Pushim në Amfiteatrin pa emër
Nga Fatmir Terziu
Retë pikturojnë lojën me qënie të çuditshme në kanavac.
Shfaqen, aktrojnë, vijnë, duartrokiten, zhduken,
perdja, është prerë,
është rraskapitur,
është goxha e kastruar,
loja do burra,
loja s'ka burra,
loja do gra,
loja s'ka gra.
E këtë e thonë retë në kanavac.
E këtë e lexon Bota vërdallë.
Po na vëzhgon, sikur të themi: tani s'ka lojë
britma mbaroi, tani që ndiheni të lehtësuar,
se nuk ka më asgjë për të bërë art,
po ju pyes: a është pushim edhe aty Lart?
Pushim në Amfiteatrin pa emër?
Qenkemi me fat,
zërrat janë kyçur poshtë tek themeli,
lojërat do të pushojnë pak,
sepse i tillë është modeli.
Do të kalojë pak kohë dhe ne do të habitemi: me të vërtetë,
tani me të vërtetë nuk mund të bëjmë asnjë duartrokitje?
Dhe ne do të jemi në paqe deri sa Amfiteatri të rivihet në jetë,
do të jemi me fat,
duke u lutur, duke u lutur, duke i kyçur fjalët në gojë
sikur të ishim një kishë e burgosur në diamant,
vetëm duartpërplasës në nevojë.
Comments