Protagonizmi i shkrimtarit Viron Kona në faqet e një monografie


(Shënime për librin “Parnasi sheh me bisht të syrit”, të autorit Bashkim Saliasi)


Sejdo Harka

Libri “Parnasi sheh me bisht të syrit “ është një monografi e një lloji të veçantë. Protagonizmi i”heroit “kryesor të librit zbulohet përmes analizave dhe intervistave, sentencave dhe vlerësimeve që i bëhen figurës së shkrimtarit, personalitetit krijues, publicistit dhe studiuesit Viron Kona. Duke lexuar këtë libër, lexuesi prek si me dorë protagonizmin e një njeriu, që gjithçka ia kushtoi artit dhe letërsisë, kulturës dhe pedagogjisë dhe që, në çdo moment, tek ai shfaqet njeriu me vlera të spikatura. Me ardhjen e demokracisë Viron Kona nuk zgjodhi t`i bëhej baltë këpuce dikujt, nga i cili mund të përfitonte, por ai arsyetoi me kthjelltësi : Kam përpara një mundësi krejt të panjohur...Si shumë e shumë të tjerë,edhe unë duhet ta tregoj veten se sa vlej.Dhe që ta tregoj këtë,le t’ja rinis punës në profesionin tim të bukur,si mësues fshati,me pasionin e një të riu, që sapo ka mbaruar Universitetin.”

Në këtë luftë të përditshme zbulon sukseset dhe dështimet, ëndrrat dhe flijimet, pengesat dhe zhgënjimet. Protagonisti i këtij libri,monografiko-analitik, herë vetzbulohet nëpërmjet intervistave dhe sentencave filozofike, herë zbulohet nëpërmjet fjalëve të lexuesve tw thjeshtw, dhe herw nwpwrmjet mendimeve tw kritikws letrares e vlerwsimeve tw sinqerta tw miqwve e shukwve tw tij tw shumtw, brenda dhe jashtë vendit. Krijimtaria e tij e gjerë sot flet edhe suedisht. Është kjo arsyeja, që kjo është bërë objekt diskutimesh dhe analizash nga shumë studiues të vendit dhe të huaj. Albanologu dhe miku i madh i shqiptarëve, suedezi Ullmar Qvick, midis të tjerash thekson: “Viron Kona, me virtytet dhe krijimtarinë e tij nderon miqësinë dhe popullin e vetë. Ai është tipi i njeriut që duhet ta shohim më shpesh në ditët tona”. Kurse Qibrije Hoxha, përkthyesja e “Bubulinos” në suedisht, shkruan: “Viron Kona, përmes shpirtit të tij të butë, zemrës së madhe dhe mprehtësisë intuitive, përcjell mesazhe të bukura njerëzore”. Për prof. Gjovalin Shkurtaj, “Viron Kona është, jo vetëm një nga shkrimtarët më prodhimtarë, por dhe shumë i pëlqyer nga të vegjlit. Ai shquhet për stilin e tij të thjeshtë dhe gjuhë-përpunues”. Shkrimtari dhe studiuesi Xheladin Mjeku, e quan atë “krijues meritor, shumë të suksesshëm…”.Ndërsa shkrimtari dhe përkthyesi Sokol Demaku, duke u ndalur në cilësitë e karakterit të tij thekson: “Rrallë herë kam pasur fatin të njoh një temperament të këtillë, të pasionuar pas ngjarjeve interesante dhe me vlera për letërsinë, duke shkruar tregime, aq mjeshtërisht dhe me një kreativitet, që lexuesit i japin  kënaqësi të rrallë. Në ditët e sotme, nuk është e lehtë të gjesh një krijues të tillë, që të ketë shëtitur kaq shumë, gjithmonë i qetë, i ngadalshëm, me shumë krenari në punën e tij, dhe të sjellë në truallin e tij aq shumë mendime e ide njerëzore...”

Po kush është në të vërtetë Viron Kona?

Këtë do ta zbuloni duke lexuar librin e Bashkim Sailasit “Parnasi sheh me bisht të syrit”. Për të krijuar një ide sa më të qartë, po ndalemi në disa nga momentet më kryesore të jetës dhe krijimtarisë së tij: Viron Kona, ka lindur më 24 qershor 1950 në qytetin e Vlorës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë–Letërsi. Për një kohë relativisht të gjatë ka punuar në administratën e lartë shtetërore në sektorë të edukimit, artit, kulturës dhe arsimit; mësues dhe drejtues në disa shkolla e gjimnaze të kryeqytetit; redaktor në gazetën “Mësuesi”, organ i MASH, kryeredaktor i revistës “Siguria rrugore” dhe specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1981; anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, fitues i 7 çmimeve në gjininë e tregimit dhe novelës, fitues i çmimit UNICEF-AMC, për librin më të mirë për fëmijë “Eh, more Bubulino!”

Nga biografia e tij mësojmë se Viron Kona, për arsye ekonomike, ka filluar punën që në moshë të njomë... Në vazhdim, atë e shohim, herë si drejtues në administratën e lartë partiako-shtetërore dhe herë shitës rrobash e këpucësh, herë emigrant dhe herë mësues fshati për shtatë vite rresht, herë si drejtues shkollash 9-vjeçare e të mesme, dhe herë specialist në Ministrinë e Arsimit. Kudo që ai punoi dhe jetoi, ka lënë pas emrin e tij të mirë.

Autori i librit, Bashkim Saliasi, për të bërë vetëzbulimin e protagonizmit në këtë monografi, përdor intervistat e bukura me shkrimtarin Viron Kona, si dhe bisedat e ngrohta të tij me lexuesit e shumtë ku, shpesh herë, edhe autori i këtij libri ka qenë i pranishëm përkrah protagonistit të tij. Në gjithë prurjen prej afro 500 faqesh, spikatin mendimet, këndvështrimet dhe sentencat origjinale, që përdor protagonisti i librit Viron Kona për artin dhe letërsinë, për frymëzimin dhe krijimtarinë, për sakrificën dhe vendosmërinë...Duke medituar për Parnasin, ai u drejtohet krijuesve të vegjël: “Parnasi ju sheh me bisht të syrit dhe pret me durim!” “Zgjedhjet njeriu i bën vetë: “Të fluturojë si shqiponjë, apo të zvarritet si breshkë...” Pyetjes së thjeshtë se si lind frymëzimi, shkrimtari Viron Kona i përgjigjet: “Motivet dhe çastet krijuese “vijnë dhe trokasin” si miqtë e rrallë, edhe në mes të natës..” Dhe, që t`i presësh këta miq metaforikë, duhet pagjumësi, vendosmëri, sakrificë...

Më duket me interes të përmend në këtë recensë faktin e bukur se autori, Bashkim Saliasi, me pyetjet e tij drejtuar shkrimtarit, përpiqet ta trajtojë krijimtarinë e tij të lidhur ngusht, sa me kujtimet personale dhe eksperiencat e shumta dhe interesante që Viron Kona ka kaluar në jetë, aq edhe me përkushtimin e tij të madh ndaj Atdheut dhe vendlindjes. Dhe, mendoj se,B. Saliasi, arrin të sjellë në këtë libër shumë ide dhe mendime me vlerë të Viron Konës, tipa dhe karaktere, personazhe, që ai i ka të observuar në arkivin e memories,të cilat për të përbëjnë lëndën e parë për krijimtarinë, por edhe përshkrime të mjediseve të bukura dhe magjike të Vlorës, siç janë përshkrimet që ai i bën Gjirit të Vlorës, gadishullit të Karaburunit, ishullit të Sazanit, Orikumit, Amantias, Kaninës, zbulimeve arkeologjike,fortesave,objekteve të kultit,veprave të artit, ngjarjeve historike, që janë trajtuar gjithnjë të lidhura ngusht me kombin shqiptar. Për shkrimtarin, vendlindja dhe Atdheu janë gjithnjë frymëzuese.Vlora,për Vironin është gjëja më e shtrenjtë.Kur e pyesin për të,ai i ekzaluar thotë:”Ajo më mungon, shumë, sepse atje është fëmijëria, kujtimet, të afërmit, miqtë, shokët, mjedisi, qyteti, deti, malet, gjithçka. Por, më qetëson fakti se, unë, Vlorën e kam gjithnjë me vete. Ajo është e shkrirë brenda meje, është bërë njësh me gjakun dhe me shpirtin tim, siç janë bërë një edhe kujtimet, ndjenjat, dhembshuria e dashuria për prindërit dhe për gjithçka të mirë dhe të bukur që ajo ka”.

Figura e shkrimtarit Viron Kona shfaqet dukshëm edhe mes krijuesve vlonjatë dhe të gjithë Shqipërisë, me të cilët ai punoi, krijoi dhe ndau bashkë gëzimet dhe shqetësimet, sukseset dhe dështimet,për shkak të detyrave të rëndësishme që ai kreu për një kohë të gjatë,të cilat i ka konsideruar sa privilegj,aq dhe përgjegjësi të lartë. -Pas privilegjit-thekson protagonisti- vinte përgjegjësia, e cila të rrinte mbi kokë si një teh me dy presa. Pas çdo libri të botuar dhe shfaqjeje të vënë në skenë, pas çeljes së ekspozitave figurative apo festivaleve, buronin si lumë pyetjet: Si do të priten nga udhëheqja? Si do të reagojnë kritizerët e përjetshëm ? Mos vallë kanë kuptuar ndonjë shtrembërim ideologjik? Gogoli i censurës dhe i vetëcensurës ideologjike shëtiste mbi kokat e krijuesve si skifteri mbi turmat e zogjve të lirë...Hijen e këtij skifteri e ka ndjerë edhe Vironi, si drejtues, por edhe si krijues i letërsisë. E megjithatë ai i ka ndihmuar krijuesit në situata të vështira, duke i mbrojtur për gabimet e pabëra, fakte që citohen më poshtë.Për Viron Konën:”edhe kuadrot e ndershëm të asaj kohe, nuk e kishin të lehtë t`u jepnin rrugë gjërave, sepse vepronin në një atmosferë dhe terren tërësisht të indoktrinuar, të orientuar keq,veçanërisht për çështje të mprehta të artit dhe letërsisë”


Viron Kona

Kur Viron Kona u largua nga Vlora ,në një detyrë më të rëndësishme, ata që e përcollën me nderime, nuk ishin zyrtarët, por shkrimtarët dhe artistët e Vlorës. Mirënjohjen për ndihmën e sinqertë dhe marrëdhëniet e ngrohta që ai kishte krijuar me artistët, dramaturgu Bashkim Kozeli e shpreh nëpërmjet vargjeve:“Sa nisnim dorezën e zyrës të hapnim/Të hapur zemrën tuaj gjenim”. Me ndihmën dhe këmbënguljen e tij, disa shkrimtarëve iu rikthye e drejta e botimit, shumë të tjerëve iu çel drita e gjelbër për të provuar shansin në sektorë të rëndësishëm të artit, kulturës dhe të letërsisë në kryeqytet.Të tjerë krijues patën mbështetjen e drejtpërdrejtë të tij kundër sulmeve provokuese të individëve apo segmenteve ekstreme dhe tepër keqdashëse të kohës..-Në ato kohë-thekson protagonisti i këtij libri,V.Kona-pothuajse të gjithë ne ishim të përgjuar...!? Ligësitë e atyre viteve autori i këtij libri i fshikullon përmes dialogjeve e persiateve.Për të kuptuar thelbin e atij sistemi, i cili ngrihej mbi themelet e intrigës dhe pasigurisë,mjafon të citojmë grimca nga një dialog i shkurtër, tepër sinjifikativ mes protagonisit të këij libri, dhe kolegut të tij të punës, në komitetin e partisë së Vlorës.Ja ç’trgon ai:

-Viron, ku ishe mbrëmë?-më pyeti i shqetësuar kolegu, sapo mbrita në zyrë.Në Çeprat,tek familja e një shokut tim, që e kam si vëlla.-Po,a e di ti,që pa dashur ke rënë në grackën e një familjeje kulakësh!? ...-Po ti nga e more vesh, që unë isha atje? -e pyeta, pak sa i habitur kolegun.-Nga zogjtë, - tha ai, dhe duke më parë në sy vijoi: - Për këto gjëra, fjala bëhet erë dhe mer dhenë.Le të shpresojmë, se nuk do ta marrin vesh të tjerët, për ndryshe...S’kishte kaluar më shumë se disa orë ,nga çasti,kur unë kisha dalë nga porta bujare e asaj familjeje punëtore,kur hienat e spiunimit, kishin trokitur në portat e komitetit,për të derdhur helmin e tyre të përgatitur në gjendrrat e nepërkave vdekjeprurëse....

Një vend të rëndësishëm autori i kësaj monografie,B.Saliasi, i kushton figurës së V. Konës si shkrimtar e publicist, si studiues i artit dhe i letërsisë, i pedagogjisë dhe i psikologjisë. Ai shfaqet, herë si tregimtar e herë si novelist, herë si romancier e herë si kritik, herë si monograf e herë si fabulist. Ndërsa, nuk rri dot pa shkruar edhe poezi, një pjesë të të cilave, lexuesi i kësaj monografie do t`i gjejë në krye apo në fund të përgjigjeve të intervistave, gjithnjë në vendin dhe masën e duhur.

Për një kohë shumë të gjatë Viron Kona ka botuar më shumë se një libër në vit. Prandaj mendimi letrar i kohës e ka vlerësuar si një nga krijuesit më prodhimtarë të viteve të fundit. Çelësi i krijimtarisë së tij të bollshme është talenti dhe kultura e gjerë, puna palodhur dhe pasioni i thellë për të vënë veten një hap përpara shoqërisë. Midis dhjetëra karaktereve të tij, të skalitur bukur, në këto shënime,ne po ndalemi vetëm tek disa nga më të spikaturit: Bubulinoja, i cili sot flet edhe suedisht, është bërë simbol i eksploratorit dhe shkencëtarit të sotëm e të ardhshëm. Nga një fëmijë tepër kureshtar,që rend përmes kreshtave të një lufte të gjatë, bëhet protagonist i një serjali prej 15 vëllimesh .Me guximin dhe fantazinë e tij, ai bëhet një shkencëtar i së ardhmes, që kërkon t`u japë përgjigje shumë enigmave të kohës...

Protagonisti i kësaj monografie,V.Kona,edhe pse ka mbaruar Universitetin për mësuesi, me rezultate të larta, edhe pse është autor i shumë librave të mirëpritur nga lexuesit,në vitet e para të demokracisë, i lënë pa punë,detyrohet të marrë rrugën e emigrantit ekonomik për të bërë punën e hamallit, apo të punëve të tjera të rëndomta. Akoma më të rëndë se papunësia, mbi shpinwn e tij rëndonin dëbimet dhe përndjekjet e policisë, për të vetmin faj se kishte kapërcyer kufijtë, për të siguruar bukën e gojës. Dëshmitarë të këtyre vuajtjeve çnjerëzore të shqiptarëve, u bënë edhe yjet. Këto tablo të tmerrshme dhe tepër të dhimbshme, sollën një nga romanet e tij më të bukura “Drithërimat e yjeve”, protagonisti kryesor i të cilit është vetë autori. Si emigrant, ai përjetoi dhe mori me vete ato drithërima të tmerrshme, që do të bëheshin” maja” e brendisë së këtij romani.

Edhe kur me ndihmën e njerëzve që e njihnin mirë, u emërua në një shkollë të largët fshati “syqelqët” vazhdonin ta vëzhgonin e survejonin, për të parë se me kë shoqërohej, pse e mbante kollaren në ngjyrë të kuqe, dhe deri se çfarë gazete lexonte, që një ditë ta mbanin si argument për ta larguar nga puna.

Edhe në vitet kur Viron Kona punonte në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, herë si redaktor i gazetës “Mësuesi”, dhe herë si specialistë i fushave të ndryshme të këtij dikasteri, sa herë bëhej ndryshimi i qeverive,apo i ministrave, ai ishte i pari në listën e zezë për t`u larguar ose, siç tregon plot humor: “Isha përherë si topi në pikën e penalltisë, prisja me ankth shkelmimin!”. Por, ata, nuk mundën ta largonin asnjëherë, derisa doli në pension.-Aq shumë jam trondiutur nga ato lista të mallkuara -tregon Vironi-sa edhe sot,që kam dalë në pension, shoh ëndrra me lista qarkullimi...

Viron Kona, protagonisti kryesor i këtij libri , shfaqet përpara lexuesve,sa i thjeshtë, aq dhe shumëdimensional, sa krijues, aq edhe punëtor i rrallë,shumë miqësor dhe tepër bujar, që tërë jetën e ka karakterizuar zgjuarësia dhe sinqeriteti, mirëkuptimi dhe serioziteti. Prandaj ,ai gëzon respektin e padiskutueshëm,jo vetëm të miqëve, shokëve dhe lexuesëve të shumtë ,por dhe të gjithë atyre, që e kanë njohur në punë dhe në jetë.

21 views

Shkrimet e fundit