top of page

Profesor Baliu, na ka bindur dhe vazhdon të na bind që është shkencëtar


Dr Sejdi M. Gashi

PARATHËNIE

Puna sistematike disavjeçare prej vrojtuesi dhe studiuesi të hollë të gjuhës, skalitjet, hetimet e venerimet dhe kritikat mbi gjuhën dhe për gjuhën, të gjitha këto të bëra me përkushtim nga studiuesi i njohur prof. dr. Begzad Baliu, janë përmbledhur në këtë vëllim të veçantë me titull “Hulumtime albanologjike”.

Ky vëllim përmban një gamë të gjerë materiali lëndor e shpirtëror që ka të bëjë me gjuhën, qenien dhe identitetin shqiptar përgjithësisht, me vështrim të posaçëm identitetin gjuhësor. Në të autori trajton tema, motive, dukuri, fenomene, kontribute të figurave të shquara në fushën e albanologjisë në përgjithësi e në atë të gjuhësisë shqiptare në veçanti. Rëndom, si çdo studiues i zellshëm dhe i pasionuar, Profesor Baliu ngreh edhe shqetësimet e tij për të kaluarën (lidhur me disa teza për origjinën e shqipes), por edhe për gjendjen aktuale të shqipes në rrafshet e përdorimit të saj, duke i çuar këto shqetësime deri në nivelin e alarmit, e, herë-herë edhe të polemikave.

Gjatë gjithë punës së tij krijuese e shkencore, përfshirë edhe këtë vëllim me studime, Profesor Baliu, na ka bindur dhe vazhdon të na bind që është shkencëtar sa i racionales aq edhe i nacionales, është tip hulumtuesi e vrojtuesi që përfill, nderon dhe respekton sa të veçantën po aq edhe të përgjithshmen shqiptare me të gjitha të mirat dhe të ligat që mund të ketë, po aq nderon dhe respekton kombin, veçmas gjuhën, gjuhën shqipe. 14 Begzad Baliu Qysh në vitin 1988, atëherë kur në trojet e Ballkanit, posaçërisht në ato shqiptare furishëm “dyndeshin re të zeza”, rilindësi i ditëve tona Rexhep Qosja, në veprën e tij “Populli i ndaluar” me të drejtë pati konstatuar se “gjuha është biografi e popujve, sepse në gjuhë dhe me gjuhën, më mirë se në çdo dokument - material, ruhet historia e tyre intelektuale, sociale, morale”. Prandaj, edhe studiuesi Baliu, përherë përmes kërkimeve dhe meditimeve të tija filozofike e psiko-sociologjike mbi gjuhën ndërton biografinë e popullit dhe të kombit që ai i takon, atij shqiptar.

Siç e thamë ne, e, siç do të thuhet edhe nga vetë autori, vëllimi “Hulumtime albanologjike” përmban disa artikuj që në shikim të parë mund të duken të shkëputur nga njëri-tjetri, por në fakt të gjithë këta janë të pashkëputshëm, janë të patjetërsueshëm, sepse për kryefjalë të tyre kanë studimet për albanologjinë në përgjithësi dhe shqipen në veçanti.

Kryet e vendit e zënë studimet me karakter tipologjik: Studimet albanologjike në perspektivën evropiane dhe Sociolinguistika shqiptare: prej fjalësit të turpshëm te shqipja tabu, brenda së cilave janë diskutuar disa prej aspekteve më të rëndësishme të fushës së albanologjisë dhe perspektivës europiane të saj, si dhe është parë zhvillimi i sociolinguistikës shqiptare mbështetur në qasje metodologjike të reja, të cilën nuk e kemi bërë deri më tash në studimet albanologjike, e kjo do të thotë në korpuse, metoda dhe terma bashkëkohore. “Sociolinguistika shqiptare, - shkruan autori, - në formatin historik - mikrostrukturor nis me fjalësin e turpshëm: leksikun e grave (Çabej) dhe me mikrotoponimet e ngurosura e ojkonimet eufemistike (Kosovë). Prej pamjes së parë të strukturës së brendshme të studimeve të kësaj natyre mund të konstatojmë se në kontekstin gjuhësor-makrostrukturor zhvillimi i sociolinguistikës shqiptare ngrihet si dialektologji “rurale” e më pak “urbane” dhe përfundon si dialektologji etnografike me premisa sociale, por jo edhe sociolinguistike, madje as në aspektin sinkronik (brenda varianteve gjinore), as në aspektin diakronik (brenda dallimit të moshave)”.

Po të kësaj natyre, pra të karakterit monografik dhe tipologjik janë edhe studimet Profesor Selman Riza dhe albanologjia; Albanologjia e Profesor Tomor Osmanit, Profesor Jani Thomai dhe vendi i tij në historinë e albanologjisë, të cilat për nga shtrirja e kërkimit dhe vlerësimit mund të konsiderohen kapituj tipikë të historisë së albanologjisë. Në të tri rastet fjala është për studime të karakterit përmbyllës, sado metodologjikisht studimi për Profesor Selman Rizën mund të quhet më sintetik, ndërsa ata për Tomor Osmanin dhe Jani Thomain tipikë për metodën historiko-gjuhësore të qasjes. Këtë natyrë të qasjes në tërësinë e problemit Profesor Baliu e ka edhe në studimin Kelmendi: historia, kultura dhe struktura gjuhësore e emrit të tij, në të cilin studiuesi nxjerr në pah gjithë kulturën e tij të kërkimit shkencor mbi paradigmën shumëdimensionale të trajtimit të temave të mëdha shkencore jo vetëm të gjuhës po edhe të historisë, etnografisë etj.

Në këtë vëllim janë edhe dy studime që mund të quhen përfaqësuese: në të parin Eqrem Çabej - shkencëtari i nacionalizmës shqiptare, vepra e Profesor Çabejt shikohet në kontekst të prizmit të zhvillimeve historike, kulturore 16 Begzad Baliu Hulumtime albanologjike

dhe albanologjike shqiptare, ndërsa në të dytin Eqrem Çabej dhe Norbert Jokli - ndërlidhje personale dhe shkencore, jepet një pamje mjaft interesante e fateve dhe orientimeve shkencore të dy personaliteteve: nxënësit dhe mësuesit në fillim dhe miqve më pastaj, në gjysmën e parë të shekullit XX dhe trashëgimisë shkencore të tyre.

Pra, siç mund të vëreni, studiuesi Begzad Baliu, objekt trajtimi ka pasur edhe korifenjtë e gjuhësisë shqiptare, studimit të veprave të të cilëve autori u ka kushtuar një pjesë të konsiderueshme nga jeta dhe përvoja e tij hulumtuese e shkencore.

Në pjesën e fundit të këtij vëllimi, rreth tjerash botohen studimet Diskutimet për standardin dhe perceptimi i tyre; Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase - konteksti i enciklopedisë; Gjuha e ndarë - identiteti i çarë; Konsulta Gjuhësore e Prishtinës si paraprijëse e Kongresit të Drejtshkrimit dhe konteksti politik i ndikimit, në të cilat autori dëshmon për pjesëmarrjen e dendur të tij në diskutimet mbi disa probleme të rishfaqura në jetën shkencore, kulturore dhe politike mbi gjuhën, në të vërtetë mbi standardin e shqipes dhe identitetin shqiptar. Siç mund të shihet prej kumtesave të lexuara në konferenca shkencore, prej punimeve të botuara në shtypin shkencor dhe prej prononcimeve në shtypin ditor, studiuesi Baliu ka mbajtur qëndrim të vendosur në lidhje me karakterin historik të tyre dhe rëndësinë aktuale të vlerësimit të tyre.

Me ndihmesën e vyer si gjurmues i gjuhës dhe jo vetëm kaq, studiuesi dhe profesori universitar, Begzad Baliu, pa dyshim që është lidhur ngushtë e shpirtërisht 17 Begzad Baliu Hulumtime albanologjike me institucionet shkencore e studimore të fushave të gjuhësisë e të albanologjisë, në vend dhe jashtë, sepse përmes angazhimit të tij shkriu gjithë punën e vet gjurmuese, me detyra të rëndësishme dhe eci në hullitë që ndihmonin drejtpërdrejt në plotësimin e tyre.


13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page