top of page

Punoj në profesionin e nderuar të … hajdutit.




Punoj në profesionin e nderuar të … hajdutit.

(Letër lexuesit tim)

E di pa më thënë askush, se të deklarosh hapur, pa t'u dridhur qerpiku se profesioni yt është ai i hajdutit, nuk bën përshtypje të mirë tek lexuesi, madje as në pikëpamje estetike, por unë nuk mund të tregohem gënjeshtar e të sajoj si profesion timin ndonjë zanat që nuk e kam ushtruar kurrë. Dhe ti i dashur lexues, mos i rrudh ashtu buzët, se nuk e shpika unë këtë profesion. Të tjerë njerëz më të sofistikuar se sa unë e kanë shpikur, këtu e shumë kohë më parë. Siç kam lexuar diku, ideja për të punuar si hajdut lindi së pari si domosdoshmëri për t'u rënë shkurt disa gjërave si fjala vjen, endja nëpër zyra për të kërkuar punë apo futja gjithandej e miqve për të siguruar një karrige në ndonjë zyrë shteti a privati. Unë për vete e gjej me vend këtë lloj justifikimi, thjesht sepse nuk kam kohë për të bredhur zyrë më zyrë, se sa për miq, kam gjithandej dhe për fatin tim të mirë, të gjithë kanë qëlluar të kenë të njëjtin profesion si unë, hajdutë.

Më kujtohet që ditën e parë të punës e kam filluar në një autobus linje. I Unazës më duket se ka qenë. Pashë një vajzë torollake që po fliste në telefon fare e shkujdesur dhe e kishte lënë hapur çantën. Futa dorën në të si të ishte çanta ime ngaqë xhepi i saj më binte si për dreq mu përpara dorës së djathtë. Ngaqë ishim shumë ngjitur, dukej sikur ishte çanta ime, me të vetmin ndryshim se vajza e kishte vënë pas shpine, kurse unë e kisha varur në qafë nga përpara. Hapa zinxhirin dhe gjëja e parë që më doli përpara ishte portofoli. E mora dhe e futa në xhepin tim dhe u bëra jo vetëm me para por edhe me portofol, pasi nuk kisha mbajtur ndonjëherë ndonjë të tillë. Kur zbrita nga autobusi, hyra në një kafene, zura një tavolinë dhe porosita. Hapa portofolin dhe pashë se vajza më kishte nderuar. I kishte nja dyzetë mijë lekë (të reja në të dyja kuptimet). Siç duket sapo ia kishin sjellë prindërit për të paguar konviktin ose i dashuri nga jashtë shtetit. Piva kafen, pagova dhe i hipa përsëri autobusit. Çdo ditë i njëjti avaz: vajza të shkujdesura, djem të pavëmendshëm, pleq të hutuar dhe lekët sa vinin e shtoheshin. Nuk ishte aspak meritë e imja, as faji im. Njerëzit duhet të tregohen më të kujdesshëm kur udhëtojnë sepse edhe po nuk ua mora unë portofolat, ka plot të tjerë si unë, madje shumë e shumë më të shkathët.

Kështu, për dy-tre vjet, bëra goxha lekë dhe një ditë, pasi u mendova shumë gjatë, i dhashë karar që të ndërroja vendin e punës. Kisha filluar të bija shumë në sy në autobus, njerëzit kishin filluar të më shmangeshin, ndonëse unë vishesha çdo ditë e më mirë për të mos u dhënë shkak. Por kisha filluar të bija edhe në sy të hajdutëve të tjerë dhe mund ta pësoja sepse ata punonin në grup kurse unë fare i vetëm dhe nuk mund t'u bëja ballë. Nga vështrimet që më hidhnin kisha nuhatur se ma kishin bërë benë. Ndaj, pas një bisede të gjatë me veten, mora vendimin e parevokueshëm për të ndërruar vendin e punës.

I telefonova një miku të fëmijërisë që kishte bërë goxha karrierë në partinë më të madhe të vendit dhe e takova të nesërmen në një nga lokalet më të shtrenjta të kryeqytetit. Lekë kisha dhe nuk e kisha problem luksin e lokalit që frekuentonte shoku im deputet. Edhe veshjen e kisha shumë të përshtatshme. Kur më pa shoku im, pa ma dhënë ende dorën, më hodhi një vështrim nga koka gjer tek këmbët dhe duke u afruar për të më përqafuar më tha:

- Paske bërë goxha përpara. Mos ke ngritur gjë ndonjë fabrikë mielli dhe unë po e marr vesh i fundit?

- Jo, iu përgjigja, - po ideja po më tërheq.

U ulëm dhe u pyetëm më gjatë me njëri-tjetrin. Tani që isha bërë hajdut, nuk më hynte më në punë ndershmëria, ndaj i tregova mikut tim një përrallë që kishte si personazh mua, një refugjat nga të parët që u hipën anijeve, që pati guximin e të marrit, që bëri nëpër botë punë nga më të rëndomtat, që i kaloi shumë net poshtë urave të kryeqyteteve evropiane, por që më në fund ia doli. Në kohën e duhur, në vendin e duhur, takoi njeriun e duhur: i shërbeu një pasaniku për vite me radhë dhe u bë si biri i tij i vetëm. Para se të vdiste, ai firmosi para noterit aktin e trashëgimisë, e cila iu la si dhuratë djaloshit shqiptar, me zemër të madhe, që u kujdes për plakun më shumë se për babain e tij të cilit nuk mundi t’i shkonte as në varrim.

Të paska buzëqeshur vërtet fati, - më tha shoku im dhe pastaj shtoi:

- Po tani, ç’ke ndërmend të bësh?

I shpjegova se pikërisht për këtë kisha kërkuar ta takoja. E kisha ndarë mendjen të punoja në shtet, mundësisht në ndonjë sektor që prodhonte para sepse me to tashmë kisha rënë këmbë e kokë në dashuri. I shpjegova se më duhej vendi i ndonjë drejtori atje ku bëheshin tenderët. Kisha dëgjuar se aty lekët mund t’i peshoje pa qenë nevoja t’i numëroje. I shpjegova shokut se ndërkohë që nuk ishim takuar që nga shkolla tetëvjeçare, unë kisha bërë goxha përparime me shkollimin. Kisha përfunduar me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme. (Drejtori që më mori pesëqind mijë lekë për dëftesën, i kishte vënë të gjitha notat dhjeta). Me atë mesatare që pak të tjerë mund ta kishin, m'u hapën të gjitha dyert e universiteteve, shtetërorë e privatë, kush e kush të më merrte, madje duke më dhënë edhe bursë të plotë. Por unë zgjodha një universitet privat, më të fortin në vend. U paraqita ditën e parë për formalitetet e regjistrimit dhe pas tre vjetësh për marrjen e diplomës. Përsëri notat dhjeta nuk m'u ndanë. Kur të kem krijuar familje, ata rezultate do t’i afishoj nëpër mure që të shërbejnë si shembull i mirë për rezultatet e fëmijëve në shkollë dhe për të sfiduar time shoqe që nuk besoj se do t’i ketë të gjitha dhjeta si unë.

Shoku im u habit sepse në tetëvjeçare nuk kisha shkëlqyer kaq shumë. Po njeriu ndryshon dhe ai e hëngri ndryshimin. Më vonë mora vesh se edhe ai, shkollimin e kishte pasur të ngjashëm me timin, me përjashtim të rezultateve që i kishte më të ulëta. Mendoja se rezultatet e mia do ta bënin xheloz por jo. Përkundrazi, buzëqeshi dhe më tha:

- Qerrata! Më befasove! E kam që tani në mendje vendin se ku mund të të dërgoj, por bëj kujdes. Kujtohu që një pjesë e atyre që do të fitosh, na takojnë edhe ne të tjerëve. Kemi familje për të mbajtur, kemi edhe të dashur që na kushton sa dhjetëfishi i familjes, dhe më shkeli syrin.

- Po ti, - më pyeti, si je nga kjo anë ? Apo me të huaja ti, nuk i begenis këto tonat!

- Jo, i thashë, - nuk kam pasur kohë për këto gjëra. Puna që bëja ishte me shumë përgjegjësi dhe më duhej ta bëja gjithçka vetë. Po kur të jem atje ku ju mendoni të më dërgoni, do të mendoj edhe për këtë gjë. Më kanë thënë se sekretaret i zgjedhin vetë drejtorët. Do t’ia nis me sekretaren njëherë dhe pastaj si të vijë puna.

- Dakord, - më tha shoku. Flasim nga java që vjen.

Që nga java që erdhi, dhe gati prej tetë vjetësh, kam qenë një ndër drejtorët më të suksesshëm. Kam hapur nja tre llogari bankare; një e kam në vend (e mbaj me aq pak lekë sa të mos ngjall kurrfarë dyshimi), kurse dy të tjerat i kam jashtë vendit, në banka shumë të sigurta. I kam mbushur aq mirë sa mund të mbaj jo vetëm familjen time, familjen e të dashurës, por edhe shumë familje të tjera. Po tani për tani nuk kam ndërmend t’i prek. Le të rrinë aty ku janë e të shtohen! Nuk i dihet kurrë jetës. I kam fituar me mund e me djersë. Kam vënë duart në rrezik. Mund edhe të m'i kishin prerë, si atëherë kur i fusja në çantat e vajzave të shkujdesura në autobus, ashtu edhe tani që i kam futur në arkën e shtetit. Por tani ama, shanset janë më shumë që të mos m’i presin dhe të vazhdoj t’i përdor deri sa të jem në këtë jetë. Me lekët që kam fituar mund të paguaj avokatin më të mirë, mund t’ia heq trurin edhe prokurorit. Gjithsesi, do Zoti, nuk shkon puna gjer aty, se ku i dihet?!

Dhe tani i dashur lexues, e shoh që e ke ndryshuar shprehjen e fytyrës. Nuk po i rrudh më buzët si në fillim. Më duket se tani po rrudh ballin, apo nuk është kështu? Po mendohesh se si është e mundur. Hiqja rrudhat ballit se nuk ia vlen. Është e mundur që ç'ke me të! Ë bëra unë, e kanë bërë shumë të tjerë para meje, do ta bëjnë më shumë të tjerë pas meje, mund ta bësh edhe ti. Po, po. Duket e pamundur por bëhet që ç'ke me të. Provoje dhe flasim!

19 views1 comment

1 opmerking


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
11 sep. 2022

I dashur Sefë,

Ju lutem, duhet të keni më shumë respekt për lexuesin dhe të mos e fyeni kur shkruani “profesioni i hajdutit nuk bën përshtypje të mirë te lexuesi”. Jo, e keni gabim. Përkundrazi, lexuesi kënaqet nga mjeshtëria juaj, si një hajdut mjaft i shkathët. Sepse mjeshtëria e hajdutit është ajo që po na i shton radhët e miliarderëve në vendin tonë, se milionerët nuk i zë kush në hesap.Nesër-pasnesër bota do të thotë: “E vogël vërtetë është Shqipëria, po shikoni se sa miliarderë që ka, saqë nuk krahasohet dot as me ndonjërin nga vendet që ka përreth me shumë më tepër sipërfaqe dhe milet. Se vërtet Shqipëria po shpopullohet, por ama miliarderët e saj po shtohen më shumë”.…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page