Nga Halil RAMA
Mjeshtër i Madh
Mirënjohja si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut gjen mishërim të plotë në librin e ri të prof.dr.Eshref Ymerit, Shtigjeve të fjalës artistike. Që në në hyrje të librit, me titullin “Dy fjalë”, ky personalitet i shquar i letrave dhe i kulturës kombëtare, falenderon të gjitha ato pena të talentuara shqiptare që ia kanë dhuruar librat e tyre me aq bujari. Dhe profesori ua shpërblen po me aq bujari, me mbresat e renditura me modesti në faqet e këtij libri.
Në librin e ri të profesor Eshref Ymerit Shtigjeve të fjalës artistike gjejmë modelin më të mirë se si duhet shkruar reçensioni i një vepre letrare.
Prandaj edhe prof.dr.Fatmir Terziu e konsideron veprën studimore të prof.dr.Eshref Ymerit “Shtigjeve të fjalës artistike”, një analizë tekstuale brenda zbërthimit kontekstual. “Kjo vepër,-thotë ai,- është një ndalesë e gjatë e autorit, ku në thelbin e ndërmarrjes së tij u jep përgjigje të thellë e kuptimplote mjaftë enigmave ku rreken burimet e frymëzimeve të autorëve të ndryshëm, në atë pikë ku shkrimet e para janë të lidhura me faktet dhe me prototipat dhe në pikën ku krijimtaria e vëzhguar thellë e në detaje, merr një zhvillim më të madh”.
“Për të qenë kritik i shkëlqyer, duhen
aftësi për të qenë një shkrimtar i mirë”
Jo pa qëllim prof.Ymeri citon shkrimtarin dhe personalitetin shtetëror frances Fransua Vilmenit (Abel-François Villemain – 1790-1890), kritik dhe historian i letërsisë: “Për të qenë kritik i shkëlqyer, duhen aftësi për të qenë një shkrimtar i mirë. Vetëm talenti është në gjendje t’i zgjerojë hapësirat e dijes”. Në këtë qasje, prof.Ymeri rendit mbresa që ka përjetuar nga leximi i veprave artistike që ia kanë dhuruar mikesha apo miq të tij, pena të talentuara në botën e letrave shqipe. Dhe kështu, prof.Ymeri vlerëson strukturën e librit “Vikama e tingullit” të Vera Ibrahimit, kushtuar Artistit të Popullit, Feim Ibrahimi, shkruar në trajtë ditari, por me përthyerje kronologjike e me fluturime lirike e që të pushton qenien sapo ke lexuar rreshtat e parë.
Ndonëse shpreh me tepri modestinë e tij në analizën e veprave letrare të më shumë se 70 autorëve (që sërish, me modesti i quan “SHKRIME”), ato në vetvete janë recensa të mirëfillta, ku jepen detaje për tematikën, figuracionin, përmbajtjen e mesazhet që përcjellin.
Prof.Ymeri i evidenton fare qartë këto elementë, kur ndalet te “Shtegtimet lirike në poezinë e Elida Buçpapajt.” Në analizën e vëllimit poetik me titull “Ujshëm”, prof.Eshref Ymeri evidenton, ndër të tjera lirizmin që përbën njërën nga karakteristikat e të menduarit artistikisht të poetes, publicistes dhe përkthyeses së talentuar Elida Buçpapaj, që mbçshtetet në përjetimet vetjake gjatë perceptimit të ngjarjeve në morinë e realiteteve shqiptare, çka gjen pasqyrim në gjendjen e saj shpirtërore.
Po ashtu, në analizën e romanit “Çatia e gjarpërinjve” (Misteret e çatisë së gjarpërinjve” - fq.339), prof.Dr.Eshref Ymeri (të cilin me të drejtë prof.dr.Fatmir Terziu e konsideron “Filozofi modern mes dy kohëve”), shkruan: “...Poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në krijimtarinë e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm”.
Thjeshtësinë deri në madhështinë e tij, prof.Ymeri e tregon edhe në analizën e poezisë së Qazim D.Shehut, të cilin e konsideron një zë origjinal që ndjek shtigjet e veta të krijimtarisë, duke iu shmangur me elegancë përditshmërisë. Për prof.Ymerin, “Ligjërimi poetik i Qazim D.Shehut të bën përshtypje për forcën shprehëse, të cilën ia japin mjetet artistike, figurat që ai di t’i organizojë me art”.
Në koherencë me realitetin objektiv prof.Ymeri analizon lirizmin emocionues të shkrimtares Mira Meksi, prozën tregimtare të Sotir Athanasit e Vilheme Vrana Haxhirajt, fushëbetejën e fjalës artistike të Uran Butkës, “potpurinë” letrare të Flori Bruqit, fabulën në penën e Nimfa Hakanit, si dhe poezinë e poetëve Daniel Gazulli, Artur Shemaj e Arqile Gjata.
Fryma polemizuese….
Duke rrugëtuar nëpër këto shtigje, prof Ymeri, nuk ngurron të bëjë një “pushim të shkurtër” edhe te poezia elegjiake e Dritëroit me titull “Më fal Enver”, kur shkruan se “..dikatura e egër e kriminelit Enver Hoxha e kishte bërë punën e vet: Njerëzit i kishte zhveshur tërësisht nga dinjiteti personal”. Por vetëm një faqe më pas të kësaj vepre shumëpërmasore, me gjykim racional gjejmë një tjetër përfundim të prof.Ymerit për poezinë e Ditëroit me titull “Sikur s’jetoj në vendin tim”. Pasi pohon se e ka lexuar këtë poezi në faqen internetike VOALtë datës 19 shtator 2016, me moderatorë dy publicistë me emër të kombit shqiptar – Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj, prof Ymeri shkruan: “Poezia është mjaft prekëse dhe dëshmon për një zhgënjim tepër të madh të Dritëroit në këtë moshë të nderuar”. Do të mjaftonin për të arritur në këtë përfundim qoftë edhe vargjet e të Madhit Dritëro: “Ky vend më duket do helmohet krejt/ Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet, /Pastaj do tundet toka në tërmet/ Dhe djalli i Madh do qeshë e do zgërdheshet”.
I drejtëpërtejtë, objektiv dhe konciz është prof.Eshref Ymeri kur shkruan se “Nuk mbrohet Kadarea me të pavërteta”. Pasi ka lexuar artikullin e botuar nga Poli Hoxha me titull “Kadarea, Enveri dhe ata që s’kanë ‘jetuar’ atëherë” (Gazeta “Ballkan”, 02 korrik 2004), prof.Ymeri ndër të tjera shkruan: “Sigurisht, nga kujtimet e Kadaresë për Enver Hoxhën nuk del askund se ai ka qenë beniamin i diktaturës. Por halli është se ‘beniaminizmin’ e vet ndaj diktaturës Kadarea e ka vulosur me krijimtarinë e vet poetike, e cila është e shkruar e zezë mbi të bardhë dhe sot është pronë e mbarë lexuesve shqiptarë”.
Përsëri për mirënjohjen
Mirënjohja, ky virtyt që e fisnikëron njeriun përshkon pothuajse tërë librin “Shtigjeve të fjalës artistike” me 543 faqe të prof.dr.Eshref Ymerit. Ashtu si modestinë, edhe mirënjohjen, prof. Ymeri e shfaq me tepri, jo vetëm në përditshmërinë e tij, në takimet me miq e shokë, por edhe në analizën e veprave të autorëve të ndryshëm (pa i diferencuar ato) .
Ndoshta, nisur edhe nga kjo anë e profilit të tij, miku im, publicisti dhe prozatori i njohur Shefqet Meko, shkruan: “Prof.dr.Eshref Ymeri është nga ata burra, që i peshon fjala dhe i ndrit karakteri. Ai, me gjithë aftësitë e shquara si përkthyes dhe intelektual, nuk u bë kurrë vegël e politikës jargavitëse të kohës që jetojmë, por duket se ka nënshkruar vetëm një ‘kontratë’ me të vërtetën dhe Shqipërinë”.
Po. Prof.Eshref Ymeri ka qenë dhe është i drejtpërdrejtë ndaj kalemxhinjve, që tentuan dhe tentojnë të shtrembërojnë historinë e kombit tonë. Ai i tillë është edhe në shprehjen e mirënjohjes për ata dhjetëra krijues të talentuar që veprat e tyre i bazojnë tek e vërteta. Prandaj jam i një mendjeje me Skënder Sadri Kapitin, i cili, i nxitur nga shkrimi i prof.dr.Eshref Ymerit, me titull “Mirënjohja është pasuri shumë e çmuar shpirtërore” (faqja e internetit “Fjala e lirë”, 11 janar 2021) shkruan: “Te profesor Eshref Ymeri, mbi gjithçka konstatojmë shpirtgjerësinë, modestinë dhe respektin e mirënjohjen që e karakterizon”. Këto veti të karakterit të tij i gjejmë pothuajse në të gjitha vlerësimet e librave, të përmbledhura në veprën “Shtigjeve të fjalës artistike”.
Po ashtu edhe Vilheme Vranari-Haxhiraj – akademike, Mjeshtre e Madhe, në librin e saj “Elitat e mohuara...Krenari kombëtare” (Shtëpia Botuese “Nacional” - Tiranë 2019, fq 404-411), ndër të tjera shkruan: “Eshref Ymeri është një personalitet dhe individualitet i veçantë i kulturës sonë kombëtare, një erudit që ka dhënë vlera të pallogaritshme në fushën e gjuhësisë, të përkthimit dhe të publicistikës”.
Dhe së fundmi, dua të përshfaq edhe mirënjohjen që prof.dr.Eshref Ymeri shpreh për shoqen e shtrenjtë të jetës së tij, Havanë. Jo vetëm për mirërritjen e miredukimin e dy fëmijëve të tyre, Plarentit dhe Kesianës, të cilët tashmë kanë hyrë me dinjitet në indin e jetës amerikane, por edhe për ndihmën e çmuar në redaktimin dhe korrektimin e artikujve publicistikë dhe të librave të botuar.
I dashur Halil,
Ju kujtoj me shumë respekt që asokohe kur jemi njohur për herë të parë, pikërisht në vitin 1994. Për dibranët ushqej shumë respekt, aq më tepër që gjysma e jetës sime, Havaja, është dibrane. Prandaj këngën e legjendës së artit popullor dibran, Azis Ndreut, me titull “Hajredin Pasha” e kam ndër këngët më të parapëlqyera në jetën time. E dëgjoj herë pas here në youtube nga ekrani i kompjuterit atë këngë plot madhështi epike dhe në shpirt përjetoj një ndjenjë të dyfishtë: edhe ngazëllim për dibranët trima që “patën lidhë besë të tanë, Dibrën turkut mos me ia lane”, por edhe një trishtim të thellë: ndërkohë që trimat e Dibrës përlesheshin me trupat e otomanit Hajredin Pasha,…