Populli i gdhend në kujtesën e tij bëmat e trimave, atyre që mbeten si kolona mermeri në themelet e tempujve.
“Pse lëfton, a derëzi
As për mua, as për ti
Po për gjithë Shqipëri...”
Janë të paktë ata që e meritojnë këngën. Pikërisht për ata do shkruaj.
Zenel Gjoleka, lindi në Kuç të Kurveleshit, në 1805. U arsimua në gjimnazin ZOSIMEA të kryeqëndrës së pashallëkut të Jugut, Janinës, shkollë me drejtim perëndimor, me gjuhë të huaja të shumta; qëndër e formimit të kulturës së Rilindjes dhe atdhetarisë sonë kombëtare.
Në 1830, vret gjeneralin turk - Kaftanazin - Rushit Pashën, në hakmarrje të vrasjes së gjyshit të Ismail Qemalit. Për këtë arsye, lë shërbimin nga ushtria turke dhe kthehet në Kuç, ku lidhet me krerët e kryengritjes antiosmane të Tafil Buzit, Çobo Golëmit - Mustafarajt, Balil Neshës, të viteve 1833 - 37. Në vitin 1847, në kryengritjen popullore të Shqipërisë së Jugut kundër Tanzimatit (reformës turke), merr drejtimin e saj, e, së bashku me 300 luftëtarë kurveleshas e luftëtarë të tjerë që i bashkoheshin kudo ku shkelte, sulmon Butrintin, Delvinën, Çamërinë, e i çliron ato; i drejtohet kalasë së Gjirokastrës, ku hedh në dorë kështjellën, përzë forcat osmane edhe nga Lunxhëria e Pogoni.
Gjithashtu, merr nën kontroll Dropullin (Goranxinë, Terihatin), duke u shtrirë deri në Mallakastër, në bashkëpunim me Rrapo Hekalin.
Së bashku, përballojnë hordhitë osmane të drejtuara nga Reshit Pasha i Rumelisë, për të mos ripushtuar krahinat e sapoçliruara. Kështu, hapësira e kontrolluar prej tyre fillonte në Çamëri, Delvinë, Dropull, Përmet, Kurvelesh, Vlorë e Berat. Administrimi i këtyre zonave realizohej me akte urdhëruese për ruajtjen e qetësisë e rregullit.
Duke qënë zgjedhur edhe si Kryetar i Lidhjes Kombëtare Shqiptare, po në 1847, në Kurvelesh, Zeneli, mblodhi 89 krerët e krahinave të cilët firmosën MEMORANDUMIN, dërguar konsujve të Austrisë, Francës, Rusisë dhe mbretit të Greqisë, për të siguruar mbështetjen e këtyre vendeve në luftën kundër Portës.
Meqënëse këto fuqi, veçanrisht Greqia, nuk e përkrahën këtë Kryengritje që do të finalizonte shkëputjen nga Turqia, e, meqënse forcat e Tafil Buzit po shpërndaheshin, të dy, u tërhoqën në brendësi të Labërisë, për të mos lejuar forcat turke që të hynin në këtë krahinë, duke zhvilluar edhe betejën e fundit në Shur të Kuçit; atje kalojnë edhe dimrin e egër të Kurvelesht, në atë që quhet Shpella e Gjolekës.
Në pranverë largohet dhe kapet i plagosur në Trikallë e interrnohet në thellësi të Anadollit.
Pas lirimit, në 1852 udhëheq forcat e Labërisë në ndihmë të mbrojtjes së viseve veriore shqiptare prej forcave malazeze, ku, me kurth, vritet në Podgoricë të Malit të Zi, në shpellën e Kërstiqmas.
Në nderim të veprës së tij, institucionet shqiptare e kanë dekoruar me urdhërin "Shqiponja e Artë".
Skulptori Zeqir Alizoti, në qëndër të fshatit Kuç, ka ndërtuar shtatoren e tij, me kontribut të bashkëfshatarit të tij, botuesit Fatmir Toçi.
Dera fisnike e Gjolekëve, në rrjedhën e historisë, ka qënë gjithmonë në ballë të kontributeve. Në luftën e Lëkurësit në 1878, në luftën me andartët grekë të 1913 - 1914, në 1920 në luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjes, në luftën e dytë botërore, kjo derë është përfaqësuar denjësisht nga bijtë e saj: Kadri Gjoleka, Myslym Gjoleka, Rakip Gjoleka, Shefqet Gjoleka, Xhevdet Gjoleka, Perlat Gjoleka, etj..
Comments