top of page

PUSHOI SË RRAHURI ZEMRA E BILBILIT TË KËNGES QEMAL KËRTUSHA


SHPENDI TOPOLLAJ




QEMAL KERTUSHA – këngëtari i njohur dhe i dashur anë e kënd trojeve shqiptare nërroi jetë në moshën 91 vjeçare. Ai ishte një nga figurat më të shquara të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare. Lindur në Durrës ai u përfshih në lëvizjen amatore artistike të qytetit qysh në vitin 1946. Në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “A.Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste, kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi te pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera. Ne vitin 1962 është pjesëmarrës i Festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tre këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në shtatëmbëdhjetë festivale rresht, duke u bërë një nga këngëtarët më të pëlqyer në vend. Këngët e tij këndoheshin nga njerëzit kudo që të ndodheshin. Në vitin 1963, ai përgatit dhe jep me sukses të plotë të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijt e Skënderbeut”.

Me Ansamblin e Ushtrisë në vitin 1955 ndërmerr një tur të gjatë shfaqjesh në Kinë, Mongoli, Kore, Vietnam, ish Bashkimin Sovjetik, ku korr duartrokitje dhe vlerësime të mëdha dhe më pas, në vitin 1968, me Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve, përsërit suksesin në Rumani e Bullgari, për të vazhduar në vitin 1970 në Turqi, Algjeri, Marok dhe Egjipt.

Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, ne vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”

Ishte fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave, si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezerit tanë të një gjaku.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të inçizuara në Radio Tirana,

Për korrektesen që e ka karakterizuar gjithmonë, thjeshtësinë, ndihmën dhe përkrahjen e talenteve të reja, dhe për kontributin e dhënë për zhvillimin e kulturës në qytetin e tij e shumë më gjërë, ai është dekoruar me dy medalje pune, Bashkia e qytetit e ka shpallur “Qytetar Nderi” në vitin 2008, dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin “Mjeshtër i Madh”.

Vazhdoi të këndojë edhe pas daljes në pension, sa herë që i kërkohej një gjë e tillë, duke ruajtur si rrallë kush, freskinë dhe magjinë e zërit të tij që e shndërroi në Bilbil të Shqipërisë dhe këngëtarin që i ngriti himne qytetit të Durrësit. Këto ditë sapo përfundoi edhe një film dokumentar për jetën dhe magjinë e artit të tij nga gazetarët Astrit Tahiri, Ruzhdi Gole dhe Gëzim Kabashi. Të gjithëve do t`u mungojë portreti i tij i bukur dhe përherë i qeshur, por zëri i tij ashtu si valët e detit që përjetësisht përplasen në breg edhe zëri i tij i papërsëritshëm, do të përplaset në zemrat tona duke e bërë atë të pavdekshëm dhe Durrësin më të madhërishëm.

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page