top of page

Prof. Dr. Roland Gjini: DR.RESHIT KOBURJA, MENAXHUESI I AFTË I ARSIMIT ...


DR.RESHIT KOBURJA, MENAXHUESI I AFTË I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR SHQIPTAR DHE DIDAKTI PRODUKTIV I ORGANIZIMIT TË ORËS SË MËSIMIT


Nga Prof. dr. Roland Gjini

Qendra e studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike.


Universiteti i Elbasanit.

Tradita arsimore e Elbasanit bëri hapa të dukshëm progresivë edhe në gjysmën e dytë të shekullit XX, pavarësisht politizimit dhe ideologjizimit të skajshëm të shkollës nga partia-shtet në vitet 1944-1990. Në plejadën e bollshme në numur me figura e personalitete nga Elbasani, që kanë dhënë një kontribut të spikatur në xhvillimin e arsimit tonë kombëtar të kësaj kohe, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtimit të arsimit dhe të të pedagogjisë e didaktikës shkollore, një vend të spikatur zë doktori i shkencave didaktike Reshit Koburja. U lind në vitin 1936 në një familje me tradita qytetarie në Elbasan. Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare, në vitet 1951-1955 ndoqi e përfundoi me rezultate shumë të mira shkollën e mesme pedagogjike (Normalja) të Elbasanit dhe në vitin 1959 u diplomua po me rezultate shumë të mira në Universitetin e Tiranës, në degën gjuhë e letërsi ruse në fakultetin e Filologjisë.

Pas mbarimit të fakultetit shërbeu si mësues në vende të ndryshme të Shqipërisë, fillimisht, në vitet 1959-1960, në Himarë të rrethit të Vlorës e, më pas, në vitin 1960 u transferua në rrethin e Gramshit. Këtu punoi e kontribuoi për 12 vjet, konkretisht, në vitet 1960-1962 si mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “SH. Gjuzi”, në 1962-1963 mësues e zv/drejtor po në këtë shkollë, në vitet 1963-1966 në detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të përgjithëshme “Sh. Gjuzi”. Më pas, më 1966 deri më 1968, punoi si inspektor arsimi po në Gramsh, ndërsa në vitet 1968-1972 ishte shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës në këtë rreth.

Në vitin 1972, në kohën e një liberalizimi të përkohshëm në vend, Reshit Koburja, nisur nga aftësitë e formimi i tij, u transferua në Elbasan, fillimisht, në vitet 1972-1975 si drejtor i Kabinetit Pedagogjik, e më pas, 1975-1977 si inspektor në Seksionit e Arsimit e të Kulturës të rrethit të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe, sidomos gjatë viteve që drejtonte Kabinetin Pedagogjik, dolën në pah aftësitë jo vetëm menaxhuese e organizuese të Reshitit si drejtues i arsimit, por edhe formimi i tij si një didakt e metodist i aftë, në veçanti për lëndët shoqërore. Ndërkohë, Kabineti Pedagogjik që ai drejtonte mori një fizionomi dhe vlerësim tjetër nga ana e mësuesve në qytet e fshatra. Ndryshe nga inspektorët e seksionit të arsimit, metodistët e Kabinetit Pedagogjik filluan të mos shihen më nga mësuesit e shkollave si kontrollorë të rreptë të punës së tyre, por si njerëzit më të afërt e më të nevojshëm për profesionin e tyre. Ata filluan të vlerësohen si specialistë që udhëzojnë, japin e hedhin mendime e ide produktive për mbarëvajtjen e punës në shkollë, e në mënyrë të veçantë për rritjen cilësore të orës së mësimit. Vetë Reshiti, në biseda me ta shprehej se kabineti pedagogjik duhej parë prej tyre si “Shtëpia e mësuesit” dhe metodistët e këtij institucioni duhej të trajtoheshin nga ta si kolegë të tyre, që rrahin mendime për gjetjen e rrugëve, formave e metodave sa më efikase për përmirësimin e mësimit dhe përgatitjen e ndërgjegjshme të nxënësve me dijet dhe aftësitë e duhura. Së bashku me kolegët e tij si Gani Bedhia, Muhamet Ndrita, Ruzhdi Hoxha, Taulant Zaimi, Kujtim Kopani, Genc Trëndafili, Anastasi Kote, Kristaq Mullisi e metodistë të tjerë, shumë shpejt Kabineti Pedagogjik i Elbasanit u bë ndër më të njohurit në vend, arritjet e punës së tij përgjithësoheshin nga Ministri e Arsimit së asaj kohe dhe Instituti i Studimeve Pedagogjike nëpër shkollat jo vetëm të rrethit Elbasan, por në të tërë vendin nëpërmjet materialeve të shkruara normative, siç quheshin atë kohë. Materialet normative ishin manuale udhëzuese për çështje të ndryshme si, për shembull, për drejtimin e shkollës, për metodat e mësimdhënies, për zhvillimin e prirjeve e talenteve te nxënësit nëpërmjet rretheve jashtëshkollore, për ndërtimin e përdorimin e bazës materiale mësimore, etj. Kështu, në vitin 1980, Reshit Koburja, së bashku me kolegë e drejtues të tjerë të arsimit në rreth, përgjithësoi përvojën e Elbasanit në drejtimin e shkollës nëpërmjet dy artikujve të botuar njëri pas tjetrit këtë vit në Revistëm Pedagogjike: “Kontrolli, funksion i rëndësishëm i drejtorisë së shkollës” dhe “Planifikimi dhe organizimi i përgjithshëm i punës së drejtorisë së shkollës”. Në vitet ’80-të të shekullit të kaluar mund të themi që këta dy artikuj shërbyen si udhëzues të rendësishmëm për planifikimin e punës në shkollat 8-vjeçare e të mesme të krejt Republikës.

Ndërkohë, Reshit Koburja nuk reshti së dhëni udhëzime, këshilla dhe rekomandime për përmirësimin e metodave të mësimdhënies si nëpërmjet kontrolleve-ndihmë nëpër shkolla, ashtu edhe nëpërmjet kumtesave në takime kualifikuese me mësuesit e rrethit, në konferenca pedagogjike si dhe me artkuj në shtypin pedagogjik. Përmendim këtu disa prej tyre: Në Revistën Pedagogjike nr. 1 viti 1978 ai botoi një artikull me shumë interes për mësimdhënien e gjuhëve të huaja, me titull “Mbi punën mësimore-edukative në klasë e jashtë saj në mësimin e gjuhëve të huaja”. Ishte ndër të parët në vend që në fillim të viteve ’70-të të shekullit të kaluar shtroi nevojën e përdorimit të lidhjeve ndërlëndore në mësimin e lëndëve të veçanta. Për këtë në gazetën “Mësuesi” më 14.03.1973, botoi një artikull me këtë tematikë. Këtu ai këmbëngulte që mësuesi i një lënde të caktuar duhet të zotërojë mirë e në thellësi nga ana shkencore jo vetëm lëndën e vet mësimore që mbulon, por edhe lëndë e shkenca të tjera që lidhen me lëndën e tij, të paktën aq sa të shpjegojë koncepte e dukuri që përmban lënda e tij, por që bëhen të qarta nëpërmjet lëndëve e shkencave të tjera.

Ai ishte një kërkues i rreptë ndaj vetes, lexues i zellshëm i botimeve pedagogjike, sipas kushteve të asaj kohe, ku botimet kryesore të huaja ishin në gjuhën ruse, të cilën ai e njihte mirë. Mbante lidhje të ngushta me specialistë të njohur të pedagogjisë, psikologjisë e didaktikës në vend, si me prof. Hamit Beqjen e prof. Bedri Deden. Duke qenë ndër bashkëpunëtorët më aktivë të Institutit të Studimeve Pedagogjike në Tiranë, miqtë e tij më të ngushtë përveç elbasallinjve Pëllumb Gaçe e Qazim Kashari ishin edhe metodistet e didaktët Kozma Grillo e Shefik Osmani. Në biseda me ta ai përherë shtronte probleme didaktike, rrihte mendime e kërkonte opinione të tyre, duke parashtruar edhe të vetat, për çështje të ndryshme të mësimdhënies dhe edukimit në shkollë. Ndërkohë, në kontrollet-ndihmë që zhvillonte Seksioni i Arsimit të rrethit në bashkëpunim me Kabinetin Pedagogjik, Reshit Koburja rekomandonte për pjesëmarrje në këto grupe kontrolli mësues e drejtues shkolle të dalluar në punën e tyre, qofshin këta edhe të rinj. Akoma më tej, ai ishte që përkrahës i flaktë i mësuesve e i mësueseve të reja që premtonin cilësi në punën e tyre. Këta të rinj jo vetëm i përkrahte por edhe i promovonte në aktivitete të ndryshme didaktike dhe shkencore, si ligjërues me kumtesa e informacione të ndryshme shkencore e pedagogjike në takimet kualifikuese me mësuesit e rrethit, të cilat zhvilloheshin për disa ditë në intervalet e pushimeve të shkollës në muajt janar, prill e qershor, në mënyrë të planifikuar nga kabineti pedagogjik. Pothuaj të tërë ata mësues të rinj të viteve ’70-‘80-të, të cilët ndjenë nga afër përkrahjen dhe mbështetjen e Reshit Kobures, në karrieren e tyre jo vetëm u bënë mësues të mirë, por bënë hapa përpara në kualifikimin shkencor duke marrë grada e tituj, arritën të jenë drejtues shkolle apo të arsimit në rrethe, bashki e qarqe, ata që u morën me kërkim shkecor u bënë pedagogë, drejtuesh departamentesh apo fakultetesh, madje edhe rektorë universiteti. Kishte edhe nga ata që u dalluan në politikë duke u bërë deri deputetë apo anëtarë qeverie.

Meqenëse nga regjimi i kohës ishte i cilësuar me “cen në biografi” ai nuk mundi të qëndrojë gjatë si drejtues i institucioneve arsimore në Elbasan. Kështu në vitet 1977-1981 u shkarkua nga detyra e inspektorit të arsimit në rreth dhe u caktua si mësues i thjeshtë në shkollën e mesme mekanike pa shkëputje nga puna të qytetit. Largimi i tij nga kabineti pedagogjik i rrethit la një boshllëk të dukshëm, prandaj në vitin 1981 ai u caktua përsëri si pjesë e këtij kabineti, por tashmë si metodist i theshtë. Me riardhjen e tij në kabinet u vu re dukshëm gjallërimi i jetës së këtij institucioni, në mënyrë të veçantë përmirësimi cilësor i procesit të kontroll-ndihmës në shkollat e rrethit si dhe puna kualifikuese me mësuesit. Në veprimtaritë kualifikuese me mësuesit e rrethit, në hartimin e programeve kualifikuese dukej qartë mendja dhe dora e Reshit Kobures. Rezultatati më i dukshëm i punës së Reshitit në vitet ’80-të të shek XX ishe ngritja dhe funksionimi në mënyrë rezultative i komisioneve të lëndëve me mëues të një profili. Këto komisione bashkonin mësues sipas profileve të disa shkollave të qytetit e të rrethit, të cilët në bazë të një plani të hartuar mirë zhvillonin veprimtarinë e tyre kualifikuese në bashkëpunim me kabinetin pedagogjik të rrethit.

Ndërkohë, Reshit Koburja nuk u ndal asnjëherë në rrugën e kualifikimit të tij si menxhues i zoti arsimit dhe si një didakt i përgatitur si teorikisht, ashtu edhe një zotërues i përvojave të shumta gjatë punës së tij disa dhjetëra vjeçare në arsim. Në këtë rrjedhë të kualifikimit të vazhdueshëm përmendim edhe mbrojten nga ana e tij të gradës “Kandidat i shkencave” me vendim të Komisionit të Lartë Shtetëror të Atestimit më datë 23.09.1989., të konveruar në vitin 1994 në “doktor i shkencave didaktike”. Tema e disertacionit të mbrojtur prej tij ishte: “Për konceptimin bashkëkohor të përmbajtjes, metodave e të formave të kontrollit të dijes në klasat V-VIII të shkollës 8-vjëçare”. Në këtë punim shihen qartë disa mënyra të reja të zhvillimit të kësaj faze të rëndësishme të orës së mësimit, ku autori vë theksin në atë që në praktikën tonë shkollore termi “kontroll njohurish” duhet zëvendësusr patjetër me termin “kontroll dijesh”, pasi njohuritë janë vetëm pikënisja e procesit të të mësuait. Në se e kufizojmë procesin mësimor në thjesht përvetsim njohurish atëhere të mësuarit, sidomos në lëndët shoqërore, rrezikon të kalojë drejt të mënyrës mekanike dhe të përciptë të të përvetsuarit. Ndërsa kur të mësuarit, thekson autori, orientohet drejt formimit të dijeve, duhet të kemi në konsideratë se dijet janë më të qëndrueshme se njohuritë, ato janë njohuri të zbatuara në rrethana të caktuara, ato gjithashtu formohen si rezultat i veprimeve të menduara mirë dhe shprehin raporte të caktuara të elementeve të veçanta të njohurive mes tyre, dijet janë forma të konceptuara që lindin nga veprime mendore të ndërgjegjme te nxënësit. Në disertacionin e tij dr. Reshit Koburja nënvizon se suksesi i kontrollit të dijeve në orën e mësimit varet nga pyetjet që ndërton e drejton mësuesi. Për t’i orientuar drejt mësuesit në hartimin e pyetjeve autori bën edhe një klasifikim të tyre, duke nisur me pyetjet riprodhuese, duke vijuar me pyetjet formuese e duke shkuar deri në pyetje të nivelit të lartë, siç janë pyetjet krijuese apo vlerësuese. Duke këmbëngulur për rëndësinë e të pyeturit në orën e mësimit, ai shprehej se në se do të dish se i kujt niveli është një mësues, shih se si ai e ndërton dhe e drejton pyetjen në orën e mësimit.

Në fillim të viteve ’90-të të shekullit të kaluar Reshiti përkrahu dukshëm lëvizjet demokratike të rinisë, intelektualëve dhe të popullit shqiptar për liri e demokraci. Ishte kjo një arësye më shumë që në vitet 1991-1992 ai u caktua në detyrën e shefit të Seksionit të Arsimit e të Kuturës në Komitetin Ekzekutiv pluralist të rrethit Elbasan, detyrë të cilën e kreu me përkushtim e profesionalizëm. Pas daljes në pension ai nuk u shkëput nga veprimtaria pedagogjike, të cilës i kishte kushtuar gjithë jetën. Për disa vite drejtoi me kompetencë profesionale dhe efektivitet shkollën e mesme private “Iliria”, ndër të parat e këtij lloji në Elbasan.

Në punën e tij kërkimore-shkencore dr. Reshit Koburja nuk u përqëndrua vetëm në çështjet didaktike, por edhe më gjerë. Kështu, pas ardhjes së demokracisë, ai u angazhua në studime të thelluara për Normalen dhe për historinë e arsimit në Elbasan, sidomos në njohjen e propogandimin e figurave të dalluara në fushën e pedagogjinë e didaktikës të trevës së këtij qyteti. Studimet e tij ai i publikoi jo vetëm në konferenca e tubime shkencore por edhe në shtypin periodik, si dhe në botime të tilla si: “Normalja në traditë”, “Normalja në fokus të bashkëkohësisë”, “Në panteon, drejt panteonit” etj. Mund të themi që ai qe ndër të parët që njohu lexuesit dhe opinionin publik me figura e personalitete të tillë si: Sulë Harri, Fadil Gurmani, Sotir Paparisto, Dhimitër Paparisto, Vasil Andoni, Skënder Sejdini, Venemin Dashi, Kamber Kazazi, Kol Prela, Mehmet Daiu, Kasem Bajram Malasi, Gani Bedhiu, Hysen Cera etj.

Puna më e vyer e dr. Reshit Kobures është kontributi i tij në një nga veprat më madhore të shkruara për Elbasanin e të botuar në vitin 2003: “Elbasani Enciklopedi”. Ai bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë në vitin 1998 formuan një grup që përbënte Redaksinë Qendrore: Prof. as. dr. Kujtim Bevapi, përgjegjës i Redaksisë, anëtarë: Prof. as. dr. Ali Lazareni, Dr. Reshit Koburja, Prof. as. dr. Tomor Plangarica, Mësues i merituar Zeqir Sarja. Redaktor shkencor i enciklopedisë ishte Prof. dr. Xhevat Lloshi. Grupe të tjerë me emra të njohur studiuesish nga fusha të ndryshme përbënin redaksitë e veçanta. Roli i rëndësishëm i Reshitit për hartimin e kësaj vepre qëndron në faktin se ai luajti rol parësor nëgrumbullimin e përcaktimin e fjalësit të enciklopedisë, gjithashtu ai vetë personalisht shkroi disa zëra dhe drejtoi Redaksinë e Arsimit, Kulturës, Kulturës Popullore, Shtypit, Informacionit dhe Fizkulturës. Mund të themi se ai dhe shumë autorë të tjerë të kësaj vepre nuk jetojnë më, por ata na kanë lënë pas këtë testament të vyer, i cili është e do të jetë për Elbasanin e më gjerë manuali kryesor i shkruar për të njohur këtë qytet e trevat rreth tij.

47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page