top of page

QAZIM MUSKA - ‘ROL’ PREMTUES NË ‘SKENËN’ E MADHE TË LETRAVE



Vangjush Saro


Qazim Muska ka tërhequr këto kohë vëmendjen e lexuesve me librat poetikë “Mëkat të flesh dhe kur je zgjuar”, “Era s’fryn si më parë’, “Ende s’kemi ardhur”, si dhe me romanin “I yni përballë”. Sensi i së vërtetës dhe të qenit vetja, janë të dukshme në profilin e këtij autori. I vetëdijshëm për kakofoninë në ‘skenën’ e letrave shqip, ai mbështetet fort në motive jetësore, në një realitet kompleks, që di ta lexojë nga shumë pamje. Siç pohon me të drejtë poeti P. Risto në një nga parathëniet e librave, Qazim Muska “ka një gjeografi poetike të shtrirë, një koncept të gjerë për bashkëkohësinë e poezisë.”

Në konceptimin e poezive, duket sikur autori ndjek linjat klasike, ku ndjenja dikton mbi tropet; është ajo që i përzgjedh ato. Qasja në varg, megjithatë, është moderne, pra jo me ornamente të kërkuara, por me penelata të derdhura aty për aty, gjithnjë nga një dorë e mendje e sigurt, pasi që ‘vuajtja’ poetike e ka mbajtur autorin nën presion dhe, fundja, çasti përcjellës është vetëm një shërbëtor i tij dhe i subjektit në fjalë. (“Nuk ka rrezik më të madh se të jesh tepër modern. Mund të dalësh nga moda nga çasti në çast.” Oskar Uajld) I vendosur mirë në truallin e këtyre të vërtetave, jetësore dhe artistike, autori rreh të na zbulojë, bie fjala, ‘historinë’ tonë të vonë, si fakt dhe si ndjesi: E thurrëm më mirë se krimbi i mëndafshit gardhin./ Portës i vumë një dryn të madh./ U strukëm brenda mureve të trashë dhe u ndjemë komodë;/ perla brenda një guaske./ …Kujtuam se do të ishim më të sigurt larg vorbullës që zjente. (“Nuk e menduam”)

Në poezinë e krijuesit Qazim Muska, elementet e kësaj bote, të kësaj jete, vështrohen me seriozitet; çasti, ndjenja, kujtimi, frika, dyzimi, ëndrra; të gjitha kanë një vend dhe kohën e tyre në atë çka ai mundohet të interpretojë; gjë që e realizon me përkushtim e sinqeritet: Ti nuk erdhe/ dhe qielli pikon vetmi./ Asgjë s’pipëtin!/ Ti s’erdhe./ Dhe pritja u bë pishtar/ në sytë e mi. (“S’erdhe”) E nisur shpesh herë nga motive të vetat, në mënyrë të dhimbshme të vetat, poezia e Qazim Muskës merr bindshëm vëmendjen e masës së lexuesve, ndër të cilët shumëkush ka ndjerë dhe ka përjetuar dhimbje të ngjashme, që me kohë formojnë ‘statujën’ e protagonistëve të dashur: Ndoshta ike aq shpejt,/që përherë të mbeteshe i bukur dhe i ri,/si një statujë…/ Si perëndi…!(“Vëllai im”) Dhimbjet janë të ndryshme, intensiteti i tingëllimit të tyre si muzikë që shkon nga balada te simfonia, sipas gjendjes shpirtërore dhe krijuese, është gjithnjë në duart e një dirigjenti që nuk mund të fshehë dot asgjë, për më tepër kur ka në mendje dikë për të cilën trishton aq bukur: sepse… çdo dhimbje e jotja/ më shkërmoq si kallirin,/ mes duarsh të ashpra dëshpërimi./ E në lodër të vockël më shndërron.” (Në lodër të vockël”)



Poezia e Qazim Muskës është njëherësh e fortë dhe e brishtë, e thellë dhe e kuptueshme, e pasur dhe e thjeshtë. Trendi lirik është i pranishëm në të gjitha vargjet e tij; është frymë, është pajtim me gëzimin dhe trishtimin, është ndërkaq edhe një kredhje e guximshme në oqeanin e stilistikës: “Të thashë mos i fryj zjarrit të fikur/ prushit të vjetër të ftohur disi,/ se ndodh të ketë mbetur ndonjë shkëndijë,/ mbuluar me hirin dhe pak marrëzi’’. Le të qëndrojmë vetëm te gjysmëvargu i fundit: ‘dhe pak marrëzi’. Është kaq e fshehtë, me nënkuptim, dërmuese pothuaj ajo… ‘frika’ e ringjalljes së një romance që ka qenë dhe trend të jetë ende grishëse, e bukur, por përvëluese, si zjarri.

Krijimtaria e një autori, nga shumë pikëpamje, është thjesht jeta e tij. Dhe kur kjo jetë, ditë pas dite, vit pas viti, regjistron episode që nuk zhbëhen, mund të themi se ai zë duhet dëgjuar, qasja artistike ka gjetur thelbin e brendisë dhe shprehinë artistike; endja e tij në të shkuarën apo në të tashmen, në sipërfaqe apo në thellësi, është muzikë e orkestruar dhe e dirigjuar me klas. Poeti S. Mato vë gjithashtu në dukje se pjesë e poezisë së tij, “janë tingulli dhe imazhi.” Ja disa vargje që iu prijnë këtyre konstatimeve: O varkëz e vogël, spirancëngulur në re,/ magjinë e kthimit harrove/ dhe rruga mes reve t’u fsheh. (“Fëmijëria”)

Krijimtaria poetike e Qazim Muskës, për vetë vlerat e saj, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e kolegëve dhe të kritikës letrare. Mjaft të përmend disa nga emrat që e vlerësojnë: P. Loli, V. Musta, Z. Çela, Th. Naqo, L. Xhuli, Th. Medi, B. Balliu, N. Ejupi, L. Prifti, A. Shpata, etj. Gjithë në këtë temë, do të veçoja dy momente ku kolegët janë ndalur disi më gjatë: P. Gorica thotë se poezitë e Qazim Muskës “të ngjajnë si copra kronikash të shkëputura nga një jetë që gjallon paprerë, që mbartin edhe vuajtjet, kërkojnë dashurinë e sinqertë dhe gjakosen për të drejtën, e cila nuk e shuan kurrë shpresën”. Edhe kritiku i njohur M. Gjini, qaset në librin “Ende s’kemi ardhur” me një saktësi të admirueshme: “Në shtatë kapituj të vegjël janë hedhur tinguj e zëra, rrezatime të diellit e të hënës, gjurmë, frymë e flakë, penelata ngjyrash, copëra qiellore, yje që ndritin e që bien, portrete e vegime grash e vajzash të dashuruara, flutura që i vërsulen diellit dhe digjen në fluturim e sipër, lule që vdesin e ato që ringjallen si të ishin njerëz, si edhe një botë që ka lindur, është ndriçuar e që mbushet çdo ditë me miliona vegime shumëngjyrëshe.”

Qazim Muska u prezantua fillimisht me poezinë e tij, por shpejt, ai shkoi te lexuesit edhe me romanin e parë: “I ynë përballë”. (Ka disa subjekte e gjetje që e përshpejtojnë qasjen te publiku.) Që në kapitujt e parë të librit, bien në sy: vërtetësia me të cilën autori sjell realitetin e kohës ‘tjetër’; thjeshtësia në të cilën jetojnë dhe rriten personazhet; moria e halleve nën një shtypje e presion ekstrem, përfshi kakofoninë e strehimit; endja për pak dritë e një jetë më të mirë… Të duket sikur në atë rrëfim të sinqertë e të vërtetë gjer në dhimbje, është çdo familje shqiptare e atyre dekadave të vështira, gjithkush mund të gjejë veten në ato episode që përcillen aq çiltazi dhe me një ndjesi maksimale. “I yni përballë” është njëlloj balade për jetën në rendin e shkuar. Romani është ndërtuar si fillim me rrëfime a më mirë ‘interpretime’ episodesh nga pjestarë të familjes; rrëfimet ndjekin njëri-tjetrin, duke sjellë jetë e biografi në dinamikë. Ngjarjet anësore vijnë e plotësojnë atë çka rrëfehet e ngjizet në boshtin qendror të veprës. Jetë të trishtuara. Vdekje e varrime. Vanitet. Bujë. (“Krismat ushtuan mbi heshtjen e varrezës dhe u shuan në hapësirën e paanë të qiellit të vrenjtur.”)



Dalëngadalë, ‘vizatimin’ e tablosë e merr përsipër një nga personazhet qendrore të veprës, djali i vogël i familjes që është në fokus të romanit. Episod pas episodi, vepra hyn në shtratin e një konflikti të madh social, por që heraherës merr ngjyrime politike; midis personazheve të shumtë, vëllai i madh i familjes, vëllai i personazhit të fshehur që realizon krejt rrëfimin e dramën, përball problematikën e kohës si një alternativë e mohuar, si mospajtim, njëlloj rebeli, djalë çapkën, ‘rrugaç’ quheshin ndonjëherë në ato dekada të vështira ata që dilnin nga ‘rruga e Zotit’, në fakt e Partisë; përgjithësisht një djalë kërkues, me pretendime të natyrshme, por ‘i vështirë’. Një dashuri e madhe; një humbje gjithaq jeta dhe fundi i trishtë i këtij personazhi kompleks. (“Asnjë e vërtetë s’e kuron dot trishtimin që ndjejmë kur na vdes një njeri i dashur.” H. Murakami)

Autori nuk bën lëshime; në përjetime dhe në art. Realizmi i prozës së tij është therrës. Atmosfera, përgjithësisht, vizatohet e zymtë për të gjitha familjet dhe për të gjithë protagonistët e librit. Vështirësi ekonomike dhe asi sociale. Thashetheme. Frikë. Lotë. Pasiguri. (“Si re të grinjta spërkatnin me trishtim qetinë dhe monotoninë e ditëve.”) Romani është shkruar me një saktësi që premton shumë. Qëmtimet nga jeta reale, ashtu e ashpër si ajo është, na flasin për një shpirt që po ngulmon për të gjetur dimensionin e vet të shprehjes dhe komunikimit, për sa kohë ka marrë përsipër të rrëfejë për kaq shumë ndodhi, njerëz, çaste, detaje. Ai e përzgjedh fjalën, kërkon metaforën edhe në frazën më të thjeshtë; por nuk është manjak, sikundër disa krijues që e mbysin poezinë a prozën e tyre në një ‘pishinë’ vulgare fjalësh të rralla e në neologjizma shpesh të panatyrshme e gjuhësisht vanitoze. (Ja si shprehet në kulm e në përcjellje të asaj tragjedie familjare: “Qanin pa zë dhe pinin duhan në heshtje.”)

Qazim Muska është një shkrimtar që po e dimensionon krijimtarinë e tij nga koha në kohë. Poezia dhe proza e tij bëjnë pjesë në atë që mund ta quaja letërsi e mirë, e shkruar në mënyrë profesionale, bindëse, me teknikë dhe shpirt, me kërkesa stilistike; është një shkrimtar që po tenton gjithnjë e më shumë të flasë me zërin e vet. E shkruara e tij, siç thashë diku më lart, është e ngjashme me muzikën, në ritme, në theksa, por sidomos në atë çka të lë në mendje e, më në fund edhe në dëshirën për ta dëgjuar sërish e më tej gjithashtu. (“Deti më i bukur ende s’është lundruar...”N. Hikmet)

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page