SHPENDI TOPOLLAJ
LULI VELI, E VONUAR, POR ME PRURJE DINJITOZE NË FUSHËN E
TREGIMIT SHQIPTAR
(Rreth librit “Gjurmë”)
Shumë mirë e ka thënë Maya Angelou se “Nuk ka agoni më të madhe sesa të mbash një histori të patreguar brenda teje”. Por nuk duhet të mendohemi gjatë për të kuptuar sesa histori njerëzore vdesin dhe harrohen, bashkë me protagonistët e tyre, pasi jo gjithkush e ka mundësinë apo më drejtë aftësinë dhe talentin e të treguarit. Dhe kuptohet se sa kënaqësi ndiejmë, kur dikush që as e kemi shkuar ndërmend, ca më shumë tani në moshë të shtyrë dhe me një forcë sugjestionuese artistike, vendos të bëjë një udhëtim në kujtesë dhe në shpirt, sipas Isabel Allendes, dhe del me një libër ku tallazet e jetës i paraqet si në poezi ashtu edhe në prozë. E kam fjalën për Luli Velin, një mësuese e nderuar e matematikës që ka kohë që ka dalë në pension, dhe librin e saj “Gjurmë”, botim i Fiorentina, 2019, Shkodër. Nuk do të ndalem te poezitë, edhe pse ato janë shkruar mjaft bukur, por do paraqes mendimet e mia për prozën e kësaj autoreje e cila qysh në krye shprehet se e ka fjalën për: “Gjurmën që në shpirt lëndon, / dot s`e fshin as koha - erë; / ngel aty përgjithmonë / edhe dhemb… ndonjëherë.” Cvajgu, që vetë nuk arriti të plaket, ka lënë postulatin se “të plakesh do të thotë të mos trembesh nga e kaluara”. Dhe autorja e këtij libri nuk trembet prej saj. Ajo e di se me moshën, shuhen dhe ëndrrat, por ngjallen kujtimet. Dhe kujtimet e saj janë të trishta, ashtu sikurse vetë koha kur ajo ishte fëmijë. Janë kujtime që nuk duhen hedhur pas krahëve, se shkaktuan drama jo vetëm për të. Por, për shumë e shumë si ajo, që sikurse shprehet vetë, ishin në moshën e haresë, pra kur zbukuronin edhe vetë pranverën. Ishte një sistem absurd dhe i pashpirt që jo vetëm me të rriturt, me kundërshtarët, me ata që fundja, si gjyshët e saj, të vetmin faj kishin atë që kishin lindur dhe kishin jetuar si të pasur, por që e zgjaste dorën e tij mizore edhe te kërthitë e vegjël, duke ua vrarë atyre edhe gëzimin. Ndaj ajo ka zgjedhur të shdërrohet edhe një herë në një vajzë të vogël, e uritur, e pa veshur, e përbuzur, e trembur nga trokitjet e derës, një vajzë që kur e pyesin, se ku e ka shtëpinë, nuk di sesi të përgjigjet, ngaqë pasi i kanë përzënë nga streha e tyre e ngrohtë, i kanë përplasur në ca karakatina që nuk vlenin as për kafshët. Dhe pse e gjithë kjo? Vetëm se donte kurbanet e veta e mallkuara “luftë klasash”, por që ajo aso kohe nuk e kuptonte. Luli, fare mirë mund t`i shtjellonte ngjarjet që përshkruan me pjekurinë e një të rriture. Por jo, ajo ka preferuar të mbesë ajo vajza që dikush e quante “likurë”, me flokët e rralla, me sytë e kaltër si deti, si qiell, si vetë fëmijëria, me atë fustanin e basmes që teksa ecte zbathur, i hiqte gjembat herë me thonj e herë me gjilpërë. Dhe si na shfaqet bindshëm e tillë dhe na bën ta duam, na merr për dore dhe na shpie në kohë të tjera, në vende të njohura, por me ngjarje për ata që s`e dinë, të pa besueshme dhe na kujton… Na kujton se jeta jonë, e një brezi të tërë, kaloi nga Ferri. Nga Ferri komunist që as gjenia e Dantes, nuk e parashikoi dot. Te tregimi “Shoqja ime”, Luli shkruan: “Sa më shumë shtyhemi në moshë, aq më pranë kujtimeve të hershme. Fëmijëria jonë lulegjembaçi. Duam t`i prekim lulet, por gjembat ende shpojnë, ende therin”. Tregimet të duken si kapituj të të njëjtit roman. Ato janë të lidhura organikisht me një stilt ë përkryer. Një stil që përshkohet nga sinqeriteti dhe thjeshtësia. Natyrisht që ajo ka mbërritur deri këtu, pasi ka lexuar shumë. Stili i saj nuk ngjan me të askujt. Megjithatë, ty të bëhet se ai është në lartësinë e mjeshtrave të mëdhenj të fjalës. Por edhe ndien një farë dëshpërimi dhe pyet: Pse kaq vonë? Në të gjitha tregimet dhe skicat e saj, nuk është se ka ndonjë intrigë tronditëse. Ajo merr shkak nga ngjarje në dukje fare të vogla. Këtë bënte edhe Anton Çehovi, fjala vjen. Dhe kudo, një dashuri si për njerëzit ashtu edhe për natyrën. Vincen Van Goghu e ka konsideruar dashurinë për të tjerët si gjënë më artistike. Fëmijët ndajnë kafshatën me njëri - tjetrin, apo edhe ato copat e drurëve që mbledhin kur i nxjerr dallga. Sa domethënës është tregimi “Lutja” ku vajzës së pangrënë i japin një gotë me qumësht për t`ia shpënë gjyshes së sëmurë dhe ajo edhe pse e tunduar nga aroma e saj, mes dyzimeve keqardhëse, vendos të mos pijë asnjë gllënkë. Skamja i ka bërë bujarë dhe botën fëmijët e shikojnë me sytë e pafajsisë. Madje, sikurse del te tregimi “Shëtitja”, ata edhe me të marrët që i kanë mbyllur diku, rrethuar me tela, japin e marrin dashuri, duke i bërë ata më të butë e më të afrueshëm. Kurse natyrën, Luli na e jep të gjallë, si një piktore e vërtetë, si një peizazhiste e mbaruar. Ajo flet me të (“Reja”), i qan hallet, por edhe gjen optimizëm qoftë edhe te një luledele apo vjollcë e vetmuar. Shihni se si i përdor penelatat e ngjyrat ajo te “Lule në lumë”: “Ngrihemi pa zbardhur e dalim në oborr me ngrohtësinë e shtratit akoma në trup. Fresku “blu”, që mbulon gjithçka, na gicilon e nis të zbojë përgjumjen. Kthjellohemi si qielli e bashkë me qiellin fillojmë bisedat… Nga kjo majë kodre, ku banojmë, duken: mali, që ka fshehur diellin atje larg; deti e qielli, njësh me njëri - tjetrin; pylli, një brez i errët buzë detit dhe fusha, ende e fjetur në këmbë të kodrës. Një shtresë e bardhë mjegulle, hileqare, ka mbuluar lumin për ku jemi nisur”. Por të gjitha këto, nuk synojnë aspak t`ia shmangin lexuesit vëmendjen nga tema kryesore. Vajza e vogël është mbesa e “armikut” që e kanë pushkatuar. Babanë ja kanë futur në burg dhe nëna, e hijshme e dinjitoze, bën të pamundurën që t`i ushqejë katër vajzat e saj, që të vetmin argëtim kanë përrallat e gjyshes së tyre të mirë. Dhe mes një varfërie të tejskajshme ato “Dallga nuk i përkuli, ua forcoi krahët; hapën flatrat amësore e mbështollën në to familjet. Në morsën e vuajtjes nxori krye gjeni, ato ishin e mbetën sojlie”. Shqipëria e pas çlirimit notonte në det të trazuar, falë lidhjeve e zgjidhjeve ideologjike që s`ishin tjetër veçse forcim i mizorive të pushtetit dhe nënshtrim i masave të gjera që kishin shpresuar. I këndohej kudo Titos e pastaj Stalinit e kështu me radhë… Fëmijët i nxirrnin nga mësimi dhe i çonin të shihnin “armiqtë” e pushkatuar që mbanin erë dhe i sulmonin mizat. Mendoni se çfarë pedagogjie ishte kjo dhe çfarë mbresash e makthesh do t`u linin këto makabritete për gjithë jetën atyre. “Për në takim” është një përshkrim realist i peripecive që kalon rrugës për tek i biri, gruaja me pallton e gjatë gri, shallin e leshtë, çizmet e llastikut dhe një çantë me ushqime në dorë, por që ja rrëmbejnë qentë. Po ashtu, dhimbje e keqardhje ndien njeriu, edhe te njëri tregim, kur sheh se të dalit nga burgu, që i bën shoqëri në dhomën e tij të mjerë, vetëm vetvetja, kujtimet, mendimet e përçartjet, motra pa e ditur e prish rrjetën e merimangës, që ai e kishte parë të rritej dhe me të cilën ai bisedon e argëtohet. Jetën qytetëse dhe atë të fshatit në ato vite, autorja, me një kujtesë të jashtëzakonshme e gdhend deri në imtësi; gratë që shkojnë një herë në javë për banjo në bregdet, ato të fshatit që venë me kuç e me maç për të larë rrobat, me mentalitetin e drojën sunduese, solidaritetin mes tyre, zakonet, zemërbardhësinë etj. Dhe të gjitha me një narrativë të pastër, ku futen natyrshëm fjalë, emra dhe shprehje të kohës për të cilën flitet. (“Një ditë në det”, “Msuqi”). Te “Një ditë, po sa e gjatë” me mjete artistike të kursyera është dhënë drama e përmbysjes; ku e ardhura nga fshati pas burrit dikur luftëtar e tani prepotent, sillet si pronare dhe vetë pronarët e mbyllur në një dhomë të vogël, ecin urtë në korridor se kanë frikë se mos u bërtet ajo gruaja që fle te dhoma e madhe, deri sa vjen pohimi: “Druhem shumë, sa më duket sikur ne ia kemi zënë shtëpinë asaj”. Por ka edhe njerëz të mirë dhe të arsyeshëm. Kujtoj, fatkeqen “Zonja Blu”, “Zarfi”, kushtuar Mësueses së Popullit Paulina Leka dhe “Bardhësi” ku flitet për gruan shpirtmirë që pasi e përkëdhel vajzën ngrohtësisht, i jep për të ëmën pakot me çaj evrope e ca ushqime të tjera. Ka një tregim, “Si i huaj”, ku bëhet fjalë për veset e kohës që po kalojmë, ku njerëzit janë ftohur me njeri - tjetrin, deri atje sa janë tjetërsuar deri në mosnjohje. Kanë rënë pas interesit se dhe ligjet të tilla janë. Dhe paradoksi zhgënjyes: “Atje ku jeton është i huaj, se nuk është nga ai vend; këtu qenka po i huaj, se nuk jeton më në këtë vend…” Hapësira s`më lejon të shkruaj më gjatë rreth këtyre tregimeve, ku fatmirësisht u vërtetua profecia e Nekës: “…ti po lëndohesh tani që je e vogël; duke kaluar koha vuajtja zë kore, por nuk harrohet. Kur të rritesh, sapak ta gërvishtësh koren dhe ajo do rrjedhë fjalë, që ti do t`i shkruash…” Dhe Luli Veli shkruan tani në moshë të shtyrë, atëherë kur jo vetëm që nuk ka më frikë nga e vërteta, por edhe kur “Flokët e thinjur, - sipas Edgar Poes - janë arkivat e të kaluarës”. Ah sa mirë do të qe sikur suksesit të saj t`i gëzohej dhe i ndjeri bashkëshort i saj, doktor Ali Sula, intelektuali dhe deputeti që la pas një emër të shquar. Sido që kjo autore kaq e freskët, kam besimin se do të na dhurojë të tjera krijime si ky që pa diskutim është një prurje në letrat tona dhe që do të qe mirë të përfshihej në programet shkollore. Vazhdo të lulëzosh Luli!
Uroj që kjo analizë e bukur,e butë dhe prekëse ta ndihmojë këtë lule të rrallë e të herëshme në ripërtëritje!
Urime Shpendi! urime edhe shkrimtares Luli, qe tani mundi te shkruaje, te heqe merakun e të treguarit te jetes plot vuajtje fizike dhe shpirterore, si mesuese te historise njerezore.