ai dëshiron të gjejë diçka që do ta bëjë të lumtur kur është i trishtuar dhe i trishtuar kur është i lumtur.“ Tregtari ndalon për disa minuta dhe sytë i shkëlqejnë: "Unë kam vetëm atë gjë, më ndiq brenda".
Dyqanxhiu rrotulloi sytë dhe ia bëri me shenjë që ta ndiqte nga pas. Ndërsa hynë në dyqan, dyqanxhiu hapi një kabinet. Kur ai nisi të nxirrte një vulë argjendi nga kabineti, shërbëtori e ndaloi, „Ti pret që unë t'i jap një vulë …?“ Dyqanxhiu iu përgjigj: "Merr frymë biri im, qetësohu dhe mos u nxito, unë do të të zgjidh hallin". Dyqanxhiu hyri në pjesën e pasme të dyqanit të tij dhe i kërkoi shërbëtorit të qëndrojë përpara banakut. Kaloi një gjysmë ore dhe shitësi u kthye nga pas, „Kjo duhet ta bëjë atë që duhet ta bëjë, tani shko para se të perëndojë dielli... na konsidero edhe ne herës tjetër dhe mos na quaj dyqanxhi të thjeshtë.“
Shërbëtori mori vulën dhe vrapoi përsëri në Qefaliëri para se të kalonte afati i vendosur prej Qefaliut. Ai u prit me muzikë, verë, gra, edhe pse ai mendonte se nuk ia kishte dalë. Qefaliu e përshëndet: „Mirë se erdhe, çfarë ke për të më thënë mua?“ Shërbëtori psherëtiu me vete, mori forcë dhe i tha: „Kam udhëtuar në të gjithë vendin dhe gjithçka që kam për të ofruar është kjo vulë“. Shërbëtori e pa Qefaliun në sy dhe ia dha Qefaliut vulën që ishte mbështjellë me kujdes.
Në momentin që i tha Qefaliut se tashmë duhet të kthehet në dhomën e tij të gjumit dhe duhet të mbledhë gjërat e tij, Qefaliu fillon të qajë. Muzika pushoi, gratë ngulën sytë dhe çdo sy tjetër i shërbëtorëve u ngul mbi Qefaliun. Qefaliu filloi sërrish të qajë në mënyrë të pakontrolluar, ai zbriti nga podiumi e tij dhe e përqafon shërbëtorin duke e mbuluar me krahë. Qefaliu i thotë: „Ti e ke bërë, ke gjetur diçka që të më bëjë të lumtur kur jam i trishtuar dhe i trishtuar kur jam i lumtur. Unë jam përgjithmonë në borxh“.
Atë ditë në Qefaliëri një shërbëtor u shpëtua nga dëbimi, një turmë mbeti e hutuar dhe një Qefali mbeti i keqkuptuar. Shërbëtori nuk e kuptoi dhe e pyeti Qefaliun: „Më falni, por pse kjo vulë është përgjigjja e pyetjes suaj... është vetëm një vulë.“ Qefaliu u përgjigj: „Nuk e ke lexuar gdhendjen?" Shërbëtori mbetet në ankth: „Jo Qefaliu im, çfarë thotë gdhendja?“ Qefaliu përgjigjet: "Edhe kjo do të kalojë".
ความคิดเห็น