top of page

PUBLICISTIKA IMPRESIONUESE E IRFAN DASHIT


Shënime për një vepër në koherencë me realitetin e sotëm shqiptar




Halil RAMA

Shkrimtar & publicist –“Mjeshtër i Madh”



· Ky libër, në tërësinë e tij është produkt i një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën. Në faqet e tij gjen jetën, njerëzit, atdheun, finesën kulturore, krenarinë dhe dashurinë mëmëdhetare, përmes temash që trokasin në mendjen dhe zemrën e autorit I.Dashi



Irfan Dashi, një emër shumë i njohur për publikun, jo vetëm në kryeqytetin shqiptar por thuajse në gjithë vendin, si sindikalist, politikan lokal dhe drejtues i suksesshëm i disa ndërmarrjeve e institucioneve, ish-kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.6 (Kombinat) Tiranë, për dy mandate (2000-2007), drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit të Bashkisë Tiranë dhe Rezervave të Shtetit, pas botimit të librit të tij të parë Kam punuar me Edi Ramën (2022), kësaj here vjen si befasi për lexuesin me librin e dytë: “Kohë e artë për pehlivanët”.

Qoftë edhe nga titulli intrigues i librit, që në fillim hamendësojmë për një vepër në koherencë me realitetin e sotëm shqiptar.

A nuk janë vërtetë në koherencë me aktualitetin e sotëm tema si: “Sot, të jesh i poshtër është e modës”; “Mundësia historike dhe absurditeti shqiptar”; “Pragmatizmi i pushtetarëve”; “Pushteti i Badigardëve”; “Konsumi i marrëzisë politike i politikanëve shqiptarë”; “Po ikin Vip-ët e krimit”, .....etj (kapitulli I), që autori i trajton më sëmiri nëpërmjet një publicistike impresionuese?!

Ndërtimi strukturor i veprës në katër kapituj: (I)-Për politikën dhe fenomenet politike të kohës; (II)-Portrete personazhesh të spikatur, intervista, reportazhe e vëzhgime; (III)–Politika sindikale, marrëdhëniet e punës, opinione për legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës etj….; (IV) -Jo vetëm shënime udhëtimi... si dhe lënda mjaft e pasur dhe e larmishme e librit me publicistikë, ese, portrete njerëzore e intervista, e bëjnë atë tërheqës.

Ndonëse në fokus janë analiza, ese dhe refleksione, të frymëzuara kryesisht nga ngjarje të viteve 1993-1999, ku autori është investigues, tema të tilla janë të prekshme edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se tri dekadash tranzicioni shqiptar të tejzgjatur.



Autori Irfan Dashi është konkret përballë kësaj përgjegjësie historike, kur trajtimin e këtyre temave e bën duke shtjelluar perifrazime të të mëdhenjvë të politikës e letrave si: Malaparte në librin e tij “Kaput 1943”: “Të jesh i poshtër është moda e fundit në Itali. Të gjithë janë bërë të poshtër: mbreti, papa, Musolini, princat, kardinalët e gjeneralët”; Xhorxh Oruwell: “Të gjitha kafshët janë të barabarta por, disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”; Nolin e famshëm:“Kur mbreti vjedh një vezë, ministrat përlajnë tërë pulat e fshatit”; të urtin gjer më madhështi Arbër Xhaferi kur thotë se: “Politikanët shqiptarë po konsumojnë marrëzinë e tyre politike”, apo edhe thirrjen e Ana Oxës:“Politika shqiptare të shohë më larg se kolltuqet, të lë mënjanë grindjet e interesat e ngushta, e të rivalitetit për përfitime” është apeli, që del nga thellësia e shpirtit të një gruaje, e cila ka ndër deje gjak shqiptari dhe kërkon që, energjia ndërkombëtare e harxhuar dhe gjaku i derdhur nga populli kosovar të shfrytëzohet për ndërtimin e paqes e demokracisë, sepse…. siç thotë Ana, ne i tregojmë botës që na ndihmoi, por edhe vetes se e meritojmë fjalën e madhe e të rrezikshme që quhet Liri…

Si redaktor i librit, që në leximin e tij të parë pikasa e përftova një plazmim estetik të ngjeshur në përfytyrime, imazhe të reja dhe origjinale, mesazhe të qarta dhe sinjifikative, tekst e nëntekst, gjeta të plazmuar përditshmërinë dhe, njëherësh, pashë të gëlonte historia, e tanishmja si dhe e nesërmja e përfytyruar sipas vizionit të këtij autori.

Më të dukshme këto në kapitullin e II-të: “Portrete personazhesh të spikatur, intervista, reportazhe e vëzhgime”, ku autori i kësaj vepre profilizon mjaft mirë artististikisht personalitete si: Mjekët e Poliklinikës së Specialiteteve nr.2 në Tiranë, pasi për të tillë njerëz ka nevojë kjo kohë, ka nevojë ky vend, kanë nevojë shpirtrat e lënduar të shqiptarëve. “Të njohësh këta njerëz është kënaqësi, të rrish me ta është nder dhe privilegj dhe të vizitohesh nga ata është fat”. Apo dhe Muhamet Rrumbullakun, për të cilin autori shkruan se: “Fytyra e krimit dridhet tashmë nga profesionalizmi dhe përkushtimi i kolonelit”. Ndërkohë, në këtë kapitull, mbresëlënëse janë intervistat e autorit me: Bejkush Birçe, një nga korifejtë e bankinës së futbollit shqiptar; me ish-futbollistin e njohur të “Partizanit”, Gjergji Thaka, si dhe “Biseda me miq sindikalistë nga Italia”, sipas të cilëve“Puna sindikale duhet të jetë dinamike”.

Parë nga ky këndvështim, në këto portrete, biseda e intervista, s’është e vështirë të kuptosh se si Irfan Dashi di të depërtojë në botën e brendshme të personazheve në mënyrë realiste e objektive, atë çka ata mishërojnë dhe përçojnë te publiku i gjerë.

Për Irfan Dashin, Lëvizja Sindikaliste, problematikat dhe pëpjekjet e instancave shtetërore e të individëve të veçantë për ta shuar atë, ka qenë shqetësim permanent. Ndaj dhe në harkun kohur të një dekade (1991-2000) ka shkruar e botuar dhjetra artikuj problemorë, vëzhgime e analiza të mirëfillta në gazetën “Pasqyra”, (të përmbledhura këto në kapitullin e tretë të këtij libri: “Politika sindikale, marrëdhëniet e punës, opinione për legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës etj…”.

Ky libër, në tërësinë e tij është produkt i një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën. Në faqet e tij gjen jetën, njerëzit, atdheun, finesën kulturore, krenarinë dhe dashurinë mëmëdhetare, përmes temash që trokasin në mendjen dhe zemrën e autorit I.Dashi. Më evidente këto në kapitullin e fundit: “Jo vetëm shënime udhëtimi..” . Gjejmë në këtë kapitull përshkrime brilante të vizitave zyrtare të autorit (si kryetar delegacionesh dhe në përbërje të tyre) në Danimarkë, Greqi, Austri, Gjermani, Francë, Maqedoni, jo vetëm të bukurive magjepëse të kryeqyteteve e resurseve turistike të këtyre vendeve, por edhe të karakterit e të imazhit negativ që krijuan disa persona, përbërës të këtyre delegacioneve gjatë këtyre vizitave. Në këto përshkrime autori përshfaq profilin e tij të intelektualit të virtytshëm që s’bën kompromis me të keqen, krenarinë për vendin tonë Shqipërinë, ndërkohë që evidenton fenomenet negative të shfaqura në metrotë e njësitë e shitjes të këtyre kryeqyteteve nga ata që demostruan vesin e keq të vjedhjes, diferencat në kulturën e të ngrënit etj. Në këtë kapitull, gjejmë modelin shkrimor publicistiko–letrar të reportazhit që kërkon një specifikë tjetër të të shkruarit. Madje, ndonëse me profesion inxhinier mekanik, autori i këtij libri prezantohet si njohës i gjuhës dhe letërsisë, dhe këtë e reflekton më së miri, qoftë dhe në zbatimin me përpikmëri të rregullave drejtshkrimore, ashtu dhe në perifrazime të disa personaliteteve të njohura të letrave.



Shumë do doja, përpara se libri të shtypej, të hidhja edhe unë “pakëz kripë”, duke bërë ndonjë vërejtje a sugjerim për autorin, por s’mundem. Ju kthehem faqeve të tij herë në krye e herë në fund duke qëndruar nëpër to dhe nuk gjej dot “asgjë të lajthitur” për nga vlerat publicistike, të letrares dhe historikes të pasqyruara në këtë libër. Me të vërtetë libri është konceptuar si një koncert i madh muzikor, (i arritjeve dhe problematikave të sindikalistëve shqiptarë ndër vite, i mëkateve të politikanëve dhe pasojave të inkriminimit të politikës si rrjedhojë e lidhjes së saj me krimin, etj, etj) ku gjen nga të gjitha instrumentet, që nga bateritë e tam-tameve të të korruptuarve e deri te përvoja e përparuar botërore e Lëvizjes Sindikale.

Kjo edhe për faktin se nuk ka zgjedhur poezinë Irfan Dashi në një Oqeanopoezi, ku të gjithë vargëzojnë ditën e natën, para telenovelave e para tribunave, e pak, shumë pak poezi të mbetet në kujtesë, në mish, nën lëkurë; pale t’i vësh nën jastëk apo t’ua tregosh fëmijëve, miqve, nxënësve, në një kohë të caktuar, edhe pse bëhen sa e sa konkurse, shtrohen dreka për të, hidhen sa e sa lekë, euro, dollarë në tavolinat e botuesve të shtëpive botuese kudo e kurdo. Ai vjen me një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor që të bën ta marrësh diku një laps nga ato që shumë herë i kemi harruar përballë dehjes që na kanë bërë tastierat e kompjuterave dhe të celularëve dhe të shkruash diçka, mbase edhe shumë. Të shkruash për t’u bërë më tej një urë modeste e dobishme dhe e bukur mes kësaj vepre dhe publikut që e ndjek me shumë respekt, padurim dhe kureshtje mendimin dhe ligjërimin e tij estetiko-profesional.



Kësisoj Irfan Dashi vjen në tregun e librit shqiptar me botimin e tij të dytë, me një përmbledhje publicistike, sa modeste aq edhe mbresëlënëse. Thjesht dhe bukur, me gjuhë të pasur dhe me një ndjesi njerëzore, autori rrëfen, përshkruan, tregon fakte, ngjarje, jetë dhe kontribute njerëzore, karaktere dhe viktima, të vërteta rrëngjethëse të qeverive e institucioneve të tri dekadave të fundit..

Libri i tij “Kohë e artë për pehlivanët” është një “mozaik publicistik”, shkruar thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrjedhshëm, ndaj dhe duhet të jetë në bibliotekën e çdo lexuesi të rregullt shqiptar.

54 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page