top of page

 Prof. Ymer Çiraku: Oksigjeni i bregdetit

Oksigjeni i bregdetit sa një mrekulli e tërë

 

Për librin me vjersha dhe poema të Mentor Serjanit

Oksigjeni i Bregdetit.

(Oksigjeni i bregdetit sa një mrekulli e tërë.)

Mbetet një nga çastet e bukura e të paharruara, kur dikush të telefonon dhe jo pa një lloj droje, kërkon në se është e mundur, që ti t`i lexosh dorëshkrimin e poezive të tij. Ky ishte edhe rasti i autorit të këtij libri, Mentor Serjani. Mbetej i panjohur për mua, veçse i kërkova që materiali të ishtë i printuar, pasi në ekranin e kompjuterit, leximi të krijon lodhje dhe të pengon sidoqoftë për ta shijuar si duhet vargun dhe shpirtin e poezisë. Ndërkaq, më bëri të ditur se ishte emigrant dhe jetonte me familjen e tij prej shumë vitesh në Greqi. Mendova se kjo largësi do ta bënte të pamundur takimin tonë, por ja që autori i krijimeve, erdhi një ditë vet në Tiranë, për të ma sjellë përmbledhjen e poezive. Sigurisht, duke lënë punën e tij atje, por edhe duke udhëtuar në kohët e vështira të covidit. Shenjë kuptimplote kjo se i ka derdhur me shpirt e plot pasion vargjet e poezisë, mendova. Pra, që s`mund të ndahej dot prejt tyre, pa e marrë një mendim për të gjetur pastaj mundësinë, që t`i niste të botuara pë te lexuesi.Prej tij, mora vesh se kohë më parë, ka botuar edhe dy vëllime me poezi dhe se fshati Sasaj i Bregdetit, është vendlindja e tij.

Duke i shfletuar poezitë, vrejta se në tërësinë e tyre, zotëron një prirje e dukshme lirike, ku endet bota e heroit lirik të shkrirë me natyrën, me detin dhe qiellin, me malin dhe pyllin, mes përkundjeve lozonjare të qiparisave dhe ullinjve të bregdetit. Natyra e këtyre anëve, me tërë atë mozaik mahnitës pamjesh e melodish fyejsh, bilbilash, thëllëzash, valëzimesh të detit pranë Bunecit, transmetojnë emocionin e bukur e mbresëlënës, si para melodive të një simfonije muzikore.Libri është konceptuar i ndërtuar nga një varg ciklesh, ku renditen krijime të ndryshme, që kanë disa veçori përmbajtësore dhe stilistike të përafërta mes tyre. Gjykoj se ndërtimi me cikle, i sjellin strukturë solide librit, duke përcjellë te lexuesi i tyre, një “planimetri” të larmishme motivesh dhe gjetjesh poetike.

Vlerë e librit është se në këto poezi, nuk ka stërhollime përjetimesh artificiale e snobiste, të përcjella si qëllim në vetvete, për të dëshmuar më shumë dukje të jashtme se sa vlagë poezie. Brenda natyrës së profilit të vet krijues, autori shfaqet se është regjistrues dhe përcjellës i çiltër i vlerave të botës së anëve të veta, të cilat, i ka të tretura në çdo qelizë të shpirtit të vet. Nëpër poezi të ndryshme, vrehet të enden portrete të skalitura të vajzave zemërpastra, që bien aq hijshëm e dinjitetshëm në dashuri, bëhen nëna dhe mbushin vatrat me fëmijë, pastaj gjyshe të dhembshura, duke udhëtuar në fillin e jetës si zogj të përmallshëm shtegtarë. Të bulëzuara në frymë lirike, të mbeten në mendje vargje të thjeshta në vështrim të parë, por me një depërtim të hollë psikologjik e njerëzor:

Në dashuri thuhen fjalët e shpirtit,

Puthen buzët dhe faqet e pastra…

Nën ndikimin e kadencës së krijimtarisë sonë të pasur popullore, derdhen nëpër krijime figura e “stoli” ritmike të lloj-llojshme. Ndikimi prej gurrës popullore, këtu ndihet si vlerë e shtuar, pa mbetur në ripërsëritje e rimarrje formale të këtij ose atij motivi. Ja p.sh. si përshkruhet një portret i bukur i femrës shqiptare, si në një pikturë të epokës rilindase:

Faqebardha qumështore,

Mbushur me afsh e freski,

Gushëderdhura prej bore,

Ç`bukuri e ç`vajzëri…

Apo vargje si:

Të dy gërshetat e Dezit

Një në gjoks e një në krah,

Zbresin embël afër mesit,

Posi ngjyrat në tezgjah..


Kjo botë e pasur dhe e bukur e njerëzve të këtyre anëve, përligjet me mjedisin, ku ata jetojnë e punojnë: pikërisht në pllajat ku ziejnë tingujt e longares, muzika e hareshme e zileve të kopeve të bagëtive, në pyjet ku ka mall perëndije, ku e ka pushtetin mbretëria e zogjve këngëtarë, ku bën udhë disku i diellit si unazë dhe shfaqet hënë e ngrënë dhe e coptuar… Ndihen nëpër vargje fllade mali, aromë mjalti prej luleve gjithfarësh, vjeshta e artë, uturima e bubullimave përmbi det…Heroi lirik është i përmalluar të flerë me hënën, duke iu lutur me përgjërim e afsh poetik: Zbraze shpirtin tënd, moj zbraze…Nëpër motivet e trajtuara, metaforat dhe epitetet, gërshetohen mes tyre dhe sjellin parafytyrime të befta te lexuesi. Të krijuara ato figura, jo në trajta abstrakte e me stërhollime të ftohta, por të gjurmuara në natyrën e gjallë, mes natyrës e njerëzve, nëpër bisedat e zakonshme të ditës, duke u përcjellë plot filozofi jete të njerëzve të thjeshtë. Dhe të gjurmuara këto imazhe e detaje poetike, sidomos prej këngëve e vajeve, prej riteve e traditave të hershme, duke i gjallëruar dhe freskuar natyrshëm dhe pa sforco, pikërisht me teknikat e përftuara prej poezisë së kultivuar. Duket se autori i njeh dhe i vlerëson drejt në krijimtarinë e tij këto teknika vjershërimi, por që ia ka ënda të shkrihet edhe brenda shtratit të folklorit, sidomos në magjinë e lirikës popullore. Pra, e njeh mirë këtë zhanër, por edhe e shijon dhe guxon që të “matet” me thesaret e saj, sigurisht, me kujdes dhe me ndjenjë mirënjohjeje dhe modestie të përmbajtur.

Nëpër dejet e kësaj poezie, sigurisht që nuk mund të mungojnë motivet e vendlindjes, me dashurinë për dheun dhe gurët e të parëve, ku identifikohet qëndresa shqiptare nëpër histori dhe krenaria për t`i ruajtur vlerat identitare. Nënat shamizeza burrnesha e bujare, djemtë “sorkedhër” të Labërisë – sofër e pushkës dhe e këngës, këto e të tjera detaje të endura nëpër poezi, japin pamje edhe të frymës epike, krahas atij flladi lirik, që në fakt, duket se zotëron pjesën më të madhe të kësaj përmbledhjeje poetike.Përmenda më lart se autori i librit, erdhi vet në Tiranë që të më dorëzonte përmbledhjen e printuar të poezive të tij. Ishte e diel dhe e kishim lënë të takoheshim si dy të panjohur më parë, në ora 10 përballë kishës, në Don Bosko. Si po afronte ora e takimit, pak përpara, vendosa që t`i bëj telefon për t`u siguruar në se kishte mbërritur në kryeqytet. Më tha se kishte 1 orë që kishte mbërritur dhe priste te vendi i takimit, por me ndjenjën e korrektesës, nuk donte të më shqetësonte, por respektonte orën e caktuar më parë. Sigurisht, që unë u nisa menjëherë përte vendi i takimit. Kur po i jepnim dorën njeri-tjetrit, nisën të bien këmbanat e së dielës. “Ogur i mirë”, i thashë duke buzëqeshur. E kisha fjalën për librin e pritshëm. Kështu u njoha përmes poezisë, me autorin e këtij libri. Me këtë rast, përmes këtij shkrimi hyrës, i përcjell edhe urimin për të sjellë sa më shumë emocione te lexuesi që do ta ketë në dorë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page