
1.
Qafa e Gjashtës
Nga Fatmir Terziu
Ndanë Lëkurësit ndalet pamja
frenë e një qielli blu
ka shtangur.
Valët e kristalta dallgëzohen
përmes zmaltit që melos syrin e lagur.
Bukenvilet shpotisin mes vetes
shpërndajnë majanë e bojës
ndërsa pëshpëritjet e kohës,
mbledhin rima,
vargje të bardha si stërkala,
çdo poezi ka sfilatën e saj.
Me çdo bosht të dritës së mëngjesit
mblidhet dielli si në një depozitë.
Me pasion penelatat zbulojnë gjokset
fjalët zgjohen
bëhen ekspozitë.
2.
Liqeni i Butrintit
Bashkë me Triremën Joniane
në një Mëngjes plot fresk
e putha,
i gjithë trupi u mek
si një valë kur syri e prek
si hëna, si një yll
duke u dridhur mbi ujë
kur del
dhe loti i bërë kristal të pret e të përcjell.
E putha,
i gjithë trupi u drodh
faqet e tij shkruanin historinë
nënshkrimi mitik
dhe dielli u ngrit nga shpirti i tij blu
dhe poetët harruan netët e pritjes
u pikturua
Dea e madhërishme në qiell
dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh
vargjet e mia fjetën në një shtrat
me mjaltin e dashurisë.
3.
Në Finiq
Para një nëne të moshuar
përkulem,
i jap një lule të freskët me duar
Ajo: pëshpërit me vete,
një fjalë të huaj,
„Efkharistó polý“
Unë: e mbaj fort në sy.
Si një lutje e qetë
fjalët e nënës dalin nga shpirti:
një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë
nuk mund të dhuroj një lule vëllazërimi,
në jetë.
Ka lule në shpirt, pa shpirt s'ka dashuri!
S'ka poezi.