Psiko –analiza ndryshe në një roman bashkëkohor
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 29, 2022
- 4 min read

Nga Fatmir Minguli
Psiko –analiza ndryshe në një roman bashkëkohor
(Shёnime kritike mbi romanin “ Udhëtimi i fundit” i shkrimtarit Kostandin Vogli)
Jeta fillon nga ana tjetër e dëshpërimit
Zhan Pol Sartër
Rikthimi në leximin dhe rileximin e një romani me vlera është gjithmonë një shfaqje surprizash, aq sa të duket sikur nuk e ke lexuar të gjithin herën e parë. Romani “udhëtimi i fundit” i shkrimtarit dhe piktorit sarandiot Kostandin Vogli ishte një nga këta romane që të dhurojnë të papritura. I botuar në vitin 2019 nga shtëpia botuese e Sarandës “Milosao” sot, pas tre vitesh ky roman gjen një strehë të re mes lexuesish durrsakë e jo vetëm ata.
Kostandin Vogli, ky piktor dhe romancier botoi ditet e fundit dhe vëllimin me poezi “Buzëqesh me yjet” ku paralelet me romanet e tij janë si edhe pikturat e tij.
Por le të kthehemi në romanin “Udhëtimi i fundit”.
Që në hyrje të këtij romani, lexuesi përgatitet, si të thuash, paralajmërohet se subjekti do të ketë probleme të paranormales. Dhe protagonisti Blerti Tanushi, një ish jetim i jetimores së qytetit bregdetar jugor tashmë i plakur, flinte në një veturë të braktisur diku në një varrezë makinash në skaj të qytetit. Romani është plot me personazhe të dytë që në fakt janë të parë sepse shkrimtari e ka “lёnё” në trotuar Blertin dhe në rrugë dalin shoqet e shokët, nëna dhe babai i jetimit e shumë të tjerë, sidomos drejtuesit dhe edukatorët e shtëpisë së fëmijës.
Një histoi e hidhur jetë njerëzish në një qytet aq të largët nga pushteti i Tiranës dhe i vetë provincës. Emra të tërë djemsh e vajzash, burrash dhe grashë, nëna që që kanë braktisur fëmijtë e tyre dhe burokratë pa shpirt.

Eshtë pikërisht shpirti që Kostandin Vogli e ka stisur kaq hollë e me kaq art në këtë roman psiko- analitik. Blerti tregon dhe të tjerët tregojnë për të duke treguar njëkohësisht për veten e tyre. Në këtë pjesë rrëfimtare lexuesi mëson shumë gjëra për atë qytet të veçantë në gjeografinë urbane shqiptare. Ana tjeter e medaljes së një qyteti “perlë”!
Në letërsinë shqiptare ka disa libra që trjtojnë temën e jetimëve por romani I Kostandin Voglit është tjetërlloj. Eshtë një roman që mund ta quash “Libri i shpirtrave” dhe me të drejtë dr. Sc. Bardhyl Maliqi shkruan për Kostandinin se “ai mund të ishte bërë jo vetëm artist dhe romancier por edhe klerik, shkencëtar apo politolog”.
Ishte lufta e klasave që e pengoi këtë njeri të jugut të realizonte ëndrrat e tij. Pikërisht për këtë ëndrra shkruan Koçua në këtë roman. Shkruan për lirinë e munguar, për “samarët e padukshëm” që i ngarkaun njerëzve njerëzit e partizuar, që ishin gardianë të lirisë së njerëzve. Blerti i romanit është një hero i popullit të vuajtur, një personazh si mijra njerëz të Shqipërisë që edhe pa qenë jetimë, nuk arritën të gëzojnë lirinë që i dha Zoti. Prandaj Kostandini i drejtohet përmes personazheve Zotit me lutje e me përdëllime, si e vetmja shpresë për një të ardhme ndryshe.
Shkrimtari e thotë troç se “ Diktatorët që kanë munduar e kanë ngarkuar historinë duke e fajësuar atë” dhe më poshtë “ Por fatkeqësia e madhe është kur pushtetin e trashëgon ose e fiton me intriga e krime një i papërsosur”. Eh, o tempora , o mores!
Duke skanuar peisazhe urbane Kostandin Vogli duket sikur monton pikturat e tij nëpër muret e kohës dhe mes tyre shtjellat e lëvizjes së shpirtrave të personazheve të mirë. Dhe nuk aplikon ekzibisionizëm shpirtëror.
Romani “Udhëtimi i fundit” është një libër ku “përroi i ndërgjegjes” është gati në çdo faqedhe ku gjithçka flitet përmes shpirtrave të miqve të gjallë e të vdekur të Blertit, ku kryeshpirti ëshë vetë Blert Tanushi. Ai Blerti e ka lejuar shkrimtarin të futej brenda trupit të tij që shkrimtari të ishte shumë I sigurtë në narracionin e tij e për të na dhënë kapituj ekzistencialë, kapituj që herë herë të kujtojnë skenat e aplikimve spiritualiste e herë herë tregime të Edgar Allan Poes.

Por dikush mund të ngrejë pyetjen: “ Në këtë roman realist me lojë shpirtrash a nuk duket sikur autori ka mbledhur kapitujt e i ka vendosur pa rregulla?”
Ka një përgjigje që e jep shkrimtari anglez i shekullit të XVIII- të Laurenc Stern me romanin e tij të përfolur “ Jeta dhe opinionet e Tristram Shandy”. Ai u kritikua për pastabilitet të narracionit, për kthimet e shpejta, kërcimet kronologjike dhe dhënie rëndësi elementëve të kotë narrativë.
Nuk është e thënë që Kostandin Vogli është si Laurenc Stern por ka një ngjashmëri të këtyre mes elmentave që përmenda më lart. E më kryesoret janë kalimet kronologjike, kur veprimet e fundit vihen në fillim të romanit apo kur brenda një rrëfimi futet një rrëfim tjetër si në rastin e rrëfimit të Isanës apo të tregimit të Lisetës. Kapitulli ku flet ajo është roman brenda romanit.
Kësisoj romani “ Udhëtimi I fundit” duket sikur është strukturuar për t’ i dhënë ëndrrës vlerat psiko- analitike të realitetit në pushtetin monist. Fakti që protagonisti Blert flet si shpirt i larguar nga kjo botë dhe interpreton ëndrrat e bën këtë roman krejt të veçantë në letërsinë shqipe.
Në kapitullin “ Fajtor pa faj” tejkalohet “detyra” e tij si pjesë e romanit dhe shfaqet si një ese pamfletike mbi ndërtimin e pushtetit konstitucional, alla “Princi” i Makiavelit. Kjo ndodh në disa kapituj të tjerë të këtij romani.
Romani “Udhëtimi I fundit” ndoshta e do dhe një “tronditje” pas tre viteve të botimit. Eshte realizuar si të thuash koha e pjekjes dhe post pjekja jep rezultate të tjera nga lexuesit dhe nga kritika.
Fatmir Minguli
27 nёntor 2022
Comments