Pse një komunist britanik vuri në skenë Kadarenë në Londër?


    Ismail Kadare

    Pse një komunist britanik vuri në skenë Kadarenë në Londër?

    William B. Bland krijoi “The Ghost at the Wedding” (Hija në Dasëm) mbi bazën e veprës së Kadaresë, “Dasma”.


    Dr Fatmir Terziu


    Një nga veprat e Kadaresë që ka parë dritën e botimit në Britani të Madhe, ka qenë romani “Dasma”. Ky roman në fakt ka ardhur i përkthyer në gjuhën angleze nga Shqipëria. I përkthyer nga Ali Cungu, ai ka patur shansin të jetë libri i arkivuar i Kadaresë në arkivat e Bibliotekës së Londrës. Madje ardhja e këtij libri në arkivat letrare britanike, ka qenë edhe një rast dhe arsye tjetër. Një arsye që lidhet me një projekt të autorit William B. Bland, i cili ka ndërtuar një dramë bazuar në këtë roman. Origjinali në anglisht “The Ghost at the Wedding” (Hija në Dasëm) është krijuar mbi bazën e veprës së Kadaresë, “Dasma”.


    Kjo dramë e inicuar nga Albanian Society në vitin 1968 është përfunduar në vitin 1969. Autori britanik Bland, e botoi atë në Ilford me ndihmën e përkushtimin e shoqërisë shqiptare në fjalë. Kështu mjaft anglezë të lidhur me fatet shqiptare, mjaft të tjerë të interesuar për autorin shqiptar dhe mjaft të tjerë me interesa të ndryshme, krahas disa shqiptarëve në Londër në atë kohë kishin mundësinë të njiheshin me krijimin e krijimtarinë e Kadaresë.

    Kjo dramë në tre akte, në fakt, teksa shihet sot në arkivat britanike, edhe pse me një ekzemplar të dubluar, ka një vlerë tjetër të rrëndësishme, atë vlerë që lidhet me rrugëtimin e krijimtarisë së Kadaresë në mesin e anglishtfolësve dhe me atë sens se si në mesin e anglishtfolësve britanikë të asaj kohe shiheshin lidhjet e krijimtarisë së Kadaresë me fatet dhe fatin politik shqiptar. Ky fakt mund të konsiderohet më së qarti duke parë autorin e dramës dhe lidhjet enigmatike të tij me Shqipërinë.

    Kush ishte William B. Bland


    Bill Bland ka lindur në Ashton-nën-Lyne, Lancashire, në 28 prill 1916. Ai studioi në shkollën fillore, para se të shkojë për në Mançester Grammar School, që ishte atëherë një shkollë private. Me fillimin e depresionit të madh, veprat e atit të tij u mbyllën dhe ai ishte i detyruar të lërë shkollën në moshën 15 vjeçare. Ai gjeti punë si asistent i një zyre dhe studioi me kohë të pjesshme në Kolegjin e Teknologjisë Manchester. Në vitin 1937, në moshën 21 vjeçare ai vizitoi Moskën, ku ai mësoi se buka ishte në dispozicion falas në dyqane. Para fillimit të Luftës së Dytë Botërore ai emigroi në Zelandën e Re. Aty ai u bashkua me Partinë Komuniste të Zelandës së Re. Në Auckland ai mbajti postin e sekretarit të qarkut, kreu mësimet në Shkollën marksiste, dhe ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të CPNZ. Ai u kthye në Angli në vitin 1950.


    Duke qenë komunist

    William B. Bland (1916-2001) nga jetëparaqitja e tij shfaqet si një komunist. Ai ishte në fakt një i tillë. Puna e tij politike dhe krijimtaria letrare ishte vendosur në periudhën më komplekse, e më të trazuar që u pasua nga vdekja e Stalinit dhe pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të ish BS. Ai u ndie aktiv si i tillë deri në prishjen e gjatë të Bashkimit Sovjetik dhe shtetet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Ai ka qenë ithtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe KQP, dhe mbrojtës i marksizmit dhe i socializmit të inicuar nga PPSH dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Edhe pse ai vdiq në vitin 2001, disa komunistë shqiptarë si Muharrem Xhafa, sekretar i KQPKBSH, Laver Stroka, sekretar i Gjirokastës, Fitim Çaushi, anëtar i PKBSH, nuk e harruan duke dërguar telegram ngushëllimi për të.

    Sipas një dokumenti të shkruar nga Vijay Singh mësohet se “Pas publikimit të një artikulli kritik të tij në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 7 korrik 1977, i cili kritikoi Teorinë e tre botëve si pro-imperialiste, një numër partish të të gjithë globit u prishën me revizionizmin kinez. Dihet se në atë vit u prish edhe Shqipëria me Kinën...


    Përkthyesi dhe interpretuesi i Enver Hoxhës


    Ky autor njihet në Britaninë e Madhe si një prurës i ekstrakteve të shkëputura nga libri i Enver Hoxhës, “Mes njerëzve të tjeshtë”. Ai gjithashtu njihet publikisht se ka qenë i angazhuar edhe me çështjet shqiptare. Si i tillë ai së bashku me Ian Price ka botuar Historia e marrëdhënieve anglo-amerikane me Shqipërinë 1912-1955 libër i botuar në vitin 1986. Ai ka qenë edhe autor i Shqipëria në Serinë e Botës Bibliografike Vëllimi 94. Ai ka ndikuar në lidhjet mes shoqatës së Miqësisë Indi-Shqipëri.

    Pas restaurimit të kapitalizmit në Shqipëri, ai luajti një rol të madh në përkthimin dhe shpërndarjen e shkrimeve të komunistëve shqiptarë, që ishin përpjekur për të rivendosur socializmin.

    Pse Kadare u la në mes nga komunistët?


    Po përse William B. Bland, ndërpreu kontributin ndaj veprës së Kadaresë në gjuhën angleze? Kush ndikoi në këtë pikë...? Sipas një burimi që mbetet disi anonim, mësohet se ishte vetë diktatori Hoxha, që nuk dëshironte dikush të kishte më shumë popullaritet se ai. Por në një anë tjetër duket se kanë qenë mjaft dilema komuniste mes shokësh të një ideali që e shihnin prozën e Kadaresë në një rymë tjetër. Por, edhe të gjitha këto janë dilema, fakti pse një komunist britanik dramatizoi Kadarenë në Londër dhe më pas e harroi thuajse atë e bën të kuptueshëm disi këtë arsye, edhe jashtë hamendësive dhe dilemave.


    #terziu #fatmir #kadare #ismail

    74 views

    Shkrimet e fundit