PUPËL E BARDHË MBI SUP


Vasil Klironomi

PUPËL  E  BARDHË MBI  SUP

Nga një pëllumb ose nga një re.

Ajo më ndodhi, ndërsa po ecja, fshati vinte më afër dhe bëhej gjithnjë e më i madh përpara syve.

Viti i shtatëmbëdhjetë dhe çezma ku pija i vogël më dha thellësi në grushte, si atëherë kur i jepja ujë gjyshit, se nuk mundte të gjunjëzohej.

Gabim që ika. Këtu dhe për mua mund të thyhej një shtambë.

Të përmbytej avllia nga vallet, këngët dhe lotët, se këtu njerëzit janë aq të mirë, që, kur martohet një, qajnë dhjetë nga gëzimi, si gjithmonë dhe klarineta.

Një  sorkadhe zbriti te çezma më pas... një shtojzovalle... dhe një tjetër.

E, s’ka mundësi, thashë, një shtambë do të thyhet dhe për mua.

Pupël e bardhë mbi sup nga një pëllumb ose nga një re, ose nga një zog tjetër që do të doja shumë ta kisha njohur.

NË PYLLIN QË U FORCUA

Agoi, pemët kthyen fytyrën drejt lindjes së diellit dhe në folenë e ndriçuar, ra veza e parë e një mëllenje.

Ne që i mbollëm, i lartësuam nga toka me frymën tonë, gjersa u lëkundën nga era.

Lamë nëpër degë puthjet tona.

Dhe zogj të tjerë sollën këtu nikoqirllëkun e tyre.

Gardalina, një degëz nga këngët e saj të vjetra. Cinxamiu, një tra prej kashte që të lidhi foleja dhe gushëkuqi, pak lesh nga të deles, që gjeti midis gjembave.

Thëllëzat arhonde shoqërojnë të dashuruarit e druajtur

dhe e bëjnë, (sa mund të bëhet,) më të lehtë dhe më të ngadaltë hapin përpara aparateve fotografikë të të rinjve, që erdhën me autobusët e shkollës të lyejnë me gëlqere trungjet e pemëve.

Këtu u ul dhe sorkadhja që erdhi nga pylli i djegur.

Pëllumbi i egër la në qiell kreshendon e tij, kur dëgjoi motorë shqiponjash në ajër.

Më kujtohet, u mëshoja degëve të provoja në qoftë se ishin gati të mbanin shqiponja, por atje ku mbështesja duart, lindnin filiza.

Tani pylli është forcuar. Herë herë era i prish flokët, në ditën tjetër, bëhet më i bukur.

Zogjtë mprehin sqepat nëpër degë dhe rrahin krahët, fluturojnë.

 VAZHDIMI I NJË POEZIE TË HERSHME

Shpesh në shtëpinë tonë vinin miq, miq që na donin dhe kur ishim shumë të varfër.

Pas përshëndetjeve, pas disa çaste çlodhjesh, nëna ime u tregonte dhomat tona.

Kjo, thoshte nëna ime, është dhoma e Sotirit, që ka një nuse të urtë si plepi dhe një fëmijë të bukur e të shëndetshëm si një larush deti.

Ndërsa kjo tjetra është e Mihalit, që merret me sport, është i gjatë si një lis dhe i gëzuar gjithmonë si mbrëmjet e Nëntorit.

Kjo, është dhoma e Vasilit.

Për dhomën e tretë, në atë poezi, unë kisha shkruar një jo të vërtetë.

Ma kujtonte babai gjatë netëve kur  ftohej, ose kur gjatë ditës, pinte diçka më tepër.

Ka shumë vite që prindërit dhe miqtë na shikojnë nga lartë.

Herë- herë, nënëza ime shtrin dorën dhe vë retë në një anë.

Shtëpia me dyqanin përpara, u thotë miqve, është e Sotirit dhe kjo sipër në malore është e Mihalit.

 Ajo në Athinë është e Vasilit.

Babai pas saj buzëqesh duke i ledhatuar flokët, sikur ta dijë se shtëpia ime është akoma në emër të bankës.

SHIRAT E GËZIMIT DHE TË DASHURISË

Shirat vallëzonin nëpër gurë dhe Povlla,* rimerrte udhën për në det. Nga Zmineci djemtë dërgonin letra dhe në Gravë*, vajzat i ndernin nëpër pemë.

Vetëm ato dinin si të hyjnë në përqafimin e tyre.

Herë  hynin si det, herë si flakë dhe herë si shtrëngatë.

Dhe ngjanin të gjithë, me Apolonin* dhe Afëditën, me  Aristotelin* dhe me Dhiotimën*.

Shirat vallëzonin nëpër gurë dhe Povlla, rimerrte udhën për në det. Nga Zmineci djemtë dërgonin letra dhe në Gravë, vajzat i ndernin nëpër pemë.

*Povlla- lumë që derdhet në detin Jon. *Zmineci – fshat në Sarandë *Grava- fshat në Sarandë. *Apoloni-  në mitologji mbrojtës i arteve të bukura. *Aristoteli- filosof i Greqisë së lashtë, nxënësi i Platonit. *Dhiotima- filosofe.Në Greqinë e lashtë ishte  simbol i barazisë midis gruas dhe burit.

LAKURIQËSI E VËRTETË

Kundërmonin jod orët e para të ditës dhe një vajzë që dielli për herë të parë e shihte lakuriq, hyri në det, e bardhë dhe e bukur si Suedia.

Lashë hijen time të kripur mbi rërë dhe e kalova disa metra, mos vinin dallgët.

Ndërsa ajo, derdhej në det si qumësht.

Hynin e dilnin në ujëra pulëbardhat dhe peshq të florinjtë mbërthenin si me karficë në ajër.

E kisha aq afër! Po kush të më jepte një shtytje?

Vinin drejt nesh tufa cironkash, por në vazhdim, shpresat i pash në ikje. Një breshkë kareta- kareta, por dhe ajo humbi në thellësi.

Nuk ishte e shkruar, thashë. Për detin erdhi dhe jo për mua,

dhe lashë rrëmbat të qetësohen.

Ndërkaq, silfida* kishte dalë në anë ta vishte Dielli me ngjyrën tonë mesdhetare.

*Silfida- zanë në mitologjinë Kelte.,

NJË POEZI PËR SPIRO LLAJON

Një pemë do mbjell në faqen e parë të librit, rrënjë të ketë vargje nga poezitë e mia.

Të ngjitem, të të përshëndes.

Degët e atdheut të të tregoj që shkonin aq shumë në trajtën tënde.

Fole nga zogj të rinj, që shkojnë aq shumë me ngjyrat e njerëzve.

Vajza të qumështa që me gishtat e hollë, krehin nënat për burrat që zgjodhën.

Të të flasë për Marien, fluturën tënde të florinjtë që me qindra – mijëra flutura të tjera kur dalin në fluturim, zgjojnë vullkane.

Rrëkezë vaji,  në rrënjët e së Hënës së Pastër të të tregojë.*

Atje lart kur të vijë, foli Zotit për mua të  kem një vend pranë teje dhe unë këtu, do ndezë qindra qirinj dhe do  bëjë kryqin vetëm një herë, të mos fyej asnjërin përreth .

*E Hëna e pastër- dita e parë e kreshmës për ortodoksët.

 KANARINA

Në hyrje të kishës prisnim Elenin.

Një kanarinë kërkonte për qiell duke bërë figura të verdha gjeometrike, e frikësuar nga vetëtimat, retë dhe nga pemët.

Ah! thashë, mos bjerë kambana dhe ikën.

Me lutjet e mia vonoja ardhjen e Elenit, kanarina të çlodhet në një dorë të hapur.

Në qoftë se do të ishte më e madhe, në qoftë se do të kishte krahë më të fortë do ti bënte ballë shiut dhe erës, po ishte aq e vogël sa hynte në pëllëmbën e mbledhur të një fëmije.

Koha e rënduar dhe të tjerët nuk duronin.

Sa i papërmbajtur njeriu kur nuk shikon përreth!

Ecja në thembra duke u përpjekur të gjej një mënyrë, ta sjellë afër.

Po së fundi Eleni erdhi, kambanat kumbuan dhe në sytë e mi mbetën vetëm figurat e verdha gjeometrike.

 KUJTIME

Ishte atëherë kur binin gjethet dhe, ç’ kishte mbetur nëpër pemë, i hidhte në tokë një dorë e padukshme.

Ne dilnim herët nga shtëpitë kush më parë të shikonte Yllin e Mëngjesit që kishte fuqinë, të ndryshonte fatin tonë drejt së mirës.

Pasditeve, ç’priste syri në rrugë, e vinim në stivë me dimrin.

Ndërkohë mbërrinte bora e parë dhe gratë, flakët mbillnin në vazot prej bronzi, si lulet.

Gratë dhe vera jonë më të mirat e Botës.

Gjashtë gota dhe një kanë qeramike gjeti babai në kopsht dhe i sillte gjithë gëzim rreth bukurisë së nënës.

Vera të ndezë gjakun, thoshte.

Dilte nga brendësia jonë Apoloni dhe seksi merrte fjalën nën mbulesa. Kështu binim në ujdi me dimrin. Shihnim rezervat dhe vazhdimësi i jepnim.

Po dukej qartë që moti do të ndryshonte, se shpendët dhe strehët e shtëpive hapnin krahët, të dilnin zogjtë dhe fëmijët të loznin.

Ne shpejtonim kush i pari të shihte Yllin e Mëngjesit që kishte shtyrë të shumtat drejt së mirës.

Si pranverë, si dimër,  në fshatin tonë përherë binte borë.

Vetëm ta doje, me gishtat e duarve rrënjëve u jepje frymëmarrje.

Më kujtohet, dashuria rrëmihte tokën rreth këmbëve të adoleshentëve dhe të lumturit menjëherë hidhnin shtat. Mbi supe u binin petale dhe mullinjtë viheshin në lëvizje.  

   NË UDHËTIMIN TIM TË PARE ME AEROPLAN

Na uruan mirëseardhjen vajza të urta, që dhe vetëm ti shikosh nga lartë poshtë, duhet kohë.

Në radhë, ndenjëse të shumta dhe në paraskenë, piloti ndezi motorët, aeroplani të ngrihet mbi themelet qiellore.

U tremba, se mos më shikon Zoti dhe, për vitet që nuk e besoja, në ndonjë hon na rrëzonte, megjithëse dy copëza deti më shoqëronin, për çdo të papritur në të butë të bija.

Motorët zhurmonin aq,  sikur thithnin çdo gjë të dukshme në qiell.

Pas dy-tre minutash u gjendëm  mbi re. Poshtë, pambarimësi ngjyrash në venitje. Malet e lartë më bënin shenjë duke shkundur ngricat. Shiko! Aq ishte frika.

Dhjetë mijë këmbë lart tokës mjaftojnë të frikësohesh. Sillja vështrimin përreth dhe në të përkryerat  kërkova verë të qetësohem. Foli Methimneu.*

Për një çast besova se bukuria lindi dhe u zhvillua në ajër.

Ndërsa zogu i metaltë në lartësitë shtoi shpejtësinë, më gojëmbla më fliste për dy muzikat e detit që më shoqëronin.

Pas tre orëve në ajër, shpikja njerëzore filloi të ulej dhe jashtë dritares dielli imitonte Zotin duke përshëndetur.

*Methimneu-Verë  Mitilini.(Lesbos) Në Greqinë e lashtë emri i verës Methimneu kaloi si epitet i perëndisë Dionis.

 ËNDËRR  ME VAZHDIMËSI

Pash në ëndërr, sikur luanin shqiponja me shqiponja prej letre dhe kur dolën në qiell u përshëndetën si kushërinj të largët që rallë takohen. Ç’ zgjim i bukur. U vesha, u stolisa dhe me që nuk do të vonohesha, thash të ketë muzikë shtëpia dhe le të mos jem brenda. Janë këtu disa kukulla të gëzuara që nisin menjëherë në vallen. Zakonisht takoj në rrugë emra që më ëmbëlsojnë gojën. Po ku ta dija se me ullirin e parë që do të takoja, udhëtim qeramik do merrja? Kaq shumë u vonova. Kur u ktheva, gjeta flet-gjobën te porta. -Kukullat- më thanë komshinjtë -herë tjetër t’i  lësh të pa kurdisura. Vajza që dolën nga librat na folën me fjalë të ndyra. Një  maestro i moshës së tretë zbriti nga fotografia dhe na kërcënonte. Do mbledhim firma të të zbojmë nga pallati. I dëgjoi ulliri dhe tregoi dëshirën e mirë të më ndihmonte. Nxori në pah bukurinë. Panë komshinjtë sytë e jeshiltë, të qajnë me lot të zinë, ulën tonin e të folurit dhe duke e ledhatuar më thanë: -Të mos përsëritet gabimi.

FLAUTI DINAK

Me që na pëlqejnë meloditë, me një flaut na sollën gjer në buzë të honit. Poshtë shkëmbinj të mprehtë. Dallgë të zhurmshme lajnë pellgjet e vdekjes dhe Karonti* i numëron një nga një.

Të shumtët të pathyeshëm, akoma që nga prejardhja, megjithatë,

gishta u zvarritën të kapen në përpjekje, thonj nuk mundën të mbërthehen në këmbëngulje dhe gjurmë hapash që nuk ndaluan ose nuk donin të ndalonin.

Të gjithë krijues. Të plotë.

Kriposte deti  peizazhin e pafajshëm dhe nga ngurtëzimi i kripës, mbante erë jodi bota e përtejme.

Shkëlqente pasqyra e detit dhe Karonti bëri përjashtimin. Pa interes* çoi shpirtrat në lundër.

Ata që i kishin borxh shtetit dhe u rrezikohej liria, u hodhën pa thënë fjalën e fundit. Ata që kishin borxh bankave dhe panë pasurinë e tyre të shpërthejë në ajër, u  gjendën në erë me mendjen te trashëgimtarët.

Ai  merak udhëtoi që nga epoka e Solonit*gjer në ditët tona.

Ne, ne që nuk guxuam bëmë mbrapa dhe me një mijë të tjerë hodhëm nga një lule në tempullin e tyre.

Flauti dinak vazhdonte meloditë.

*Karonti-mitologji-lundërtari që çonte të vdekurit në portën e Hadit. Pa interes*-sipas mitologjisë, që Karonti të çonte me lundër të vdekurit në portën e Hadit, të afërmit duhej të vinin në gojën e të vdekurit një monedhë. *Soloni-ligjvënës, filozof, poet (639-559 p.e.r).

DIKUSH I DËBOI

Sivjet kukuvajka u dëgjua herët.

Në këtë periudhë perënditë përgatiteshin për të mbjellat.

Në një anë të qiellit mblidhnin retë. Midis gurëve, disa rëkeza të vogla, i kishin gati për lumenj.

Si zakonishtë, dëgjoheshin goditjet e Hefestit,* që gatiste parmendat në kudhër.

Mora maloren për në tokat e perëndive.

Përpara tyre, çfarë ke për të thënë, do ta thuash një herë

dhe nxora shaminë të fshihem, në se do të duhej, ta shtrydhë, të krijojë një det.

I fola Zeusit, babait të perëndive dhe Zot e fenomeneve të motit.

Dhimitrës, perëndeshë e bujqësisë dhe mbrojtësja e bujqëve. Hermesit, lajmëtarit. Po përgjigje nuk mora.

I  fola Hestisë*, që në atë periudhë shoqëronte dimrin gjer jashtë te guri.

Më dëgjoi bariu i zonës dhe me kulprën e tij magjike, me një lëvizje të vetme ndërroi drejtimin e tufës, të syve të mi dhe të erës.

-Nuk rezistuan- më tha. -Pas vdekjes së trimave nuk mundën. Dikush i dëboi- vazhdoi të thosh duke ikur. 

*Hefesti- Zoti i zjarrit, i qiellit dhe i Tokës. Sipas Homerit- i biri i Zeusit dhe i Herës.

*Hestia- perëndeshë e jetës familjare.

PËRRALLË

Një herë e një kohë, në një fshat të vogël e të largët, hodhi shtat një rrap. Pastaj hapi aq bukur degët sa hija nuk i largohej nga përqafimi.

Krah tij,  dhëndurët e vegjël ndjeheshin burra dhe burrat idealen kërkonin.

Atë vit u zverdh  para se t’i vijë ora. Panë biologët se mos ishin pa zë burimet, po në ujëra gëzimet kurrë nuk kishin ndalur.

Dhe gjinkallat për të këndonin.

Qysh atëherë pleqtë pinin kafe dhe heshtja thyhej vetëm kur kërcisnin karriget e vjetra.

Plakat, ligësitë e të tjerëve me gisht tregonin.

-Po vdes, po vdes nga meraku-! thanë biologët duke i ledhatuar lëkurën.

I dëgjoi dielli dhe me gjithë shpirt, i ngrohte trungun çdo ditë.

E lante qielli dhe era, pak më tutje mbolli për të një selvi. Selvia herë i shpinte ledhatimet, herë  puthjet gjersa dalë-ngadalë, rrapi hapi sytë.

INTRIGA

Diçka kurdisej në qiell.

Kelenoja* hipte e zbriste vazhdimisht, aq sa meteorologë  të ndjeshëm dhanë dorëheqjen nga posti i tyre.

Hëna vazhdonte nismën e saj akoma dhe ditën, e shoqëruar nga dielli.

Qyteti i vogël shikonte detin, ndërsa qytetarët, çuan vështrimin drejt qiellit.

Nuk ishte tym. Avull njeriu ishte. Në fillim ulët, pastaj u ngrit menjëherë lartë.

Shpirti i diktatorit shkonte në parajsë.

U dëgjuan kundërshtime, ndërsa ne, ishim të lidhur në murin e Spileut.*

Vrapoi Zinonos* dhe mblodhi anarkistët, po i përndjekuri kaloi sferat qiellore.*

Dhe na pret një nga një.

*Keleno- një nga pesëdhjetë vajzat e Danaosit e cila  vrau burrin natën e parë të martesës. *Murin e Spileut- Νë librin «Shteti» i Platonit. *Sferat qiellore-sipas Aristotelit, tej planetëve është parajsa.

 GREQIA

Në këtë tokë që të marrësh një shat në duart e tua, duhet të mbartësh brenda vetes historinë e saj.

Ta punosh me kujdes, se  mund të zgjosh një luftë ose pa dashur, të thyesh shpatën që hyri thellë në stomakun e pushtuesit.

Mund të trembësh një Afërditë* të mermertë që pret dikë ta marrë në përqafim, ta puthë, ta përkëdhelë.

Në këtë vënd që quhet Greqi, po të thyhesh një degë ulliri dikush do të lotojë.

Me çfarë mbjellin shkruajnë një fjalë të urtë.

Lumenjtë që zbresin nga malet janë damarët që humbasin në pëllëmbët e duarve të tyre.

Në këto brigje po të pish një kupë me verë, qetësohet deti dhe shikon në thellësi grepin e gurtë në buzët e skorpionit të lithografisë.

Po të pish më shumë të shoqërojnë të gjithë në këngën tënde.

*Afërdita-perëndesha e dashurisë dhe e bukurisë.

#vasil #klironomi

5 views

Shkrimet e fundit