
Fatime Kulli
Ëndërroj krahët e kalit të bardhë ...
Një psherëtimë e ftohtë Si tingulli i kitarës telkëputur... Qetësisht e vetmuar rrotullohet.
U duk se më çeli buzëqeshja e largët... Kur vesha fustanin e bardhë, nën puthjen e ëndrrës së artë, dukej shumë i lumtur...
Unë, materie e buzëqeshjes së trishtuar ëndërroj krahët e kalit të bardhë, të ëndrrës realitet...
Në këtë tingull shpresëkëputur Që kohë më parë I adhuroja tingujt të krijuar dhe formën e kurmit burrëror.
Eh, kujtoj buzëqeshjen e tij të çmendur, që gajasej në sup të mbrëmjeve. nën qiellin e syve të tij çelnin bulëza të paçelura.. Vrapoja nëpër ëndrra të kaltra. U duk se më çeli buzëqeshja e largët...
Ndër gishtërinjtë e gjilpërës
Engjëll shkatërrimtar i shpirtit tim. Dua të tretem nën rigat e shiut të ndjej drithërimat e frymëmarrjes sate, Si lule e pafishkur nëpër gur... Dua të jem gjilpërë, në dritëzën e fundit të pusit të të shoh kur dridhesh ndër gishtërinjtë e gjilpërës, për të rizgjuar ëndrrën tënde...
...puthjet shpëtojnë njeriun...
Dëgjova heshtjen time të nanuriste mbi flokët e hijes Gjarpërinjtë më qeshnin gazin e mbytur tej mallit Thirra hënën të bëj magji me vargje, Kur hëna hapi barkun, më dhuroj një ylber: “Puthe - më tha, - të zhduken hijet, puthe të shpëtosh! Vetëm puthjet shpëtojnë njeriun...”
Nën lëkurë të ajrit...
Në gjinjtë e muzgut përpëlitem Flokët e hënës më varen mbi sup, mrekullisht derdhen sytë e errësirës, si ujërat e bardha në barkun e nënës.
Në prehër të muzgut zgjohem Me trëndafilin e egër në buzë Pabesisht më shpojnë kërcejtë e gazlotit, nën lëkurë të ajrit digjem si shpuzë.
Në këmbë të muzgut gjunjëzohem Gjuhën e ajrit dalldisur puth Vrapoj të këndoj ku çelin dritë-hijet me zërin e fletë-trëndafilit.
...me vezoret e insekteve
Edhe seksi ka filluar të çmendet Nga xhelozia e ethëzimit stinor... Të gjithë janë pronësuar, Shpirtvdekur, ujqër të tërbuar shqyejnë pangopësisht...
Seksi është shumuar Në pyll me vezoret e gjarpërinjve... Në ujë me vezoret e gaforreve... Në tokë me vezoret e insekteve...
Nën rrënjë të hënës ...
Shumë kohë më parë në një kthinë të ëndrrës, theva pasqyrën e portretit tënd. Ciflat e pasqyrës u shkërmoqën në imazhin e ëndrrës...
Degëzat e kohës gumëzhijnë lëndueshëm, jehonën muzikale... Nën fëshfërimën e gjurmëve të pluhurit të puthjes, varrosa nën rrënjë të hënës buzëqeshjen time...
Perëndi fantazmash...
Po të tregoj ty mikja ime e panjohur: Sonte u zgjova trembshëm nga gjumi. Shtrati m’u fundos Nën ujërat e ëndrrës...
Kullosja në livadhe të thella, Tmerrësisht të thella... Nga fundi i parajsës Kundrova flokë të verdha.
Shëtisja dhe këndoja Buzëfrymës më të bukur të planetit, Burrë... s’pyesja për gjëmat e lajmëtarit se po tradhtoja bashkëshortin...
I derdha të gjitha qelizat fisnike Në një arë të artë prej bimësh, Që shkëlqenin si perëndi fantazmash E qëndisën emblemën e bardhë Në dëshirën time.