
Po pse s`më the?!.
Po pse s`të thashë…
Që dashuria është e flaktë?
është e madhe, aq e thellë,
më tej në jetë, asgjë s`ka vlerë.
Tani pres veç një vështrim
prej larg ardhur fluturim,
ardhur ëndrrash ngushëllim;
thellë, thellë shpirtit tim.
Për t’m`i thënë ato të tëra
ato fjalë të pathëna.
Atë zëmër plot si reja
mbushur me stuhi,
trazuar nga rrufeja…
Që s`të lanë e që s`më lanë,
që t’m`i thoshe pak më parë!
Oh, në prill e në pranverë
kur frynte e bardha erë…
Atje te njëqind hektari
ku punoje deli djali.
Nëpër fusha e ugar,
atje te qelqi i tharë..
Nëpër ëndrrat e rinisë
ku mungoi drit`e lirisë.
Atje te ara, te krimi,
atje ku na ish tërbimi.
Fushave lulëzim mbuluar
nëpër jetën e dënuar,
abstraksion e pika loti,
dashuri e një poeti.
Ëndrra ime lozonjare
dit`e net nuk fikej fare.
Ato ditë në vezullime
buzagaz qe zëmra ime.
N’ ato fusha plot me grurë
plot aroma si askurrë,
nëpër mbrëmje e agime,
ku lulëzonte jeta ime.
Kur bajamja çelte lule,
aty ishte dhe zëmra ime.
Lart, lart në ato kodra,
ku na kish zili dhe bota.
Nëpër vreshta me ullinj
të ëndërroja ty përbri.
Si atëherë por dhe tani
syri më pikon për ty.
Sa pak gjëra të kam dhënë!
Oh, sa shumë me zëmër thënë!
Të kam dhënë dhe një rënkim,
një lot shelgu pa harrim…
Ç`qe ky fat lulëz zeher
që na shtiu pikëz helm?
Ç’qe ky fat mbushur katran;
flak`e ujë, tramundanë?!
Tani sulem hap e vrap
n`ato rrugë, n`ato sokakë,
diç kërkoj këtë pranverë;
nëpër muzg e nëpër terr.
Nëpër fusha e livadhe,
nëpër degët me bajame,
atje ku këndoi bilbili
deg`më degë me harbim prilli.
Aty te gjembi, te ferra,
aty ku qau edhe era,
ishin ditët plot blerim;
kur bleroi shpirti im.
Afër tek rruga, te guri,
aty ku më qeshi nuri,
atje te kroi i shtëpisë
ish një cak i dashurisë.
Dhe me hiret djalërie
gjunjëzove zëmrën time.
Dashuri, hazine e thellë
vetëtimë shkëmbinj e erë.
Lësho, mbaj lotët në sy,
të kërkoj nëpër stuhi,
këmbëzbathur, petka çjerrë,
gjirin jashtë, çehreverdhë.
Bjerë këtu, e bjerë atje,
hiqem zvarrë, udhën s`e le!
Pak nga pak petkat më bien,
nëpër ngric`zvarritem, ngrihem.
Më mbulon kjo bor`e bardhë,
në ç`do pjesë të trupit mardh.
Thellë dëgjoj një shushurimë;
është er`e ftohtë, suferinë!
Trup e shpirt i kam në jetë
se më mbron kjo bor` e qetë.
E shoh veten me të bardha
veshur nuse si në përralla.
I them ngricës me zë plot,
se nga ty jam më e fortë.
Eci zvarrë e pa mbarim;
një forcë malli po më shtyn!
Tani që prej vitesh vuaj,
do çaj rrugë dhe vargua.
Do çaj fusha edhe male:
do çaj dete, oqeane…
Udhën ja, seç e kam marrë,
më zien gjaku ndër damarë.
Dhe pse moti borë e ngricë;
un` nxitoj e s`e ndiej hiç.
Tani eci dalëngadalë,
më pengon kjo bor`e bardhë...
Sa çudi, un`po marrosem;
se tek ty dua të sosem.
Trup edhe shpirt po më grihen.
Nëpër shkurre bie ngrihem!
Udhën seç e kam të qartë;
se më pret një shpirt i zjarrtë.
Ngrica trupin ma përfshin,
si një shfarim po më ngrin.
Dukem si kufomë e bardhë;
tek tërhiqem zvarrë-zvarrë.
Prapë se prapë do luftoj,
ashtu zvarrë, nuk do ndaloj!
Nëpër male ku ke mbetur;
mos më lerë zëmër tretur.
Kështu tretur përmes ngricës,
nuk i trembem aspak frikës,
apo shiut fjollash bore;
si ushtri numrash mizore.
Ngjitem, bie nëpër natë,
m` është ngrirë trup`i ngratë.
S`të gjej këtu, as atje!
vallë ke shkuar përmbi re?
Do të bëhem fjollë dëbore
Të më marr`era për dore.
Do të bëhem yll`e dritë;
do të bëhem zogu cikë!
Vallë të bëhem yjësia
të të jap lotët e mia?!
Do të bëhem yjeplotë;
të flakërojmë natën sot!
Ja dhe nata shkojë ngadalë,
edhe vuajtjet shkuan vanë,
Ah, ta zë puthjen pashuar;
Plot me ndjenja përvëluar!
Një zë ndizet brenda meje;
tinguj, shpresë, gëzim hareje.
Do të gjej ty engjëll zgjuar;
mbushur afsh, zëmër gëzuar?
Do t`më duash si hënë mali,
apo si diellin behari?
Do t`më futësh thellë në gji,
që të gjej dallgët tek ti?
U mbyta lotëve kur ti ike,
vitet shpirtit seç m’u shkrinë,
N`ata sy unë pashë ndër vite;
portretin tim brigjeve shtrirë.
Asgjë tjetër s’ndjej veç teje,
ndjenjash sot do bëj potere!
Përmbi gonxhe trëndafili
do t’këndoj me zë bilbili.
Që pas Evës dhe Adamit,
dashuria ngjitet malit.
Ngjitet zbret e ngjitet prapë,
nëpër diej ndizet flakë…
Ndizet kallet ndjenja ime,
si në çastet më intime,
Të pushtojnë ndjenjat e mia;
siç hyn flladi e freskia?!
Po hedh vello gjelbërimi,
vjen pasioni, frymëzimi.
Partitur`e zëmrës sonë;
ka imazh e ka vizion.
Pikë e lotit buzë gremine,
shkruar në pentagram,
duket në horizontin tim;
Si një premtim ideal.
Do më presësh si xanxare,
që të ngas pas puthjes fare?
Do të hyj porsi shigjetë
që përzihet me rrufetë!
Atëherë do shpërthej stuhi,
përmes ndjenjash unë e ti!
Hidh pasionin përmbi mua;
të na rrjedh gëzimi krua.
Ja, ç’ u ndie një stuhi deti,
një kumt, solli një melodi.
Në gjoksin tim përjetë fjeti;
kjo partiturë për simfoni.
Porsi ajri që puthet me detin,
ashtu e ruajtëm sekretin.
Petalet kujtimesh po bien;
e qindra të tjera ngrihen.
Fjalë e lajka s`prita nga askush,
puthje, pasione nga dikush.
Atje ku desha si një e marrë:
atje dhe mbolla fis e farë!
Trupi si bar`i njomë t`më kositej,
të më shkrihej, thellë të më zhytej!
Tërmeti i dashurisë më sfiliti;
në maja kështjellash më ngriti!
Dalldia ime në kufijt`e dashurisë,
aty, pashë forcën e marrëzisë!
Ti mbete nën dritën time të lotit,
liqene në çdo çast të motit.
Ah, vite më erdhe, dhe të erdha pas,
shpirtin deshe e desha ta zbraz!
Zemër, mos harro, më digjje shpuzë;
kur buzët e mia ishin mbi buzë!
Nuk desha jo, vetëm të dimëroj;
dua pranë teje të flakëroj.
Dua trupin tim me tëndin ta qas;
në ferr qoftë a në parajsë.
Që të harroj simfonin`e pranverës,
dehur, boshatis gotat e verës!
Pastaj tek pranver`e harlisur;
dukesh ti nëpër flakë qëndisur…
Opmerkingen