Prof Dr Eshref Ymeri: Shkencëtari për shkencëtarin
- May 24
- 5 min read

Tre vjet më parë, Prof.dr. Fatmir Terziu botoi librin me titull “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”, një vepër shkencore kjo me vlera të jashtëzakonshme njohëse nga fusha e historisë gjeografike.
Toponimia (kjo fjalë rrjedh nga pellazgjishtja topos - vend dhe onyma - emër), si shkenca e emërtimeve gjeografike, zë një vend të rëndësishëm në studimet gjuhësore. Emërtime të tilla hasen gjithandej: nëpër qytete, fshatra, gjatë udhëtimeve të ndryshme, në mësimet e gjeografisë, gjatë leximit të letërsisë. Ato i përdorim shpeshherë, pa e vrarë shumë mendjen, se na janë bërë të zakonshme. Për prejardhjen e tyre nuk kanë dijeni madje as banorët vendas. Ato i kanë krijuar popujt gjatë qindra vjetëve dhe ndaj vazhdojnë të ruhen sipas “ligjeve të veta”. Pra, toponimet janë kujtesa e popullit për ngjarjet e kohëve të afërta dhe të largëta, sepse as që mund të përfytyrohet jeta e shoqërisë bashkëkohore pa emërtime gjeografike, sepse gjithçka në këtë botë ka adresën e vet, duke filluar nga vendlindja e në vijimësi.
Studimi i toponimisë ka një rëndësi të madhe për historinë e popujve, për hapësirat që ata popullojnë, për hedhjen dritë mbi rrugët e zhvendosjes së tyre gjatë shekujve. Kësisoj nënkuptohet që toka shërben si libër, në të cilin historia e njerëzimit regjistrohet në emërtimet gjeografike.
Studimi i këtyre emërtimeve gjeografike ka një rëndësi të dorës së parë jo vetëm për gjeografinë historike, por edhe për etnografinë, sidomos në rastet kur kjo bie në kontakt me arkeologjinë.

Prof.dr. Fatmir Terziu, si një intelektual i shquar në shumë fusha të dijes, i lindur dhe i rritur në Elbasan, në këtë vatër me emër të madh në kulturën tonë mbarëkombëtare, pas përfundimit të studimeve, pati punuar mësues në disa shkolla. Gjatë kohës që pati dhënë mësim në Gollobordë, si një intelektual me kërkesa të larta ndaj vetes për punë shkencore, i qe kushtuar studimit të toponimisë në atë zonë, një punë e gjatë kërkimore kjo, që qe kurorëzuar me botimin e veprës që u citua më lart.
Prof.dr. Begzad Baliu, si një personalitet i shquar në fushën e gjuhësisë, në punimin shkencor, me titull “Toponimia e Gollobordës si sistem shumështresor gjuhësor”, ka analizuar veprën e Prof.dr. Fatmir Terziut.
Duke qenë vetë specialist në këtë fushë, Prof.dr. Begzad Baliu (vite më parë ai pati mbrojtur doktoratën me temë “Onomastika e krahinës etnografike të Gallapit”, zonë e Dardanisë juglindore), është ndalur hollësisht në analizën e kësaj teme. Në këtë analizë dalin në pah disa gjëra:
Së-pari, ligjësitë e përhapjes së emërtimeve gjeografike, në varësi të kushteve natyrore, të veprimtarisë ekonomike të banorëve, të marrëdhënieve me territoret fqinje etj.
Së-dyti, arsyet, sipas të cilave një mjedis i dhënë qe emërtuar në një mënyrë të caktuar.
Gjykuar nga emërtimi i vendbanimeve, mbi bazën e kësaj analize, lexuesi mund të përcaktojë:
Së-pari, arsyen, sipas së cilës është emërtuar një mjedis i caktuar.
Së-dyti, kohën e popullimit të mjedisit.
Së-treti, prej nga mund të jenë zhvendosur banorët që kanë populluar mjedisin dhe si ishte gjendja e këtij mjedisi para zhvendosjes.

Së-katërti, cili ka qenë ndikimi i vendasve ndaj të ardhurve ose e kundërta.
Për kohën e pushtimeve të trojeve shqiptare nga të huajt, dëshmojnë toponimet sllave, si kamenicë, konispol, kosovë, novoselë, suharekë, velipojë.
Prania e toponimeve të tilla në trojet shqiptare, ndikon në krijimin e bindjeve të gabuara te të huajt, të cilët vijnë në përfundimin se trojet në fjalë nuk qenkan shqiptare.
Në nëntor të vitit 1999, isha në Dardani për të shoqëruar si përkthyes një grup gazetarësh të disa kanaleve televizive dhe gazetave ruse, të cilët kishin ardhur për vizitë, pesë muaj pas përfundimit të luftës, që qe shoqëruar me bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Vizituam shumë qendra banimi. Kur shkuam në Kamenicë, ku ishin të dislokuara trupa ushtarake ruse, si pjesë e KFOR-it, pata një debat me ata gazetarë.
Njëri prej tyre tha:
“E çuditshme! Kjo është tokë serbe, prandaj edhe quhet Kamenicë”.
Mandej m’u drejtua me pyetjen në vijim:
”Më thoni, ju lutem, a e dini se çdo të thotë fjala “kamenica”.
“Po, e di, - ia ktheva. - Kjo fjalë ka disa kuptime: kuptimi i parë: shtëpi prej guri në Rusinë e lashtë; kuptimi i dytë: markë bullgare e tregtimit të birrës; kuptimi i tretë: festival folklorik bjellorus. E ç’do të thoni me këtë pyetje? - ndërhyra, duke e përmbajtur veten nga një revoltë e brendshme - Dua të them se ky është territor serb, domethënë sllav, - ma ktheu ai. - Sipas jush, - i thashë paksa me ton më të ashpër, - tokat shqiptare, të pushtuara nga barbarët sllavë, të cilët u kanë ngjitur emërtime sllave, na qenkan territore sllave?!
Ai s’foli më.
Gjatë leximit të vëmendshëm të studimit dhe të analizës së këtyre dy shkencëtarëve, kuptohet që njeriu në jetë është i rrethuar nga “bota” e emërtimeve gjeografike. Prandaj është e pamundur të përfytyrohet jeta e shoqërisë njerëzore pa emërtime të tilla. Këto janë kudo dhe na shoqërojnë që nga fëmijëria e hershme. Gjithçka në tokë ka adresën e vet, e cila fillon nga vendlindja. Këto emërtime i studiojnë përfaqësuesit e shkencave të ndryshme, si gjuhëtarët, gjeografët, historianët, etnografët, shkrimtarët. Por vëmendjen kryesore atyre ua kushtojnë gjuhëtarët, sepse çdo toponim, pavarësisht nga objekti, me të cilin lidhet, qoftë ky i natyrës së gjallë ose jo të gjallë, ai përfaqëson një fjalë që përfshihet në sistemin e gjuhës.
Studimi krahasues i toponimeve në veprën dhe analizën e këtyre dy shkencëtarëve, ngjall interes për kërkime shkencore dhe shërben si orientim për të zgjidhur mjaft probleme nga dijetarë përkatës nga fusha e historisë së lashtë dhe paleolinguistika. Analiza e kujdesshme e toponimeve u krijon mundësinë gjeografëve, gjeologëve, botanistëve, zoologëve, ekonomistëve dhe etnografëve të kenë në dorë një material interesant për të gjykuar për karakteristikat e një mjedisi të caktuar, për vendburimet e mineraleve të dobishme, për mbizotërimin e botës bimore dhe botës shtazore, për tipin e ekonomisë mbizotëruese, për shpërndarjen e popullsisë etj.
Nuk kemi informacion se sa e interesuar ka qenë Akademia e Shkencave për veprën e Prof.dr. Fatmir Terziut, posaçërisht sektori i terminologjisë në Institutin e gjuhësisë.
Për Akademinë e Shkencave dhe për klasën politike, është e turpshme që, pas vitit 1990, askush nuk e prishi terezinë për flakjen e toponimeve të huaja nga territori i vendit tonë. Gjatë diktaturës komuniste nuk mund të bëhej fjalë për një gjë të tillë, se në krye të vendit kishim argatin e Beogradit, Enver Hoxhën. Prandaj edhe sot e kësaj dite ato toponime vazhdojnë të mbeten si “truproja” të huaja në mbarë Shqipërinë, në vend që të qenë zëvendësuar më toponime tradicionale arbërore të periudhës pellazgoiliriane, ashtu siç pati vepruar Mbreti Ahmet Zogu, me nismën që pati ndërmarrë në vitin 1924. Por pas vitit 1990 erdhën në pushtet pasardhësit e diktaturës komuniste dhe domosdo që nuk mund ta vazhdonin nismën e tij, realizimin e së cilës e pati penguar pushtimi fashist.
Në mbyllje nuk mund të rri pa cituar publicistin dhe historianin e talentuar dibran, të ndjerin Fatos Daci, Mjeshtër i Madh, i cili u largua për në jetën e amshuar më 07 dhjetor 2025. Në arkivën e vet ai u ka lënë si trashëgimi breznive pasardhëse listën e toponimeve arbërore, sipas prefekturave dhe nënprefekturave të kohës së Mbretërisë. Atë listë, fatmirësisht, ma pati dërguar edhe mua, pas një letërkëmbimi që patëm disa vite më parë. Ai ka thënë:
“Të gjithë pushtuesit, me po aq zell sa punuan për të përpunuar mendjet e besimtarëve, punuan edhe në fushën e etnokulturës, duke futur elementë të veshjes, zakoneve, kuzhinës e të gjuhës së tyre. Ndër këta elementë, ata, si më të rëndësishmin konsideruan emrat e vendeve në gjuhën e tyre, të cilat, në planin afatgjatë, ishin për ta piramida të vërteta territoriale në brendësi të vendit tonë. Të gjithë e shohin se, edhe sot, këto piramida të vëna prej tyre në kohë pushtimesh, shovinistët po i përdorin si alibi në luftën e ethshme të tyre për të ndryshuar raportet etnike në Shqipëri, me synimin e vetëm për ta kthyer vendin tonë, ashtu si nuk është, në një shtet multietnik” (Citohet sipas: Fatos Daci. “Shqipëria duhet të flasë shqip”. Faqja e internetit “Lajme.gen.al”. 19 gusht 2011).
Kaliforni, 23 maj 2025
---------------0---------------








I dashur Profesor Fatmiri,
Për mua ishte kënaqësi e veçantë të shkruaja dy fjalë për veprën Tuaj shkencore, krahas analizës thellësisht shteruese që i ka bërë Prof.dr. Begzad Baliu. Kjo për arsye se në çdo fushë të letrave që keni thënë Fjalën Tuaj të Çmuar, del menjëherë në pah dashuria Juaj për dijen, pa të cilën nuk ka art, nuk ka shkencë. Prandaj shkencëtarja e shquar franceze, Iren Zholio Kyri (Irène Joliot-Curie -1897-1956) ka thënë:
“Dashuria ndaj çdo profesioni është njëri nga kushtet e suksesit, por kjo është veçanërisht e rëndësishme për punën kërkimore-shkencore”.
Ju uroj nga zemra suksese të reja në vijimësi.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 24 maj 2026
I nderuar Profesor Dr. Eshref Ymeri,
Ju falënderoj me mirënjohjen më të thellë për këtë vlerësim kaq të çmuar, të argumentuar dhe të ndërtuar me përkushtimin e një studiuesi të madh ndaj shkencës dhe të vërtetës. Fjalët Tuaja më nderojnë jo vetëm si autor të kësaj vepre, por edhe si njeri që ka besuar gjithmonë se kërkimi shkencor është një mision në shërbim të kujtesës, identitetit dhe kulturës sonë kombëtare.
Analiza Juaj e hollësishme dhe reflektimet që shtroni mbi rëndësinë e toponimisë, historisë dhe trashëgimisë sonë gjuhësore i japin një dimension edhe më të gjerë punës sime kërkimore. Për mua është një privilegj i veçantë që kjo vepër të ketë tërhequr vëmendjen dhe vlerësimin e një personaliteti të shquar…